| E merkure, 17.10.2012, 08:30 PM |
Kalosh Çeliku
zë vend të veçantë në letrat shqipe
Shkruan: Safet Hyseni
Në kulturën
dhe letërsinë shqiptare vepra e Kalosh Çelikut zë një vend të rëndësishëm si
nga cilësia ashtu edhe nga sasia. Deri më tani për veprën e Kaloshin kanë shkruar
shumë kritikë e miq të tij por asnjëri nuk i ka prek disa veçori dhe aspekte të
veprimtarisë së tij letrare. Askush nuk është marr me personalitetin e tij, si është
ndërtuar, prej nga gjithë ai guxim intelektual dhe ajo çka është më e madhe më e
rëndësishme dashuria e tij për bërjen e
atdheut-mëmëdheut, por kjo e shprehur dhe e thënë krejt në një formë tjetër. Edhe
lehtas me i ra veprës së tij zbulon të gjitha këto që u thanë më parë, por çështja
është se duhet pranuar se ai në këto aspekte qëndron shumë lartë, është i panënshtruar,
nuk shembet dot por i merr nëpërkëmbë të gjithë ata që mundohen me folklor të rrasin
hundën atje ku nuk duhet. E para nga të gjitha,
personaliteti i tij është krijuar (ndërtuar) në dy periudha. Për të qenë
afërsisht të saktë duhet vepruar ashtu siç kanë vepruar edhe me krijuesit e
tjerë, d.m.th personaliteti i tij duhet të zbërthehet nëpërmjet veprimtarisë letrare.
Njeriu është pasqyrë e veprës së vetë, dhe ajo mund të thuhet apo shprehet në njëmijë
mënyra, por asaj të shkruarës nuk mund t’i ikësh dot dhe as ta nënçmosh. Është me
rëndësi të theksohet se pena e tij e mprehtë, përherë ka sjell frymë të re, ka
sjell ka trajtuar në mënyrë të shumanshme fenomenet e shoqërisë, të elitave politike (nëse mund të thuhet kështu
ngase elita politike është shumë vështirë të takosh tek shqiptarët), të elitave
krijuese me një ndjenjë të hollë e me buzëqeshje ironike, me një stil satirik, me shumë shaka. Autori
sikur ka vendosur që të luftojë hijet e zeza dhe fenomenet që stërkeqën dhe
ngufasin jetën kulturore, sociale, por më mirë thënë atë kombëtare, andaj në shënjestër të penës së tij kanë qenë, dhe
vazhdojnë që të jenë krijuesit e
oborreve, klanet që merren me fate njerëzish, thënë më saktë ata që ia kanë zënë frymën artit, kulturës,
progresit, të ardhmes dhe zhvillimit e mirëqenies kombëtare. Është e natyrshme
dhe historikisht e dëshmuar se fletët e veprave të krijuesve oborrtar kanë jetë
të shkurtër dhe bien si gjethet e vjeshtës, apo më mirë thënë ikin bashkë me
thinjat e tyre. Këto kinse vepra, ka raste që zverdhen më herët dhe atë me ndërrimin
e klaneve politike, por pas lejnë shëmti që duhet dikush ta shëroj, e autori ka
vendos që t’i luftojë për të gjallë.
Kaloshi për
dallim nga brezi i ri i letrarëve, është krijues i dy periudhave. Të dy
sistemeve u ka qëndruar stoik. Vertikal.
