Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Zholi: Intreviste me Jorgo Papingjin

| E shtune, 19.04.2008, 09:32 AM |


Intreviste me Jorgo Papingjin

Nga Albert Zholi

Albert Zholi
Jorgo Papingji është një ndër personalitetet më të spikatur të poezisë shqiptare në festivalet e këngëve për fëmijë dhe të festivaleve në Radio Television. Prirjet për fizikë nuk ja hoqën për asnjë çast dashurinë për letërsinë, sidomos për tekstet e këngëve. Jeta e tij është e mbushur me kthesa të papritura ku ai me qetësi dhe dashurinë për njerzit ka ditur ti kalojë me sukses. Ai edhe pse në moshë e ndjen veten fëmijë, pasi në çdo moment mendon dhe krijon për ta, aq më tepër që këto muaj janë muajt e fëmijëve, muajt e festivaleve nëpër rrethe për ta cuar paskëtaj stafetën në Shkodër. I qetë dhe i sinqertë ai rrëfen me emocion historinë e tij jetësore, ku pengu më i madh është mosnjohja e babait, pasi ai e la 6 muajsh. Sipas tij, askush nuk mund të thotë se është jashtë politikës, pasi dhe vota është një mënyrë shprehjeje e simpative politike, por ai asnjëherë nuk është pronocuar në ndonjë parti. Dhënia e mësimit nëpër disa nga shkollat e kryeqytetit e ka bërë atë më të lidhur me nxënësit dhe me kolegët, ku mësimdhënia sipas tijë  është një art shumë i vështirë që kërkon, studim , përkushtim, seriozitet dhe punë sistematike. Lumturohet kur fëmijët e përqfojnë për tekstet dhe nuk e precepron krijimtarinë në vende moderrne dhe salla llamburitëse. Thjeshtësinë e ka tiparin dallues në mardhëniet shoqërore, tipar që e ka bërë më të dashur tek këngëtarët dhe më të respektuar në masën e gjerë të artëdashësve. Të krijosh sipas tij, duhet të kërkosh ndaj vetes, të gjurmosh të renë, duke larguar nga vetja shabllonen. Koha kërkon risi.

Unë kam  e dhe një  tekë  tjetër,   ku nuk  mund  të shkruaj në  një dhomë  komode

Unë kam  vetëm  një  peng  në jetë, që  nuk  kam  njohur  tim  atë

-Një jetë mes teksteve të këngëve, përse po punon aktualisht Jorgo Papingji?

-Aktualisht jam duke punuar për  stinën e  aktivitetit të  fëmijëve, pra për  festivalin kombëtar të  fëmijëve  që bëhet  në  Shkodër. Ky aktivitet fillon  nga  festivalet e rretheve, nga  ai i  Tiranës, vazhdon me atë të diasporës, me  festivalet e  fëmijëve shqiptarë që ndodhen në Maqedoni, Shkup. Dhe  pastaj, me vjeljen e materialeve më të mira  dhe me  disa  krijime të  freskëta  dhe të reja,  formulohet një festival që është festivali  kombëtar për  fëmijë që zhvillohet gjithmonë  në  Shkodër në kuadrin  e festës  së  fëmijëve.

-A ka  datë  fikse  ky  festival?

-Muaji është i përcaktuar. Pra muaji Qershor.  Gjithmonë  zhvillohet  në  këtë  kohë  dhe  me  këtë  kuadër. Sepse me 1 qershor është  festa  ndërkombëtare e  fëmijëve. Por data nuk është fikse.

-Kur  ka lindur  kjo  traditë?

