| E marte, 23.10.2012, 06:57 PM |
STUDIM
Grykëderdhje e nënvetëdijes dhe artit të Sadik Bejkos
Vështrime mbi poemën “Orakuj të mbrëmjeve”
Nga Fatime Kulli
Kur
lexova për herë të parë vëllimin poetik “Psalm për Atin” të Sadik Bejkos, thellë-thellë
mendova se kisha në dorë një skenar origjinal për ata kineastë specialistë që gjurmojnë
vepra arti në rrënjët autoktone shqiptare. Rrënjë këto, të ujdisura nga angështia
e dhimbjes, e vuajtjes, e varfërisë dhe persekucionit çnjerëzor.
Vëllimi përmban
66 poezi. Secila prej tyre ka objekt-subjekt të veçantë, por si tërësi, krijojnë
një unison, një lidhje logjike, sjellin interpretimin historik-shpirtëror tonin
dhe të autorit.
Shkalla
emocionale e poezisë lartësohet nga dinamika e skenave ekzistenciale, nga një shqisë
e brendshme e mosharresës së origjinës. Me aktin e krijimit, me fjalën, me mençurinë
poetike, kjo e shkuar vjen e ngjizet në krahët e kohës së tanishme.
Tomas
Eliot, thotë: “Poeti gjatë aktit të krijimit,në qoftë se ai do të jetojë të tashmen,
jo thjesht si një të tashme, por si momentin e dhënë ku e tashmja është një shfaqje
e të shkuarës”.
Sadik
Bejko, një njohës dhe me mëtime shkencore i letërsisë shqipe, një njohës edhe i
letërsisë botërore, nuk është rastësi, që me poezinë e këtij libri ndan të njëjtin
mendim me T.S.Eliotin. Arti i tij i të shkruarit i rikthehet të djeshmes. Me
stilin e tij origjinal, me nervin poetik, ai grish e mrekullon dhe me kulturën
gjuhësore, vënë në shërbim të poezisë. Me këtë libër, autori shfaq vlerat unike
në poezinë moderne shqiptare, pa iu shkëputur truallit tradicional të kësaj letërsie.
Si një rregullator
i mirë, duke ndjekur logjikën e mendimit të thellë refleksiv, nisur kjo me
poemthin “Orakuj të mbrëmjeve”, të cilën ia kushton Rubies, gjyshes së tij që s’jeton
më, e vazhdon librin më tej dhe e mbyll këtë rrugëtim poetik, me thirrjen për
ringjalljen e jetës, te poezia e fundit “Të rilindësh”. Një poezi që kërkon ta
vendosë në retorikën, ku teksti lexohet gjatë komunikimit (poet-lexues), ndërsa
nënteksti fshihet në imazhin e realitetit të zymtë, ndonjëherë dhe demoralizues
për poetin. Një thellim në indet qelizore të mendjes dhe të shpirtërores. Objekti
i kësaj poezie është ligjërimi bindës i një krijimi të paramenduar, dhënë me
artin e një sistemi letrar e kulturor që tashmë poeti e ka krijuar dhe e mban në
evoluim të përhershëm.
Ç’po kërkoj
pra në këtë vithisje të vetes,
kësaj
grimherë të hirtë e kaq të firtë?
...
Në këtë rënie
në të kotë,
Ku është
çasti prej drite e ngjyre,
lëbyrës,
i fortë,
që, s’i
flaka nga barku i nënës më hedh plasur,
plasur
drejt e në tokë?
