| E hene, 08.10.2012, 07:38 PM |
Përvjetori i Autoqefalisë, dhe dëshira e çuditshme e
gazetarit Bashkim Hoxha për themelimin e KOASH
Nga Pirro Prifti
Në një nga emisionet e mëngjezit të gazetarit të
dëgjuar Bashkim Hoxha menjëherë pas leximit të gazetave të ditës telefonoi pas pak castesh një telefonues nga
Korca i cili foli për rolin thelbësor të
intelektualëve ortodoksë e sidomos atyre të zonës Korcë, Kolonjë dhe të jugut
të Shqipërisë për pavarësinë e Shqipërisë më 1912. Papritur Gazetari Bashkim Hoxha i zemëruar pak ( sipas
mënyrës së tij të të folurit me telefonuesit në përgjithësi), e ndërpreu dhe i
tha.. (afërsisht kështu):....` mos na trego se kur ka filluar ortodoksia të
funksionoje si thua ti që para 250 vitesh, por na thuaj përse nuk festohet 90
vjetori i KOASH, përse Kisha Ortodokse nuk feston 90 vjetorin që është sot , por hesht?,, Folësi me dialekt
nga Korca tha.. nuk e di.....
Kështu
gazetari Bashkim Hoxha ja mbylli telefonin, dhe vazhdoj me telefonatat e tjera
të mëngjezit pas emisionit të përditshëm të
leximit të gazetave.
Më
bëri shumë përshtypje kjo mënyrë të komunikuari e gazetarit, me telefonuesin e
thjeshtë me dialekt nga Korca për dy arsye kryesore:
Së
pari gazetari Bashkim Hoxha duhet të jetë më i kujdesëshëm me ata që telefonojnë
sepse deri sa emisioni u jep mundësi
lexuesve të flasin ai nuk duhet ti ndërpresë në cdo pasazh apo dhe të ironizojë
kur nuk i pëlqen komenti. Edhe në atë rast folësi i Korcës kapi një problem të
harruar nga shqiptarët (dhe sigurisht nga gazetarët), për kontributin thelbësor
të ortodoksisë dhe të inteligjencës
ortodokse të Jugut në pavarësinë e Shqipërisë- të cilin kërkoi ta vlerësojë folësi nga Korca sipas mënyrës
së vet, por mesa duket personalisht
gazetari Bashkim Hoxha nuk e pëlqeu fare.
Së
dyti dhe më i rëndësishmi, përsa i përket datës së themelimit të KOASH (Kisha
Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë), z. Bashkim Hoxha gabohet në disa drejtime,
sepse nuk ishte 90 vjetori i KOASH në 5 tetor 2012.
Sigurisht
edhe unë që e dëgjova rastësisht këtë
telefonatë në mëngjësin e datës 5 tetor më bëri gjithashtu përshtypje toni me
të cilin përcolli z. Gazetar në drejtim të folësit dhe sigurisht edhe të atyre
që e dëgjonin , sepse dukej qartë pakënaqësia (si pas gazetarit) që Kisha
Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë nuk e ka festuar këtë përvjetor, duke lënë të
kuptojë që Kisha nuk është ajo që kërkojnë shqiptarët si z. Bashkim Hoxha, sidomos ata që nuk janë të fesë së krishterë
ortodokse.
Interesant,
i nderuari gazetar, opinioni që keni ju për këtë problem.
Për
ta sqaruar këtë handikap, po përmbledh disa argumenta dhe
data, por më e mira do të ishte që i nderuari gazetar Bashkim Hoxha dhe të tjerë do të mund të ndriçoheshin
nëse do të lexonin tek gazeta `Ngjallja`
e shtatorit 2012 një shkrim nga Thoma Dhima me titull ``Një përpjekje në rrugën
e
Autoqefalisë``(http://www.orthodoxalbania.org/new/index.php?option=com_content&view=section&layout=blog&id=30&Itemid=118&lang=sq).
Kjo
edhe për arësyen se shkrimi im botohet tek gazeta `SOT`, gazetë e cila nuk
lexohet nga z. Bashkim Hoxha tek `TV-NEWS 24`
si pasojë e `politikave të vecanta` që na ndjekërka
ky television (?!) në raport me këtë gazetë të respektuar, dhe që për mendimin tim është nga më të
pa-anshmet përsa i përket komenteve dhe lajmeve.
Shkurtimisht Historiku i KOASH është i lidhur
direkt edhe me historinë e Shqipërisë prandaj njerëzit janë sensibël:
-Më 18 mars 1908 si pasojë e incidentit në Hudson SHBA, kur i
riu shqiptar Kirstaq Dishnica u shkishërua për shkak të aktivitetit patriotik,
atë ditë Fan Noli u shpall prift nga një
peshkop rus dhe lexoi për herë të parë liturgjinë në shqip po në Hudson.
-Noli përktheu më 1911 të gjithe liturgjinë
kryesore në shqip.
