| E shtune, 13.10.2012, 08:14 AM |
Kërkojmë zbulimin e vrasësve dhe
rivarrimin e eshtrave të Ahmet Krasniqit
në Prishtinë
(Bisedë me Behxhet Krasniqin,veprimtar i mërgatës shqiptare në Gjermani, dhe vëllau i ish ministrit të mbrojtjes, Ahmet Krasniqit)
Nga Muharrem Sfarqa
Familja Zhilivoda e cila zë një vend
të rëndësishëm në historinë e djeshme dhe të sotme të Kosovës, zanafillën e
luftës për liri e ka që nga perandoria turke kur parardhësit e kësaj familje që
po jetonin në Preluzhë, nga një aksion kundër ''Tesildarëtve'' të Mbretit
(tagrambledhesve) të cilët po hynin kohë e pa kohë nëpër familjet shqiptare
duke ushtruar dhunë dhe plaqkitje, do t'ju përgjigjen me armë duke mbrojtur
pragun e shtëpisë. Kjo edhe do të bëhet pretekst i shpërnguljes së kësaj
familje në një vendbanim të ri duke hapur toka të reja (pyje, shkurre e therra)
për banim dhe ara të bukës. Pikërisht në këto toka të vjetra me banime të reja
në Zhilivodë do të vazhdojë të kultivohet atdhedashuria ku periudhës së
lavdishme të historisë kundër sundimit të ri serb që po i përgatitej Kosovës,
do të luftojë patrioti Aziz Zhilivoda me emrin e të cilit do të identifikohet
një krahinë e tërë. Por, me përfundimin e luftës së dytë botërore dhe me
instalimin e sistemit komunist odisejada e kësaj familje do të shënojë
përjetime të rënda e të përditëshme. Trimi Aziz Zhilivoda do të arratiset në
Shqipëri ndërkaq barra e familjes do t’i bie vëllait të Azizit, Hajrizit, i
cili do të duhet të kujdeset përpos fëmijëve të tij, edhe për fëmijët e Azizit,
që do të vazhdojnë të rriten me mallin për babain. Në këto rrethana do të
lindin e do ta përfundojnë fëmijërinë e rëndë vëllezërit Ahmet Krasniqi
(Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës) dhe Behxhet Krasniqi me të cilin
për lexuesit tanë, në përvjetorin e 14-te, zhvilluam një bisedë për lexuesit e
kombëtares “Bota sot”.
Një fëmijëri e rëndë
“Bota Sot”:
Çka kujtoni nga fëmijëria juaj?
Behxhet Krasniqi:
Unë dhe vëllai im Ahmeti jemi rritur
si të thuash gati pa fëmijëri, e me vaj në buzë. Në vitin 1955, babai ynë
Hajrizi pas torturave që do t’i bëhen nga UDB-ja, të cilave nuk do të mund t’
ju përballojë, vdes në spitalin e vjetër të Prishtinës, në lagjen Arbëria (ish
Dragodan). Nëna ime, të cilën edhe sot e kujtoj si atëherë, ishte e re dhe
shumë e bukur, dhe me detyrim do të ndahet nga ne, ndërkaq, rolin e Nënës do ma
marrë gruaja xhaxhait tonë, Azizit, nëna Hidë (Shehide) prej familjes Grajqefci
të Hades, dhe gjyshja ime e cila ishte një këngëtare autodidakte e këngëve dhe
rapsodive, dhe dinte qindra këngë e mijëra vargje përmendsh, një grua
trimëreshë, nga familja Abdullahu e Vranidollit.
Kushtet tepër të rënda të fëmijërisë
dhe të fëmijërisë së hershme, disi na mundësuan një pjekuri të hershme. Pra u
rritëm duke i parë dallimet e jetës, sidomos deri në rënien e Rankoviçit. Madje
ne deri atëherë nuk kemi pasur as edhe të drejtë vote. Familja jonë një kohë ka
qenë e internuar në kullat e Isak Llapashticës. Aty, fëmijët e Aziz
Zhilivodës, Ragipin, Faikun dhe Shaipin
i mësonte shkrim-lexim mixha Qerim. Mirëpo rënia e Rankoviqit shënoi një
liberalizim të jetës shqipëtare, sidomos për shkollim.
''Bota Sot'':
Si u reflektua ky liberalizim?
Behxhet Krasniqi:
Ne ishim të lidhur me familje
atdhtare, prandaj ishim edhe në dijeni me hapat që duheshin marrë për edukimin
dhe emancipimin e kombit.