Një poezi
kjo me forcë sintetizuese,e arrirë në të gjitha parametrat e jashtme fizike
edhe si gjendjes e së brendshmes poetike. Arti i ligjëruesit Bejko, rrjedh nga
burimi i gjendjes…
E veçantë,
sipas meje, në këtë libër është poezia “Orakujt e mbrëmjeve”, që përmban të gjithë
elementët poetikë të një poeme dramatike, etnike dhe historike. Secili nga këto
elemente (dramatikja, etnikja dhe historikja) nëpërmjet të subjektivitetit të autorit
,ngërthehen bashkë. Ky poemth, i ndarë në 15 akte, më ka zgjuar interesin për të
gjetur çelësin e zbërthimit…
E kam të vështirë,
se forma dhe thelbi poetik, emocionet pëlcitëse, njëherësh të shtruara, si dhe
të ngjeshura me tragjicitet, lënda buruar nga brenda, prej vetëdijes së autorit,
marrë të gjitha së bashku, i ngjajnë derdhjes së lirë të nënvetëdijes së autorit,
që na çojnë te një kompleksitet i plotë dhe i arrirë artistik. Një përrua i nënvetëdijes,
i materializuar në një përpunim gjuhësor, në dukje logjik. Uni poetik shfaqet
herë i egër e herë i dashur, herë normal në gjendjen poetike e herë anormal. a)Ndërtimi
i fabulës gatuhet me elemente parësore poetike,me mjete shprehëse në shërbim të
lidhjes së tërësisë,e figura simbolike e drite mistike, si urëlidhëse në pozicionin
e udhërrëfyesit të sintaksës shpirtërore. Poeti rrëfen poetikisht i mbështetur
në tabanin gjuhësor mjaft të pasur të folkut,duke e veshur atë me hiret moderne
të poezisë. Autori shpesh në poezi përdor togëfjalësha, si: leshramakthet,
lulethata, gjuhëkafshuara, jo thjesht për të zbukuruar dekorin e vargjeve, por
se, kështu rritet dhe fuqizohet forca shprehëse. Gjithashtu, poeti shfrytëzon
si gjuhë të shprehjes poetike çdo objekt, çdo imazh edhe lëvizjet e hijeve të mbrëmjes.
Hija si një personazh realisht i jetuar në gjendjen rrëfimore, merr ngjeshje
simbolike. Gjetjet dhe figurat e tjera artistike, herë të errëta dhe herë fluide,
herë të afërta e herë të largëta,vijnë me një ndjeshmëri të kultivuar nga
dashuria e dhembur.
Kam frikë
mbrëmje të tilla,
ia kam
frikën paqes,
një paqe
e kufët-e kam provuar
dritën
vuve;
dhomë-kthellën
bosh që e shëtit cep
më cep-ecurinë
hapash mbi gjethe
të thara
heshtjeje
plot
avull ndjesish shtegut e rrugë
në vegulli
pritjesh
të ëmbla;ecja Brenda vetes
në pafundësi;
grua e re
në lëvrime fëmije ijesh
bmyer
dhimbje ëmbël
e plot me vatrën
burrin
flakën
e
plotmbushur e ngarkuar pritjesh
e paqesh.
b)Teknika
e përdorimit të gjuhës poetike, ka një rëndësi të veçantë në aktin e krijimit
autorial, ku ligjërata e sinqertë rrëfimore të rrënqeth me jetën dramatike të heroit
të poemës (Rubies), e cila, mund të quhet një personazh lirik, universal. Autori
duke përshkruar situatat poetike, vë në lëvizje të gjithë teknikën metafizike të
admirueshëm artistik.
c)Në poetikën
e Bejkos ka një qartësi të paqartë të gjendjes emocionale, ose e thënë ndryshe,
fjala është sprovë e mendimit intelektual deri në kapërcyell të çdo detaji
artistik, apo figure që fshihet pas mendimit poetik.
Qetësi
hijesh, kasolle me rrënjë në ujë
Tërhequr
Nga
gishta dielli,si nga tufa flokësh
Peshë në ajër.
Me rrënjë
hijesh në ujë
Pasqyra të
ujit ngjyruar me e vërtetë
Më e
gjallë
E dy - e
trefishuar. Mjafton një gur a
Guralec
qoftë,
dhe befas
bie nata. Tashmë uji nxin
një flakë
kashtë, fsherëtima ngjyrash
na qenkësh
kjo mbrëmja, paqja.
Këtu kemi
një rrjedhë, gjendje të pastër poetike, që qëndron mbi një kurorë metaforash e
simbolesh. Psh. kasolle me rrënjë nën ujë me bimë uji ngjyruar më e vërtetë/më e
gjallë.
Gjendje që
përbëjnë kultin e mallit, me psherëtimat e paqes.
Pikërisht,
këto vargje të S.Bejkos, kanë një status të vërtetë estetik, aktualizimin e
mosekzistencës jetësore të njeriut më të dashur të poetit (gjyshes), të cilën e
përjeton në artin e shenjtë të fjalës.
d)Poeti
ndërton me kujdes sistemin e të menduarit dhe aty shfaq, Unin e tij të veçantë në
poezi:
Ia ndjej
hapin,gati e prek
Atë fill
ajri e rëre
Që më këputet
në rrjedhje
Një qilim
i tërë fijesh
Truall në
këmbë
Po më shthuret
mes për mes
Në hon pa
skaj e ndërgjegje.