-Kjo  është  mëse 45 -vjeçare  dhe është  realizuar  gjithmonë  në  Shkodër. Ka  pasur  tentativa të ndryshme  që  të largohej nga Shkodra, por  kjo  nuk  është miratuar. Për  mua  është vepruar drejt, sepse  ato vende  që  e  kanë krijuar traditën, duhet ta  ruajnë  traditën. Tradita është themeli I kulturës. Traditat respektohen në çdo vend të botës. Sidomos për këngën. Këtu mund të përmendim festivalin e Sanremos në Itali etj…

-Kjo ka  ardhur që në  kohën e  monizmit. Pse  është  përzgjedhur   Shkodra,  ndoshta e motivuar politikisht, apo  ndoshta një kërkesë  e popullit të Shkodrës,  të bëjë një  aktivitet me përmasa  të  tilla  kaq  interesante?

-Kjo nuk do të  thotë se kanë  qenë të  gjitha  gjërat  me  kuptime politike. Ato konceptoheshin duke pasur parasysh shpërndarjen gjeografike. Pra aktivitetet të mos përqëndroheshin në Tiranë apo Shqipërinë e mesme. Dhe tashmë, për shumë aktivitete të kësaj natyre është formuar tradita gjeografike. Në Gjirokastrës u organizua festivali i këngës dhe muzikës  popullore, Festivali i  Shkodrës  mori ekskluzivitetin e këngës dhe muzikës për fëmijë. Po  nuk  është  vetëm shpërndarja  gjeografike  që  është bërë në  Shkodër. Eshtë edhe një arsye tjetër që e ka zanafillën në kulturën   shkodrane, në  dëshirën  për muzikën që ka popuulli i shkodrës, tek talentet   që ka  prodhuar  Shkodra. Pra, është  një tokë  ku muzika  mbillet vetiu dhe lulëzon, dhe pse  mos të  krijohet kujdesja që në mbjellje  që  në  farë që kjo  të rritet e të bëjë lule. Pra  Shkodra  u  përzgjodh  si një tokë që  ka talente,  që  e do muzikën dhe që e ka  hak  që  të  jetë  aty.

- Diçka  mbi  fëmijërinë  tuaj, si lindi  tek ju dëshira  për  të  krijuar  deri sa arritët në nivelet e sotme ku jeni protagonist i shumë  krijimeve me çmime?

-Sot  mund të  them  se kam  pranë  vetes  shumë fëmijëri. Kam ecur dhe eci më fëmijërinë. Fëmijëria  ime më  ka shoqëruar  gjatë  gjithë kohës së rritjes sime. Edhe në këtë moshë  them se kam brenda  vetes  shume fëmijëri, jam  sa  edhe plak edhe  fëmijë. Dhe këtë  pleqëri që  mbaj ma  zhduk  kjo fëmijëri që mbaj  brenda  vetes.Unë  mendoj  se njeriu, po  ta  ketë  brenda vetes  këtë  fëmijëri  dhe po  të  di  ti  marri erë   kësajë fëmijërie,  nuk  plaket  asnjëherë.

-Na thoni  hapat e para  të  kësajë   fëmijërie, në bankat e shkollës, një  kujtim të  veçantë nga  e gjithë  jeta  juaj  shkollore  që  ju  ka  lënë  mbresa  qoftë  me mësuesit , ose  prindërit tuaj dhe kush ju  ka  nxitur në krijimtari?

-Është një gjë e çuditëshme nganjëherë, që  në  moshën  time  të herëhme  kam pasur  dëshirë  të  merrem me  artin. Që  fëmijë i  vogël në  kopësht  unë  bëja  teatër  kukullash. Kam  lindur  në  Vlorë  dhe  në  shtëpi  gjithmonë ëndërroja për skenën, teatrin.Vlora vetiu të jep frymëzim. Ajo të magjeps. Të nxit për art. Në shtëpi ishte  një  penxhere  hajati  dhe ne  në  atë penxhere  merrnim kukulla  dhe improvizonim lojën teatrore, pra sajonim teatër me aq sa kishim  dëgjuar. Më vonë, në shkollë, kur bënim fletorën e kujtimeve ( i linim kujtimet njëri tjetrit në fletore) në fund të vitit shkollor,  gjithmonë, në fund të shkrimit më shkruanin ose vendosja vetë Jorgo Papingji,  regjizor.Në  atë  kohë unë  nuk  e kisha  idenë  se  cfarë  ishte  regjizori. Ngadalë,  ngadalë  kjo u  binjakëzua  me  veten  time. Shpirti  binjak i imi  ka  qenë  dëshira  gjithmonë  për  artin, kjo  më  bëri  të shkruaj. Në atë kohë ne  kishin  një  gazetë  në shkollë në  Vlorë “ Fjala Jonë” kjo  ishte gazetë  muri. Gazeta kishte  një  redaksi  që mblidhnin artikuj për  fëmijë  përvec  problematikave  të  ndryshme të mëdha, si  gjëra   që  ndodhnin  në  klasë etj. Unë  u bëra  kryeredaktor  i  asaj  reviste. Kjo revistë muri ishte si një ogur i mirë në krijimtarinë time.  

-Në  çfarë  viti  bëhej  fjalë?

-Bëhet fjalë për vitin 1948. Unë  kam  filluar  të  shkruaj  shumë  shpejt. Kam  pasur  një  nënë shumë  të kujdesëshme  që na mësonte  vazhdimisht  edhe  kur nuk  kishim  shkollë. Unë  jam rritur  pa  baba  dhe  nënën  e kishin  edhe baba edhe  nënë. Ajo i  donte fëmijtë  të mire,  të  edukuar  dhe të kulturuar. Kjo  siç  duket  dha  frytet  mbrapa. Pas Vlorës ne u vendosëm në  Tiranë . Në  Tiranë  kam  ardhur  nga  klasa e katërt  fillore  dhe këtu  kam  filluar  të  ndjek  mësimet  në  një shkollë   me shumë  emër, që  në  atë kohë  quhej “ shkolla  e kuqe”. Kjo   shkollë  ka  pasur  mësues  shumë  të mirë, ku  të gjithë kanë  mbjellur  diçka  tek  formimi  im. Atë  që kanë dhënë ata me gjithë shpirt, unë  e ndjej  tek vetja  ime. E gjej  nga  një  filiz të  mbjellë  nga  ata tek  vetja, qoftë  për  artin, kulturën, gjuhën e huaj  etj.

-A mund të veconit ndonjë moment më  të hollësishëm  për ndonjë konflikt me mësuesit tuaj, ose  kur një mësues ka reaguar ndaj një sjelljeje  jo  të  hijshme  tuajën?

-Unë  mbahesha si  fëmijë i  mirë, i  edukuar, por  edhe  sensibël. Problem kam pasur me një  mësues të ciklit  të  ulët, sepse  unë  gjithmonë  kam  shkruajtur  me dorën e  majtë dhe  ai donte  të  shkruaja me të  djathjtën pasi  ishte  e ndaluar të shkruaje me të majtën. Mësuesi    mbante në  dorë  gjithmonë një  vizore edhe  kur e shikonte  që unë  e kisha  në dorën e majtë  penën,  më  godiste  me  vizore. Ky ka  qenë  konflikti  më  i  madh   që  unë  kam  ndeshur  në jetën  time  shkollore. Ky  ishte një  konflikt njerëzor, në emër të ndihmës së sinqertë. Por edhe sot  unë  shkruaj  me dorën  e majtë. Kjo mënyrë të shkruari ishte brenda meje. (qesh).

-A e  mbani  mend  poezinë  e parë që keni  shkruar?

-Poezinë  e parë  që kam  shkruar e kam hedhur në  fletoren  e kujtimit si e quanim.

Si  zjarri  që le  hirin
Po lë  edhe unë  kujtimin
……

Në këto vargje  kam  hedhur dashurinë shkollore. Dhe e kam bërë si  kujtim  për  shokun  tim të klasës.  Në fund e nënshkruar Jorgo Papingji, regjisor. Këtë  ngjarje  e  mbarta  me vete  dhe pastaj  e shkruajta  në  një festival të këngës  për  fëmijë. Kam  një këngë të bërë vite  më  mbrapa  kur  kam ardhur në Tiranë, që e  ka  zanafillën  në ato  materiale  të  kohës së fëmijërisë

Kur  ula  të mendohem
Për një lodër  të mendoja,

Nisa  penën  ta  kafshoja
Më shpëtoi një pikë  me  bojë

Rri  mendoj  e rri  mendoj
si  t’ja bëj  njollës  me bojë

Fletën  e bëra  pis 
si  t’ia  bëj 
ta  fshi  apo  ta gris..?!

S’do  ta  fshij,  e s’do  t’a gris
fletën  që e bëra  pis

Përditë   ta  shikoj
e më mos  të  gaboj

-Për  ç’vit bëhet  fjalë  kjo?

-Kjo bëhet  fjalë  për  klasën e  parë  gjimnaz. Unë  atëherë isha  prezantuar  si krijues. Dhe në festivalin e fëmijëve  që u bë dy  vjet  më  vonë unë  bashkpunova me Aleksandër  Lalon. Ky bashkpunim na çoi në Shkodër. Pastaj, çdo  gjë që kam  shkruar e kanë  pasur  fëmijërinë brenda, si shqetësimet e fëmijëve, lodrat e  fëmijëve, marëdhëniet e fëmijëve, inatin, dashuritë e  fëmijës. Edhe  në  rrugë  kur më shikonin  ndoshta  thonin  se  ky nuk është normal. Ecja me letër në dorë në çdo vend. Kur  shikoja  p.sh. vajza   që  luanin  me litar  unë  e  skicoja  dhe thosha  se  këtë do ta  bëj këngë për  fëmijë.

Dhe e kam  bërë. E ndjej  veten  të mbushur kur kaloj nëpër mend si në filme të gjitha lodrat e fëmijëve të cilave u kam qëndisur kanë  nga  një  këngë, si “E ka kush  e ka”, “Loja  symbyllurazi”, “Një  nga vajzat  me  litar”, etj. Kam  një këngë shumë të dashur dhe praktike për fëmijtë  që ka  fituar  çmim dhe këndohet  edhe  sot:.

Hapa  dollapa 
kush  është  fshehur  mbrapa
Hopa  Albana  dil se  të  kappa
Genci  Ermira, ja  Beni Zamira
Ja  edhe Ciljeta,  të  gjithë i  gjeta.

Kjo është lojë  dhe  këndohet  kur  luhet  ajo lojë. Prandaj,  është  e asimilueshme   dhe e bukur. Deri më sot  unë  kam shkruar  600 këngë për fëmijë, (ndoshta mund ta  ketë  kaluar  pak), të  cilat  pothuajse  kanë  çmime. Vetëm  në  këto 7 vitet  e fundit,  në festivalet e  Shkodrës,  unë  kam  marrë çmimet e para. Ka  pasur aktivitete  që i  kam  marrë të tria  çmimet  (e parë e dytë  dhe të  të tretë  bashkë).

-Nga sa krijime  keni  arritur  të  bëni  në  një  festival?

-Ka  patur deri në tre, sepse  më tepër se tre,  nuk  lejohet. Kanë  kërkuar kaq tekste dhe unë kam  qenë i detyruar  t’i  bëj. Kur  ka  njerëz  që të  kërkojnë nuk i thua  dot  jo. Se ka prindër që dëshirojnë që fëmijën e vet ta nxjerrin sa më mirë në skenë dhe të bëjnë propozime të vazhdueshme. Por atë do edhe  kompozitori që e kompozon  atë  tekst. Por atë do edhe organizatori  që e organizon festivalin.   Janë disa parametra  që  të  detyrojnë  të shkruash. Këto parametra janë të lidhura zinxhir. Në  jetën  time  unë i  kam  provuar të  gjitha  gjinitë  e letrave, kam  shkruar këgë për  fëmiëjë, për të rinj,  për festivale dhe këngë për të gjitha llojet e  festivaleve  që bëhen  në  Shqipëri  duke përfshirë dhe “ kënga magjike” etj.

