Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Reagim nga Aleanca Kuq e Zi - Maqedoni

| E enjte, 01.11.2012, 08:27 PM |


Aleanca Kuq e Zi - Maqedoni

Reagim

Aleanca KuqeZi - Maqedoni, reagon fuqishëm ndaj shkrimit me titull, “Agimi Kuq e Zi edhe në Manastir”, gazeta e përditshme në gjuhën maqedonase, “Dnevnik”, datë 01.11.2012, faqe 1, 2,3, në të cilën Aleanca KuqeZi krahasohet me Partinë fashiste greke “Agimi i Artë”, si dhe jepen disa vlerësime dhe insinuata në lidhje me emra të përvetcëm që gjoja përfaqësojnë qëndrime e veprimtari të Partisë Aleanca KuqeZi.

Së pari, Aleanca KuqeZi nuk vepron si Parti e regjistruar politike në Maqedoni. Ajo është Parti politike që është e regjistruar dhe vepron vetëm në Republikën e Shqipërisë.

Aleanca KuqeZi vepron në Maqedoni si grup joformal i qytetarëve, studentëve, dhe të interesuarve të tjerë që ndajnë mendime të përafërta në lidhje me pozitën e komunitetit tonë në këtë vend.

Së dyti, Aleanca KuqeZi, ka në programin e saj parime qytetare, demokratike e europianiste që nuk kanë asgjë të përbashkët me programin, ideologjinë dhe veprimet e Partisë “Agimi i Artë” në Greqi.

Së treti, Aleanca KuqeZi  respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë, por vlerëson se komuniteti i dytë më i madh në vend, ai shqiptar ndodhet në pozita të palakmueshme diskriminimi nga regjimi maqedonas. Në këtë drejtim ajo ndan mendimin për barazi të plotë mes dy komuniteteve në Maqedoni nëpërmjet ndryshimeve pozitive kushtetuese, gjë që është plotësisht në pajtim me kërkesat e Komisionit Europian, bashkëjetesën në këtë shoqëri, frymën e miqësisë mes popujve dhe integrimin sa më të shpejtë të rajonit në BE.

Valon Kurtishi

Bekim Adili

Aleanca KuqeZi - Maqedoni

Tetovë, 01.11.2012