Me penën
e tij, autori është në “gërmim” të vazhdueshëm të subjektit, në “gërmim” për të
zbuluar të vërtetat e dhimbjes njerëzore, për të respektuar dhe përjetuar
njeriun, dashurinë për të.
Në këtë “gërmim”
zbulon hijen e subjektit poetik, duke u bërë vetë objekt qendror i subjektit,
fluturues, brenda shpirtit rebelues, duke krijuar figura të ndryshme me
portrete artistike, të besueshme. Didëro thotë: “Ti je burimi pjellor i të gjitha
të vërtetave”.
A është i
vërtetë “fati” i Sadik Bejkos në këtë gjendje poetike? Le ta vendosim gjatë logjikës
së leximit:
I egër,
eh i egër pa krahë
Si fati
dhe si gur fati bije shkëmb ë shkëmb
Me hope në
ajër hovuar prapë
Në pathërmim
Në dete
ajri, qetë-qetë bije, madje e
Shijoj rërën
e cakun që s’është I fundit
Në rënien
e butë
Deti me
algat në sy,yje rëre
Të pathërmuara.
c)Në aktin
e 5-të (pesë) të poemës, rrëfimi i autorit rritet emocionalisht dhe
artistikisht, duke krijuar figura mistike, tragjike dhe komike, për të shkuar
tek mendimi i Rembo-s: “Poezia duhet të jetë diçka e jashtëzakonshme, barbare
dhe e egër”:
Kam këputur
fijet e barit truallit
Të përhimtë
Kam ngrënë
gurët që i hanë delet
Nga uria
Kam ngrënë
kaçubat me hije
Shtazësh.
Ose:
Ngul
rremat mbi gurët e shpellës
Sime
E shtyp
rrushtë e zinj të korijeve të
Zeza
Në ngërç për
të shkëputur mishin tim
=se:
Kur jemi
dy kufoma në një me
Përbindëshin
Nën një trup
e nën një lëkurë të
Vetme.
Këto
vargje kanë një prerje tronditëse. Të ngjan sikur njeriu është një qenie njerëzore
në një sistem multi-jetësh, dhe jo se jeta e tij është një e vetme. Këto vargje
më kujtojnë “Fijet e barit” të Uitmanit dhe “Këngët e dhimbjes” të Migjenit. Por,me
një ndryshim, Uitmani me “Fije bari” demaskoi shoqërinë antihumane dhe sistemin
qeverisës të kohës së vendit të tij, për shfrytëzimin e njeriut ndaj njeriut, që
fatkeqësisht ndodh rëndomë kudo sot e kësaj dite edhe tek ne, në Shqipëri. Ndërsa,
Migjeni pasqyroi tablonë e mjerimit, duke dashtë ta shkulë nga rrënjët skamjen
që ka shoqëruar shqiptarët, qysh në kohë të kohërave dhe deri më sot.
Kurse
Sadik Bejko denoncon fatin e vuajtjen e njeriut të thjeshtë në shek. XX-XXI, në
shekullin më të ri. Edhe këtë e bën me artin e fjalës së shkruar me kulturë e
qytetari.
3.Bota e
autorit vjen në substancën poetike me lëndën jetësore të të parëve të tij. Nuk
mungon as mendimi filozofik, reflektiv. Në poezinë e Bejkos, s’fshihet kultura
e ligësisë së njeriut ndaj njeriut. Ajo vjen si materie poetike e errët. Me
simbolin e gjarpërinjve; Këtu fjala ngjethet në ndjeshmëri, merr intonacione të
frikshme dhe tinguj simfonie të sinkronizuar në gjëmë fantazmagorike.
Autori
profesionalisht krijon materien njerëzore,që është pika më nevralgjike e
substancës së subjektit,por gjatë lëvizjes ngjarje-fantazi,trazon nervin më të ndjeshëm
poetik.
Qenia
njerëzore dhe qenia poetike shkrihen idhshëm në shtresa të mendimit,duke
vegjetuar artin poetik, estetik, modern.
Rendja në
zinxhirin e kthesave
Të dritës
për t’ikur vetëshpërthimit
Mbi shpinë
portat e shpellës
Ngulur, që
ia kyç edhe vetes
Mbas tyre
pyjet me shtazë e gjarpërinj
Vërshëllejnë
e hungërijnë kthetrash,
Ta
hap,mua vetë,mua më helmojnë të parin.
