| E merkure, 14.11.2012, 07:45 PM |
A do të bëhet Shqipëria?
Nga Reshat Kripa*
Një miku
im në Kanada, drejtues i një medie elektronike u kërkoi para disa ditësh një
grupi intelektualësh të shkruanin mendimet e tyre në lidhje me temën “A do të
bëhet Shqipëria?” Një nga këta isha dhe unë. Isha në dilemë nëse duhej të
shkruaja diçka apo jo. Nuk vendosja dot. Jo se nuk kisha material por mendoja
se, ndoshta, shkrimi im do të ishte një zë në shkretëtirë. Përse e them këtë?
Sepse mendoj se edhe herë të tjera që kam shkruar ato kanë rënë si i thonë
fjalës “në vesh të shurdhër”. Ndaj nuk vendosja dot t’i përgjigjesha kërkesës
së mikut tim. Para tre ditësh isha i
ftuar në një ceremoni zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë ku, në shenjë
respekti, u dhurohej familjarve të disa personaliteteve të luftës kundër
fashizmit dhe komunizmit, libri me Aktin e Pavarësisë botuar posaçërisht nga
Kuvendi i Shqipërisë me rastin e 100 vjetorit të kësaj feste të madhe. Nuk e di
sepse, por krahas vlerësimit për këtë aktivitet, brenda vetes time ndieva edhe
një boshllëk, një zbrazëtirë. Krahas rezervave kundrejt disa prej figurave të
paraqitura, ndieva një mungesë të shumë figurave të tjera që mendoj se
detyrimisht duhej të ishin prezent në atë ceremoni. Kur dëgjova disa emra që
m’u dukën të papërshtatshëm për t’u nderuar, së bashku me disa zotërinj të
tjerë u bëra gati për t’u larguar, por e mbajta veten. Qëndrova se doja të
mësoja gjithshka do të zhvillohej aty.
Le të
flasim më konkretisht. Në ceremoni u përkujtuan tridhjetë figura të njohura.
Ndoqa me vëmendje prezantimin e tyre. Nga këto vetëm shtatë i përkisnin
lëvizjes nacionaliste dhe pikërisht Abaz Kupi, Mit-hat Frashëri, Muharrem
Bajraktari, Gani Kryeziu, Safet Butka, Osman Kazazi dhe Imzot Dom Mikel Koliqi.
Njëzetetre të tjerët ishin ose komunista të vendosur si Qemal Stafa, Asim
Zeneli, Abaz Shehu ose pjesmarrës në lëvizjen komuniste por që, pas mbarimit të
luftës e kuptuan se ku po i çonin dhe u ngritën kundër atyre me të cilët kishin
luftuar së bashku, madje një pjesë prej tyre u eliminuan pa ngritur krye fare.
Përse ky diferencim? A mund të bëhet Shqipëria me diferencime ndërmjet rrymave
të ndryshme? Tani, njëzetedy vjet pas përmbysjes së sistemit totalitar, e quaj
të padrejtë këtë veprim.
Këtë
shkrim nuk e bëj për të majtët e vendit tonë pasi e di që ata nuk janë gjë
tjetër veçse një hije e së kaluarës dhe e kanë brohoritur një kremtim të tillë.
Shkrimi u dedikohet të djathtëve ose, më mirë, atyre që e quajnë veten të
djathtë. Do të doja t’iu thoja që të ruhen dhe të mos bien pre e mentalitetit
komunist. A nuk është folur mjaft, gjatë dyzetegjashtë viteve të sundimit të
tyre për “heronjtë komunistë”? A nuk mjaftojnë emërtimet e rrugëve dhe
shesheve, shkollave dhe institucioneve të ndryshme, filmave dhe këngëve pa
mbarim kushtuar atyre, madje deri edhe një stadiumi me emrin e ndonjërit? Mos
vallë duhen hymnizuar ende edhe tani që komunizmi u përmbys? Kjo i ngjan
thirrjes “Poshtë mbreti! Rroftë Mbreti!” që e
shqipëruar do të thotë “Poshtë komunizmi! Rrofshin komunistët!”
Do të
doja që një gjë e tillë të ishte një lapsus. Nuk do të doja të besoja që kjo
ishte një shenjë e “Katovicës”, siç më tha një miku im. Nuk do të doja të
besoja por, padashur, në mendje më vijnë mendime të ndryshme. Mendoj me veten
time: Ku ishte në atë ceremoni heroi i Termopiles shqiptare, Hysni Lepenica,
rënë në përpjekje me fashistët italianë së bashku me tridhjetepesë komandantë
të tjerë çetash? Ku ishte diplomati dhe
aleati i anglezëve, Skënder Muçua, vrarë nga nazistat gjermanë. Ku ishte Hysni
Toska, luftëtari i Pavarësisë dhe Luftës Patriotike të Vlorës, rënë heroikisht
në përpjekje me bandat komuniste? Ku ishte Aziz Çami, komandant i forcave të
armatosura të Ballit Kombëtar, vrarë po nga komunistët? Ku ishte mësuesi dhe
luftëtari kosovar Bajram Salihi, rënë në përpjekje me shovinistët serbë për një
Shqipëri Etnike? Të gjitha këto figura madhore mungonin në atë ceremoni. Përse?
