| E marte, 16.10.2012, 06:55 PM |
MINELLA GJONI (Mësues i Merituar) “TIPARET INDIVIDUALE TË STUDIUESIT
YMER ÇIRAKU DHE KOHERENCA E BOTËVËSHTRIMIT TË TIJ” (Shkëputur nga libri
studimor “Fjalë zemre – studim letrar për krijuesit e Sarandës” 2012)
Mbi krijimtarinë studimore të Prof. Ymer Çirakut
Prof. Dr. Ymer Çiraku është një
studiues sistematik i letërsisë
shqipe dhe i krijimtarisë së
poetëve që kanë lënë gjurmë në
letërsinë tonë në vite e deri
tek brezat e rinj. Ky rrugëtim studimor
ka nisur në Sarandë.
Prof. Çiraku jo vetëm rendit,
por mundohet të kapë filozofinë
e kësaj krijimtarie në vite.
Vërej se ai e ka mirë parasysh thënien:
“Mos shikoni atë që lexoni, por
atë që kuptoni nga ajo që keni
lexuar”. Pikërisht duke u mbështetur
në këtë filozofi, futet thellë
në studimin e çdo krijuesi, duke
u përpjekur të depërtojë deri në
amën e ngjizjes së krijimit dhe
nënshtresëzimeve kuptimore.
Bota është e handakosur dhe e
mpakur. Ka në të personalitete
të famshëm, të shquar që i kanë
ngritur vetes piedestal. Ka
dhe histori të dukur në muzeume
madhështore para të cilëve të
gjithë përulen, por këta persona
të shquar e këto muzeume
shërbejnë vetëm për të
shenjtëruar botën ashtu siç është e ashtu
siç duket.
Ne jetojmë në epokën e përmbysjes
rrënjësore të mënyrës
së vjetër të jetesës, në epokën
kur te njeriu po ngjallet ndjenja e
dinjitetit të tij personal, në
kohën kur ai po bëhet i ndërgjegjshëm
dhe po e kupton veten e tij si
një forcë që e ndryshon me të vërtetë
botën. Këtë ka mundur ta zbulojë
studiuesi Ymer Çiraku në veprat
e veta sidomos kur u referohet
vrulleve e talenteve letrare. Duket
sikur parafytyrohet vera që
zien, që e nxjerr përpjetë tapën dhe
madje e çan vetë shishen.
Ai hedh idenë: “Fusha e
shkencës letrare ka ardhur koha të
bëhet më polifonike, kërkohen
studime historiko- letrare, të
teorisë së letërsisë, kritikës
universitare në kuptimin e
pikësynimit për shqyrtime
sistematike, me modele etj.. Ka
gjithashtu vendin e vet dhe
eseja që kanë filluar ta lëvrojnë vitet
e fundit sidomos shkrimtarët,
duke shmangur dhe ndonjë
paragjykim për të”.
Këndvështrim avangardist i
kritikës së Prof. Çirakut në evidentimin e individualiteteve
krijues të letrave shqipe
Studimet e Ymer Çirakut nuk janë
përsëritje e askujt. Ato
janë gjykime individuale të një
njeriu me një shtrirje të gjerë
mendimi, të një eruditi, sidomos
një njohës i mirë i letërsisë
shqipe në shoqërim të historisë
së saj. E ka parë krijimtarinë e
secilit në kohën që kanë shkruar
e për kohën që kanë shkruar.
De Radës i ka dhënë vendin e
rolin e vet të kohës, por Martin
Camajn e ka parë në kohë të reja
e moderne, i ndikuar nga rrymat
aktuale të letërsisë botërore.
Sa të vështirë e kanë studiuesit
e letërsisë, kur merren
seriozisht me të e shpreh bukur
kritiku Adriatik Kallulli:
“Ata të paktë kolegë që janë
marrë për vite dhe vite radhazi
me studimet për letërsinë dhe
kritikën letrare, e dinë fort mirë
se ç’vështirësi përbën hartimi i
një përmbledhjeje, ku të treten
bashkarisht edhe tiparet
individuale të një kritiku, edhe
koherenca e botëvështrimit të
tij, edhe evolucioni i natyrshëm
që ai duhet të përftojë në
pajtim me rrethanat dhe ndryshimet
që ndodhin në mbarë jetën e
shoqërisë”. (Adriatik Kallulli “Pema
e jetës” bot. OMSCA 2002, fq. 3)
Vetë Prof. Çiraku shprehet: “Çdo
letërsi e vërtetë, në rrugën
e vet, mbartet me misionin e
palëkundur për të fituar betejën
me letrarësinë, pra të bëjë të
mundur për t’u identifikuar e
hirësuar në të”.
