| E enjte, 18.10.2012, 03:30 PM |
Akademi kushtuar Idriz Seferit-Kreshnikut të Karadakut
Nga Ukshin Zajmi
Në Organizim
të Drejtorisë komunale për kulturë, rini dhe sport të komunës së Gjilanit e nën
patronatin e Zyrës së kryetarit të komunës, në Gjilan u organizua Akademi
kushtuar kreshnikut të Karadakut-Idriz Seferit në shenjë të 100 vjetorit të Pavarësisë.
Me këtë rast të pranishmit i përshendeti kryetari i komunës Qemajl Mustafa, në mesin
e të cilëve ishte edhe Tomor Avdija, zëvendës ambasador i Shqipërisë në Kosovë.
Ai më këtë rast tha, se Gjilani dhe
Anamorava mburrën që patën prijetar trima, të cilët tërë jetën e shkrinë për të
mirën e popullit të vet, e një prej tyre është edhe Idriz Seferi, i cili
kontribut të çmueshëm dha në çlirimin e Vilajetit të Kosovës nga pushteti
otoman dhe në mbrojtjen e kufirit shqiptar në vitin 1912, vepër kjo që ushtrisë
okupuese i krijoj humbje të mëdha si në njerëz e kohë, andaj, mëqe nuk u ngrit
Flamuri në Shkup-kryeqendrën e Vilajetit të Kosovës, ai me ushtarët e tij
krijoj hapsirë që i njejti të ngritet në Vlorë me 28 nëntor 1912.
Një historik
të shkurtër të jetës së bujshme revolucionare të Idriz Seferit në rrethin e
Anamoravës por edhe në të gjitha trojet shqiptare e paraqiti Mr. Aliriza
Selmani. Ai tha se Idriz Seferi u lind në vitin 1847 dhe u rrit e mishërua me
bujën e Luftës së Dërvish Carës kundër Hajredin Pashës në Dibër, por edhe me
trimëritë e trimave të Anamoravës që shumë shpesh sunduesit osman ia prenë udhën
e i shkaktuan dëme të mëdha në Grykë të Konçulit e në ate të Kaçanikut. Trimëritë
e Idriz Seferit asnjëherë nuk patën karakter të interesit përsonal e lokal, por
karakter gjithëkombëtar, andaj ate e gjejmë në shumicën e kuvendeve kombëtare në
të cilat morën pjesë edhe Hasan Prishtina, Haxhi Zeka, Isa Boletini, Bajram
Curri, Luigj Gurakuqu, Elez Isufi e trima të tjerë të gjeneratës së tij. Ky
vit, tha Selmani, është vit jubilar, i 100-ti i
mbrojtjes së kufirit lindor të caktuar në Kongresin e Berlinit, e që kreshniku
i Karadakut pas tubimit të mbajtur te “Lama e miellit” në Gjilan tuboi afro 6000
luftëtar dhe mbrojti heroikisht kufirin nga Svirca deri në Bujanoc e Kumanovë. Idriz
Seferi, nuk ishte vetëm njeri i pushkës, por, edhe ndërmjetësues në pajtimin e
gjaqeve dhe rreth caktimit të kufinjve të pasurisë si fshatrave.
Në këtë akademi
për Idriz Seferin foli edhe shkrimtari Ibrahim Kadriu, i cili në fillim tha se,
unë jam rritur dhe kam vepruar me shembëlltyren e veprës së këtij kalorësi të Karadakut,
por, edhepse kam shkruar një roman për te, ende e pyes vetën, pse historianët
tanë nuk shkundën pluhurin nëpër arkiva të ndryshëm për të paraqitur një histori
të vërtetë për këtë trim të Karadakut. Ende flitet se ai ka lindur në fshatin
Sefer të Karadakut, por siç tha ai, Idriz Seferi ka lindur në një fshat të Elbasanit
në vitin 1847. Ai kërkoi që të sqarohet arsyeja e vërtetë pse nuk u ngrit
flamuri kombëtar në kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës në Shkup, i cili u çlirua
me 12 gusht të vitit 1912, dhe kush ishin ata udhëheqës shqiptar që kërkuan për
të marshuar për Selanik për të nxjerr nga burgu sulltanin dhe kush i bindi pë këtë?.
Kurse burgosja e Idriz Seferit dhe kreshnikëve tjerë të Kosovës, pos Isa
Boletinit, në nëntor të vitit 1912 nga Serbia dihet, nga se Serbia nuk donte që
këta tyrima e strateg luftarak të jenë të lirë në kohën kur gabimi i Shkupit të
përmirësohet në Vlorë.
Me një fjalë rasti në këtë akademi u paraqit edhe Fitim Rifati, kryetar i Shoqates së historianëve “Ali Hadri”, dega në Gjilan. Për të pranishmit u kënduan këngë solo dhe korale kushtuar Idriz Seferit nën drejtimin e dirigjentit Izet Kallaba.