| E enjte, 11.10.2012, 05:09 PM |
QËNDRESËTARI
I MADH KADRI OSMANI - MANI
SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRAJ
Njerëzit
në veprimtarinë e tyre jetësore edhe lodhën dhe e ndjejnë nevojën e pauzimit. Por,
ka edhe përjashtime. Ndër të palodhurit e gjertanishëm janë SHIK-u, nga njëra
anë dhe, magjistër Kadri Osmani (Mani), nga ana tjetër. Prej 20 vjetësh janë përballë
njëri-tjetrit. SHIK-u është ushtri e tërë, është parti e tërë. Ndëra zoti
Osmani është individ, që, tashmë, ka krijuar institucionin e vet luftarak, për
t`u mbrojtur nga një armatë e tërë SHIK-ase, por duke e zgjedhur metodën se "SULMI
ESHTE MBROJTJA ME E MIRE."
Magjistër
Kadri Osmani është një idealist i madh kombëtar. Prej më shumë se gjysmë shekulli
ka punuar, vepruar e luftuar për këtë "copë" Kosovë (ndoshta edhe më shumë),
për këtë liri dhe pavarësi. Gjatë veprimtarisë të tij ilegale e legale, mund të
vritej shumë herë, por vetëm rastësia e ka kursyer. Edhe para skuadrës të pushkatimit,
shqiptarët e lidhur në Tivar, ndonjërin rastësia e ka shpëtuar.
Zoti
Kadri Osmani ka një biografi që ndryshon, cilësisht, nga biografia e kujtdo
tjetër në Kosovë. Ishte viti 1965, kur ai, i shoqëruar nga profesori i letërsisë
shqipe, hyri në klasën tonë, në Gjimnazin e Pejës. Nga çanta nxori një ekzemplar
të revistës "Jeta re", që, atëbotë, drejtohej nga i urti Esad Mekuli. Dhe, agjitoi bindshëm për
t`u pajtuar në revistën e vetme letrare në Kosovë.
Një ditë gushti,
pa bëzamje, lënë zyrën në "Jeta re" në Prishtinë dhe, duke përshkuar
tri orë në këmbë, rrugëve herë të pluhrosura, por më shumë të baltosura, arrin
në Malësinë e Gollakut, në kufi me Serbinë, për mësimdhënie. Dhe, motivi i këtij
vendimi: Zoti Adem Demaçi është burgosur, heronjtë e veprës të tij "Gjarpijtë
e gjakut" si dhe miq e dashamirë të tjerë, jetojnë në këtë zonë, gjithnjë e
më shumë po maltretohen nga UDB-a. Duhet bërë diçka, për ta ngritur moralin e
popullatës të kësaj zone të izoluar dhe për t`i trerguar UDB-së dhe Serbisë se
nuk i frikësohemi askujt në vatrat tona.
As edhe
një rast tjetër në Kosovë, as në Shqipëri (përjashto rastet kur Partia u
thoshte mësuesëve në trasferim: ose shko në fshat, ose në burg), nuk mund të hasim
me lënë zyrën dhe pagën më të mirë në Prishtinë, për të shkuar në malësi mësues,
duke e lënë nusen të vetme me tre kalamaj të vegjël. Në dhjetë shkollat e zonës,
me një drejtori të përbashkët, me mungesa elementare, për të zhvilluar një mësim
normal, zoti Kadri Osmani i rreket punës, për ta ngritur cilësinë e mësimit. Njeri
i leximit, i letrave, i librit, nuk duronte dot që në dhjetë shkollat fillore e
8-vjeçare, të mos kishte një gazetë, një revistë, një libër! Dhe, me qortimin e
kujdesshëm ndaj mësuesëve kolegë, për këtë gjendje mjerane, me vetiniciativë,
me shkrim e gojas, përshkoi Prishtinë e Shkup, duke aktivizuar, tashmë, edhe të
tjerë, për të begatuar shkollat e zonës me literaturë ditore, dy javore, mujore
dhe libra gjithfarëshe. Dhe, ia doli me sukses, duke krijuar edhe rrethet
letrare.
Magjistër
Kadri Osmani është veteran i ilegales të Kosovës dhe i burgjeve politike
jugosllave. Atdheun edhe mund ta duan të gjithë, por, ndjenjen e lirisë nuk e
kanë të zhvilluar të gjithë njësoj. Përndryshe, ne, shqiptarët, do ta kishim Shqipërinë
të tërë, Shqipërinë Etnike, të paktën, në Lidhjen e Prizrenit. Përkushtimi i
tij nuk ka qenë kurrë i mëdyshur, nuk ka qenë honorar. Përkundrazi, ka qenë detyrë,
ka qenë parësor. Ai filloi në Prishtinë, vazhdoi në Istog e Pejë, u dënua dhe përsëri
vazhdoi veprimtarinë ilegale në Prishtinë, për t´u dënuar sërishmi. Jeta
ilegale, në sistemet komuniste e fashiste, është e rrezikshme, "NJERIU ËSHTË
ME KOKË NË TRASTË". Vërtet, u vranë Nuhiu (Berisha) e Rexhepi (Mala), ndërsa
Kadriun rastësia e shpëtoi. Shpifjet e
denigrimet aktuale të armatës "nofkaxhi" të SHIK-ut janë hakmarrje
primitive e provinciale, madje me një fjalor të denjë për lukuninë komuniste. Në
të gjithë Shqiptarinë tonë, zoti Kadri Osmani, do të ishte i fundit për ligështim,
denoncim apo tradhti ndaj shokëve të idealit.
