| E hene, 05.11.2012, 09:09 PM |
MEDITIME
NE PRAG TË 100 VJETORIT TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË
NGA KRISTAQ TURTULLI
Sa herë
afrohen, duke shkurtuar kohën me shpejtësinë e dritës hapësirat e largëta
kilometrike. Sa here trokasin në memorien tonë. Sa herë të lajmërojnë me fjalën
e erës, ftesën e dritës, zërin e thellë të breznisë. Sa herë vijnë pa fjalë e
zhurmë e bujë, ulen në sofër me ne për të pirë nga një gotë me ujë të freskët
burimi, përvjetorë, data, ngjarje dhe festa të mëdha në tokën MËMË,...
Sa herë
dëgjon shungullimën e së shkuarës, historisë, që asnjëherë nuk duhet harruar
dhe lënë mënjanë...
Gjithnjë
e gjithnjë, si pa kuptuar ndjen shkundje dhe më pas një dorë që të futet
tinëzisht në gjoks dhe të shtrëngon fort në shpirt. Përpiqesh të mbushesh me
frymë, të marrësh ajër të pastër, të freskët. Kërkon me ngulm me një farë
ankthi dhe pështjellimi të shohësh veten, rreth vetes dhe më tepër se përtej
rrethit të vetes. Në tokën e dytë, në zgjidhjen e dytë ku të çuan erërat e
fatit dhe ku jeton prej vitesh. Ku ke përjetuar ankthin e shpërnguljes,
lëvizjen e paditur, të pasigurt, të
pështjelluar drejt një bote tjetër krejt ndryshe nga ajo botës e vogël ku ke
lindur, rritur, mësuar dhe edukuar. Ke përjetuar rritjen e fëmijëve dhe
bredhjen e harbuar të viteve në memorien tënde, që gjithsesi pasqyrohet me
përshtatjen, tjetërsimin dhe plakjen.
I hutuar
një çast, e më pas përpiqesh të përqendrosh shikimin, në rrëkenë e pashtershme
të njerëzve e të gjitha racave dhe ngjyrave. Bredh vështrimin në rrugët,
pallatet e xhamta, të lodhen sytë gati të lotojnë prej ndryshimit të beftë të
ngjyrave marramendëse të stinëve. Të duket sikur nuk është i mjaftueshëm
peizazhi që mundohesh të gjesh, edhe pse
të mund hapësira që shtrihet përpara teje, dhe është e pafundme; fushë, fushë
dhe prapë fushë. Vetëtimthi të vjen ndërmend se për të ardhur këtu shite
gjithçka që ish krijuar në dhjetëra vite. Lëvize ajrin e ndehur dhe frymën e
ngelur pezull të të parëve, që nuk e shohim por ajo qëndron përjetë e
tjetërsuar në malet e larta ku shqiponjat bëjnë folenë, në kodra, liqenet,
lumenjtë e shumta dhe brigjet e thikta. More rrugën e madhe. Në një trastë të
vogël pëlhure fute vështrimin kaltër e të pështjelluar të fëmijëve, hutimin,
pasigurinë, frikën e gruas dhe të gjitha ëndrrat e së nesërmes. Ikëm me nxitim,
si prej një grushti të shtrënguar fort e që befas dora u lirua, u hapën krejt
gishtërinjtë, dhe i morri era me ngut kokrrat e vogla të grurit.
Më ngulm,
mall dhe dëshirë, e shtrin shikimin përtej dritareve të xhamta të tokës ku ke
emigruar për të shkuar dhe dëgjuar në vendin e ndjerë ku ke thënë për herë të
parën fjalën nënë dhe të ka freskuar ballin puthja e ngrohtë e saj. Ku ke
vrapuar me sandalet e vjetra dhe dërmuar gjunjët në kalldrëmet e rrugicave të
ngushta, ku ke vrapuar për të kapur fluturën shumëngjyrëshe, ku ke shijuar
emocionet dhe bukurinë e puthjes së parë. Ku ke qëndruar në vendroje në
përgjim, në shi në erë në furtunë. Ku je sëmurur, marrë pneumoni. Aty, ku i
thonë bukës bukë dhe ujës ujë. Aty ku qielli është i kaltër i kaltër dhe çdo vit vijnë dhe ikin patat.
Aty ku gurgullon uji i burimeve dhe ndjen forcën e erës së maleve të larta.