Në kohë të pakohë, apo më mirë thënë në kohën kur nuk të qeshej e ti
detyroheshe të qeshje me zë, apo kur nuk të qahej e ti nxjerrje lot krokodili (apo
vajtoje përpara të tjerëve, kjo bëhej për dëshmi). Që të mos bëje as njërën as
tjetrën duhej të heshtje apo të fshihesh në dimi të grave, ndërsa të mos e bëje
as njërën as tjetrën dhe të mos fshiheshe në dimi të grave do duhej të ishe
krijues si Kaloshi, të mos përfillje asgjë dhe me lapsin shaluar të ndaje
shapin nga sheqeri, të ecje rrugës sate. Për të dëshmuar se kush është Kalosh Çeliku,
që mbeti vertikal, dhe iu bëri ballë furtunave së pari duhet studiuar veprën,
veprimtarin dhe krijimtarinë e tij. Kur them veprën, veprimtarin dhe
krijimtarinë dua të sqarohem se të tre këto elemente tek Kaloshi shkojnë ndaras,
nuk janë tërësi, prandaj ai ka ditë të ecë për tehut të thikës e të mos
grithet, e çka është më e rëndësishme të mos lëndoj të tjerët, për t’iu
shkaktuar dhimbje, e në të njëjtën kohë të jetë paralajmërues dhe hapur tua
thotë se kush e fik dritën që dukej rrallë në horizont, apo kush i bënë hije
rritës së kombit, kush ia zë frymën së ardhmes. Kaloshin ë jetë është bohem, këtë
e ka zgjedhë vetë, ndërsa me veprën unë kuptoj të gjitha publikimet e autorit. Veprimtaria
e tij është pak më e gjerë se vepra, ajo përfshin edhe shkëmbimet e mendimeve,
takimeve të ndryshme të paregjistruara si individuale, pjesëmarrjen në shumë manifestime
kulturore e letrare si dhe organizimin e shumë evenimenteve po ashtu letrare. Ndërsa
krijimtaria e tij është vepra letrare, ajo që rrezaton dhe i bënë ballë çdo
kohe, që e mbijeton atë. Veprimtaria e tij përfshin edhe personalitetin e tij,
karakterin që ka ndërtuar dhe sa bënë dallim personaliteti dhe karakteri i tij
kundrejt karakterit dhe motivit në veprën e tij letrare. Studimi i veprës së autorit
patjetër do duhet që të marr për bazë këto tre dimensione për të qenë me afër të
saktës. Kaloshi në veprën e tij letrare për motiv ka zbërthimin e skenarëve që përgatisin
klanet e ndryshme, ai donë të herr krijesat e kamufluara me karaktere të dobëta,
shpirtzinjtë, plëngprishësit që për një asht dredhin bishtin në oborrin e
dushmanit. Duhet thënë kështu se vepra e autorit krijohet nga personazhet e
tilla reale dhe jo të imagjinuara, ngase herë pas here ata vetë na dalin në sipërfaqe
duke dëshmuar për punën e tyre në shërbim të detyrave ditore. Kur personazhin e
ke përpara dhe vetëm emrin ia ndërron është guximi i tij intelektual ndërsa në anën
tjetër është origjinaliteti se personazhi është i gjallë vepron, me të gjitha të
mirat dhe të këqijat, ndërtimit të figurës së tij si mungon asgjë. Ta prekësh këtë
fenomen, ta luftosh këtë dukuri duhet të kesh dashuri të madhe për atdheun-mëmëdheun,
(se personazhet e Kaloshit janë dëshmitar të mbrojtur nga çdo sistem, nga çdo
klan politik) e këtë (guxim) e ka autori i shumë veprave. Lapsi i tij,
ngjarjeve ditore nuk iu bëri asnjëherë shërbime, as në periudhën e parë të krijimtarisë
së tij në kohën e komunizmit por, as në atë të dytën që thuhet periudha
demokratike, ai nuk vrapoj si disa të tjerë
që me kalbëzimin e sistemit të njëmendësisë zunë vendet “atdhetare”,
sakrifikuan lot e fjalë për të qenë në ballë,
madje ata u uniformuan dhe në veprën e autorit fituan titujt e merituar, që vetëm
ai di t’i pagëzoj për punën e bërë. Vepra tregon vetë, andaj ai, me penën e tij
i zhveshi nga veshja falso, nga ideologjia e tyre e ndyrë, duke i marr si
personazhe, duke nxjerrë në shesh qelbësirën e veprave të tyre, dhe mykun e
tyre të ngjitur për lëkurë të pushtetit. Ai i vendosi në sirtarët e krijesave të
pashpirt, aktor të salloneve, duke lëpirë pjatat si zagar e bushtra. Krijimtaria
e tij letrare është shumë e hershme, shumëdimensionale, në aspektin e gjinive letrare ka shtrirje të gjerë, e demonstruar me shumë publikime dhe tituj të
arrirë, me simbolik të zgjedhur nga letërsia popullore, nga kjo krijimtari e
denjë e krijuar nga të parët tanë. Qëllimi imë nuk është të analizoj të gjithë veprimtarin,
as të ndalem në ndonjë nga veprat e tij të shumta, qoftë ato poetike apo në prozë,
por dua të them atë që përherë ma ka shtuar kureshtjen për njërën apo arsyen
tjetër.