-Folëm shumë por nuk ndaluam në një pikë. Në studimet e larta...

-Shpesh herë kur mblidheshim ne mësuesit e shkollave më parë në takime, seminare, mbledhje, simpoziume, organizatorët thoshin, mësuesit të ndahen sipas lëndëve. Mua më thoshin gjithmonë kalo me letërsinë. Kur unë i thoja jam mësues fizike ata shtangeshin. Nuk e besonin. Më shikonin në sy të habitur. Unë kam punuar për shumë vjet drejtor shkolle.  Kam mbaruar shkencat e natyrës dhe në  jetën time kam dhënë Fizikë.

- Si e  mori këtë drejtim jeta juaj, pra të studioni për mësues fizike?

-Në monizëm, për nxënësit  e mirë  të  shkollave  të mesme para se të dilte  e drejta  e studimit organizoheshin  olimpiada. Në to, gjenin nxënës të  mirë për  të  fituar  bursë. Atëherë  unë  isha nxënës  i  mirë dhe me  prirje  të  jashtëzakonëshme për  fizikën. Isha tip kurioz. Kapja çdo gjë me dorë. Sensi im jetësor ishte  si vrojtues i thellë. Kisha shumë dëshirë të merresha me gjitçka shifja. Për këtë, në periudhën e gjimnazit dhe të shtatëvjeçares unë  mbaja  çelësat e laboratorit të fizikës  dhe të  kimisë. Pra  luaja  tipin  e laborantit  për  profesorët. Unë  atë që  do të  bëja  mësim,  e  kisha  lexuar  nga  kurioziteti më parë. Pjesëmarja ime në një olimpiadë dhe fitimi i çmimit të parë të kësajë  olimpiade  të  fizikës që  u  bë në  vite  ’60, ku isha  maturant  në  shkollën “Cajupi” (pasi kalova nga shkolla e “ Kuqe” në shkollën “Çajupi”), ndryshoi rrjedhën e shkollës. Atëherë  nxënësit  më të mirë  i merrnin  shkencat  e natyrës. Fillova  fakultetin e  Fizikës  duke  mos  pasur  qejf të  dilja  mësues. Kisha  shumë dëshirë  të studioja për inxhinieri elektrike. Por ja, kundër dëshirës....

 -Në  kohën  që  ju shkonit në laboratorin e fizikës, nuk  ishit i  lidhur  me mësuesin  e letërsisë?

-Edhe  me  mësuesin  e letërsisë  kam  qenë shumë i lidhur  sepse  unë i  doja  letrat  dhe leximin  shumë, shkruaja  shumë  bukur. Hartimet  e mia  lexoheshin  shumë  në  klasë. Dhe  hartimet  i  shkruaja  edhe  në formë vjershe. Në shkollë  jam  mbajtur me prirje  të  mira   për  letërsinë. Të  gjitha  i  kam  pasur  brenda  vetes  sime  si  letërsinë, fizikën, edhe  regjizorin, dhe skenaristin. Ishte një lidhje organike që në momente të caktuara njëra dilte mbi tjetrën, por pa e zëvëndësuar plotësisht.  Kam  punuar edhe në  shtëpitë  e pionierit  ku grupet  artistike  dhe   mënyrën e organizimit të koncerteve si dhe skenarin  i  kam  ndërtuar  vetë. Isha  një  njeri  me  disa  duar   prandaj  shumë koncerte dilnin mirë. Shumë duar e prishin planimetrinë.

-Kë  do  të  veçonit  si  ditën  më  të bukur  të jetës  suaj  në  kuadrin e  krijmtarisë?