Pas maturës (...) me insistimin e
Metush Krasniqit dhe ndihmën e miqëve, Ahmeti do të regjistrohet në Akademi
Ushtarake, ndërkaq, unë në Fakultetin
Filozofik, në degën e Gjuhës dhe Letersisë Shqipe.
''Bota Sot'':
Cili ishte aktiviteti juaj gjatë
studimeve?
Behxhet Krasniqi:
Në atë kohë lexonim shumë, natyrisht
që ishim një gjeneratë me shumë ideale dhe shumë ëndrra, jo vetëm për vete por
për të mirën e përgjithshme të Kosovës. Unë, isha anëtar i grupit letrar ''De
Rada'' që udhëhiqej nga Dibran Demaku (poet dhe publicist) dhe po shkruaja dhe
botoja në gazetën e studentëve ''Bota e Re'', "Thumbi" dhe ''Zëri i
Rinisë'', poezi, humor dhe satirë, me pseudonimin ''Beka'', por edhe leximit të
shtypit ilegal ( të ndaluar ) i kushtonim një kohë të veçantë e të rëndësishme.
Në vlugun e veprimtarisë atdhetare
“Bota Sot”:
Ju si student edhe u burgoset, a mund
të na rrëfeni më gjerësisht?
Behxhet Krasniqi:
Gjatë kohës së studimeve, si i ri, i
frymëzuar me atdhetari dhe me idealizmin e gjeneratës, dëshira për dije më
shtoi pasionin për të lexuar sidomos literaturë të ndaluar. Dhe si student
letërsie natyrisht që më tepër më interesonin poezitë, pasi që edhe vetë,
merresha me krijimtari poetike. Një ndikin të veçantë bënin sidomos edhe filmat
e Shqipërisë që shfaqeshin në Prishtinë. Në atë kohë shoqërohesha sidomos me
Ismail Sylën - shkrimtar dhe i burgosur politik. Madje ai atëherë më pati dhënë
edhe antologjinë e poezisë patriotike "Këngët e lirisë". Ky libër më
ka mbetur sot e asaj dite kujtim nga ai, i cili u burgos disa ditë para meje.
Shoqërimi im me Ismailin ishte edhe një luftë e jona për njëri tjetërin për t’u
anëtarësuar në grupin e ilegales ku vepronim. Unë isha anëtar i LNQKVSH-së (në
grupin të cilin e udhëheqte intelektuali i njohur, Xhafer Durmishi) dhe gjatë
ndërhyrjes dhe bastisjes nga forcat e sigurimit, ma morën makinën e shkrimit dhe dy përmbledhje
me poezi të gatshme për botim si dhe një fond i pasur i librave nga biblioteka
ime personale, të cilat nuk më janë kthyer kurrë.
Për koinçidencë të rastit, këto libra
m’i mori ish mësuesi im, Hajzer Hajdari i cili gjatë shkollimit na kishte
mësuar ta duam librin e që tani për fatin e keq ishte shëndrruar në sigurim dhe
ishte në shoqërim të Dragan Miliçit, i cili më vonë u bë njeriu i dytë i UDB-
së për Kosovë.
“Bota Sot”:
Na flisni pak për kohën e burgut...
Behxhet Krasniqi:
Natyrisht, njeriu kujtimeve të burgut
nuk ju këthehet me dëshirë, sidomos nuk kisha dashur kurrë ta kujtoj periudhën
e katërmuajshe të hetuesisë në Mitrovicë dhe presionin e paparë fizik e psiqik
për të pranuar akuazat që më vëheshin në barrë. Por unë isha i vendosur për ta përballuar nga shkaku që e dija se
dënimi im eventual është edhe dënim për vëllaun tim Ahmetin, që në atë kohë
ishte epror i lartë ushtarak. Ishte një përpjekje e pushtetit të atëhershëm
"me një gurë me i vra dy zogj" siq thotë populli.
Në burgun e Mitrovicës dhe të
Gjurakocit, sa qëndrova, unë njoha shumë
burra të fortë e të përkushtuar për çështjen kombëtare. Aty njoha Muhamet
Pirrakun, Ymer Shahinin, Nezir Myrtaj, Dr. Ibrahim Nikçin, Ujkan Nikçi , Shaqir
Sela nga Struga, Shaqir Zenelin, Sali Lukaj, Muhamed Tërrnavën, Gani Hoxhën,
Nezir Fejzën, dr. Shaqir Shaqirin e të tjerë.
