| E hene, 29.10.2012, 08:29 PM |
HUMOR-ESSE
PËR MAJANË E KOSIT DHE TERMOMETRIN
Nga Thani Naqo
Nuk ta
plotësoj dot dëshirën, miku im...Në demokraci është shenjtëruar liria e fjalës
dhe, pikërisht shenjtëria, është ajo që më pret vrullin e guximit për të
"mprehur" syrin kritik ndaj artit në përgjithësi.
"A
mundesh të veçosh të shkruarit letërsi me grafomaninë - pyet ti.
Më mirë
mos i përgjegjem direkt kësaj pyetje pasi unë e parandjej se ty do
të të
përdridhen vetullat me këto që do të pohoj më poshtë. Ti ke krijuar përshtypjen
se unë jam "kokëkrisur" (kur vjen çasti) për të dhënë mendim
personal, por sot, që ta dish, edhe krisjet riparohen dhe nuk meren vesh ku
janë ngjitur apo qepur. Ti pret me padurim që unë të shpërrthej me gjuhën e
ashpër të kritikut të artit; mirëpo nuk mundem. Ja përse nuk mundem: nuk kam
asnjë lloj ideje e njohje mbi skemat kompozicionale si trajtohet arti i
politikës, ai i estetikës dhe as për vepra letrare. Kjo nuk është për fajin
tim; autodidakti i druhet përballjes me diplomatë dhe kritikë të mirëfilltë;
porse kjo drojtje mua nuk më pengon të shfrytëzoj shenjtërinë e fjalës së lirë:
sa ja hedh sytë një tablloje, bëj dallimin kujt rryme i përkasin ato ngjyra;
ashtu siç dalloj edhe një lajm gazete se nga cila parti politike e tërheq
kërraba autorin e saj. Di të dalloj realen nga irealja; siç di, gjithashtu,
ç'është racionalja dhe iracionalja. Kjo e fundit, (iracionalja,) më vjen për
shtat. (S'kam ç'bëj, miku im: fantazinë nuk e vë dot në fre!) Këtu fillon e
mira dhe e keqja ime: më pëlqen të shfaqem iracionalist më shumë sa jam në të
vërtetë, kurse ti lëshon dyshimin "mjer" unë që jam formuar i tillë.
Të formohesh në rrugën e vetmisë autodidakte, do të thotë të shtosh "dozat"
e përjetimit gjer aty ku nuk mban më "emëruesi i përbashkët",
përndryshe rezultati i thyesës del = 1. I dredhoj me marifet fotonatyralizmit,
miku im! Bëre mirë që ma përmende "rrezikun e natyralizmit" dhe të
falenderoj; por unë nuk e kam shtrydhur ndonjëherë trurin për të
"peshuar" parametrat e iracionalizmit tim, por mos mendo se nuk e kam
ditur që iracionalizmi i tepruar të ngre në havadan dhe nuk i shërben as
politikës dhe as artit. Që të të mbush mendjen ty, fillimisht po të kujtoj
fenomenin me qumështin kur e kthejmë në kos. Ti ke punuar në baxho (fabrikë
bulmeti) dhe e di më mirë se unë pse majanë e kosit ia hedhim qumështit me
pikatore ose me lugën e vogël të kafes. Pse enën e mbështjellim me rrobë që ta
mbajë ngrohtë dhe të zhvillohen enzimat. Mirëpo, të dy çuditemi: si është e
mundur që me disa pika a, me një lugëz kafe maja, kthehet i gjithë qumështi në
kos?
Ti më bën
pyetje (provokuese sh.im) "çdo të ndodhë sikur majanë e kosit të deles
t'ja hedhim qumështit të buallicës, të elefantit, të gomarit" dhe dyshimi
yt shkon gjer tek qumështi i pelës, që akoma e përdorin mongolët jo vetëm për
kos, por edhe për verë. Këtyre çudirave unë s'kam idenë si t'u përgjigjem,
përveçse t'ja shkrep të qeshurës, ashtu siç më vjen për të qeshur sa herë lexoj
poezi moderne shqiptare me injektim "maja" persiane, franceze,
amerikane, ruse, etj.
"Si
është përcjellë në shekuj midis kombeve majaja e kosit?!"
Unë t'u
përgjigja: "majaja e kosit e ka zanafillën që në lashtësi, asokohe kur e
gjithë lëkura e njeriut ishte e mbjellë me lesh, bishti nuk i qe rudimentuar
dhe një grusht thëngjijsh të ndezur përcilleshin si dhuratë e vyer nga guva në
guvë." (Shënim: kjo frazë e futur në thonjza nuk është nga mendja ime, por
atë e ka trajtuar me humorfilozofik Lenini i Vogël, tani nuk më kujtohet se në
ç'libër e kam lexuar.) Por unë, që të ta mbush mendjen ty, jam i detyrar që,
thënies së mësipërme të Leninit të Vogël, t'i shtoj një të vërtetë tjetër; (jo
ç'ndodh kur fërkohen dy re), por çfarë ndodh nga fërkimi i lodhshëm midis dy drurëve,
gjersa njëri prej tyre zë e lëshon tym...Gjersa syri i njeriut, miku im, shkoi
tek eshka e thatë mbi shelg, kaloi goxha kohë. Ai e kuptoi se eshka digjet
ngadalë dhe i dha mundësinë që zjarrin ta çonte ca më larg se sa trasporti me
thëngjij... Pastaj eshka "kërkoi" masatin që bën xixa... Ehu, miku
im, kaluan mijravjeçarë gjersa u shpik çakmaku me fitil e vajguri. Ma thotë
mendja se, pas çakmakut, doli shkrepsja, (nuk po përmend barrutin kinez), ama,
sot, në shekullin XXI, zjarrin e ndezim me një prekje butoni elektronik! Më fal
se u zgjata... Kjo nuk është për fajin tim dhe "fajin" ia hedh
mënyrës didaktike dhe përjetimeve reale.