Kështu
ndodh gjithnjë me ne të mërguarit prej mëmëdheut të dashur. Askush nuk mund të
thotë që nuk ka mall dhe dashuri për atdheun, sepse do të mohojë pjesën më të
qenësishme të vetes së vet. Më shumë
emocionet dhe pështjellimet bëhen kur ka përvjetorë, që cilët janë të lidhura
aq fort me fatin dhe ekzistencën e vetë kombit. Edhe pse shumë prej nesh nuk e
shfaqin apo e shprehin, e mbajnë brenda vetes.
Kështu ka
ndodhur, në qindra e qindra vite e më parë, kanë mërguar shqiptarët, duke çarë
dete kapërcyer male dhe fusha. Po kurrë nuk e kanë harruar. I kanë kënduar me
mall mëmëdheut, kanë shkrirë gjithë jetën, pasurinë e tyre për të parë një
dritë, shpresë dhe jetë. Kanë kënduar këngë, janë thurur vargje madhore:
“ O e
bukura More...”
Këndohej
me dhembje dhe thirrje:
‘ Çohu
shqiptar prej gjumit çohu
Me besë
si vllazën, në besë shtrëngohu.
E mos
shikoni kisha e xhamia
Feja e
shqiptarit është shqiptaria...’
Këndohej
me patos, mall dhe krenari:
“ Ti
Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar,
zemrën ti
ma gatove plot dëshirë e me zjarr.”
Po
këndohej e gjithashtu:
”Mbeçë
more shoke mbeçë, përtej urës së Qabesë...
E pra, sa
herë afrohen, trokasin, vijnë, përvjetorë, ngjarje dhe festa të mëdha në tokën
MËMË, e të lajmërojnë me fjalën e erës, ftesën e dritës, zërin e thellë të
breznisë...
Sa
herë...
Gjithnjë
e gjithnjë, si pa kuptuar ndjen një dorë që të futet tinëzisht në gjoks dhe të
shtrëngon fort në shpirt. Dhe nuk mund të jetë ndryshe, nuk mund të dalësh nga
vetja dhe të kërcesh prej vetes. Janë shumë fije të dukshme dhe të padukshme që
të mbajnë të ndehur në udhëkryqin e madh të jetës dhe të gjenezës...
Por kur afron
ngjarja më e madhe e historisë së kombit Shqiptar, siç është 100 Vjetori i
Pavarësisë së Shqipërisë, kuptohet që është tjetër gjë. Emocione janë më të
mëdha. Nuk është vetëm një dorë që të futet tinëzisht në gjoks. Janë rrëmetet
dhe gjëmimet më të mëdha të shekujve, që të shungullojnë në krejt trupin. Ne jemi populli shumë i vjetër dhe i veçantë
në Evropë dhe në Ballkanit, me gjuhë të vjetër dhe me kulturë të lashtë. Me një
autoktoni të hershme në këto troje, duke na tkurru qëllimisht na luftërat e gjata
mijëra vjeçare me qëllim për të mos ekzistuar kurrë.
Fqinjët
tanë me dhëmbë të përgjakura prej kafshimit të vazhdueshëm të trojeve
shqiptare, kërkuan me ngulm, me zjarr dhe me hekur e përhapën qëllimisht vrerin
përreth më të bërë realitet mosqenien, ekzistencën e kombit të vjetër Shqiptar.
Por
shpata e mprehtë dhe pushka e gjatë nuk iu ndanë shqiptarit prej trupit. Nga
shekulli në shekull u munduam, me luftë
dhe përpjekje të mëdha, për identitet dhe liri por që fati nuk na ndihmoi. Prej
gjirit të popullit tonë dolën personalitete dhe gjeneralë të mëdhenj, që nga
Piroja i Epirit, Perandorët e perandorisë romake, Kostandini, Justiniani me të
tjerë. Gjenerali i madh, kalorësi i krishterimit Gjergj Kastrioti Skënderbeu,
që u bë për 25 vjet me radhë mburojë e botës së qytetëruar kundër hordhisë
turke, fuqisë më të madhe të botës. Arkitektët të mëdhenj, vezirë dhe
pashallarë që drejtuam perandorinë turke për katërqind vjet me radhë. Udhëheqës
të mëdhenj Si Marko Boçari me Xhavellët, Kundriotët, Bubulina e pavdekshme e të
tjerë që udhëhoqëm kryengritjen e madhe dhe çliruan Greqinë.
