Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhevdet Ukalli: Kalorësi i shpresave të ngrira

| E shtune, 27.10.2012, 07:01 AM |


XHEVDET UKALLI    

KALORËSI I SHPRESAVE TË NGRIRA

Nuk kam ç’të lëvdoj nga trimëria
Kalërimi më qe i huaj
Mjafton që shtatit tënd s’u shtriva
Siç shtrihen arës së shkelur,
harbueshëm kuajt.

Me mandate s’të desha
As për mandate atdheu im
Më mbajtën gjallë ëndërrat
për zbardhjen e një dite pa mandata
për fatin tënd
Ëndërrat e shkarkuara
nga barra e qelbit që mblidhet
plagëve që shtohen
nën tisin e shpirtit të lodhur
që shpeshëherë copa-copa bie
mbi arrnat e shkyera të shpresës.
Siç bie mishi
mbi relievin e shprishur të eshtrave
Siç bien fluturat e natës
rrjetës së marimangës
nën abazhurin e ndryshkur
lart shtyllës së vjetër
përskaj rrugës së shurdhët
e të zbathur nga ashpërsia e kohës .

Unë ndoshta, vërtetë,
 s’kam ç’të lëvdoj e me ç’të lëvdohem
Por  së paku leckë s’të bëra
As hodha vallen e marrisë
mbi sheshin e buzëqeshjes tënde të vrarë
As  fshiva
ato pak lotë që të kanë mbetur
mbi  nyjet  e mjekrrës  së rrahur
nga vrazhdësia e fatit

Nëse  s’të dhashë,  s’të morra
Nëse s’të këndova dëshpërueshëm
Kurrë s’të qava krokodilçe
Kurrë s’të qesha qesëndisshëm
… dhe sot e kësaj dite
kalëroj ëndërrat e ngrira
me shpresat e ndrydhura  në shpirt!