E para; pena e tij hidhet lirshëm nëpër sallone, kuvende, kisha e xhamia, shkolla e biblioteka madje ajo ia tejkalon fuqisë së një pushke, shpesh bëhet top. Për të ecur dhe shënuar e shkruar në një mënyrë të tillë duhet mbi të gjitha guximi i lart intelektual, trimëri, dhe kur e ke këtë guxim bëhesh i veçantë. Shpesh herë në hapësirën tonë ndodh që të thuhet se çka bëre për atdheun, dhe po të ndalesh në veprën e Kaloshit dhe ta analizosh në hollësi ai (Kaloshi) na del më atdhetar jo vetëm si personalitet, jo vetëm pse për armë pati lapsin, por me sakrificën që ka bërë në përzgjedhjen për të pastruar oborrin e çdo shtëpie, odën e çdo kuvendi nga fara e keqe (rezile), kolltukët e çdo institucioni, lavdëruesit e çdo manifestimi, duke paralajmëruar për hienat që ulen në ballë të çdo ndodhie, si ata që “kokën e kanë në parti e bythën në xhami”, është sakrificë e tipit të veçantë, është guxim, është trimëri. Kjo është një veprimtari e veçantë e autorit, por ai e ka shaluar lapsin që vepra, mundi dhe sakrifica e tij të mos zhduken, të jetojnë, të vlerësohen e çmohen nga pasardhësit dhe të mbeten në sirtarët e letrave shqipe madje atje në majë. Kaloshi edhe pse krijoj pa ndal, pandërprerë, ai kurrë nuk ra preh e dogmave ditore, e kulteve të rreme, e madhështisë së kamufluar ideologjike, por çdo herë doli mbi të gjitha duke bërë luftën me laps e gotën plot. Gota plotë, mikja e lazdruar dhe jeta boheme ishin hajmalia e tij, për të ec lirshëm dhe për tu kuptuar vonshëm. Kjo që them duket ironike për krijuesin oborrtar, për krijuesin partiak, për atë që e donë atdheun që t’i flejë në krahë dhe ky në qetësin dhe sigurinë absolute të jetojë me plotë lavde që ia thurin “trusakatët”... Kaloshi është mjeshtër i fjalës së shkruar, por është edhe nxitës për të zënë dritën. Ai përherë na e zbardhen se të keqen e kemi në mesin tonë, në oborr, në kuvend, në tryezë, në dhomë! Vepra e tij po të lexohet me kujdes na e tregon rrugën, por jo me patetikën dhe këngën për vete që e duan “Rrospitë meshkuj”. E keqja është se të tjerët duan lavde, dhe ai nuk këndon por ligjëron, dhe nuk më ka rënë rasti që me disa vargje të zbulojë mjerimin kolektiv të pasardhësve të ilirëve, ashtu siç e thotë Kaloshi në një poezi nga përmbledhja “Atdheu ky burrë pa Grua”
DIKUSH NA
KA BËRË MAGJI
Bashkë kur
jemi. Ikim nga njëri tjetri
E larg. I
turremi marrëzisht me poezi.
O Imzot! Dikush
na ka bërë magji,
Sukulla
na ka futur nën jastëk. Hajmali.
Pare na
ka varë në ballë për Shëngjergj
Nuk ka
Babasheh që na i përze xhindet.
Dikush na
ka bërë magji. Hajmali.
Xhindet të
na flakin majë lisave...
Këto
vargje janë shumë domethënëse dhe kanë shtrirje aq sa është gjeografia e hartës
shqiptare, që nuk na nderojnë por na udhëzojnë të gjejmë rrugën e përbashkët,
na thonë ta duami njëri tjetrin, të mos ikim nga njëri tjetri, të mos shpifim...
Këto vargje udhërrëfyese, atdhetare, edhe pse autori prek dhe përdor letërsinë popullore
dhe bënë krahasime shumë të qëlluara me paren në lule të ballit.
