| E marte, 23.10.2012, 06:33 PM |
KUR QAJNË
GRATË
Nga: Adem Zaplluzha
Kur qajnë
gratë, qan era, shqyen muret, zogjtë ikin
nga çatitë, vashat përgatiten t’i përkundin djepat. Çdo gjë ndryshon, asgjë më nuk
e ka formën e mëparshme, ndryshojnë sendet sa çelë e mbyllë sytë, këtu çmendurisht
ndryshon forma e përsosur e ndryshimit.
Portat
hapen krah më krah. Hynë dhe dalin lloj, lloj njerëzish. Njerëz me fytyrë dhe
ata pa fije yndyre.
Disa sosh
kanë brengë në shpirt, e disa të tjerë hynë dhe dalin si fantazma, nuk i zë vendi
vend. Ndërgjegjja e bënë punën e vetë, ëndrrat përzihen me realitetin dhe
qeshin pranë pasqyrës konkave.
Diçka u
pengon. Posa ulen mbi një postiqe enkas për mysafir dhe papritur qohen thua se
i përvëloi dikush me fjalë, kurse fjalëve nuk u vënë veshin.
Thyhen
xhamat e qytetit, errësohen shpirtrat dhe papandehur zhduken në grimcat e
pluhurit.
Bie shi,
jo ai i zakonshëm,shiu me furtunë, suferinë që i shkul nga rrënja çatitë, lisat
,malet. Shiu u zi, mbyten kaiket e thyera në syrin e dallgës së çmendur.
Nuk
ndalem krakëllimat e korbave, një kërrabë e ka humbur atdheun, nuk di më në dorë
të kujt i harroi dizgjinët stuhia. Heshtin retë. Asnjë krakëllimë korbi, asnjë zë
i erës nuk kolovitet nëpër xhepat e pritjes..
Ne
zbresim nga vetëdija e jonë. rrimë përballë kujtesës dhe i shkulim flokët e
verdha të erës.
Bisedojmë
me fantazma, ulemi këmbëkryq në xhadenë e pluhurosur dhe këpusim lidhëset e këpucëve.
I këpusim degët e akacies, bëjmë fshesë, i
pastrojmë çizmet e pluhurosura . Ditët
ecin para nesh, ne ecim pas ditëve, dukemi si bishti i ditës, nuk jemi asgjë,
nuk mund të marrim frymë, s’na duket më hija, është zhdukur edhe ajo, na
dridhen pulpat e këmbëve, vendnumërojmë dhe
qeshim me vetveten dhe vertikalen e erës,kurse dita ec me këmbët e saja të shëndosha,
ose të thyera Tani më asgjë nuk dihet, vetë kollitja e gurëve të murrmë ëndërron
stinën duke vdekur në krahët e korbave që kërkojnë tokën e humbur në kujtesën e
njeriut...
Kur qajnë
gratë, qanë edhe qielli. Shqyhen portat e vjetra në pasqyrat e qytetit.
Ndizen
flakë vetëtimat. Korbat fluturojnë përtej diellit, hapësirës iu skuqet fytyra. Lisat
përkulen. Bie shi. Shiu në lot.
Loti në ngjyrën
e ylberit. Një spektakël i paparë. Bubullimat zgjohen nga gjumi, nuk fle as
deti, askush nuk fle, e tërë bota ka hyrë në sytë e grave, e gratë qajnë, qanë edhe
qielli.
Deti i tërbuar,
dallgët, qajnë varkat, askush nuk është në gjendje t’i fshij lotët.
Qajnë lotët në lotin e grave. Në lotin e vetëtimave. Qajnë nuset krushqit e gurëzuar, qajnë dhe njëkohësisht dënesin malet.
Skica është
marrë nga libri i ri i autorit, me titull: Fluturimet e korbave në netët pa hënë.