Sidomos rrënqethem edhe sot dhe jam
krenar kur e kujtoj Ibrahim Nikçin, një patriot i cili edhepse i dërrmuar
fizikisht, stoikisht i përballoi të gjitha torturat. Ndërkaq, do të vë në pah
këtu, forcën e Nezir Myrtajt, i cili në
ankesat zyrtare që na i ofronin t’i nënshkruanim per falje dhe zbritje
dënimesh, ai tekstualisht shkroi kështu:" unë, Nezir Myrtaj, prej se jam
bërë i vetëdijshëm, me mish e me shpirt jam mundue me rrënu këtë sistem i cili
është ndërtu në dëm të shqiptarëve”.
“Bota Sot”:
Cili ishte aktiviteti juaj pas daljes
nga burgu?
Behxhet Krasniqi:
Pas daljes nga burgu u ballafaqova me
vështirësi të tjera që i impononte jeta. Krahas studimeve me korrespodencë, unë
isha edhe i punësuar në mihjen sipërfaqësore në Dobrosellë, dhe burgosja ime
nën akuzën për kundërrevolucion e propagandë u bë shkak të më ndalohet kthimi
në vendin e punës si ''i papërshtatshëm''. kontaktet me miq dhe shokë të burgut
i kam mbajtur dhe kultivuar vazhdimisht.
Me themelimin e LDK-së, u anëtarësova në këtë parti. Këtu punova në
shumë sfera, sidomos, kam qenë aktiv në mbledhjen e ndihmave për shkollën
shqipe në komunën e Vushtrrisë, ndërkaq në nëndegën time isha i caktuar për
siguri dhe mbrojtje në planin ushtarak deri në vitin 1993. Në këtë vit unë
gjendesha në mardhënie pune në shkollën fillore ''Liria'' në Strofc, kur në
prill të atijë viti kryhet një akt diversant kundër lartpërquesit të rrymës për
Mal të Zi, dhe atë në shtyllën që ishte vendosur pikërisht në pronën time të
patundshme. Kjo do të bëhet shkak që televisioni i atëhershëm i Prishtinës të
jap lajmin se njësitë guerile me në krye familjarët e familjes së Aziz
Zhilivodës e kanë kryer këtë akt. Këtu edhe zë fill ndjekja ime e dytë nga
pushteti.
Arratisja dhe jeta në mërgim
“Bota sot”:
Prandaj edhe ju u arratisët ... !?
Behxhet Krasniqi:
Po, unë isha i detyruar të arratisem
edhepse ky akt diversant nuk ishte vepër as e imja e as e familjes sime. Në atë
kohë vëllai im, Ahmet Krasniqi ishte dezerter i ushtrisë dhe unë si ish i
burgosur politik, prandaj dyshimi im është se këtë akt e ka bërë ose UDB-ja për
të filluar ndjekjen ose dikush nga ndonjë organizatë tjetër ilegale. Për këtë
akt, pushteti i atëhershëm okupues kishte filluar një aksion të tmerrshëm
kundër banorëve të Zhilivodës, madje një numër i madh i këtyre banorëve kanë
pësuar shume nga ky rast, sa që nga rrahjet e pamëshirshme të UDB-së disa për
të mbijetuar janë detyruar të ''mjekohen'' duke u mbeshtjellur me lëkura të
deleve. Përveç tjerash, unë mendoja se si aktivist i LDK-së, veprimtaria
patriotike do të ishte më e lehtë, duke vepruar legalisht, mirëpo, edhe në
kuadër të këtij aktiviteti, ndjekjet ndaj familjes sonë nuk pushuan. Kështuqë,
u detyrova të arratisem jashtë Kosovës dhe pikërisht me 2 maj të vitit 1993 kalova në Shqipëri me peripeti të shumta.
“Bota Sot”
Cilat ishin ato?
Behxhet Krasniqi:
Fillimisht, jam vendosur në Maqedoni,
në familjen e Harun dhe Samit Zenelit, dhe atë me një pasaportë të Ibrahim
Abdullahut nga Vranidolli, të cilën ma ka rregullue dikush nga fshati
Llapashticë. Më vonë me këtë pasaportë
kam lëvizur nëpër Europë. Në arratisjen time më ka ndihmue me të gjitha
mundësitë dhe mënyrat ish i burgosuri politik, Shaqir Zeneli nga Prapashtica,
shok i imi i burgut.
