| E marte, 23.10.2012, 07:00 PM |
SI U PUNËSUA MIRI NË MINISTRI?
Tregim nga Sami ISLAMI
Dardania
asnjëherë nuk e kishte lënë të qetë pushtuesin. Po ama edhe pushtuesi gjithnjë e
kishte pasur nën monitorim atë. Por këtë pranverë situata ishte pak më ndryshe
se viteve të kaluara. Ishte kështu, sepse,
mu në këtë pranverë ndodhën
demonstrata të mëdha të studentëve
në gjithë Dardaninë, ku hapur shprehej
pakënaqësia e popullatës ndaj këtij pushteti. Tani pushteti instaloi
kontroll edhe më të fortë. Instrumenti më
i përshtatshëm, për të bërë këtë punë padyshim
ishte Partia. Nëpërmes partisë njerëzit ngriheshin në kierarkinë shtetërore, merrnin
pozita, inkuadroheshin në vende kyqe,
pasuroheshin, bënin karrierë…Po kjo privilegj nuk ishte për të gjithë, se ajo
dinte edhe të të fundoste sa nuk ta merrte mendja! Po të ishe i njollosur
politikisht, për shembull, ishte tepër vështirë,
madje edhe e pamundur, të ecje përpara. Ishte
vështirë, të gjeje një punë të mirë,
sepse pothuaj kudo kërkohej që kanditati të ishte i përshtatshëm politikisht. Ky
kontroll vërehej pothuaj kudo, por më i theksuar ishte në arsim, media dhe punët e larta shtetërore.
Në këtë kohë
Miri punonte në arsim në një qytezë afër qendrës. Atje kishte bërë emër. Po
ishte mërzitur duke punuar në provincë, prandaj e kishte mendjen të lëvizte
diku në kryeqytet. Dhe një ditë, rastësisht,
pa në gazetë një konkurs ku po kërkoheshin disa bashkëpunëtorë në ministri.
“Sa mirë do të ishte sikur të punësohesha këtu!”-mendoi. Me gjithë dyshimet se nuk do të kishte sukses ai vendosi të konkurojë. Pse jo? Ishte
rast ideal të lëvizte në kryeqytet. E
dinte mirë se ky ishte vendi
ku mund të hapte rrugë për tjetër karrierë, ndoshta duke i siguruar një imazh
tjetër në shoqëri. Ku ta dishë? Pa vonesë i përgatiti dokumentet. I dorëzoi. Pas
pak kohësh u ftua edhe në test. Kjo gjë i dha një fije shprese.
Në ditën
kur do të mbahej testi ai shkoi bukur
herët. Por çfarë të shihte!? Para dyerve të ministrisë ishin mbledhur pesëdhjetë
a gjashtëdhjetë vetë! Që të gjithë ata kishin ardhur për të konkuruar për ato
pesë vende pune , që ishin shpallur në gazetë! Kur i pa Miri gjithë këta
njerëz, shpresa sikur iu venit . “Athu
vallë unë do të mund të pranohem këtu në
gjithë këtë konkurencë” ?- mendonte. Dhe
derisa qe me këto mendime një njeri doli tek dera e ministrisë dhe me një zë autoritativ
tha:
-Ju jeni
për konkursin , apo jo?
Dikush
nga të pranishmit e pohoi se ishin po ata. Të gjithë filluan ta ndiqnin atë. Grupit
iu bashkua edhe Miri. Në këtë tollovi ai vërejti edhe dy shokë nga studimet, të
cilët kishin ardhur, edhe ata, për të konkuruar. Ishin Nuzi dhe Lami.
Posa u vendosën në një sallë të madhe, burri i
thinjur dhe i majmë, i cili nga tashësia
mezi merrte frymë u prezentua:
-Unë jam Dema- tha. -Para se të filloni ta bëni testin do t’ju informoj se puna në ministri është punë me shumë përgjegjësi. Punë që kërkon shumë sakrifica! Nëse dikush nuk është i gatshëm të ballafaqohet me këto sfida nuk i kisha preferuar të hyjë në test fare! Ju bëni si të doni!
Me gjithë
“paralajmërimet” e Demës, testin e mbajtën të gjithë. Dhe pastaj u larguan
secili në drejtim të vet.
Rezultatet e testit u dhanë pas plot një jave dhe për çudi
nga gjithë ata që kishin konkuruar ishin “pranuar” vetëm pesë! Në listën e
atyre që kishin qenë të suksesshëm në test figuronte edhe emri i Mirit dhe i të
dy shokëve të studimeve! Një shkëndijë optimizmi,
se do të pranohej, i shkrepi përsëri. Atë ditë deshi të merrte vesh se kur do të mund t’ia niste punës, por i
thanë që pavarësisht rezultatit të testit paraprakisht duhej ta takonte Metin, ngase ai ishte përgjegjës
për kuadra.
