Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Jeton Kelmendi: Kthimi i eshtrave të Mbretit Zog

| E diele, 18.11.2012, 03:34 PM |


Kujt i pengoi kthimi i eshtrave të Mbretit Zog në atdhe

Nga Jeton Kelmendi, Bruksel

U deshën të kalonin 51 vjet pas vdekjes se njërit prej personaliteteve më të shquara të kombit, Mbretit Ahmet Zogu dhe poashtu u deshën plotë një shekulli që prej shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, që njëri prej delegateve të asaj periudhe, më vonë themeluesi i shtetit ligjor e institucional, të kthehet për tu prehur në tokën e tij, në atdheun që e kishte përmbi të gjitha. Për gjysme shekulli nën sundimin e Partisë Komuniste, është mase e kuptueshme që ai ishte person i padëshiruar nga udhëheqësit dhe komunistet që shtrembëruan historinë, duke e quajtur mbretin me emra të ndryshëm, vetëm e vetëm që ta manipulonin opinionin dhe qytetarët e vendit, ndërsa përkrahësit e Mbretit i dënuan, persekutuan dhe burgosën. Një periudhë kjo e cila deformoj qenien kombëtare dhe eliminoj intelektualet, por pasojat e saj edhe sot e vuan shoqëria shqiptare. Është një kohë e gjatë e përpjekjeve të Mbretit Zog, Familjes Mbretërore dhe përkrahësve të tij për ta çliruar atdheun nga fallangat moniste, mirëpo nuk do flas për ketë çështje, por ajo që vazhdon të jetë shqetësuese për qytetarët shqiptarë, e veçanërisht intelektualet, jo vetëm në Shqipëri, por edhe Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës dhe diasporë, pra për më shumë se dy dekada të demokracisë, pse nuk gjetën forcën shqiptarët dhe t’ia sjellin eshtrat Mbretit në atdhe?

Një çudi e madhe, e cila sa herë që mendon, ta mbush hidhërim shpirtin.  Sido qe të jetë më mirë vonë se kurrë, thotë një fjalë popullore, prandaj edhe ne si qytetarë dhe intelektual duhet ti gëzohemi faktit se në ketë 100 vjetor të pavarësisë atdheut tonë, kryeqytetit ju kthye mbreti, ndaj edhe mund të themi se më në fund shteti shqiptar përmbushi një detyrim moral dhe kombëtar ndaj familjes mbretërore, por edhe ndaj vet popullit, sepse ai ishte unifikues i kombit. Esenca e çudirave është se dikujt edhe i vdekur i pengon Mbreti Zogu I ?!!!

Janë disa persona me orientim të majtë të cilët gjithnjë të okupuar nga ideologjia komuniste dhe enveriste, jo vetëm se mohojnë veprën e Mbretit Zog, por edhe hapur kundërshtuan kthimin e eshtrave të tij në atdhe. Këta zëra socialistë që pa u skuqur dalin me deklarime publike, madje madje edhe me letra dhe përralla duke ju drejtuar zyrtarëve të caktuar, vetëm e vetëm për ta tupitur opinionin. Letra e njëfarë Taulant Balla deputet i Partisë Socialiste të Shqipërisë drejtuar Presidentes së Kosovës për të mos marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të eshtrave të Mbretit Zog në Tiranë, pa i pyetur Hasan Prishtinën, Avni Rrustemin etj, nuk është gjë tjetër pos një taktikë e vjetër që baballarët e Ballave dhe pallave të tyre, për ta mohuar veprën e madhe të Mbretit Zog në konsolidimin e shtetit modern shqiptar. Edhe bojkotimi që i bënë socialistet  kësaj ceremonie, dëshmon se sa të çuditshme aq tragjikomike janë aktet e tyre kaç të ulëta dhe jo-civilizuese, qe në fakt dikush edhe mund ti cilësoj me të drejt si misionarë të se keqes. Pa dashur të futem në historinë e Mbretit, pasi që nuk është domen i imi, dua ta potencoj vetëm një fakt: Në kohën e Mbretit Zog, shqiptarët lëviznin në vendet e Evropës vetëm me pasaportën shqiptare, pa pasur nevojë për viza. Si mund të shihet ky fakt pos një respekt që qytetari shqiptarë kishte në përudhen e Zogut, kurse duke gjykuar nga aspekti politik, çështja shqiptare kishte arritur të faktorizohej, ndërsa vendi i varfër po bënte hapa të mëdhenj në ndërtimin e ushtrisë profesionale, administratës dhe strukturave shtetërore në përgjithësi.  Ekspertet e diplomacisë dhe politikës gjithmonë analizojnë në kontekst të rrethanave historike, prandaj lëvizjet taktike që përdori Mbreti Zog ishin mjete të cilat mundësonin fuqizimin e tij, që do të thotë se ishte barazi me ngritjen dhe ndërtimin e shtetit institucional, për të cilin kishte shumë nevojë Shqipëria e dalë nga luftërat e shumta. Për njeriun që nuk është militant partiak dhe nuk e ka mendjen dhe shpirtin e majtë, kur dëgjon, sheh dhe lexon këso marifetesh nga një parti e madhe si Partia Socialiste e Shqipërisë, është mase normale të shqetësohesh. Fundja çështja e Mbretit nuk është çështje që duhet ti frikësohen asnjë palë, andaj pse duhet të vjellët dhe pështyhet ai dhe përudha e tij. Kjo gjë vetëm nëse përdor çerekun e të menduarit, e lere më të menduarit normal, të shpie tek konstatimi se ata dhe ato që pështyjnë figurën historike të Mbretit Zog, ndonëse nuk ja kanë frikën për pushtet, ata dhe ato personalitete janë nën lëkuren e Partisë Komuniste dhe Enver Hoxhës, prandaj si refleksion ndaj saj, nuk mund të përmbahen pa u deklaruar se janë të tillë. Qeveria e djathtë Shqiptare, nëse donë të lavdërohet për shumë gjera, ka plotësisht të drejt që të ndihet mirë para qytetarëve, sepse ka bërë një vepër kombëtare me ndërtimin e maozoleumit për Familjen Mbretërore dhe kthimin e eshtrave të Mbretit Zogu I në atdhe.

