| E premte, 16.11.2012, 08:00 PM |
Klithma
shpirti
Nga Reshat Kripa
Para tre
ditësh në sallën e bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar Shoqata
Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë Para të Shqipërisë organizoi
promovimin e librit “Klithma shpirti” të ish-të burgosurit politikë nga regjimi
komunist, që ka bërë 23 vite burg në atë regjim, poetit dhe prozatorit Luan Burimi. Takimi u
zhvillua në mënyrë të përsosur. Atë e hapi sekretarja e përgjithshme e shoqatës
zonja Lili Ndoci e cila ia dha fjalën për përshëndetjen e rastit kryetarit të
shoqatës zotit Simon Mirakaj. Për jetën dhe aktivitetin e poetit foli shoku i
tij i burgjeve, edhe ky me 22 vite burg, Bedri Çoku. Poeti Uran Kostreci, një i
dënuar politikë që ka kryer 20 vite burg, foli për poezitë e tij plot ndjenjë.
Për prozën e autorit foli shkruesi i këtyre rradhëve. Pastaj folën edhe anëtari
i Bordit Drejtues të Komisionit Shtetëror të Hetimit të Krimeve të Komunizmit.
zoti Uran Butka dhe drejtori i këtij instituti, zoti Agron Tufa. Së fundi
përshëndeti dhe deklamoi një nga poezitë e tij më të bukura zoti Luan Burimi. Ajo që ra në sy në këtë takim ishte mungesa e
të ftuarve nga institucionet kryesore të vendit, Presidenca dhe Kuvendi . Jemi
të ndërgjegjshëm se drejtuesit e tyre mund të kenë qenë të angazhuar në
objektiva të tjera më të rëndësishme por, sidoqoftë, një përfaqësues të tyrin
duhej ta kishin dërguar. Megjithatë ajo që ra më tepër në sy ishte mungesa e
disa të përndjekurve në institucionet e Presidencës dhe Kuvendit, të cilëve nuk
dua t’ua përmend emrat vetëm për hir të besimit që kam patur për korrektësinë e
tyre. Kur iu dërguam ftesat menduam se ata do të ishin të parët që duhej të
kishin ardhur dhe kjo pasi ata janë ose ish të burgosur, ose ish të internuar,
madje ndonjëri edhe i lindur në internim, ose bij të pushkatuarish, të
burgosurish apo të internuarish. Mungesa e tyre na la një shije të hidhur dhe
kjo u shfaq edhe në fjalët e oratorve. Si ta quajmë një veprim të tillë,
mospërfillje, neglizhencë apo nënvleftësim. Cilado prej këtyre të ketë qenë nuk
është në nderin e tyre një veprim i tillë. Por le t’ia lemë ndërgjegjes së tyre
ta gjykojë këtë veprim dhe le të kthehemi tek tema për të cilën u zhvillua
takimi.
Ata
kishin një pasion, një dëshirë të madhe për të shkruar. Donin të shkruanin atë
që mendonin, atë që ëndërronin. Por për fatin e tyre të keq, jetonin në një
kohë kur nuk mund të shprehnin atë që u buronte nga zemra e tyre. Nuk mund të
shprehnin mendimet e tyre të lira, ndjenjat e shpirtrave të tyre të pastër.
Jetonin në një kohë, ku sistemi totalitar politik mbyste mendimin e lirë që në
lindjen e tij. Për t’ia arritur kësaj, ai kishte shpikur një formulë po kaq
totalitare të letërsisë dhe artit, për t’ia kundërvënë mendimit të lirë
formulën e të ashtuquajturit “realizëm
socialist“, një formulë absurde që ndrydhi talentet e mëdha dhe u hapi rrugën
veprave standarte që në më të shumtën e rasteve nuk kishin asnjë vlerë.
Talentet
e mëdha i rezistuan çuditërisht shtrëngimeve në format nga më të ndryshmet. Ata
më stoikët pranuan më mirë plumbat në gjokset e tyre se sa lirinë e dhunuar. Këtu
ia vlen të përmendim emrat e paharruar të martirëve Trifon Xhagjika, Genc Leka,
Vilson Blloshmi, Havzi Nela e të tjerë.
Të tjerë
provuan prangat e hekurta në vend të
nënshtrimit. Ata nuk bënë
kurrë art të imponuar, duke marrë me vete edhe pasojat.
Arti i tyre kishte brenda vetes të koncentruar një kod të brendshëm të
demokracisë, lirisë dhe bukurisë njerëzore. Brenda veprave të tyre nëpërmjet
alegorizimeve apo formave të tjera artistike indirekte, jepeshin mesazhe të
qarta të domosdoshmërisë së mendimit të lirë. Në rradhën e këtyre më lejoni të
përmend Visar Zhitin, Pjetër Arbnorin,
Pirro Kuqin, Frederik Reshpen, Pano Taçin, Astrit Delvinen e të tjerë.