Mirëpo
mua, miku im, nuk më preu meraku si u shpik zjarri, por si u shpik majaja e
kosit. Që kur erdha në mentë e mia më ka munduar enigma: në ç'kontinent është
zënë (bërë) për herë të parë kosi i vërtetë, kos si ky që shijojmë sot? T'i
këmbëngul për në Ballkan, kurse unë po e supozoj se kosi është shpikur diku,
përqark Mesdheut. Mos gjë me këto pandehma të tuat e të mijat po çuditim botën?
Atëherë, që nga Mesdheu dhe gjer në Amerikë si erdhi e freskët maja e kosit kur
e dimë se udhëtimi (asokohe) bëhej me anije me vela dhe duheshin të paktën
gjashtë muaj? Që të mos hidhemi hu më hu, si laraskat, atë, që të shqetëson ty,
unë po i bije shkurt: i njëjti fenomen, (si ky me "majanë e kosit")
ka ndodhur edhe me rrymat në art, por, ca më shumë me të të shkruarit të
letërsisë; për të cilat edhe ti edhe unë tani kemi filluar të "kruajmë
kokën". Ti u binde kur unë të thashë se qumështi, kur vjetërohet,
pavarësisht se e mbajmë në frigorifer, prishet. Më thuaj të vërtetën miku im:
ke provuar të pish, pa dashje, qumësht të prishur? Mos e dhëntë Perëndia të
gëlltitësh një gllënjkë! Menjëherë do të të shkojë mendja, njëlloj si mua, se
kështu, (i njëjti fenomen), ndodh edhe me rrymat e "thartuara" të
artit në përgjithësi, por, ca më shumë me ato letrare... Unë kam
"gëlltitur", padashje, qumësht të thartuar dhe thartësira më kujtoi
se "si me të qeshur" fillohet çdo gjë në këtë botë: dashuria, urrejtja,
luftërat dhe paqja. Në fund, çdo gjë analizohet seriozisht dhe me kokë të
ftohtë. "Si me shakaqëllimore" lëshon ndonjë sinjal-dritë-enigmë
Kulla Eifel dhe sot, artistët e rinj, vrapojnë drejt këtyre sinjaleve. U
gëzohen atyre siç gëzohen fëmijët me xixëllonjat, gjersa dallojnë se ato
sinjale nuk janë xixëllima yjesh...Hahaaa, si me shaka dhe me të qeshur, për
hatrin tënd, (ke qenë baxhoxhi,) mori formë edhe kjo esse e majasë të kosit.
Mirëpo... ku humoresseja dhe ku humorkritika?! Humorkritikën, miku im, unë e
kam provuar dhe nuk jam penduar. Ka të mirën e madhe: fillimisht
"cimbis" vetveten, bën miq të rinj, pastaj, duke u marë, (sadopak) me
humorkritikë, përmirësohesh për së mbari dhe të rikthehet e qeshura. (Besomë:
përmirësohesh dhe zgjat jetën tënde e të humorit, pavarësisht se ai që qesh,
zemra e tij qan më shumë. P.s: kjo diçiturë, e atij që qesh dhe qan, nuk është
e imja. por Ma përcolli në vesh njëri nga miqtë e rinj.) "E keqja e vogël
kush është," më pyet ti, miku im dhe unë, përsëri për hatrin tënd, e lashë
të pa mbaruar essenë për "majanë e kosit" dhe shfletova Tabelën e
Mendelejevit. Ktheva e përmbysa në epruveta të gjitha elementët e tabelës, i
vura mbi prush eshke, gjersa veçova zhivën. Elementi më çudifantastik! Të
betohem: Zhiva ja mer edhe majasë të kosit! (Po të tregoj sekretin në vesh:
"të gjithë artistët, por sidomos shkrimtarët dhe poetët janë më të
ndjeshëm se zhiva! Këtë sekret mos ia trego tjetër kujt. Mjafton (një fjalë
lavdëruese, edhe e pa merituar...) ore, një çerek gradë të ngrihet temperatura
dhe zhiva ndron përmasën! Prandaj ajo, zhiva, miku im, mbeti e pazëvëndësueshme
me ndonjë element tjetër më të ndjeshëm ndaj temperaturave të motit dhe
lavdkritikave të artit.)
Shpesh
fantazia e shkrimtarëve kalon në ekstrem: njeriut të tejpolitizuar, (nga ata që
quhen "duartrokitës" dhe që lexojnë me ankth gazetat politike duke
gjerbur kafen e mëngjesit), u ngjeshin nën sqetull termometrin me zhivë dhe...
termometri mer të krisur...Por fantazia ime shkon ca më larg: termometrin me
zhivë unë nuk ua ngjesh nën sqetull personazheve të mi, por ua mbërrthej në
gjuhë dhe... termometri pëlcet!...
Këtu, në
studio, miku im, kam dy termometra: një me zhivë dhe një me sustë.
Sa afër
janë majaja e kosit me zhivën, aq larg është humoresseja me humorkritikën, por,
shumë, shumë larg, miku im, të çojnë parametrat e termometrit me zhivë nga ai
me sustë!
Mirëkuptim!