| E shtune, 08.10.2005, 11:53 PM |
Revista e mirënjohur “The Time” publikon për herë të parë listën e njëqind filmave më të mirë të të gjitha kohërave. Publikimi i kësaj liste bëhet vetëm pak ditë pas shpalljes nga e njëjta gazetë e njëqind novelave më të mira nga viti 1923 e deri në ditët tona. Klasifikimi i njëqind filmave më të mirë të të gjitha kohërave është realizuar mbi bazën e anketimeve që “The Time” ka bërë te persona të thjeshtë që i përkasin moshave të ndryshme, por edhe mbi gjykimin e kritikëve të mëdhenj të kinematografisë mbarë-botërore. Shumica e filmave që bëjnë pjesë në listë janë kurorëzuar më shumë se një herë me çmime të mëdha. Pjesë e këtyre filmave janë aktorë të mëdhenj që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kinematografisë botërore. Kështu, për shembull në mes shumë të tjerësh gjejmë emra si Marlon Brando, Merlin Monro, Antoni Kuin etj. Po të vëmë re listën do të na bjerë në sy që një pjesë jo e vogël e filmave i përkasin realizimit në gjysmën e parë të shekullit tonë edhe pse teknologjia e prodhimit të filmave asokohe linte shumë për të dëshiruar. Ndërkaq, të bën përshtypje mungesa e filmave të realizuar vitet e fundit. Mund të themi se me gjithë suksesin e korrur dhe çmimeve të fituara listës së njëqind më të mirëve i mungon i famshmi “Gladiator”, “Titanik”, “Matriks” etj. Shumica e aktorëve i përkasin gjeneratës së pjesës së parë të shekullit dhe vlerësohen për mjeshtëri aktoreske më tepër se aktorët e gjeneratës paraardhëse të tyre. Në disa prej këtyre emrave, ndoshta koha ka e ka zbehur pak dritën e saj. Por kanë qenë pikërisht kritikët e artit, ata që nuk kanë lejuar që emra të tillë si: Alfred Abel, Bibi Anderson, Robert Armsrong, Merisa Berenson, Carlo Batisti, Ingrid Bergman e ndoshta shumë të tjerë të mungojë drita dhe vlerësimi që i takon figurës dhe veprës së pavdekshme që kanë lënë. Për fat të keq, pjesa më e madhe e këtyre filmave dhe aktorëve, ashtu si shumë vepra të letërsisë botërore nuk janë të njohur prej publikut shqiptar për shkak censurës së viteve para pluralizmit. Mund të themi se ndër të paktët filma, prodhim i viteve të fundit, mund të përmendim “City of God” prodhim i vitit 2002, “Finding Nemo” prodhim i vitit 2003, “Knadahar” 2001, “The Lord of the Ring” prodhim i vitit 2001-2003 dhe filmi “Tolk to Her’ prodhim dhe ky i vitit 2003. Nëse do t’i bëjmë një rezyme listës së njëqind filmave më të mirë të shekullit, do të mbërrijmë në përfundimin se filmi më i vjetër i realizuar në listë është ai me titull “Sherlock, Jr” prodhim i vitit 1924 janë tre filmat që mbajnë si vit realizimi 2003-in, të cilët i përmendëm më lart.