Mos vallë pse ishin ballistë dhe nacionalistë dhe si të tillë duheshin lënë në
heshtje? Një veprim i tillë nuk mund të ndihmojë në bashkimin kombëtar.
Kush mundet le të më kundërshtojë. Para
fillimit të ceremonisë u shfaqen disa sekuenca filmike. Midis tyre edhe pamje
të ekzekutimit të heronjve të kënetës së Maliqit. Prisja të shihja edhe figurat
e Abdyl Sharrës dhe yllit të universitetit të Vjenës, Kujtim Beqirit në këtë
ceremoni, por ato mungonin. Por nuk mungonte poeti komunist Sejfulla Malëshova,
autor i vargjeve të mëposhtme:
“Si ylli
i karvanit, mbi shekuj rri Kremlini
Dhe drita
që lëshon, arrin gjer te Shkumbini!”
Përse?
Mos vallë pse Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri ishin ballistë? Edhe ky veprim nuk
mund të ndihmojë në bashkimin kombëtar. Edhe një herë kush mundet le të më kundërshtojë. Lista e burrave të shquar të këtij
kombi, të mbetur në harresë, është e madhe. Më lejoni të përmend vetëm disa
prej tyre: Xhelal Koprencka, Lef Nosi, Rexhep Mitrovica, Aristidh Ruci, Qazim
Kokoshi, Hajredin Cakrani, Bedri Pejani, të gjithë firmëtarë të Aktit të
Pavarësisë. A nuk meritonin familjarët e tyre një kopje të këtij akti? Po të
tjerë si Hasan Dosti, Patër Anton Harapi, Xhafer Deva, Ernest Koliqi, Xhevat
Korça, Ago Agaj, Eqerem Bej Vlora, Myfit Bej Libohova, Abaz Ermenji, Isuf Luzi
e të tjerë do të vazhdojnë të quhen ende kolaboracionist? Përse? Mos vallë pse
ishin ballistë dhe nacionalistë? Përsëri ky veprim nuk mund të ndihmojë në
bashkimin kombëtar. Përsëri kush mundet le të më kundërshtojë.
Këto
mendime bën që të ndieja një boshllëk kur dola nga ajo ceremoni. Ndjeva
boshllëk se megjithse Organizata e Ballit Kombëtar dhe nacionalizmi në
përgjithësi u vlerësuan me notat më të larta, heronjtë e tyre u lanë në
heshtje. Do të doja të kishte një përfaqësim të barabartë ndërmjet dy krahëve
të politikës shqiptare, madje po të viheshin në peshore atëherë ajo do të
anonte nga nacionalizmi shqiptar, pasi ai ka qenë gjithmonë flamurtar i
interesave kombëtare të këtij kombi. Në këtë 100 vjetor të Shpalljes së
Pavarësisë ky do të ishte oguri më i mirë në rrugën e bashkimit kombëtar.
M’u
kujtua kërkesa e mikut tim nga Kanadaja dhe pyeta veten: A do të bëhet
Shqipëria? Një pyetje që e bëjnë pothuajse të gjithë shqiptarët. Një pyetje që
ende nuk po gjen përgjigje dhe kjo për shkak të amullisë që ka mbuluar vendin.
Ç’kuptojmë me këtë pyetje. Një Shqipëri ku qytetarët mos ta quajnë armik
njeri-tjetrin, ku partitë politike të shkëputen nga mentaliteti komunist dhe të
bëhen si motrat e tyre në Europën demokratike, Mendoj se për të bërë Shqipërinë
duhet të çlirohemi nga pasionet partiake. Duhet t’i bashkohemi thirrjes së
Organizatës së Kombeve të Bashkuara që i bëri thirrje Shqipërisë qysh në vitin
2010 të dënojë krimet e komunizmit, t’i bashkohemi deklaratës së përbashkët të
gjashtë vendeve të Europës Lindore, Lituanisë, Letonisë, Hungarisë, Çekisë,
Bullgarisë dhe Rumanisë, drejtuar Komisares Europiane per te Drejtat e Njeriut
në BE dhe ku kërkohet ngritja e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve
të kryera nga regjimet komuniste. Duke patur parasysh gjëndjen aktuale mendoj
se një gjë e tillë është shumë e vështirë. Mendoj se kjo mund të arrihet vetëm
pas 50 vjetësh, atëherë kur në Shqipëri nuk do të ekzistojë më brezi ynë dhe
ndoshta edhe ai i fëmijve tanë.
Por a do
të bëhet Shqipëria?
“Shqipëria
do të bëhet,
Po vallë,
do ta gëzoj unë?”
Thotë kënga popullore. Kjo do të arrihet vetëm atëherë kur shqiptarët të mos e bëjnë më njeriun baltë si sot por baltën ta bëjnë njeri, ashtu siç veprojnë edhe shtetet e qytetëruara të botës.
*Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës