| E enjte, 01.11.2012, 09:26 PM |
INJORIMI
I MARRËVESHJES SË OHRIT
Nga Xhelal Zejneli
Injorimi
i Marrëveshjes së Ohrit apo interpretimi i njëanshëm i saj - Injorimi i
Marrëveshjes së Ohrit nga faktori maqedonas shkakton në Maqedoni tensione
ndëretnike, gjë që gjeneron krizë politike të pashmangshme. Në mënyrë të
heshtur janë duke u zhvilluar dy procese:
- E para,
VMRO-ja e injoron Marrëveshjen e Ohrit apo e interpreton njëanshëm atë;
- E dyta,
faktori politik shqiptar, si reaksion ndaj moszbatimit të Marrëveshjes së
Ohrit, ndërmerr veprime që nuk janë përcaktuar me ligj.
Nga dy
veprimet e sipërthëna,
Krijohet
përshtypja se për çështje të caktuara, shteti funksionon si federatë e dy
bashkësive etnike: e shqiptarëve dhe e maqedonasve. Secili nga partnerët e bashkëqeverisjes,
lidhur me çështje të caktuara kombëtare, punon në krye të vet. Kjo nuk i acaron
vetëm marrëdhëniet midis partnerëve të bashkëqeverisje, por ndikon edhe në
tensionimin e marrëdhënieve ndëretnike. Fajtor i vetëm për këtë është faktori
maqedonas, për arsye se nuk e respekton Marrëveshjen e Ohrit. Reagimi i
faktorit politik shqiptar është i natyrshëm.
Homazhi
për dëshmorët e luftës së 2001-shit, bërë nga ministri shqiptar i Mbrojtjes i
qeverisë së përtashme, përshëndetja e kadetëve në gjuhën shqipe nga po ky
ministër, ndërrimi i emrave të shkollave, i ndërmarrë nga kryetari i komunës së
Çairit të Shkupit, nderimi i himnit kombëtar shqiptar nga udhëheqës politikë
shqiptarë dhe nga intelektualë universitarë – nuk janë akte individuale,
personale apo private, të ndërmarra për qëllime ekzibicioniste apo për
marketing politik, sikundër u interpretua nga ca “analistë” maqedonas. Ato janë
veprime të natyrshme të faktorit politik shqiptar, në rrethanat kur pala
kundërshtare, çdo tentativë të shqiptarëve për t’i zgjidhur çështjet e hapura,
e pret mbi tehun e shpatës. Veprimet e lartpërmendura të faktorit politik
shqiptar e kanë mbështetjen e tërë popullit shqiptar në Maqedoni dhe të mbarë
kombit në rajon.
Mirëpo,
në të mirë të përgjithshme është që të gjitha çështjet e hapura të zgjidhen me
ligj, pas një marrëveshjeje politike midis faktorëve politikë. Për të mos rënë
në kurthet e djallëzisë bizantine, faktori politik shqiptar, para se të hyjë në
qeveri, me palën e kundërt duhet të hartojë marrëveshje politike konkrete dhe
të përpiktë, me afate të sakta të sendërtimit të saj. Shkelja eventuale e
marrëveshjes duhet të nënkuptojë prishjen e bashkëqeverisjes. Me këtë rast,
opozita shqiptare në asnjë mënyrë nuk duhet të hyjë në bisedime për
bashkëqeverisje. Mos-hyrja në qeveri
është vijë e kuqe, kalimin e së cilës nuk mund ta imponojnë, as qendrat
politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni dhe Berlini, as qendrat
politike shqiptare – Tirana dhe Prishtina.
Hyrja e
faktorit politik shqiptar në qeveri pa marrëveshje politike konkrete, i
mundëson partisë maqedonase që për çështje të caktuara të ndërtojë strategji të
fshehtë. Me atë rast, gjatë tërë mandatit, “partneri” maqedonas “i
bashkëqeverisjes”, për çështje të caktuara ndjek politikë jotransparente dhe sekrete.
Çdo tre muaj e befason partnerin shqiptar “të bashkëqeverisjes” me ndonjë akt
antishqiptar. Aktet e tilla, natyrshëm krijojnë tensione ndëretnike.
Pasojat e
politikës djallëzore sllave janë: raportet e ndera midis bashkësive etnike;
jostabiliteti i shtetit, ngecja ekonomike e tij dhe zvarritja e proceseve
demokratike; dobësimi i kohezionit të shtetit dhe thellimi i vijës ndarëse
midis etnikumeve; nxitja e tendencave centrifugale te faktori shqiptar; rënia
prestigjit të shtetit në planin ndërkombëtar.