Studimin letrar Prof. Çiraku e
ka ngritur në shkallët e kohës,
duke iu larguar disi kritikës
tradicionale. Kap fenomene që i japin
shtysë shoqërisë. Nuk është një
numërim faktesh, veprash a
ngjarjesh, por hyn thellë në të
duke gjetur thelbin e mendimit,
figurën e goditur. Nuk është
thjesht një konstatues, por një filozof
mendimi duke e qëmtuar atë, aty
ku gjendet në veprat letrare.
Thotë: “Përsa i përket
interpretimit të modernizuar, kjo prirje
është ndjerë sidomos në
shqyrtimin e letërsisë moderne të shek.
XX... . Emërtimi konvencional
“letërsi moderne” është
prezantuar kryesisht me të
kuptuarit e një letërsie që i ka
përpunuar në shkallë të lartë
nivelet e ligjërimit”.
Penave më të rëndësishme të
letërsisë shqipe u ka zbërthyer
kodet letrare, i analizon e jep
opinione për ta. E quan Martin
Camajn qytetar presticioz të
“republikës së letrave”; Lumo Skëndon
“personalitet të autoritetshëm”,
tek i cili mishërohej eruditi i madh
i kohës, publicisti dhe botuesi
ekzigjent, përcjellësi i traditës së
Kristoforidhit e Frashërllinjve,
përkthyesi dhe analisti; Konicën
“është i pari që zgjodhi modelin
kritik përkundrejt modelit mitik”.
Për Poradecin thekson: “Gjithë
vjersha i ngjan një kumbimi
simfonik, të kthjellët e paksa
të ngadalshëm si në simfonitë
Bethoviane. Është pothuajse një
psherëtimë e thellë njerëzore si e
dalë nga zemra e dheut,
përshtypje që e krijon jo vetëm fabula e
pasqyruar, por edhe një varg
tingujsh e pjesëzash gjuhësore që
transmetojnë këtë gjendje”.
Mund të vazhdonim kështu për
shumë figura. Qëllimi i
theksimit të këtyre sekuencave
nga unë është të argumentoj se
Prof. Ymer Çiraku është një
përcaktues i saktë, i qartë, me
mendim të përzgjedhur për këto
figura, pak i kursyer në fjalë,
por ato të japin imazhin e plotë
të këtyre personaliteteve të
pangatërrueshëm të letrave
shqipe edhe sikur më tej të mos ta
vazhdosh mendimin.
Gëtja thotë tek një poezi e tij
“Zotat kur u zgjova nuk m’i
kishin marrë të gjitha” (Gëte
“Vepra të zgjedhura” vëll 4 fq. 178
Tiranë 1998).
Edhe pse të cfilitur nga kohët,
vendi ka nxjerrë një varg
shkrimtarësh të shquar që na
kanë lënë në fondin e letrave shqipe
vepra në thelb të qëndrueshme,
me individualitet artistik dhe
me të vërteta të rëndësishme, të
cilat herë - herë janë thënë açik
e herë të tjera në guackën e
figuracionit e të gjuhës ezopike.
“Asgjë nuk duhet mbytur e
mospërfillur”, -
thotë studiuesi
Zejnullah Rahmani, ndërsa Sabri
Hamiti argumenton se “vetëdija
letrare mund të përcaktohet nga
studimi i gjithë korpusit krijues
të shkrimtarit, domethënë dhe
nga ajo që është botuar dhe nga
ajo që ka qenë “djepi dhe vorri
i tij”. Dhe
studiuesi Ymer Çiraku
përpiqet që të jetë gjithëpërfshirës.
Letërsia arbëreshe e jo vetëm, në optikën e studiuesit Ymer Çiraku
Studiuesi i vëmendshëm Prof.
Çiraku nuk ka lënë jashtë
gjykimit një epokë letrare më në
zë të historisë së letërsisë
shqiptare, atë arbëreshe. Është
ndalur në disa veçori të
romantizmit në veprën e De Radës
apo krijimtarisë së Lluka
Perone në kontekstin e poezisë
arbëreshe, por dhe në rolin e
letërsisë arbëreshe sipas Çabej.
