| E shtune, 13.10.2012, 08:15 AM |
200 VJET
BURG – 22 VJET TRANZICION, TË PASHPËRBLYER, TË PAREHABILITUAR DHE TË MARGJINALIZUAR
Nga ELIDA BUÇPAPAJ
Ka hyrë në
ditën e saj të 19-të greva e urisë e një grupi të ish-burgosurish të diktaturës,
e cila është injoruar plotësisht e konsideruar „politike“ nga politika. Askush
nga institucionet e Republikës të Shqipërisë deri sa unë jam duke i shkruar këto
rradhë nuk i ka vizituar ata burra, vitet e burgut të të cilëve arrijnë në 200
vjet, të cilët përgjatë 22 viteve tranzicion kanë mbetur të padëmshpërblyer, të
parehabilituar dhe të margjinalizuar. Sa e sa prej tyre nuk jetojnë më dhe nuk
e kanë marrë kurrë „këstin e parë“, që pretendon qeveria se e kanë marrë grevistët!
Për të bërë një krahasim, e për të parë se ku jemi, le të kujtojmë se si i dëshmpërbleu
menjëherë Partia Socialiste, posa mori pushtetin më 1997, ish-nomenklaturën e
kuqe për 2-3 vitet e burgut, dënuar me akuza banale, duke mos u gjykuar kurrë për
krimet e kryera, viktimat e të cilëve janë edhe ata 20 e sa burra në grevën e
urisë.
Disa javë
më parë deputeti i PD, Sokol Olldashi mbajti një fjalim shumë të hidhur në Parlamentin
e Shqipërisë për gjendjen e ish-pronarëve, të cilët edhe sot e kësaj dite kanë mbetur
nën diktatin e ligjit terror të shtetit totalitarist që ua konfiskoi pronat dhe
që edhe sot 70 vjet prej asaj dite gjendja e tyre ka mbetur e njëjtë dhe breza
e breza të tërë shqiptarësh kanë ikur nga kjo botë pa hyrë kurrë në shtëpitë e
tyre.
Kjo
situatë dramatike është në kontrast të thellë dhe përballet me një begati të paparë
të klasës politike, të cilët tash si pronarë të rinj kanë pasuri e prona të patundëshme
nën emrat e tyre e të familjarëve të tyre, çka hedh hije dyshimi të thellë në integritetin
e tyre. Por injorimi që u bëhet grevistëve të urisë dëshmon se klasa politike
nuk ka shpirt dhe, për hir të interesave të saja personale që lidhen me
pushtetin dhe privilegjet, ajo i lë të vdesin nën tendë ish-të burgosurit.
Gjatë këtyre
19 ditëve që ish-të burgosurit janë në grevë, e cila arriti kulmin kur Gjergj
Ndreca i vuri flakën vetes dhe djegja e tij arriti në 40 % të trupit duke
rrezikuar seriozisht jetën, maxhoranca në vend që t’i bënte thirrje ndërgjegjes
filloi të afishonte në gazetën e paguar prej saj „fakte“ kundër Ndrecës, si „pijanec“
e të tjera, për t’iu kundërvënë aktit të tij sublim. Gjithashtu u arrestua edhe
një grevist nën akuzën se i ka vënë ai flakën Ndrecës, ndërkohë që grevistët
kanë deklaruar se do të shkojnë të gjithë në vetëflijim. Po ashtu, edhe vetë Ndreca
nga spitali ka deklaruar se do t’i rivetëflijohet.
Në fakt,
flakët e Ndrecës, i kanë vënë flakën klasës politike shqiptare, indiferencës së
tyre makabër, e cila nuk merr mundimin as të shkojë e t’i takojë këta njerëz, të
bisedojë me ta, të komunikojë me ta, të dialogojë me ta, të negociojë me ta, t’i
kërkojë falje për këtë vonesë sa nuk është vonë.
Natyrisht
askush nuk mund të përfitojë prej vuajtjes së grevistëve, asnjë palë politike,
aq më pak opozita. Asosacionet me flakëvënie, duke marrë shembuj të përngjashëm
të Pranverës Arabe janë të patolerueshëm në kontekstin aktual, sepse e majta
shqiptare ka vepruar me të njëjtën indiferencë ndaj klasës së të përndjekurve
politikë, bile i ka rehabilituar xhelatët e viktimave. Por ndërkohë e majta ka
të drejtë për reflektim të thellë, për ndryshim, për katarsis.
Gjatë këtyre
19 ditë të grevës, ish-të burgosurit i ka vizituar Ambasadori Arvizu dhe Sekui,
të cilët po ashtu i bënë Ngrecës vizitë edhe në spital, ku edhe Ambasadori i
SHBA, Ambasadori i Bashkimit Europian, kërkuan që të dialogohet e të ndërtohen
ura komunikimi mes palëve. A nuk ka gjë më të lehtë se kjo! Bëjeni pra!
Por deri
më tani këto kërkesa kanë rënë në vesh të shurdhër. Tek grevistët nuk ka shkuar
as Presidenti i Republikës, që duhet të jetë një figurë e unitetit kombëtar mbi
palët; nuk ka shkuar as Kryetarja e Parlamentit, që vjen nga kjo shtresë dhe
asnjë deputet i PD-së. Po ashtu, grevistët nuk i kanë vizituar as ata të përndjekur
që tani gëzojnë poste zyrtare nga administrata e Berishës!
Nuk di se
çfarë të them. Këto rradhë që shkruaj nuk mund të ma qetësojnë ndërgjegjen se përse
ne intelektualët qendruam të heshtur për 22 vjet rresht duke pritur Godonë, ndërsa
sistemi demokratik sa vjen e përçudnohet.
Gjithsesi, i bëj thirrje klasës politike, duke filluar nga kryeministri i Shqipërisë, i cili, nga pozitat ku ndodhet, ka shumë mundësi që t’iu dalë në krah ish-të burgosurve, pasi të gjitha ata pa përjashtim kanë votuar që ai të vijë në pushtet. Sali Berisha është mjek, i cili deri sa Ligji i Hipokratit e ka detyruar që të mjekojë eksponentë të diktaturës, i jep po ashtu të drejtë që të shkojë e t’i shoh ata njerëz! Këtë thirrje ia bëj kryetares së Kuvendit, Presidentit të Republikës dhe deputetëve të PD-së, të cilët pretendojnë se përfaqësojnë edhe interesat e të përndjekurve e të të burgosurve të ndërgjegjes nga diktatura. Sepse, nëse do të vazhdojnë të mbajnë këtë pozitë mjerane, po del se janë total në varësinë e njëshit, sikur ky njësh të jetë heroinë apo drogë e rëndë që nuk i lë as të logjikojnë e as të mendojnë se të takosh ata njerëz është diçka normale dhe e natyrshme dhe njerëzore! A jemi njerëz apo nuk jemi!?