Miri të nesërmen
në mëgjes iu ngjit shkallëve për në zyrën e kuadrave. Posa hyri në zyrë kërkoi të fliste me Metin.
-Unë jam
Meti- tha njëri nga ata që ishin në zyrë,
e që nga tymi i cigareve që pinin, të gjithë njerëzit në zyrë dukeshin sikur nëpër
mjegull.
-Erdha për
punën e konkursit- tha Miri
- Si
quheni? –pyeti Meti?
- Samir Malaj.
-E
kuptova! Ju e keni parë edhe vetë në listë
se ju jeni pranuar në punë por
nuk mund t’ia filloni punës pa ju ardhë
“rëntgeni” - tha duke e vu
pak buzën në gaz, sigurisht nga se e përdori fjalën “rëntgen”!
- Ç’është
ky rëntgeni , pyeti, si me habi Miri?
-Mos u bën
merak, tha Meti, tani duke e ndërruar qëndrimin dhe tonin e bisedës. Mori qëndrim
më serioz dhe vazhdoi.- Ne i kemi dërguar
nga një letër në komunat nga ishin
kandidatët , për ta verifiku se a janë të
përshtatshëm idepolitikisht me punu në ministri,
apo jo? Një të tillë ia kemi dërgu edhe komunës tënde!
- Po
sikur të mos isha “i përshtatshëm
ideopolitikisht”, siç po thoni ju, nuk
do të kisha pasur mundësi të punoj as në
arsim!- u përgjegj ashtu sikur kur deshi të justifikohet.
-A ,
jo tha Meti. Këtu janë kritetere të tjera.
Kjo është ministri.
Miri
deshi të pyeste edhe diçka Metin, por
ende pa e hapur ky gojën, ai ia priti:
-Unë kaq
mund t’ju them ! Pa ardhë “rëntgeni”, nuk
mund t’ia filloni punës këtu!
Miri u hidhërua, por këtë pakënaqësi nuk e
manifestoi aty për aty. Duke dalë po mendonte: “Aq zor qenka të marrin vesh këta
në komunë se kush jam unë? U pa kjo punë! Kot paskam ardhë këtu!
Megjithatë,
pasi që i kishte hyrë kësaj pune, donte ta çonte deri në fund. “Le të bëhet ç’t’ë
bëhet” mendoi. Prandaj pothuaj gati për çdo
të dytën apo të tretën ditë , pas punës së rregullt, vinte deri në ministri
për të marrë vesh se a kishte
ardhur “letra”, apo “rëntgeni”,
siç thoshte Meti, apo jo?! Kaloi një javë , dy… po s’kishte asnjë informacion për “letren”.
Pikërisht,
pas tri javësh, takoi dy shokët nga
studimet, të cilët i kishte takuar edhe
ditën e testit, Nuzin dhe Lamin.
-Po më duket
se ju ia
paskeni filluar punës!?- i pyeti.
-Po besa .
-Uh , sa
mirë!- tha Miri.
-Edhe mua
po thonë se më kanë pranuar, por po e kërkojnë një letër nga komuna! Ç’është kjo dreq letër që po e kërkojnë, ore? A jua kanë kërkuar
edhe juve?
-Nuk di- tha
Nuzi. Ndoshta këta ua kanë dërguar dhe komunës sonë po ne nuk dimë gjë. Neve na
ftuan në punë.
- Po a e
dini ju se kush e jep atë letër, vallë ?
-Nuk e di
kush , po pyet në komunë se sigurisht e
merr vesh.
-Nëse
vjen ajo dreq letër a po më lajmëroni në
shtëpi?- i luti Miri shokët e studimeve.
-Patjetër!- tha Nuzi dhe Lami.
***
Miri nuk
la vend pa pyet në komunë se kush ishte ai institucion që jep këso letrash, që si
me ironi, Meti e quante “rëntgen”? Kërkoi në sekretari të komunës, kërkoi në sektorin e arsimit, madje kërkoi
edhe në polici, por gjithkund mori përgjegje se ata nuk kishin haber për atë që po pyste ai. Për çudi krejt vonë, sipas sugjerimeve të disa miqve të
ngushtë, kuptoi se kishte qenë mu komiteti, ai organ që po jepte këso “verifikimesh”!
Nejse.
Këtë punë
e bisedoi edhe me vëllain e tij, Latën.
-Hë, Latë,
si t’ia bëj kësaj letre ?- i tha.
-A e di
se mos u kishte ardhë ndonjë kërkesë nga ministria në komitet?
-Jo nuk
di !- u përgjegj Miri.
-Po atëherë
shkruaje vetë ore!- ia ktheu Lata. Zoti e di se a e ka dërguar ministria apo
jo? Nëse i pret ata, ti kurrë nuk do të mund
të punësohesh atje! Me rëndësi është që t’i shkruash gjërat siç janë. Pasi që ministria
po kërkon letër, letrën ua dërgon dhe
kaq.