Arritja e
një marrëveshjeje politike ndërkaq, midis faktorit politik shqiptar dhe atij
maqedonas, para se të krijohet qeveria, është në interes, si të shqiptarëve
ashtu edhe të maqedonasve. Efektet pozitive për shtetin do të ishin: forcimi i
kohezionit dhe i stabiliteti, nxitja e proceseve ekonomike, shtimi i
kapaciteteve demokratike, rritja e
prestigjit në planin ndërkombëtar.
Maqedonasit
deri në skajshmëri janë restriktivë ndaj shqiptarëve, për arsye se pandehin se
çfarëdo e drejte që t’u njihet shqiptarëve, pashmangshëm shpie në federalizmin
e Maqedonisë, pas të cilit, natyrshëm pason ndarja. Mirëpo, shqiptarët nuk mund
të pranojnë të jenë viktimë e kësaj paranoje të tyre.
Marrëveshja
politike që do t’i printe formimit të qeverisë do të duhej t’i përmbante të
gjitha kërkesat politike që parashikohen në Marrëveshjen e Ohrit – të
interpretuar drejt.
Shtrohet
pyetja:
Marrëveshja
e Ohrit nuk është marrëveshje kulturore, siç duan ta interpretojnë “ekspertët”
maqedonas. Ajo u siguron shqiptarëve subjektivitet politik të plotë në shkallë
vendore si dhe subjektivitet politik të caktuar në nivel qendror. Interpretimi
i njëanshëm i saj i privon shqiptarët nga subjektiviteti, si në shkallë vendore
ashtu edhe në atë qendrore. Me interpretimin autentik të Marrëveshjes së Ohrit
nënkuptohet mbrojtja e dimensionit politik të saj.
Shqiptarët
duhet të bëjnë dallimin ndërmjet të drejtave kulturore, në një anë, dhe të
drejtave politike, në anën tjetër. Me të drejtat politike nënkuptohet
sovraniteti mbi ekonominë, i shoqëruar nga gjuha shqipe dhe nga flamuri
kombëtar. Ndërkaq, një shkallë më e lartë e të drejtave politike nënkupton
sovranitetin mbi territorin, të shoqëruar nga gjuha shqipe dhe nga flamuri
kombëtar.
Pikërisht
për këtë arsye faktori shqiptar në Maqedoni duhet të mbrojë me të gjitha mjetet
politike: luftën e 2001-shit; rolin e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në të, si
dhe interpretimin autentik të Marrëveshjes së Ohrit. Meqë pala maqedonase i
mohon tri vlerat e lartpërmendura që ndërlidhen me luftën, atëherë është
detyrim historik i faktorit politik shqiptar që t’i mbrojë ato me çdo kusht.
Edhe pse me konfliktin e armatosur të para një dekade nuk arritën të përmbushen
synimet historike të shqiptarëve në Maqedoni, megjithëkëtë lufta e 2001-shit,
UÇK-ja dhe Marrëveshja e Ohrit kanë rëndësi historike për shqiptarët në rajon.
Lufta e 2001-shit, UÇK-ja dhe Marrëveshja e Ohrit u shkaktojnë shqetësim
shpirtëror dhe psikologjik nacionalistëve maqedonas, për arsye se me to
rrënohet përfundimisht ëndrra e tyre për një Maqedoni monoetnike dhe
centraliste. Shteti me komponente binacionale dhe i decentralizuar, ia hap
rrugën shembjes së karakterit unitar të tij, si një hap drejt proceseve të
mëtejme. Sipas tyre, interpretimi autentik dhe implementimi i plotë i
Marrëveshjes së Ohrit, shpie pashmangshëm drejt federalizmit të vendit, pas të
cilit pason pandalshëm procesi i ndarjes së Maqedonisë. Shqetësimet e
maqedonasve janë të pabaza. Marrëveshja e Ohrit u mundëson shqiptarëve një
shkallë të caktuar barazie kombëtare. Nacionalistët sllavë ndërkaq, barazinë e
të tjerëve me ta, e përjetojnë si pabarazi të vet. Ideologët bizantinë nuk duan
të pajtohen me faktin se shqiptarët në gadishull janë popull autokton, me
lashtësi më të madhe se heronjtë homerikë.