Të rralla
janë veprat që për motiv kanë artistiken dhe në të njëjtën kohë edhe atë atdhetare
(kritike), kjo është arsyeja e dytë që më ka shtuar kureshtjen time për të thënë
diç për veprën dhe autorin e lartpërmendur. Ajo që na sjell autori në veprat e
tija të fundit është e përkryer në formë dhe shprehej, në art ai ka formuar
ligjërim shumë të kapshëm me fjali të shkurtra e plotë kuptim, me harmoni dhe
muzikalitet të lezetshëm, me shprehej autoktone, me një stil shumë të veçantë e
origjinal, duke hedh në tregun e letrave shumë fjalë e togfjalësh të vjetra
shqipe që i përgjigjen momentit e situatës, pastaj guximi intelektual atij, i
jep të drejtën e lojës si tallës dhe hokatar të fenomeneve të shoqërisë, kjo
mbase ia shtonë më së shumti vlerën veprës së tij, e bënë të afërt me lexuesin,
thjeshtë lexuesi bashkudhëton me personazhin, komunikon, është më shumë se
reale, me personazhe të jetës së përditshme. Mënyra se si ai i palos për dheu
kalorësit e rrem, heronjtë që shkrihen nën hijen e vetë, me formën e veprës
artistike, e cila vepër në të njëjtën kohë bart me veti edhe shpatën kritike duke shpalos të bëmat e “atdhetarëve
dhe krijuesve oborrtar, trimave të rrem, mashtruesve, parazitëve, madje duke
hyrë edhe në kuvendet e rreme të trusakatëve”, ai tani më del një udhërrëfyes i
së ardhmes, ai është një njeri që ka parashikuar se si duket e ardhmja, ai është
një përfytyrues se me personazhet e skenës nuk bëhet atdheu-mëmëdheu. Për ta thënë
në një mënyrë si shpata me dy të prera, që lexuesi të komunikoj lirshëm duhet
guxim shumë i madh, dhënti dhe mjeshtëri e të shkruarit, veti këto që ai ka
arrit t’i zotëroj. Autori hapur shprehet për çdo fenomen shoqëror. Guximi i tij
intelektual shprehet përmes vargjeve;
Unë nuk e
dua këtë Shtet. Ferrparajsë
Që e duan
trusakatët. Rrugaçët kuqezi.
Rrospitë Meshkuj.
Dhe, Doktor Ziu.
Unë e dua
Mëmëdheun! Dhe, Atdheun.
Unë nuk e
dua këtë Shtet policor. Ferrparjsë
Ku ma
dhunuan Mëmëdheun. Dhe, Atdheun.
E,
shtiret se më do shumë Mua poetin rebel
Pusi më vë
pas ferre. Rrugën mos ta vazhdoj
Për në Baba
Tomorr. Vendin e Perëndive
Vera ku
pihet. Shkruhet poezi. E bëhet dashuri.
Unë e dua Mëmëdheun! Dhe, Atdheun...
Këto
vargje tregojnë për madhështinë e poetit dhe personalitetin e tij të ngritur, për
diapazonin e tij. Ai nuk e do shtetin që për njërin është ferr e për tjetrin
parajsë. Ai nuk e do shtetin që e udhëheqin trusakatët dhe rrugaçët, ashtu siç nuk
duhet që ta duan as ata me pare ne ballë, dhe të cilëve u është dhunuar mëmëdheu.
Kur thotë; “Unë e dua Mëmëdheun! Dhe, Atdheun” poeti tregohet shumë liberal,
shumë demokrat. Vetëm shqiptarët kanë dy emra për “Atdheun”, se siç thotë Lukiani
“nuk ka asgjë më të ëmbël se atdheu”, ndërsa Kaloshi në mënyrë ironike i
porosit shqiptarët se nëse keni marr mëri nënën, duheni të atin dhe të kundërtën, por na e bart porosinë e Lukianit se; “çdo gjë që njerëzit
e quajnë të shenjtë dhe të lartë, atyre ua ka mësuar atdheu, sepse ky i lind, i
rrit dhe edukon”, andaj ai i fton për të bërë atdheun, po të duan mundet edhe mëmëdheun,
por jo shtet “ferrparajsë”, që e duan “trusakatët, rrugaçet kuqezi dhe Doktor
Ziu”. Ai na fton për në Baba Tomorr ku është kryegjyshata botërore, një vlerë që
bashkon. Ai thirr në dashuri si Petefi “Për dashuri e jap jetën e për atdhe dhe
dashurinë”. Kaloshi ka përgatitje të lartë, është mjeshtër i vargut dhe këtë e
sjell në njëmijë mënyra tek lexuesi, andaj vepra e tij është largpamëse, udhërrëfyese
dhe atdhetare.