-Mirë e
ke!- ia ktheu Miri. Ashtu do t’ia bëj!
Dhe Miri, letrën të cilën e kishte pritur qe pothuaj një muaj vendosi ta shkruante vetë! Posa shkoi në shtëpi, mori makinën e shkrimit dhe ia nisi letrës kështu:
“Unë deklaroj se Samir Malaj është punëtor i vyer. Në shkollën ku punon ai është shembull për të mirë. Është treguar aktiv gjatë gjithë kohës. Ka marrë pjesë në shumë aktivitete në shkollë dhe jashtë punës shkollore. Është shumë i afërt me kolegë dhe me nxënës…Dhe si i tillë është i përshtashëm për të punuar edhe në ministri.”
Letrën që
e shkroi ia lexoi edhe Latës. Edhe ai ishte i mendimit se ishte krejt në rregull.
Ç’është e vërteta krejt këto që i kishte shkruar Miri për vete ishin ashtu.Tjetër gjë ishte se
kjo punë pritej të “shkonte” nëpër kanale tjera, për ta justifiku “besueshmërinë
partiake”! Të nesërmen me letër në dorë shkoi në zyrën e Komitetit të Partisë të
qytezës. U takua me sekretarin e partisë dhe i tregoi se për çfarë kishte
ardhur. Ia dha sekretarit letrën që ta
lexonte. Ai e mori, e lexoi. Nuk kishte
asnjë vërejtje se diçka nuk ishte e saktë.
-A përtoni
ta nënshkruani këtë letër , shoku sekretar, -i tha Miri.
-Jo, jo
nuk po përtoj ta nënshkruaj , po ti Miri ma shumë na duhesh këtu, ore djalë! Ne kemi nevojë për punën tënde këtu në
shkollë!
-E di
shoku sekretar, po kam vendosur, nëse më pranojnë, të shkoj në ministri,- tha.
-Nuk ka
problem- ia kthei sekretari, i cili e nënshkroi
letrën dhe e vulosi me vulën e kuqe të Lidhjes
së Komunistëve. E mori një zarfë dhe e futi në
të.
-Mos përto
, të lutem, shoku sekretar ta vuloseni edhe mbi zarfë!- i tha Miri. Sekretari e vulosi edhe mbi zarfë duke i shkuar buza në gaz, sikur donte të thoshte “Çfarë ka ky djalosh që po kërkon me kaq
ngulm ta vulos letrën edhe këtu?” por
nuk tha gjë. Letrën e nënshkruar dhe të vulosur Miri e mori në dorë dhe doli nga zyra e
Komitetit.
Menjëherë shkoi në postë për ta dërgu letrën. Nëpunësit
në postë i tha se donte ta dërgonte sa
ma shpejt që është e mundur, me rekomandë,
këtë letër. E pagoi postimin, mori faturën dhe
doli. U nis menjëherë në ministri.
E kërkoi Nuzin. E thirrën dhe ai
doli. Bile ishte bërë gati të shkonte edhe ai në shtëpi sepse orari i punës vetëm sa s’kishte përfunduar.
-He Nuzi
, a ka ndonjë gjë të re?- e pyeti Miri
posa u takuan.
- Jo ende
- tha Nuzi. Sot isha te Meti po s’kishte
gjë.
-Mirë i tha Miri. Ma merr mendja se nesër ka mundësi që të vijë letra. Nuzi nuk foli gjë po i ngriti vetullat , sikur donte të thoshte “po ku po e di ti se nesër mund të vijë letra!?”. Kishte qe një muaj që po priste të vinte kjo letër, e s’kishte ardhë ende! E shikoj edhe një herë me një lloj habie dhe u ndanë.
Miri
shkoi në shtëpi i mbushur me optimizëm se “rëntgeni” më në fund do t’u shkonte “autoriteteve” të ministrisë dhe rrjedhimisht, së shpejti, ndoshta, do të transferohej atje. Pikërisht të nesërmen,
pas dite, pasi që Miri u kthy nga puna në shtëpi, dëgjoi nga familjarët se dy
njerëz me veturë po e kërkonin Mirin tek
dera e shtëpisë. Atij menjëherë i shkoi mendja se “letra”, sigurisht, paska
shkuar! Miri doli me buzë në gaz dhe pa
pasur mundësi të përshëndetej me Nuzin
dhe Lamin, Nuzi ia priti: “Letra erdhi! Meti më njohtoi se që nesër mund t’ia
fillosh punës”!
Miri
qeshi. I ftoi shokët brenda për një kafe
dhe u tregoi historinë e letrës. Të dy mbetën me gojë hapur, por njëkohësisht
edhe të gëzuar.
Ky ishte “verifikimi” ideopolitik. Dhe vërtetë Miri të nesërmen ia filloi punës në ministri!