Por
kishte edhe një kategori tjetër që shkruanin. Dora e tyre i hidhte këto në letër. Autori i lexonte dhe rilexonte me
vete, pa guxuar t’ia trgonte njeriu, me përjashtim ndoshta ndonjë miku shunë
besnik. Kishte edhe nga ata që shkruanin nëpër qelitë e burgjeve apo kasollet ku jetonin të izoluar nga bota e madhe.
Në to shkruhej për atdheun e robëruar, për lirinë, për dashurinë. Shkruhej për
dhimbjen, për mallin, për shpresën, për gjithçka. Në shkrimet e tyre sundonte
besimi për të ardhmen, edhe atëhere kur shumëkush e kishte humbur atë.
Këto
shkrime mbetën të panjohura për adhuruesit e letërsisë së vërtetë. Me to
kënaqej vetëm autori i tyre dhe që prisnin një ditë që të shpërthenin lirisht.
Autorët e këtyre shkrimeve nuk u bënë kurrë
servile dhe hipokritë, nuk u bënë kurrë lakej oborri.
Fundi i
viteve 80-të do të tregonte se forca e mendimit të lirë do të fitonte betejën me diktaturën. Perdet e hekurta që
ndanin të dy botët do fillonin të
shembeshin. I fundit nga vendet totalitare të Europës do të
ishte vendi ynë. Lëvizja studentore e dhjetorit 1990, do të ishte konkretizimi
logjik i fitores së ideve demokratike mbi ato diktatoriale. Lufta për këtë
fitore kishte filluar qysh më 28 nëntor 1944 dhe për të ishte derdhur shumë
gjak dhe ishin bërë shumë sakrifica, për gati pesëdhjetë vjet me rradhë.
Midis
plejadës së madhe të atyre të përndjekurve politikë, që kanë shkruar në qelitë
e burgjeve ishte edhe Luan Burimi. Ai i përket asaj plejade që kishte dëshirë
për të mësuar por nuk e linin të mësonte, pasi edhe shkolla ishte pronë e
“bijve të Stalinit”, kishte dëshirë të punonte, por nuk e linin të punonte
përveç në ndonjë kanal apo bujqësi, kishte dëshirë të jetonte por nuk e linin
as të jetonte dhe, për këtë e përplasën, për gati nje çerek shekulli, në
humnerat më të thella të burgjeve komuniste. Megjithatë ai shkroi. I regjistroi
këto shkrime në trurin e tij dhe ja ku na i serviri tani në librin me titull
“Klithma shpirti”. Poezit dhe prozat e paraqitura në këtë libër janë me të
vërtetë klithma të një shpirti të brengosur për miqtë dhe shokët e vuajtjeve,
për ata që janë dhe për ata që s’janë më në këtë botë. Ja ç’thotë autori në
fillim të tregimit “46 shekuj më parë”:
Unë as
nuk mundem as nuk duhet të flas për vitet 40-të, sepse kam qenë fëmijë atëherë.
Para syve
tanë shfaqen, si në ekranin e një televizori, pamjet makabre të dhunës
komuniste, të asaj dhune që e shndërroi një popull të tërë në skllav të bindur
ndaj kupolës më të egër që ka parë bota, kur, siç shkruan autori, kur gdhiheshe
në mëngjes e shihje fshatin në flakë nga shtëpitë e nacionalistëve që
digjeshin, apo kur një ditë ngryseshe në Shkodër, Durrës apo Tiranë, të
nesërmen gdhiheshe si i deklasuar në ndonjë kamp të punës së detyruar.
Shfaqjet
ndjekin njëra-tjetrën. Ja ku na shfaqet
Me mikun
dhe shokun tim të klasës, Luan Kokën, autori ishte njohur në kampin e punës së
detyruar në Skrofotinë. Qysh prej asaj dite u bën miq të ngushtë. Luani i
tregoi historinë absurde të burgimit të tij. Kishte një kushëririn e tij të arratisur.
Një natë të vitit 1960 ai kthehet fshehurazi në familje. Përqafon nënën dhe
motrën dhe pasi çmallet për disa orë largohet për të kryer misionin e ngarkuar.
Me vete mer disa fotografi të tyre dhe një revistë Hosteni që Luani e kishte
lënë kur kishte qenë për vizitë te nëna e të arratisurit. Pas disa ditësh bie
në pritën e sigurimit të shtetit dhe vritet. I gjejnë revistën Hosteni ku, në
një cep, ishin shkruar inicialet L.K. Kjo mjaftoi që sigurimi të arrestonte
Luanin dhe megjithse ai nuk pranoi kurrë që revista i përkiste atij, të dënohej
me 15 vjet burg, dënim që iu shtua edhe me 25 të tjera pas revoltës së Spaçit.
U lirua pas 29 vjetësh burg. U
Duke përfunduar dhe duke u kthyer edhe nje herë tek libri i Luan Burimit natyrshëm të lind pyetja: Ku do të ishte vendi i tij sot, në rast se sundimi totalitar nuk do t’ia priste me shpatën e Damokleut dëshirën për jetuar i lirë? Përgjigjen kësaj pyetje, ju lutem, jepjani juve të nderuar lexues!