| E marte, 06.11.2012, 09:43 PM |
TURQIA: VEND I RREZIKSHËM PËR GAZETARËT
Nga Frank Shkreli
Komisioni
Për Mbrojtjen e Gazetarëve me qendër në
Nju Jork, botoi kohët e fundit një raport prej 53 faqesh në të cilin vë në
dukje ''persekutimet e gjithanshme kriminale si dhe burgosjet e gazetarëve,
përfshirë edhe perdorimin nga ana e qeverisë, të lloj lloj forma presionesh,
për të detyruar krijimin e një atmosfere të vetcensurimit nga ana e
gazetarëve.'' Shkurt, Komisioni për
Mbrojtjen e Gazetarëve, thotë se
kufizimi i ''Lirisë së shtypit në Turqi ka arritur një nivel krize.'' Raporti akuzon qeverinë e Kryeminstrit turk
Rexhep Taip Erdogan se ''ka ndërmarrë masat më të egëra në botë kundër lirisë
së shtypit, që mbahen mend në kohët e fundit''.
Komisioni
për Mbrojtjen e Gazetarëve akuzon autoritete turke se kanë ''burgosur gazetarë
në masë me akuza terrorizmi ose për veprimtari anti-shtetërore dhe se kanë
filluar me mijëra procedime ligjore me akuza të ndryshme kundër
gazetarëve. Rapoti vazhdon duke thënë
se vet kryeministri Erdogan ka kritikuar publikisht gazetarët dhe u ka bërë
thirrje pronarëve të mediave të ndryshme që të disiplinojnë, ose madje edhe të
pushojnë nga puna gazetarët që kritikojnë qeverinë.
Duke
reagur ndaj raportit, autoritetet turke kanë thënë se vlerësimet e pavarura –
siç është raporti në fjalë -- të problemeve të lirisë së shtypit në vend, janë
të ekzagjeruara. Autoritetet
qeveritare kundërshtojnë numërin e arrestuar të gazetarëve duke thënë se
shumica e atyre që janë të burgosur mbahen për krime serioze dhe se nuk kanë të
bëjnë aspak me gazetarinë. Ministri
turk i Drejtësisë, Z. Sadullah Ergin, në përgjigje ndaj raportit tha se
''Turqia po përpiqet të krijojë një balancë midis nevojës për të ndaluar
lavdërimin e dhunës dhe propagandën e terrorizmit, me nevojën për zgjërimin e
lirisë e fjalës. ''
Mirëpo,
Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se Turqia është vendi numër një në
botë për arrestimin e gazetarëve duke nënvijuar se në përgjithësi Ankaraja ka arrestuar më shumë gazetarë se Kina, Irani
dhe Eritrea së bashku, vende këto që cilësohen si shtetet më shtypse në botë
ndaj gazetarëve dhe lirisë së medias.
Raporti mbi lirinë e medias në Turqi
identifikon 76 gazetarë të arrestuar deri në muajin Gusht të këtij viti
-- që sipas raportit është numëri më i
madh i gazetarëve të arrestuar në dhjetë vitet e fundit -- dhe thotë se pas një
shqyrtimi të secilit rast, Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve, ka ardhur në
përfundimin se 61 prej këtyre gazetarëve janë arrestuar për arsye të botimeve
të tyre ose si rrjedhim i punës së tyre gazetareske. Sipas raportit të Komisionit për Mbrojtjen e
Gazetarëve, 30 për qind e gazetarëve të arressstuar në Turqi, janë të akuzuar
për komplot me qëllim për të rrëzuar qeverinë.
Ndërsa të tjerët janë kryesisht gazetarë e korrespondentë të minoritetit
kurd, të cilët janë arrestuar nën akuzat se kanë mbështetur terrorizmin.
Qeveria
turke e Kryeministrit Erdogan ka filluar bisedimet për antarësim në Bashkimin
Evropian ç'prej vitit 2005 dhe krenohet me zgjërimin e demokracisë në vend, por
raporti nënvijon shqetsimet serioze të orgnanizatës në lidhje me mos tolerancën e qeverisë turke
ndaj kritikave në shtyp.
Në një
letër bashkangjitur raportit, Drejtori
Ekzekutiv i Komisionit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Z. Xhoel Sajmën i bëri thirrje kryeministrit
Erdogan që “të ndalojë sulmet e tij kundër shtypit dhe të sigurojë drejtësi për gazetarët,
ndërsa në të njëjtën kohë, të ndërmarrë reforma dhe të garantojë lirinë e të
shprehurit.’’ Në një raport të botuar në
fillim të Tetorit, edhe Komisioni Evropian ka shprehur “shqetsime serioze’’, në lidhje me numërin e
të arrestuarëve për mungesë të lirisë së
të shprehurit në Turqi. Edhe nga
mbrenda Turqisë ndëgjohen zëra kritike ndaj politikës së qeverisë së Erdoganit
ndaj kufizimit të fjalës së lirë dhe
arrestimit të gazetarëve që ushtrojnë këtë të drejtë universale. Nën-kryetari i Partisë Republikane Popullore
turke në opozitë, Z. Erdogan Toprak, sipas gazetës Milliyet, e cilësoi raportin
mbi lirinë e shtypit në atë vend si një
provë se qeveria është duke u bërë më autokratike, dhe shton se qeveria, “ka
ndërmarrë një operacion të madh presionesh dhe frikësimesh kundër gazetave,
televizioneve, medias në përgjithësi, intelektualëve, artistëve dhe
demokratëve.’’
Reagimet
në lidhje me këtë raport të Komisionit për Mbrojtjen e Gazetarëve në lidhje me
mungesën e lirisë së medias në Turqi kanë qenë të shumta në Shtetet e Bashkuara
si edhe në Evropë. Në një raport nga
Ankaraja, gazeta Nju Jork Tajms shkruan se “Nëqoftse qeveria (turke) do të
mirrte një qendrim më të arsyeshëm ndaj sigurimit kombëtar dhe të tregonte më
kujdes në lidhje me kriminalizimin e kërkesave të kurdëve për më shumë të
drejta, atëherë edhe gazetarët do të trajtoheshin më mirë.’’ Ankaraja, sipas gazetës Nju Jork Tajms, “duhet të ndryshojë kodin penal, duke e bërë të qartë se protestat paqësore nuk
përbëjnë krim.’’
Sipas
raportit të Komisionit për Mbrojtjen e Gazetarëve, si rrjedhojë e kufizimit të
lirisë së fjalës, edhe marrëdhënjet e ngushta midis Turqisë dhe Shteteve të
Bashkuara – të cilat të pakën pjesërisht janë ndërtuar e zhvilluar në imazhin e
Turqisë si një vend model rajonal i
demokracisë – mund të jenë në rrezik.
Komisioni
për Mbrojtjen e Gazetarëve përfundon duke i bërë thirrje Kryeministrit turk,
Z. Erdogan dhe qeverisë së tij, “që të
ushtrojnë vullnetin politik duke hequr dorë nga shtypja sistemike dhe
sistematike e pikëpamjeve të kundërta dhe të shpartallojnë sistemin e
gjithanëshëm të vendit që është ngritur për të shtypur fjalën e lirë dhe
median.’’