-Në  kuadrin  e krijmtarisë  ditën  më  të  bukur  të  jetës  sime  do  të  vecoja  ditën  kur mora pjesë  në  festivalin e RTSH (të  rriturve)   dhe për  herë  të  parë  fitova  çmim  të  tretë. Kjo  u  realizua  në festivalin e  14-të. Ka  qenë një  këngë  me Aleksandër  Lalon. Atmosfera mbas festivalit  të  11-të  ishte  shumë  e ngrirë,  mungonte  kurajo  për  të shkruar  tema  të  lira,  pasi për shumë krijues pati  edhe pasoja. Ishte një moment kur krijuesit nuk  kishin  kurajo  të  shkruanin  tema lirike. Në  atë vit  unë  shkruajta një  temë  lirike. Ishte  një  temë  që  tregonte  vetëm  dashurinë  dhe që  nuk  hynte fare  as  politika dhe  as  probleme të tjera   shoqërore. Këngët  që kanë  fituar  çmime  të para kanë qenë këngë të bukura  me muzikë  shumë  të  bukur. Kënga  që unë  fitova  dhe mora  çmim të tretë  titullohej  “Kur  jemi  bashkë të dy”. Kënga ka qenë shumë muzikale  e kënduar  nga  Liliana  Kondakçi  dhe Luan  Zhegu.Ky  çmim  më  dha  një  gëzim  të madh  dhe që  nga  ai  vit  asnjëherë  nuk  i jam ndarë  festivalit. Këto momente janë evenimente që lënë vlagë në jetën e njeriut, por sidomos të krijuesit.

-Atë  moment  kur  kënga juaj  mori çmim të tretë,  ku ishit  dhe  si  u ndjetë?

-Kur  kënga  mori  çmim  të  tretë  unë  isha  duke pirë  kafe me  Aleksandër  Lalon (me autorin e muzikës) jashtë sallës dhe në një radio  që kishim,  dëgjuam çmimet. Nuk u besuam veshëve. Shumë herë njeriu befasohet nga ngjarje të tilla. Çmimi, si shpërblim material kishte një  pikturë  dhe jo  lekë. Ndërsa si krijimtari, çmimi paguhej  14 lekë të vjetra për 12 vargje. Në  atë  kohë  Ministria  e Kulturës ua  blinte  pikturat  piktorëve  për  t’i  ndihmuar ato, dhe një pjesë  e tyre u  shpërndante  në  festivale. Mbas  disa  vitesh  kam marrë edhe një  çmim  të  parë. Ky çmim ishte edhe  më i  bukur si kujtim . Në  atë  periudhë mu  dogj televizori i cili për mua në atë kohë  ishte  shumë. Pikërisht në atë  kohë  fitova  çmimin e parë dhe si shpërblim më dhurojnë një televizor SONY. Sikur ishte porositur shija dhe dëshira ime. Bëhet fjalë për vitin 1993. U gëzova se në prag të Vitit të ri nuk kisha ku të shikoja programin. Festa të tilla nuk mund të konceptohen pa televizor. Ishte boshhllëk i madh të mos kishe televizor në ndërrimin e viteve.

-Po  dita  më  e vështirë kur  ka  qenë  si  krijues?

-Që  të  jem  i  sinqertë  të  këqijat  nuk i  mbaj  mend.

-Ku  ndjeni  më  shumë  emocion, tek  festivalet për  fëmijë  apo  tek  ato  për  të  rritur?

-Çdo lloj  aktiviteti  kanë  emocionet e veta  që  nuk  krahasohen  me njëra  -tjetrën. Unë  edhe sot e  kësajë  dite  marr pjesë sistematikisht në  të  gjitha  festivalet  e të  rriturve, por  kënaqësinë  që  ma  jep  festivali i  fëmijëve  nuk  ma  jep  asnjë  festival  tjetër.

-A kujtoni  ndonjë moment në festivalet e  fëmijëve  që  mes  tyre  ju keni  qenë shumë i  emocionuar?

-Ajo  më  ka  ndjekur  gjithë  jetën. Unë  çdo vit  kam   pjesmarrje  në festival  qoftë  në  atë  të Tiranës qoftë  edhe në atë  të Shkodrës. Dhe  në të  gjitha rastet  është  bukur  kur  thonë  që  ky  xhaxhi  është ai  që  ka bërë  këngën,  të  përqafon. Urimet e fëmijëve janë të sinqerta. Ato të gjallojnë dhe të  zgjasin jetën.