Mu kujtua
me një grek, ku punoja para disa vitesh në një banket holl. Ai mu afrua
ngadalë, më vuri dorën miqësish në sup, por me një nënqeshje të hollë ironike
më tha: Kristaq, më duket se ti je nga Korça, apo jo,? Po, i u përgjigj. Sa
ngjan ti me ne grekët, tha. E vështrova butësisht dhe ia ktheva. Po ke të
drejtë ngjajmë, bile shumë, veç me një ndryshim të rëndësishëm, jeni ju grekët
ngjani me ne shqiptarët sepse jemi një gjak, por gjaku i parë më i kulluar jemi
ne, që buron prej mëmëdheut dhe zbritën në tokën greke, jetuam dhe çliruam prej
pushtimit turk. Ja shiko, ti nuk e di, por të gjitha doket dhe zakonet që
festoni ju në këtë banket holl janë tonat, shqiptare. Greku ngriti vetullat
përpjetë i befasuar dhe i hutuar dhe pa
thënë asnjë fjalë, mblodhi supet dhe iku. E sa herë ndesheshim më vonë
më shihte vjedhurazi pa guxuar të më shikonte në sy.
Populli
shqiptar nxori prej gjirit të vet, heronj, personalitete, gjeneralë, figura të
mëdha, por përsëri nuk gjeti veten e vet, mëmëdheu u end nëpër shtigje të
verbëta dhe mjegull pa parë dritën e vërtetë të lirisë. Nuk kish ardhur ende
dita e kërkuar, nuk kish premtuar koha, apo nuk kishin gjetur veten dhe
ndërgjegjësimin e duhur vetë shqiptarët, kur pushkën e gjatë nuk e kishin
shkulur asnjëherë prej supit? Ishte një endje e rrëmujshme në luftë me veten
dhe me të tjerët. Ikje e ngutur drejt mugëtirës. Ardhje e vështirë e përgjakur
dhe pushka e gjatë shkrehej kuturu në muzg ngandonjëherë në kah të vetvetes...
Shekujt
gjëmonin, përgjakeshin si gjithnjë dhe iknin mundimshëm. Mëmëdheu tkurrej,
rrudhej copëtohej prej fqinjëve. Derisa, më në fund erdhi dita e madhe e
pavarësisë së vendit. Ëndrra e rilindësve e të gjitha breznive.
Gratë dhe
nënat shqiptare të shumëvuajtura qëndisnin flamurin dy krenorë, kuq e zi dhe
zërat burrërorë të përgatitur për liri, buçisnin:
‘Për
mëmëdhenë, për mëmëdhenë, vraponi burra se s’ka më prit...
Të vdesim
sonte me besë a besë, pranë flamurit kuq e zi.”
Një
grusht burrash të mençëm dhe guximtarë i vunë shpatullat kombit. Plaku i bardhë Ismail Qemali , duke mbartur mbi supe
historinë ngriti flamurin e kuq me shkabën dy krenore në Vlorën heroike. Retë e
zeza u çanë dhe hyri drita e bardhë. Toka e vjetër mori frymë së fundi dhe
eshtrat e breznive shumë shekullore lëvizën prej vendit, u bëmë më vete. Dhe
mes atyre burrave, në ballkonin e vogël të shtëpisë së thjeshtë vlonjate ku u
ngriti flamuri ynë i shenjtë dhe ku u firmos dokumenti i madh dhe më i
rëndësishmi i të gjitha kohërave, ishte dhe njëri prej anëtarëve të familjes
sime, Mihal Turtulli.
Sa herë
afrohen, duke shkurtuar kohën me shpejtësinë e dritës hapësirat e largëta
kilometrike. Sa here trokasin në memorien tonë. Sa herë të lajmërojnë me fjalën
e erës, ftesën e dritës, zërin e thellë të breznisë. Sa herë vijnë pa fjalë e
zhurmë ulen në sofër me ne, përvjetorë, ngjarje dhe festa të mëdha në tokën
MËMË...
Sa herë
dëgjon shungullimën e së shkuarës, historisë, që asnjëherë nuk duhet harruar
dhe lënë mënjanë...
Por këtë
herë është ndryshe, është ngjarja më emocionuese, më e rëndësishmja me e
madhërishmja:
100
vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, i bërjes së vendit, ndërsa dhëmbët e
përgjakura e të helmëta të fqinjëve u thyen shkëmbinjve të thikta të së
vërtetës, historisë...
Prandaj
është kënduar dhe do të këndohet me shpirt, me mall dhe zjarr:
‘Por mbi
te gjitha dua më shume SHQIPËRINË.
GËZUAR ATDHE, LARTËSOHU NË NJËQIND DHE NJËMIJË PËRVJETORË TË TJERË.