Dhe, kjo është provuar në gjyqet e përsëritura, të zhvilluara kundër tij.
Magjistër
Kadri Osmani nuk është i pafe. I gjithë rrethi familjar janë besimtarë. Ai ka
agjëruar, duke ngrënë bukë bajate, me fasule të zjerë, vetëm me krypë, pa vaj fare, nga bllokimi i
borës në Malësinë e Gollakut. Por, zoti Osmani është magjistër, e di edhe
konvertimin e dhunëshëm nga pushtuesi i vjetër. Ai nuk mund të pajtohet me ata
që kundërshtojnë ndërtimin e Katedralës Katolike në Prishtinë. Ai nuk mund të pajtohet
me fanatikët fetarë të përçudnuar në veshje e sjellje, të cilët thonë: "Nënë,
më fal se nuk ta jap dorën as në ditën e
Bajramit, sepse para se të jesh nënë, je femër dhe më ngjallë ndjesi seksuale!"
Zoti
Osmani nuk mund të vë fenë mbi kombin. Nuk i ushqen ndasitë dhe përçarjet ndërfetare,
që do të ishin vetëvrasje e shqiptarëve. Skënderbeu dhe Nënë Tereza janë stoli,
janë dhuratë hyjnore për kombin, sepse përmasa e madhështisë të tyre, është përmasë
unikale, supërspecifike, madje në shkallë botërore. Dhe, padyshim, këto dy
figura madhore, janë i vetmi privilegj i
shqiptarëve, duke u pasua denjësisht nga shtetbërësi i Kosovës, Presidenti
Historik, dr. Ibrahim Rugova.
Njëri nga
nofkaxhinjtë më brutal, për zbulimin e të cilit nuk ka pse të merakoset zoti
Osmani, sepse ai është njëri nga grixha e SHIK-asëve numerikë, akuzon për
konvertime partiake. Burgu i gjatë, mungesa e informacionit, kanë bërë që, herë-herë,
ndjenja të triumfojë. Por, ai është energjik dhe dialektik, ecë me hapa rapid,
duke e kompensuar kohën e humbur. Pavarësisht elozheve, që i bëri atij e veja e
Enver Hoxhës me djem dhe kuadri tjetër i bllokmenëve në Tiranë, ai u këndell
shpejt dhe denoncoi se "në Shqipërinë e Enver Hoxhës, i gjeta rrugët e
Bangladeshit."
Edhepse
filloi flirtin me të majtën shqiptare, zoti Osmani, në kohë rekorde bëri
konvertimin, duke u orientuar tërësisht djathtas. Dhe, këtë drejtpeshim e ka
ruajtur dhe justifikuar, madje në atë masë
që di vetëm ai. Dhe, kjo është vijimësi e atij qendrimi thellësisht kombëtar, në
kohëzgjatjen gjysmëshekullore. Këtu e ka bazën edhe epërsia e tij absolute
morale, atdhetare e intelektuale, karshi kritizerëve të rinj dhe të vjetër SHIK-as.
Zoti
Kadri Osmani shquhet për kërkesa që ka ndaj vetes dhe të tjerëve. NË MOSHËN 70
VJEÇARE MAGJISTROI! Një rast i virgjër në Kosovë dhe më gjerë. Vonesa ishte
kushtëzuar nga pushtuesi dhe burgu. Njeriu i privuar nga liria, e vlerëson shumë
lirinë. Liria e Kosovës e rinoi burgaxhiun e stazhionuar dhe në respekt të lirisë,
donte t`ia shtonte një magjistër Kosovës së lirë, Kosovës shtet, ëndërr dhe
aspiratë e gjithë jetës të tij të mundimshme.
Shumëkush
mendon, ndërsa SHIK-u edhe vepron, se "këtij magjistri grindavec, duhet me
ia mbyllë gojën, me ia thyer pendën, me e bë të heshtë përgjithmonë!" Por,
zoti Osmani nuk është indiferent për asgjë që është njerëzore. Reformatori
Martin Luther King thotë: "Për zhvillimin e mbarë të shoqërisë, më të dëmshëm
janë njerëzit e mirë që heshtin, se sa keqbërësit." E vërteta është se ai është
i hatëruar gjer në zemratë, sepse populli i tij nuk po e çmon lirinë në masën që
kjo liri meriton. Ish i prangosuri politik ka ëndërruar se, kur Kosova do të jetë
e lirë, njerëzit e saj vetëm gjumi do t`i ndajë nga puna, nga studimi. Tani që ai
i sheh, duke bredhur rrugëve e kafeneve, pa qëllim e cak, tmerrohet se "SI
ROBËRIA HARROHET KAQ SHPEJT!"
Magjistër
Kadri Osmani është zë i veçantë në publicistikën aktuale gjithëshqiptare. Dhe,
si i tillë meriton vëmendje dhe respekt, në masën e duhur. Shpirti i dlirë,
sinqeriteti në shfrim ndaj së keqes, çiltëria entuziaste për të mirën, ndjenja
e sakrificës, atdhedashuria e dëshmuar, përkushtimi i përhershëm për ta
emancipuar e prosperuar shoqërinë, kombin, kanë qenë e mbetën vlerë dhe moto e
jetës së tij, sa të trazuar, aq edhe të bujëshme.