Mohimi
apo injorimi i tri vlerave të sipërthëna i kthen proceset prapa. Marrëveshja e
Ohrit, e devalvuar njëherë, vështirë mund të rivlerësohet.
Në qoftë
se VMRO-ja nuk heq dorë nga destruksioni politik, atëherë rezulton se ajo, me
vetëdije i rrënon themelet e shtetit. Në rrethana të tilla, faktorit politik
shqiptar nuk i mbetet tjetër përpos të riorganizohet, të ripozicionohet dhe ta
kontestojë, jo vetëm ideologjinë anakronike dhe johistorike të VMRO-së, por
edhe krijimin më artificial të AVNOJ-it – Maqedoninë.
Dilema:
sikur të dalim nga qeveria ku do të vejmë dhe ç’do të bëjmë është e pabazë.
Pjesë e demokracisë është edhe mosbindja civile. Teoria politike njeh mosbindje
civile pasive dhe mosbindje civile vepruese. Që të dy variantet e veprimit janë
joviolente.
* * *
Për
arritjen e objektivave madhorë, faktori politik shqiptar duhet të riorganizohet
dhe të ripozicionohet politikisht, pikërisht në hapësirën politike të vet.
Depozicionimin politik që ia shkakton Gruevski, faktori politik shqiptar,
nëpërmjet riorganizimit politik duhet ta shndërrojë në ripozicionim politik.
Partitë
politike shqiptare:
- Duhet
ta ndërpresin veprimin e tyre në institucionet e sistemit;
- Të vënë
moratorium mbi veprimtarinë partiake;
- Të
bashkoheni rreth një fronti politik të përbashkët;
- Të
hartojnë projekt kombëtar për zgjidhjen reale të çështjes shqiptare në
Maqedoni;
- Ta
shpallin të pavlefshëm kushtetutën e këtij vendi;
- T’i
propozojnë palës maqedonase afat konkret për fillimin e bisedimeve për një
marrëveshje historike ndëretnike.
Çfarëdo
qeverie në Shkup, pa shqiptarët në të, s’do të kishte legjitimitet – as të
brendshëm e as të jashtëm. Maqedonia, pa shqiptarët në qeveri, pëson infarkt
vdekjeprurës.
Asnjë
bashkësi etnike në Evropë nuk është e nëpërkëmbur si shqiptarët në Maqedoni, të
cilët përbëjnë 30% të popullsisë së përgjithshme të saj, përballë një grupi
etnik pa identitet. Politika represive e Gruevskit ua përkujton atyre kohën e
perënduar të opresionit rankoviqist. Kur është fjala për shqiptarët, ndërmjet
VMRO-së së Gruevskit dhe gligorovistëve proserbë, nuk ka asnjë dallim. Te
asnjëri prej tyre, shqiptarët nuk duhet të gjejnë partnerë strategjikë.
Shqiptarët kurrë, në asnjë rrethanë dhe për kurrfarë interesi, flamujt partiakë
nuk duhet t’i lidhin me flamurët e “partnerëve” sllavë.
Kriza e
tashme ndërmjet faktorit politik shqiptar dhe atij maqedonas është edhe pasojë
e vitit 2006, kur shqiptarët rendnin të hynin në qeveri edhe si humbës. Qeveria
e tashme është e paqëndrueshme. Në një qeveri të re shqiptarët duhet të hyjnë
me platformë të studiuar në hollësi. Faktori politik shqiptar duhet t’ia bëjë
me dije palës maqedonase se nuk hyn në qeveri pa qëllime politike dhe pa ideal
kombëtar. Të jesh në qeveri pa qëllim politik dhe pa ideal kombëtar, do të
thotë se je bërë pjesë e saj për interesa të individëve, të grupeve dhe të
koniunkturës.
Fërkimet
brenda faktorit politik, jo vetëm që janë të arsyeshme, por edhe të
domosdoshme. Jo përplasje për të zënë pozita, por dallime në pikëpamje në
funksion të kauzës. Politikanët, jo gjithmonë duhet të jenë pragmatikë.
A nuk
është kontradiktore: edhe të jesh pjesë e qeverisë, edhe të sillesh si
opozitë?! A nuk është paradoksale: edhe të jesh ministër i qeverisë, edhe të
botosh shkrime kundër saj?!
