Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Alfred Papuçiu: Ditët e kulturës në diasporë

| E diele, 11.11.2012, 09:41 PM |


DITËT E KULTURËS SHQIPTARE NË DIASPORË

Nga Alfred Papuçiu

Takim letrar me bashkëatdhetarët në Gjenevë në Universitetin Popullor Shqiptar, në kuadër të 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë

Në datën 9 nëntor 2012, Unioni i Shkrimtarëve dhe Kritikëve shqiptarë, në bashkëpunim me Universitetin Popullor të Gjenevës, organizuan një veprimtari domethënëse me bashkëatdhetarët nga të gjithë trevat shqiptare në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, si dhe bashkëatdhetarë që banojnë në Zvicër. Unioni i shkrimtarëve shqiptarë në këtë takim letrar, të zhvilluar edhe në vende të tjera ku ka bashkëatdhetarë, u përfaqësua nga shkrimtari Bahri Myftari nga Shqipëria, Gani Xhafolli dhe Reshat Sahitaj nga Kosova, Kalosh Celiku nga Maqedonia, Shaban Haxhiu nga Mali i Zi, Arsim Halili nga Presheva. Në takim mernin pjesë edhe shkrimtarë, veprimtarë, studentë që jetojnë në Zvicër, si dhe kordinatorja e Universitetit Popullor të Gjenevës, Albana Krasniqi-Malaj.

Me këtë rast u promovua edhe libri „Dhimbje e bukur“- homazh Ali Podrimjes, i autorëve, Reshat Sahitaj dhe Begzat Saliu. Libri është një vepër që poetët dhe shkrimtarët e të gjitha trevave shqiptare dhe të diasporës, me krijimet e tyre artistike,ja kushtojnë poetit Ali Podrimja. Libri përmban edhe një studim biografik dhe historiko-letrar kushtuar jetës dhe veprës së Ali Podrimja, shkruar nga Prof. Dr. Begzad Baliu. Kritiku dhe studjuesi francez Prof. Dr.Daniel Leuwers, shkrimtari i njohur grek Dino Kobatis, liriku i shquar shqiptar Visar Zhiti, Prof. Dr. Hamit Boriçi, publiçist i shumë veprave dhe profesor i gazetarisë shqiptare, kritiku, poeti Agim Vinça, Timo Flloko, Përparim Hysi, Flamur Shala, Agim Gashi, Agim Mato, Arsim Halili, Këze Zylo, Petraq Risto e shumë të tjerë, me shkrimet dhe poezitë e tyre kanë dhënë ndihmesën e tyre të çmuar për realizimin e librit „Dhimbë e bukur“.

Në këtë mbrëmje letrare me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë folën shkrimtarë dhe veprimtarët e pranishëm, lidhur me rolin e letrave shqipe në mbajtjen gjallë sidomos në diasporë të traditave, gjuhës dhe historisë së Kombit tonë. Shkrimtari Alfred Papuçiu theksoi rolin e çmuar që luan libri dhe shkolla shqipe në diasporë, sidomos për brezin e ri, në një kohë që në shumicën e rasteve ata kanë lindur në ato vende ku janë vendosur dhe përveç gjuhës së vendit, vazhdojnë të mësojnë dhe të lexojnë edhe në gjuhën shqipe. Ai ngriti rolin që duhet të luajnë sidomos shtëpitë tona botuese për botimin e veprave letrare, studimeve dhe analizave të shkrimtarëve, historianëve dhe gjuhëtarëve në diasporë, për t’iu kundërvënë me fakte, analizave denigruese ndaj Kombit dhe figurave të tij të shquara, nga ana e shkrimtarëve, historianëve etj., të disa vendeve fqinjë si Serbia, etj.,  por edhe atyre që u shkojnë për hosh këtyre qëndrimeve pa bazë. Shkrimtari Bahri Myftari përshëndeti të pranishmit për këtë nismë të mirë dhe uroi që takime të tilla të vlefshme, sidomos si ky me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Kordinatorja e Universitetit Popullor shqiptar në Gjenevë, Albana Krasniqi-Malaj përshëndeti të pranishmit për këtë veprimtari domethënëse dhe në këtë kuadër njoftoi se ditët e ardhëshme do të zhvillohen edhe veprimtari të tjera. I riu Vehbi Kryeziu ngriti rolin e duhur të organizimit të veprimtarive të tilla letrare, si dhe ato që u realizuan, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë në Gjenevë me historianë dhe arkeologë shqiptarë në Universitetin e Gjenevës.

Në këtë kuadër edhe në selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, ditët e fundit u organizua një shfaqje teatrale „Apologjia e vërtetë e Sokratit“ intepretuar me mjeshtëri nga Artisti i Merituar, Mirush Kabashi, si dhe me pjesëmarrjen e aktorit Alfred Bualoti. Në sallën e madhe të të Drejtave të Njeriut, krahas gjuhës angleze dhe asaj frënge kumboi zëri i artistit edhe në shqip. Kjo veprimtari mbresëlënëse, falë bashkëpunimit të ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, Sejdi Qerimaj dhe atij të Greqisë, Georges  J. Kaklikis u ndoq me shumë interes dhe u duartrokit nga qindra shqiptarë, por edhe diplomatë të vendeve të ndryshme.