- Kompozimi i muzikës lidhet ngushtë me tekstin. Sot tek këngët e Festivalit  në Radio  Televizion tek tekstet ka  përsëritje  fjalësh  dhe një  refren  me  dy   tri  fjalë, ku  teksti stonon, të lodh, të mërzit. Pra në vend që  të të mbërthejë,  mallëngjejë, ndodh e kundërta të largon. Çfarë   do  të  thoni  ju  për tekstet e sotëme të   këngëve?

-Unë  nuk marr përsipër të jap mendime për tekstet  e  këngëve  të të tjerëve .Gjithmonë  çdo njeri që krijon ka  sensin e krahasimit. Dhe  shija  e njerëzve   nuk  ka  marrë një  formim  të plotë. Kjo  ka  arësyen  e vet. Ne u  hapëm  se ishim  të mbyllur  dhe   në këtë hapje pa doganë hynë pa rubinetë të gjitha të huajat dhe u la pas dore tradita. Por, mbas  kaq  vjetësh  duket se po  kalon  ajo  që   ne  kopjuam  dhe shkundëm. Pra sikur po hiqen  ato  të  tepërtat  dhe shihet se po del një  gjethe  e gjelbër dhe e bukur. Unë  them se kjo është një  kohë që do të kalojë  në krijimtari. Tranzicioni hapi plagët e veta dhe në muzikë. Koha e filtron çdo gjë. Ka filluar të ndjehet përgjegjësia në tekstet.  Po  i  jepet  më shumë  rëndësi. Një  tekst  i  bukur  duhet  muzikuar  bukur. Kur  muzika  nuk  thotë  dot  atë që thotë teksti kënga nuk del  bukur. Stonon. Humb harmoninë. Rrjedhshmërinë. Një këngë e harmonizuar është si burimi në mal. Gurgullima e ujit, cicërima e zogjve dhe fëshfëritja e gjetheve.

-A  është  marrë  ndonjëherë me politikë  Jorgo Papingji ?

-E ndjej  politikën  si  pjesë  të jetës, që  do,  s’do,   është  në  krye  të  gjithshkaje  që  ti don të arrish. Është  e lidhur  me  mentalitetin që  ke  ti  për  jetën. Me dëshirat  që  ke.  Gënjen ai që thotë  që  nuk  e  ndjek politikën. Vetë jeta është një mënyrë e të bërit politikë. Politika bëhet dhe në mënyrë indirekte.

-Ke  ndonjë peng  në  jetë?

-Unë kam  vetëm  një  peng  në jetë që  nuk  kam  njohur  tim  atë. Babai  im  ka  vdekur  kur  unë  isha  gjashtë muaj.

-E shikoj  që  duhanin e keni pjesë të  pandarë të jetës… 

-(Qesh). Të  gjithë  krijuesit kanë  tekat  e tyre. Unë nuk  filloj  të shkruaj  në  qoftëse nuk  pi duhan. Dhe gjatë  gjithë  kohës  e  mbaj  në  dorë qoftë  edhe kur  shikoj  tymin. Kjo  është  tekë  e shumë krijuesve. Unë kam  e dhe një  tekë  tjetër  ku nuk  mund  të shkruaj në  një dhomë  komode . Unë mar   cantën   time  dhe   shkoj  punoj në  një kafene  ku ka  shumë  zhurmë. Atje fillon dhe më punon imagjinata. As i dëgjoj fare zhurmat dhe pse ato janë aq të pranishme. Duket sikur më shqetësojnë por në fakt ndjej se më ngacmojnë nerving e krijimtarisë. Ndonjëherë them se nuk do të shkoj në këto kafene, port ë nesërmen çanta në dorë dhe këmëbt më çojnë po aty.