Çështjet
kombëtare me dimension territorial zgjidhen kryesisht në momente historike të
caktuara. Zgjidhja e tyre varet nga një sindrom faktorësh, siç janë: raporti i
forcave të palëve në kontest, konstelacioni rajonal dhe global, ndërthurja e
interesave të fuqive të mëdha. Interesat e fuqive mund të jenë: strategjikë,
ekonomikë, ideologjikë, fetar, civilizues. Zgjidhjet e kontesteve territoriale
kërkohen kryesisht me luftë. Ato ndërkaq, nuk bëhen kur t’i kujtohet ndokujt.
Luftërat në Ballkan, në këtë fazë - kanë pushuar. Fuqitë e mëdha nuk hyjnë në
luftë sa herë të kesh nevojë ti.
Është në
interes të dy popujve që mosmarrëveshjet t’i zgjidhin në rrugën politike,
demokratike dhe racionale, bazuar në real-politikë.
* * *
Shqiptarët
në Maqedoni gjithmonë e kërkojnë fajin te Gruevski, te VMRO-ja, te pala
maqedonase dhe asnjëherë në vetvete. Asnjë popull në histori nuk i ka realizuar
aspiratat kombëtare duke vajtuar. Për padrejtësitë që u bëhen, shqiptarët në
Maqedoni duhet ta kërkojnë fajin edhe në vete, duhet të kërkojnë përgjegjësi
edhe nga vetja. Shqiptarët në Maqedoni, kohë pas kohe duhet ta matin shkallën e
vetëdijes kombëtare. Një popull me vetëdije kombëtare të ulët nuk është popull
politik. Një popull me vetëdije kombëtare të ulët nuk mund ta fitojë luftën
politike. Atdhetarizmi i një populli me vetëdije të ulët është patriotizëm
folklorik. Asnjë luftë politike në histori, nuk është fituar me folklorizëm. Me
romantizëm mund ta joshësh veten, por jo edhe të ngadhënjesh mbi palën
kundërshtare. Të drejtat në letër mund t’i hartosh si të duash, por t’i
realizosh ato në praktikë është një çështje e ndërlikuar. Shqiptarët në
Maqedoni ndodhen në rrafshin e konstatimeve. S’ka ditë që nuk konstatojnë se
ndaj tyre pala maqedonase bën padrejtësi. S’kalon ditë pa u ankuar se si janë
të shkelur e të shtypur. Karakteristikë e shumë intelektualëve shqiptarë në
Maqedoni është se konstatimet për shfrytëzim të egër nga ana e Gruevskit i
bëjnë në rrugë, në treg, në byrektore, në qebaptore, në bastore, në taverna, në
zyra dhe në çajtore. Shpesh, duke luajtur letra dhe gurë.
Ka edhe
shqiptarë që thonë: “Shqiptarët nuk meritojnë më tepër...shumë e kanë edhe këtë
copë lirie.” Fjalët si këto nuk janë defetiste, por thellësisht antikombëtare.
Një kauzë
kombëtare e arrin qëllimin më lehtë kur i ka determinantët historikë dhe
sociologjikë. Pala maqedonase bën ç’mos për ta parandaluar krijimin e klasës së
lartë të shoqërisë shqiptare. Pikërisht për këtë arsye, 100% e kapitalit
ekonomik dhe financiar ndodhet në duart e saj. Rrënimi ekonomik i shqiptarëve
është strategji e paramenduar e VMRO-së. Gruevski e di se një popull i rrënuar
ekonomikisht, më parë se për flamur, do të mendojë për bukë.
Duke qenë
se shqiptarët në Maqedoni nuk kanë klasë shoqërore të lartë, mbartëse e
nacionalizmit shqiptar është klasa e mesme dhe klasa e ulët e shoqërisë. Për të
drejta politike nevojitet nivel politik, kapacitet politik, veprim politik dhe
jo konstatime provinciale, mendësi fshatarake si dhe diskurs folklorik.
Zhan-Pol
Sartri thotë se njeriu vetë është fajtor për fatkeqësinë e vet. Ndërkaq, Gëte
thotë: “Liri ke aq sa edhe meriton, d.m.th. fitorja i përket atij i cili çdo
ditë shkon në luftë për të”.
Nacionalizmi
shqiptar në Maqedoni dhe kudo në rajon, është nacionalizëm mbrojtës dhe jo
ekspansionist e hegjemonist. Shqiptarët në Maqedoni meritojnë shumë më tepër se
kaq.