| E hene, 08.10.2012, 07:31 PM |
MË THA ROZAFA
Nga Sabile Keçmezi-Basha
TË PYETA
Të pyeta nga po vije
Vij nga përtej deti
U gjegje me përdëllim
Në shpatullat e tua
tatuazh kishe shqiponjën
Sa një dragua
U step katallani
Të pyeta për gjymtyrët e lodhura
Nga nëntoka vijë,
Si në flakë u përgjigje
O zot
Ke ngjyrë prej dheu
Pëshpërita
Konstandini jam
Ngarkuar mbi samar kam
Besën e dhënë
Që e shëtis
Trotuareve të historisë
Qava...
PO GUXOVE...
Po guxove
Vizato atdheun
E pastaj
Më thuaj
Si duket LIRIA
E veshur me të kuqe
Sokakëve të harresës
Po guxove
Vizato diellin
Bjeri vi (jo)kufirit të atdheut
Po guxove
Fol
Po guxove
Hesht
= (baras) do të jesh
Në stinën e ardhur
+ që (s)do të jesh
Mysafir i (pa) ftuar
Në natën e Madhe
MË THA ROZAFA
Në një ditë të shkuar
Pa droje
I ryzuam ëndrrat
Brinjët në helmeta
I shndërruam
Për fitore të reja
E ti
Ec e beso
Se çdo gjë që lëvizë
Në drejtimin e Sahat Kullës
Ecë vertikalisht
Në kohën beronjë
Ndodhte edhe kjo
Kraharori në gërmadhë shndërrohej
Mungonte oksigjeni për frymëmarrje
Grupi i gjakut 0-pozitiv
Bënte grevë urie
Për kullën prej guri
Për ecejake të lodhura
Fati na përqeshte
Vetëm trimi ka dy fate
Në besim
Më tha Rozafa
...
MË THANË
Mbrëmë të kanë parë
Duke hapur qafa të reja
Në këmishën e atdheut
Unë qesha
Më thanë
Se të kanë parë
Duke kërkuar
Udhët e paudha
Dhiareve të pa rrahura
Për dhiatat e pa plotësuara
Dhe dënesje