“Që nga brigjet e përtej detit
për katër shekuj me radhë u
sollën nga kjo anë zëra të
përmallur arbëreshë, të patërhequr e
plot drama. Të rihyje përsëri në
këto vise qoftë edhe shpirtërisht,
qenkej tepër më e vështirë se
ikja”, - shprehet
Prof Çiraku. I
pëlqen të citojë vetë Çabejin
kur shprehet: “... paraqesin një pjesë
të botës ballkanike m’u në mes
të jetës latine... kjo është vatra
shqiptare... jeta e përditshme
nëpër fusha e ara, nëpër bregore
e vreshta me skenat idilike
ndanë krojit”.
Prof Çiraku dallon e thekson se
“poezia arbëreshe në rrafsh
diakronik paraqitet si fragment
i njësisë së universit të letërsisë
shqipe, por në disa aspekte
shfaqet edhe si univers më vete,
specifik. Kjo poezi, përveç
shpërthimit të natyrshëm talenti, është
dashur të jetë dhe mjet qëndrese
në aspektin gjuhësor e kulturor.
Poezia mund të pohohet se ka
qenë ai balsam e përkryer që e ka
penguar humbjen e kujtesës etno
- kulturore të shumë e shumë
ngulimeve arbëreshe.
Më ka mbajtur peng për disa
minuta gjykimi i prof. Çirakut
me studimin “Letërsia greke në
shqip- urë komunikimi”. Është
një letërsi e fqinjit tonë, me
të cilin na kanë lidhur fatet e historisë
ballkanike, por dhe në ndonjë
rast na kanë larguar nacionalizmat
e shëmtuara. “Gjithsesi, - siç
shprehet Prof. Çiraku, - ky fat
historik ka kultivuar mjaft
elemente të përbashkët nga kultura
materiale e shpirtërore, aq sa
shpesh ka qenë e vështirë të
shkoklaviten protoorigjinat e
shtegtimeve dhe qarkullimeve
kulturore që gati ngjajnë si
lëvizje të përjetshme në hapësirat e
galaktikës ballkanike”.
Vetë e pranon Prof. Çiraku se në
letërsi nuk janë distancat
gjeografike që përcaktojnë
afritë apo largësitë, por ca shenja të
tjera që globalisht përfshihen
në regjistrin estetik... madje këtej
u përcoll që në kohërat antike
prania e kulturës gravitacionale
për tërë njerëzimin. “Ballkani
nuk ishte thjesht një rrugë kalimi,
por një mitër veprash të reja
epokale, që vazhduan dhe më pas
të krijohen”.
Një jetë mes studimesh
Prof. Ymer Çirakut i shkoi jeta
mes studimesh me vlera
kombëtare e më gjerë. Pena e
Profesorit të nderuar ka shndritur
herët duke rrezatuar në breza të
tërë studentësh dashurinë për
letërsinë shqipe e rrjedhimisht
për kombin shqiptar. Ka studiuar
shumë vepra e epoka. Për secilin
ka dhënë mendimin e vet
shkencor e profesional. Me
studimet e tij po le gjurmë në histonë
e letërsisë shqipe. Ato janë
bërë pjesë e ndërgjegjësimit të
studentëve dhe të të gjithë
atyre që merren me letërsinë. Mes
tyre do të veçoja monografitë
“Bota poetike e Martin Camajt”,
“Struktura e një krijimtarie
letrare (Monografi mbi dramën e Kol
Jakovës”, “Në zbërthim të kodeve
letrare”, “Gjurmime në letërsinë
shqiptare” japin modelin
artistik e estetik se si duhet realizuar
një studim serioz me një
metodikë shkencore duke u futur deri
në detaj të krijimit e synimit
të vetë figurave që analizon.
Prezantimet e tij në konferenca,
në simpoziume, në
promovime vlerash brenda kombit
e në ato ndërkombëtare e ka
bërë atë një personalitet,
akademik, ku pa frikë i referohesh
kompetencës së tij.
Prof. Ymer Çiraku ka shkruar
këta libra:
1. Në zbërthim të kodeve letrare
(studime, ese)
2. Struktura e një krijimtarie
letrare (Monografi mbi dramën
e K. Jakovës) (studim)
3. Bota poetike e Martin Camajt
(studim)
4. Gjurmime në letërsinë
shqiptare (studim)
5. Letërsia bashkëkohore
shqiptare (bashkëautorë: Ymer
Çiraku, Agim Vinca, Bashkim
Kuçuku, Natasha Lushaj)
Teksti zyrtar i Letërsisë për
shkollat e mesme.
6. Shqyrtime kritike nga
Historia e letërsisë shqipe etj. dhe
një numër të konsiderueshëm
librash studimorë me
bashkautorë, apo autor i shumë
teksteve shkollore të
niveleve të ndryshme.