| E hene, 29.10.2012, 08:10 PM |
Përfundoi
Edicioni i XVI i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”
DITËT E NAIMIT E HAPËN SIPARIN NË TETOVË DHE E MBYLLËN NË PRISHTINË
Nga Artan
Arsllani
Pamje nga hapja e Festivalit
Prej
18–21 tetor, në Tetovë, në Prizren dhe në Prishtinë u mbajt Edicioni i XVI i
Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Ky shenjues kulturor u
zhvillua në 100 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së shtetit shqiptar në
bashkëpunim me Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe me PEN-in e Kosovës.
Brenda tri ditëve u mbajtën një sërë aktivitetetesh letrare, artistike dhe
kulturore. Në te morrën pjesë mbi 30 poetë nga vende të ndryshme të botës si:
SHBA, Argjentinë, Finlandë, Norvegji, Danimarkë, Holandë, Gjermani, Itali,
Francë, Spanjë, Marok, Indi, Ukrainë,
Algjeri, Bullgari, Turqi, Slloveni, si dhe nga e gjithe hapsira shqiptare.
Çelja
festive e siparit të Edicionit të XVI u bë me anë të ndezjes së fishekzjareve
para Qendrës së Kulturës, në Tetovë. Në fillim, nga drejtori i Festivalit,
Shaip Emërllahu, nga laureatja Tua Forsstrom, nga kryetari LSHK, Adem Demaçi,
nga rektori i USHT-së, Vullnet Ahmeti, u vendosën buqete lulesh para shtatores
së poetit tonë kombëtar “Naim Frashëri”, që ndodhet në qendër të Tetovës, e të
cilin Drejtoria Festivalit e pat ngritur në 100 vjetorin e vdekjes së tij.
Pastaj, në foajenë e Qendrës së Kulturës, u hap ekspozita ‘100 Vjet Pavarësi e
piktorit Miftar Mehmetit.
Hapja
solemne e Edicionit të XVI të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e
Naimit” u bë nga drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, i cili në mes tjerash,
tha se, ‘Në rrugëtimin 16 vjeçar të Festivalit, janë ngritur dhjetra ura
diologimi brenda njerëzve të letërsisë, artit dhe kulturës shqiptare, por edhe
të kësaj bote shpirtërore shqiptare me ate të huaj. Ndërkomunikimi përmes një
infrastrukture të një shënjuesi të këtij formati kulturor dhe letrar, me
letërsitë e tjera, ka bërë që shikimi shqiptar për letërsinë, për poezinë, pra
për artin dhe kulturën në përgjithësi të formulojë edhe qasje të tjera që
qarkullojnë me kohën.
Këtë
edicion. me një fjalë përshëndetëse iu drejtua të pranishmëve kryetari i
LSHK-së, atdhetari Adem Demaçi dhe
rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof. dr. Vullnet Ahmeti.
Ndërkaq,
në orën letrare ‘Globi poetik’ poetë të shumtë lexuan poezitë e tyre. Drejtori
i Festivalit, Shaip Emërllahu ia dorëzoi çmimin e madh ‘Naim Frashëri’ dhe ia
ndau titullin Anëtar Nderi të Festivalit laureates nga Finlanda, Tua Forsstrom
Adem Demaçi shpallet Anëtar Nderi i Festivalit
Po ashtu,
Drejtoria e Festivalit në këtë jubile të 100 vjetorit të kurrorëzimit të
përpjekjeve të shqiptarëve për mëvetësi i dha titullin Anëtar Nderi të
Festivalit shkrimtarit dhe atdhetarit, Adem Demaçi. Të kujtojme se, titullin
Anëtarë Nderi të Festivalit deri me sot, e kanë marrë shkrimtarët dhe
intelektualët e njohur, si Ismail Kadare, Desmond Egan (Irlandë), Thomas
Tidholm (Suedi), Manlio Argueta (Salvador), Abdellatif Laabi (Marok), Peter
Poulsen (Danimarkë), Lionel Ray,
(Francë), Eva Lipska (Poloni), Craig Czury (SHBA) etj .
Në ditën
e dytë të Programit, në amfiteatrin e USHT-së, u përurua laureatja, Tua
Forsstrom. Për veprën e saj foli kryetari i Jurisë, Ymer Çiraku, ndërsa rektori
Vullnet Ahmeti ia ndau asaj logon e Universitetit.
Më pas,
poetët vizituan Teqen Arabati Baba në Tetovë, ku drejtuesit shpirtëror të kësaj
teqeje shtruan një drekë për nderë të poetëve.
Poetja Hearth H.Thomas (SHBA)
Në
pasditen e ditës së dytë të Festivalit poetët shkuan në Prizren dhe në
Prishtinë. Në Prizren, mbajtën orën letrare ‘Poetë dhe vargje’, ndërsa në
Teatrin Kombëtar në Prishtinë u mbajt nata finale e Festivalit, ku ata i
përshëndeti Zv.Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Hajdin Abazi dhe
kryetari i PEN-it të Kosovës, Basri Çapriqi. Në orën e madhe letrare ‘Meridiane
poetike’ u ndanë çmimet tjera letrare të Festivalit. Kështu, çmimi letrar për
karriere poetike ‘Ditët e Naimit’ iu nda poetit shqiptar Rudolf Marku, çmimi
për vlera të veçanta poetike ‘Menada’ iu dha poetit maroken Mohammed el Amroui,
çmimi letrar për ciklin më të mirë ‘Oaeneumi’ e mori Donika Dabishevci dhe
‘Qiriu i Naimit’ shkoi në duart e poetes ukrainase Anna Bagriana.
Drejtoria
edhe në këtë edicion botoi antologjinë e poezive të poetëve pjesëmarrës ‘Ëndërr
e shituar’, të përgatitur nga Shaip Emërllahu dhe librin poetik të poetit
algjerian Nouar Abidi, me titull ‘Tetova, kjo grua e bukur’.
Hapja e
Edicionit të XVI të FNP “Ditët e Naimit” u transmetua drejtëpërdrejtë në
Televizionin shtetëror të Maqedonisë - Programi në gjuhën shqipe, kurse mbyllja
e Festivalit, u transmetua nga Radiotelevizioni i Kosovës.
Festivali
u mbështet nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë dhe Ministria e Kulturës,
Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës, T mobile, Euro Proekt, Dino, Emka,
Arbi, Hit Oil, .