“Bota sot”
Në Shqipëri, ku jeni vendosur?
Behxhet Krasniqi:
Fillimisht, u paraqita në Tiranë, në
Zyrën e atëhershme të Kosovës. Më kujtohet se në atë kohë ishte Mehmet Kraja,
ai i cili u interesua për vendosjen time atje. I njejti më vonë më pat tregue
se të dhënat e mia dhe ndjekjen time nga pushteti i atëhershëm e kishte
vërtetue dhe konfirmue Rexhep Gjergji. Duke qenë se unë në Elbasan e kisha
xhaxhain tim, Aziz Zhilivodën, shpreha
dëshirë që të qëndroj në këtë qytet, duke shprehur gatishmërinë time që të jem
në shërbim të Zyrës së Kosovës në Tiranë dhe kërkesave të tyre eventuale që do
t’i kishin ata ndaj meje. Në këtë kohë aty vjen edhe Shefki Islam Krasniqi, ish
i burgosur në armatën jugosllave. Ai ishte i torturuar tej mase, me disa brinjë
të thyer dhe gati para vdekjes. Me të kemi banuar në Elbasan, prej muajit maj
deri në fund të dhjetorit të vitit 1993.
Takimi me Aziz Zhilivodën
“Bota Sot”:
Çka kujtoni nga takimi juaj me Aziz
Zhilivodën?
Behxhet Krasniqi:
Kur arrita te ''Skampa'' në Elbasan,
takova njeri me biqikletë dhe e pyeta: Ku është rruga ''Skenderbe'', ai me tha:
Kënd e kërkoni atje?; e unë i tregova se po e kërkoja Aziz Zhilivodën. Cka e ke
ti atë?; Mixhë, ju pergjegja, Behxhet ti je a ? Unë jam dhëndrri i Azizit, më tha. Ishte Mursel Halimi nga Podujeva, profesor i
Historisë. Në derë e takova Mërgimen, vajzën e Azizit, e cila nga dera e dhomës
e pyeti Azizin, a po e njeh Babë këtë? Ai tha ky është Behxheti. Gati sa nuk u
rrëzova nga emocionet. Ai duke më dëshiruar mirëseardhje, kur ma shërngoi dorën,
unë nuk e përballova shtërngimin e tij të fortë, gati u ula galuc. Ai tha:
Babloku është i fortë, mos më l’shoftë shpirti pa hy edhe një herë në Prishtinë
me ''mashinkë''. Ishte 83 vjeqar dhe ishte i informuar për gjendjen në Kosovë
dhe tërë atë që po ndodhte atje. Xhaxhai im, Aziz Zhilivoda, ishte lidhja e
fortë e shqiptarëve të Kosovës me Shqipërinë. Para meje në Shqipëri ishte
vëllai im Ahmeti, i cili, pas dezertimit nga armata jugosllave, me ndihmën e
Aziz Zhilivodës ishte vu në shërbim të armatës shqiptare, edhepse, Ahmeti ishte
shgënjyer nga rrënimi i çdoditshëm i kësaj armate dhe kishte bërë një lëvizje
të shkurtër deri në Austri, ku ishte takuar me intelektualin e ndjekur politik,
dhe historianin Skënder Gashin. Pas qëndrimit në Vienë, ai ishte kthyer në
Kroaci.
“Bota Sot”:
Pas qëndrimit tuaj në Shqipëri, ju
erdhët në Gjermani. Cili ishte aktiviteit juaj këtu?
Behxhet Krasniqi:
Në fillim të vitit 1994, kam ardhur
në Köln të Gjermanisë dhe kam jetuar me mallin për Kosovën dhe familjen, ngase
shoqja ime me tre djemtë jetonte në Kosovë.
“Bota Sot”:
Pasi që gratë kanë qenë gjithmonë
logjistika e burrave patriot shqiptarë, na tregoni kush është bashkëshortja
juaj?
Behxhet Krasniqi:
Bashkëshortja ime është Kimete Ademi,
nga Dobroshevci i Drenicës, të cilën e njoha në lokalet e gazetës së studentëve
''Bota e re'', së cilës në redaksi i punonte, xhaxhai i saj Gani Ademi. Ajo
gjithashtu rrjedh nga një familje patriotike, ngase, gjyshi i saj, Muharrem
Ademi, një ballist i njohur i kësaj ane, ishte burgosur vazhdimisht nga Ali
Shukrija, famëkeq.