4. Në rrëfimin
poetik, autori e skalit figurën e gjyshes, duke e portretizuar mjeshtërisht si
një pikturë mesjetare, zbuluar nga arkeologët e kohës modern, për ta vendosur në
muze, si objekt me vlerë kombëtare. Dhe këtë e bën me shumë dashuri dhe art.
Gjyshja
ime ballë shpelle, jetë sternë
(tre
burra e 11 fëmijë mbledhur në
Pëqi
Brezit të
saj të zi,varur e lidhur)
Çmendej e
çakërdisej,në muzg
Malesh,grua
e vetme.
Si drurët
abstraktë e të pikëlluar
Grykave
Nën erën
me net,gurë. Llohë
E bisha
Përkundur,rrjepur,epur,qethur
e
Mbetur.
a)Është e
vërtetë se autori,poemën “Orakujt e mbrëmjeve” e ka ndërtuar si një Kult të rëndësishëm
artistik në letërsi.
Poeti ka
derdhur të gjithë arsenalin e tij intelektual, njerëzor dhe moral, në këtë poemë,
mrekullisht e ka transformuar dhimbjen njerëzore në art poetik.
Kjo poemë
shndrit si një pikturë,ku peneli i artistit hulumton midis realizmit dhe
surrealizmit. Autori ka përdorur të gjitha teknikat artistike, kështu e bën lëndësore
metafizikën në poemën e tij. Larton një ngrehinë me infrastrukturën estetike
dhe stilistike të njeriut dhe të poetit autokton.
b)Teksti
i kësaj poeme të duket sikur është shkruar në faqet e një kështjelle të nëndheshme.
Aty në hijeplasjet e saj dëgjohet kori i qyqeve,që me gjuhën e tyre, këndojnë këngën
e dhimbjes.
Pikërisht
këtu qëndron mjeshtëria e penës dhe shpirtit të njeriut Poet, duke i vënë në funksion
të njëra-tjetrës gjetjet poetike, situatat poetike dhe përdorimin e gjuhës, i
jep lexuesit një vepër me vlera ideoartistike,një vepër serioze, në historinë e
kulturës dhe të letërsisë shqipe.
c)Duke
dashur të shpreh simpatinë time, si kolege e si adhuruese e poezive të bukura,them
se autori,si qytetar dhe si aktor i ngjarjes në interpretim, e zhvesh
realitetin e djesëm.Fatkeqësisht pasojat e zhgënjimit prej tij i shohim ende, a
kanë maviosur damarët e shpirtit, i vuajmë edhe sot në shoqërinë tonë.
Poeti është
më i ndjeshëm se njeriu i zakonshëm.Këtë e vërej edhe në librin “Psalm për Atin”
të Sadik Bejkos, ku autori nuk nguron të rikujtojë gjëmën që i ka shkaktuar e
keqja e njerëzimit, duke e zhveshur atë lakuriq.
Kujdes
nga grimhera,fikndezjet
E befta
Koha e
pluhuri lajnë e mbrujnë
Eshtrat
tonë
Rrëketë i
hedhin tej tokës,
Zinxhirë i
bardhë gurësh
Përroit të
rrëmbyer të korbave
Që s’kursyen
Të kafshojnë
dhe gurë mali
Si
hakmarrje.
Bota
shpirtëroe e poetit klith në truallin poetik,të mbrojë qoftë edhe vetminë e tij
në paqen e gënjeshtërt, duke kërkuar t’ia kthejë themelet e erës, (themelet e
erës, është një figurë simbolike e qënësishme për poetin).
Lejomë,
lejomë, o shumë i lartë
Lerëm të mbroj
Vetminë time
të vetmuar paqes
Së rrejshme
….
Të rremë si
ëndërrat, shtëpi rrënuar
Ndaj një dielli
me dhëmbë që gdhend
Skalit
E në çast
pluhur: themelet e erës
M’ia kthe.
Po e
mbyll me një thënie të Uitman-it: “Gjithçka që unë shkruaj për veten time,ti
duhet të marrësh si një plotësim për atë që të mungo ty, ndryshe do të ishte
kohë e humbur të më dëgjoje”.
Dhe ky përcaktim i Uitman-it për thelbin e artit poetik, rri përsosmërisht në trupin e artit poetik të Sadik Bejkos.