| E diele, 18.11.2012, 02:06 PM |
Sami ISLAMI
VIZITA E MINISTRIT
Ana me nanën përdore
U nis drejt shkollës fillore
Gëzimi i saj qe i paparë
Se po hynte në klasë të parë.
Në oborr të shkollës, tollovi
Kishin ardhë shumë fëmijë
Të rreshtuar, e dorë për dore
Pritnin të hynin në mësojtore.
Në hyrje të shkollës një xhaxhi
Kishte libra për çdo fëmijë
Ana u bë shumë kurreshtare
Të dinte kush po jepte abetare?
-Është ministër në qeveri
Përgjigjet nana me butësi
Dhe secilit që është fillestar
Do t’i urojë fillim të mbarë!
-Kështu, kur të vjen radha dhe ty
Përshëndete me dashamirësi
Është njeri i madh, pa hajgare
Do të jap dhe ty abetare!
Ana s’foli për pak çaste
Po kujtonte disa raste
Kur sa herë e shihnin në kuvend
Prindërit i thoshin “i pa mend”!
Dhe i tha mamit me nxitim
Se ishte pak si n’ dyshim,
-A mos është ky ministër Jani
Që ju shpesh po e shani?!