Në rreshtin e veprimtarëve të
mërgatës
“Bota Sot”:
Ti kthehemi aktivitetit tuaj në
Gjermani, na rrëfeni diqka më gjerësisht?
Behxhet Krasniqi:
Unë pasi u lidha me LDK-në në klubin
''Kaqaniku 90'' në Köln, kam bashkëpunuar me Ragip Bytyqin, Ibush Mirenën,
Bahri Bytyqin, Muharrem Mehmetajn, Agim Ymerin, Qazim Beqirin, Hazir Krasniqin,
Sali Çekun, Hafiz Gagicën, Xhafer Durmishin, Abedin Gashin e të tjerë, ndërkaq
më vonë isha edhe kryetar i LDK-së për rrethin e Euskirchen dhe përgjegjës i
3%-shit. LDK-ja në Gjermani, në krye me Hafiz Gagicën ishte promotor i
aktivitetit tonë në Gjermani.
Kemi punuar shumë edhe për unifikimin
e shqiptarëve si domosdoshmëri për çlirimin e Kosovës. Aktiviteti im në
Gjermani më ka mundësuar takime të shumta njohjeje me shumë veprimtarë dhe me
përfaqësues të kombit, si me Ibrahim Rugovën, Fehmi Aganin e të tjerë, këtu kam
njohur edhe akativist të palodhshëm të çështjes kombëtare, të cilët nuk kanë
kursyer asgjë nga vetja për lirinë e Kosovës, por, mendoj se në mesin e tyre
veprimtari Agim Kamberaj mbetet emblema e të gjithë neve.
“Bota Sot”:
Në Gjermani, siq kemi mësuar, herë
pas here vinte edhe ministri i mbrojtjes, vëllai juaj Ahmet
Krasniqi. Cila ishte veprimtaria e
tijë këtu?
Behxhet Krasniqi:
Fillimisht ai ishte zgjedhur
kordinator i ushtarakëve për Kroaci e më vonë edhe për tërë mërgaten shqiptare,
ngase ai thoshte: unë jam ushtarak dhe unë dua dhe di ta organizoj luftën
mbrojtëse dhe atë të lirisë së Kosovës. Aktiviteti i tij pra ishte i përqendruar
në këtë pikë. Ai kishte kontakte intenzive me të gjithë ish oficerët që jetonin
jashtë Kosovës. Motoja e tij e jetës gjithmonë ka qenë: ''Atëdheu mbi të
gjitha''. Unë po ju kujtoj vetëm një rast të qëndrimit të tij me virtyte të
larta, kur në një rast, në lokalet e sigurimit serb në Mitrovicë, derisa mua po
më merrnin në pyetje, ai erdhi dhe më vizitoi. Gjatë një bisede të shkurtër më
shumë me gjeste se sa me fjalë, ngase në dhomë ishin vendosur mjete të ndryshme
përgjimi, ai në pjesën e mbrendshme të kutisë së shkrepses më shkroi vetëm një
fjali: ''Mos i trego shokët''. Unë në atë kohë nuk e dija se edhe ai ishte
pjesë e ilegales të cilën e ka themeluar Metush Krasniqi. Ahmeti sa herë që ka
ardhur në Kosovë, ai çdo herë ka gjetur kohë për ta vizituar Metush Krasniqin,
Shefqet Jasharin - Strofcin dhe miq të tjerë. Ahmetin e karakterizonin virtyte
të larta njerëzore, si: ndershmëria, besnikëria, modestia, trimëria etj.
“Bota Sot”:
Përshkallëzimi i luftës në Kosovë,
Ahmetin e gjenë në pozitën e Ministrit të Mbrojtjes, si i vlerësonte ai
rrethanat që kishin një rrjedhë të shpejtë?
Behxhet Krasniqi:
Ai ka punuar shumë në bashkimin e
faktorit politik dhe ushtarak shqiptar dhe ka pasur shumë besim në fitoren dhe
lirinë e Kosovës. Atij nuk i kanë interesuar klanet, tarafet, dhe dallimet
ideologjike e as edhe lufta për pushtet. Ai ishte një institucionalist i cili
po luftonte për krijimin dhe njohjen e hierarkisë, ku do të dihej kush jep dhe
kush zbaton urdhëra, sado që i njihte në thelb edhe dobësitë e herëpasëhershme
shqiptare, që janë paraqitur gjatë historisë sonë.