Një çudi tjetër e cila ka edhe kuptim qesharak, është se disa persona, madje udhëheqës të lartë të Kosovës kanë qëndrim mohues dhe denigrues ndaj figurës së Mbretit të Shqiptarëve.  Për dallim nga nga majtistët e kuq në Shqipëri, këta njerëz janë pa orientim, sipas të gjitha gjasave këta persona e kanë humbur orientimin, apo ndoshta u ka humbur rruga dhe nuk po dinë ta gjejnë vetën. Hiç më i vogël se Kryeministër i Kosovës, që si fëmijë e thërrisnin Hashim Thaçi, pastaj u vetëquajt gjarpër, ndërsa pas takimeve me kryeministrin e Serbisë shumë kush i thotë Daçiqi i Kosovës, është ky ai që ndonëse nuk dinte se çka fliste para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ku ngatërronte emrat e serbëve, pastaj Esat Pash Toptanit dhe Ahmet Zogut dhe thoshte se nuk kanë parë hair shqiptaret nga këta njerëz. Edhe pse ky njeri posedon një diplomë fakulteti nga historia, nga deklarimet e tij dëshmon se ka deficit të njohurive bazike në ketë lëmi, ashtu siç ka edhe deficit në moral, edukatë qytetare, kulturë politike dhe orientim politik. Kësi soji Kosova ka edhe tjerë persona dhe personalitete, të cilët e kanë privatizuar patriotizmin e besa edhe atdheun dhe dita-ditës po e hanë bashkë me miqtë e tyre jashtë dhe brenda vendit. Një kuqalosh tjetër me mjekër të bardh dhe shpirt të zi, del në TV dhe pohon se Enver Hoxha e ka ruajtur Shqipërinë dhe e ka krijuar një shoqëri të edukuar prandaj meriton respekt. Është fjala për Rexhep Qosjen, njeriun që përditë mendon zi për mendjet e ndritura të kombit dhe për kthimin e totalitarizmit, ku ai do të ishte pasha...

Janë vërtet shqetësuese faktet, kur i sheh këta njerëz, disa me orientime majtiste, disa rrugë-humbur, të cilët pandalur i shërbejnë kombit për të keq, duke mbyllur urrejtje ndaj personaliteteve kombëtare. Në fakt ky fenomen është shumë i theksuar sidomos pas Luftës së Kosovës, ku shumë yryshgjinj ja mësynë Prishtinës dhe duke pasur mundësinë materiale, që ua dha koha dhe rrethanat, etiketojnë personalitet më të ndershme shqiptare në njërën anë, ndërsa ndërtojnë kulla prej letre me personalitet e tyre, ku mediokra të caktuar ngritën dhe gradohen. Ata dhe ato që vërtet e duan atdheun, vërtet kanë të drejt të zhgënjehen sepse duke shikuar realitetin në Kosovë, ku çdo gjë është deformuar, ndërsa padija ja ka zënë vendin dijes, amorali ja ka zënë vendin moralit, e keqja ka ja zënë vendin së mirës, mirëpo nëse ka diçka të vërtet tek thënia “se koha është e maskarenjve, ndërsa atdheu është i shqiptareve” duhet të durojmë dhe me terë forcën që kemi ta sjellim fundin e kësaj kohe dhe këtyre maskarenjve. Në ketë kontekst, mendoj se është e natyrshme qe të ketë mendime edhe të kësaj natyre, por përmasat e ndikim që i vërejmë tek ne, nuk ma merr mendja se mund ti hasim tek asnjë popull, prandaj mendoj se sa më herët qe ta kuptojmë ne si shoqëri, aq më mirë do të jetë për të ardhmen e brezave tanë. Dhe krejt për fund dua ta shpreh një bindje timen se mohimi i vlerave kombëtare dhe vlerave në përgjithësi, zakonisht bëhet nga ata që esencialisht kanë probleme me vlerën dhe nocionin vlerë, kështu që sado vonë dhe sado dhimbshëm të jetë Zoti nuk i harron vlerat njerëzore që ka Mbreti Zog, Populli Shqiptarë dhe Shqipëria jonë Natyrale, prandaj duke besuar në Zotin dhe duke ju përkushtuar çështjes kombëtare dhe vlerave tonë reale, do ta kemi të bashkuar Shqipërinë ashtu siç e duam dhe ku e duam.

Autori është master në politikat ndërkombëtare dhe çështjet e sigurisë ndërkombëtare pranë Universitetit të Brukselit