Pena e
tij ka lëvruar gati në të gjitha gjinitë letrare duke filluar nga letërsia për
fëmijë, poezia, poema, satira, novela, tregimi, drama, romani dhe tani në kohë të
fundit ai e ka shaluar bukur fort lapsin e tij si publicist. Periudha e parë ë krijimtarisë së Kalosh Çelikut
është ajo në regjimin komunistë dhe më shumë i përket letërsisë për fëmijë. Ai
në këtë kohë krijoj veprat më të mira “Zogu erdhi me një këngë”, “Arusha pa
bisht” , “Lepuri me pushkë” etj. Periudha e dytë e veprimtarisë së tij letrare
fillon menjëherë pas rënies së komunizmit si ideologji, por jo që ndryshoj diçka
se atë pushtetin e grabitën po të njëjtët, vetëm se të kamufluar në demokrat. Në
këtë periudhë Kaloshi është shumë frytdhënës mbase i inspiruar nga morali i ultë
i shoqërisë që shkojnë me personalitetin e tij dhe armët që ai ka përgatitur për
t’iu kundërvënë. Kjo është koha kur autori nis e krijon veprat më të mira për të
rritur, me të cilat ai goditi tërë një sistem që mundohej në ngrihej në themele
të vjetra, në ide gënjeshtare, më dogma mashtruese. Me satirën e tij të rreptë,
me ironinë e pasur, me shakan hokatare, ai shumë qartë paraqet rënien morale të
shoqërisë dhe krijoj figurat e urryera të atdhetarëve të rrejshëm, të letrarëve
të shitur, lajkatarëve të oborreve, të klerikëve sharlatan, të atdhetarëve
mashtrues si dhe personaliteteve të ndryshme të degjeneruar. Të gjithë llumin e
veseve e vë në lojë, por kjo është e mira se na nxjerr në sipërfaqe fenomene të
stërkequra shoqërore që jetojnë në kurriz të huaj. Po të shihen me kujdes
veprat e krijuara që nga viti 1995 nga publikimi i përmbledhjes me poezi “Vjellja
e zorrëve” si dhe romani “Varrimi i sorrave” Kaloshi paralajmëron një stil të veçantë
për të lënë gjurmë në letërsinë shqipe, dhe do na dal si një krijues i pakënaqur
duke sjell në skenë çdo herë fenomene të shfrenuara, të një shoqërie të korruptuar,
të babëzitur për pushtet. Është më se e vërtetë se në këtë periudhë të krijimtarisë
së tij klanet politike dhe ato të pseudokrijuesve janë në rritje, dhe kjo ka
ndikuar që ai në veprën e tij përherë të marr shtambat me verë dhe miken që t’iu
bëjë ballë mediokërve letrar, harbutëve politikë, atdhetarëve të rrejshëm, por
në të njëjtën kohë ata të gjithë së bashku me punën e tyre, Kaloshit në mënyrë të
tërthortë i falin veprat më të mira. Duke përdorë në shumë raste edhe letërsinë
popullore si një gurrë e pashtershme, ku motivohej për të parodizuar situata e
raste, ai jo vetëm që luftojë, zhvillojë luftë të hapur, por padashas bëri kapërcim
triumfal dhe krijoj një stil të veçantë në letërsinë shqipe ku krijojë dhe
letrar të ri që e ndoqën pas. Vepra e autorit përveç fjalës artistike, ironisë dhe
satirës, humorit autokton, përmban edhe një fije të hollë polemizuese që nga
fillimi e deri në fund. Vepra e tij përherë
shton polemikën në mes të grupeve, ndërsa polemika është vlera e një shoqërie për
të ecur drejt progresit, këtë ai e bënë me mjeshtëri. Personazhet e veprës
paraqiten shumë natyrshme me të gjitha pasionet që i mundojnë, që nga pasionet
erotike e gjerë të lakmia e babëzitur për para, për pushtet a për lavdi të pamerituar.
Satira e tij nuk kursen asgjë, ajo ecë, depërton në çdo derë që harrohet hapur,
madje hynë edhe nëpër dritare, atje ku bënë sefa morali i shthurur shoqëror, atje ku shihen
njollat e baltës së korrupsionit. Pena e tij e mprehtë ia nxjerr bojën vesit,
korrupsionit, madhështisë së rreme, duke luftuar pamëshirshëm moralin dhe veset
e një shoqërie të shthurur. Autori personazhet i nxjerr fare të vockël mizerabël,
të rrëmbyer nga pasionet me të ulëta, me aventura të kushtëzuara dashuriçkash,
me intriga e prapaskena. Satira e tij të kafshon duke qeshur, duke bërë sefa në
sallone e në tryeza. Thelbi i veprës së Kaloshit është përpjekja për të luftuar
dhe demaskuar përpjekjet e mashtruesve, intrigave dhe skenarëve të rrejshëm ndërsa
forma është ironia, satira dhe sarkazma që thuren aq bukur dhe me një stil të përkryer
komunikues me lexuesin. Kaloshi letërsisë shqipe i ka falë shumë vepra
artistike, ndërsa atdheut-mëmëdheut të tij i ka treguar se si duhet luftuar
atdhetarët-mëmëdhetarët e rrejshëm, kulturës se si duhet të bëhet dhe me se bëhet,
por edhe si pihet verë dhe si bëhet dashuri. Vepra e tij thotë shumë, meriton
shumë dhe është një nga veprat më të veçanta, se të veçantë janë krijuesit që për
armë kanë elementin e ironisë dhe të satirës.