Ai e njihte jashtëzakonisht mirë,
historinë, kulturën dhe traditën tonë, ngase pjesën me të madhe të jetës së
tij, ja ka kushtuar leximit.
Ëndrra e Ahmet Krasniqit
“Bota Sot”
Ushtarakët njihen si njerëz raconal
dhe me optimizëm të matur, po ai?
Behxhet Krasniqi:
Ai me racionalitet i vlerësonte të
gjitha rrethanat dhe gjykonte në të mirë të rezultateve të së ardhmes. Një
optimizëm të rrallë deri në entuziazëm të cilin kurrë në jetë nuk e kam parë më
te gëzuar ishte momenti pas nënshkrimit të ''Marrveshjes së Oslos''. Ai nga
Oslo më ka telefonuar dhe decidivishtë më ka thënë se: '' Ne të gjithë jemi
bashkuar dhe kemi nënshkruar sot marrëveshjen më të rëndësishme për luftë të
përbashkët për lirinë e Kosovës me të gjithë faktorët relevant kombëtar, saqë
edhe dy Serbia po te jenë, më nuk mund të na ndalin. Ne kemi me fitue.'' Me
kënaqësinë më të madhe tha se: ''Unë e kam pas ëndërr me u ngrit, me m’sue
artin luftarak dhe me u bë i aftë për t’i ndihmuar atdheut.''
“Bota Sot”:
Por më vonë rrethanat nuk morën
rrjedhën e dëshiruar.
Behxhet Krasniqi:
Ato ndryshuan negativisht për vëllaun
tim, për Ministrinë e Mbrojtjes dhe për të gjithë ata që luftuan në mënyrë
institucionale për lirinë e Kosovës. Goditja më e rëndë për të ishte moszbatimi
në terren i ''Marrëveshjes së Oslos'' e sidomos mesazhet që i kishin arritur
atij për mospërfilljen dhe mosnjohjen e saj. Në bisedën e fundit me të, më tha: ''Unë do të zbres prej këtij
autobusi.'' që kishte simbolika të ndryshme dhe sidomos shqetësuese ishte për
mua kur ai me pasthirrmën ''Ah bac!!!'' po e mbyllte telefonin, pasi që u morëm
vesh se unë do të udhëtoja për Tiranë pas tri dite. Por atentatorët ishin më të
shpejtë. Pikërisht me 21 shtator, para 14 vitesh, ai do të vritet në Tiranë në
rrethana tash për tash të pasqaruara. Unë kisha vendosur të shkoj në Tiranë
edhe para kësaj bisede, përkundër asaj që ai insistonte që unë ta ndihmoj
luftën nga këtu përmes infrastrukturave tjera, por, një bisedë që kam pasur me
Ibrahim Nikqin, një ish i burgosur në Gjurakofc (i cili më vonë u vra së bashku
me vëllaun e tij në Shqipëri, në rrethana të pasqaruara) i cili pas një vizite
që i kishte bërë Ahmetit në Shqipëri nga Zvicra, të cilit madje Ahmeti ia
kishte dhënë një palë dylbi si dhuratë, ai më tha: ''Ahmeti e ka vështirë'' dhe
se ai është ''mes ujqërve dhe dhelprave'' madje atij, Ahmeti i kishte thënë se
gjithsesi do të hyjë në territorin e Kosovës për ta organizuar luftën, nëso jo
si ministër, atëherë si ushtar i thjeshtë.
“Bota Sot”:
Ju jeni vazhdimisht në kërkim të
zbardhjes së vrasjes së Ahmet Krasniqit ...!?
Behxhet Krasniqi:
Ne kemi kërkuar vazhdimisht zbardhjen e kësaj vrasje, e cila besoj se rëndon ndërgjegjen shqiptare. Përkitazi me këtë para dy vitesh unë jam pritur si vëllau i Ahmet Kranqit nga kryeminstri i Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha i cili më ka premtuar se do të angazhojë tërë potencialin e infrastrukturës shtetërore për zbardhjen e kësaj vrasje. Unë edhe sot vazhdoj të jetoj nën hijen e vëllait tim, të cilin e kam pas edhe shok, nga i cili kurr një fjalë të rëndë nuk e kam përjetuar. Vrasja e tij ka qenë goditja më e rëndë në jetën time, nga e cila akoma nuk e kam marrë veten. Rivarrimi i tij në Prishtinë do të ishte një satisfakcion i vogël moral dhe një vend i afërt ku do të mund të kishim vendosur lule më shpesh.