-Noli gjatë 1912 dhe 1924 ushtroi aktivitet
kryesor politik dhe fetar deri në bërjen
e tij Kryeministër më 1924.
-Më 10 shtator
(ditë e Hënë) 1922 u mbajt Kongresi i Beratit për të sanksionuar
Autoqefalinë. Karakteristikë negative ishte se në këtë Kongres nuk morri pjesë
asnjë episkop , gjë që i bëri të pavlefshme (pra jo ligjore) vendimet e marra,
megjithse me vendimin politik (!) të Nr. 807 të datës
18-09-1922 Këshilli i Ministrave bëri njohjen zyrtare shtetërore të vendimeve
të Kongresit të Beratit dhe i miratoi ato plotësisht sepse ishin mbështetur në
parimin e pavarësisë së shtetit shqiptar( A.Q.Sh. fondi 251,dosja 1254, viti
1922). Kjo datë është historike por jo ligjore dhe fetare, sepse nuk u njoh nga
Patrikarkana e Stambollit e cila i vuri këto kushte për njohjen e Autoqefalisë:
-Peshkopët që do të zgjidhen
prej popullit shqiptar duhet të jenë miratuar më parë prej tij.
-Patriarkana ka të drejtën e vetos në miratimin e Kryeepiskopit.
-Gjuha e vjetër e dëshirueshme e kishës, greqishtja, të zërë vendin e parë në
Kishë.
Këto kërkesa u hodhën poshtë nga Këshilli
i Naltë i Kongresit të Beratit: At Vasil Marko, Dhosi Havjari, Vasil Avrami,
deputeti Thoma Orolloga, At Harallamb Torka, Dhimitër Kacimbra, Simon Shuteriqi
e Kristo Kirka.
``Për të krijuar një gjendje më të
favorshme Visarion Xhuvani më 1923, që atëherë ishte deputet dhe anëtar i
Këshillit të Naltë, kërkoi nga Parlamenti ndihmë financiare prej 50.000 franga
ari. Ai iu drejtua Parlamentit me këto fjalë: " Kështu edhe nji herë ky
Parlament t'i marri parasysh gjithë nevojat dhe gjendjen delikate të Kishës
Autoqefale Kombëtare dhe të mos kursejë nji dhuratë të vogël që ka me prumun
njisimin dhe shqiptarizimin e ortodoksëve, punë që ka aq vlerë për interesimin
ma të naltë të shtetit në kohën e ardhme, sa nuk mund ta shpjegoj me kohën e
pakët që kemi".( Bisedime të Këshillit Kombëtar, faqe 221, viti
1923***)
Mbas disa diskutimesh Ahmet Zogu tha: "Asht e ditun se këto ndihma do të
jepen jashtë buxhetit dhe nji shumë prej 50.000 frangash ari nuk asht gja e
madhe. Qeveria pra, me gëzim e pranon dëshirën e komisionit të financave, që
kjo shumë t'i dhurohet Këshillit të Naltë të Kishës Kombëtare".
Në këtë rast Ahmet Zogu shprehu për herë të dytë vullnetin e mirë për të
ndihmuar Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare
``(http://www.forumishqiptar.com/showthread.php?t=40815).
Këshilli i Naltë i Kishës Ortodokse
Autoqefale Shqiptare ngarkoi Visarion Xhuvanin që të drejtonte Mitropolinë e
Durrësit sipas dekretit Nr. 686 të datës 28.3.1925. dhe për të marrë lejen
nga Patriarkana e Stambollit.
Kontradiktat midis intelektualëve për
këtë çështje të rëndësishme të Kishës Ortodokse Shqiptare i zgjidhi Mbreti Zogu
i Parë, i cili me vendosmëri ka deklaruar: " Aq më ban ç'mendon
Patriarkana. Në Shqipni jam zot vetë dhe komandoj unë".(70 vjet të Kishës
Ortodokse Autoqefale, Tiranë 1993, faqe 71).
Në shkurt të vitit 1929 Kryetari i
Këshillit të Naltë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë njoftoi
Visarion Xhuvanin.
Detyra e re që iu ngarkua Visarionit u miratua menjëherë nga Qeveria Shqiptare.
Çdo pritje e mëtejshme do ta dëmtonte rëndë autoqefalinë e Kishës Ortodokse
Shqiptare, prandaj në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave,
të kryesuar nga Naltmadhnia e Tij, Mbreti Zog I, në të cilën morën pjesë Koço
Kota, Pandeli Evangjeli, Hiqmet Delvina, ndërsa nga Këshilli i Naltë Kishtar At
Vasil Marko dhe Imzot Visarioni. Ky i fundit u ngarkua që të zgjidhte dy
episkopë kanonikë të huaj, të cilët do të dorëzonin kandidatët shqiptarë.
Nga 11 shkurti deri më 17 shkurt të vitit 1929 u bënë hirotonisjet e episkopëve
dhe më 18 shkurt do të formohej Sinodi. Këto qenë ditë festive për ortodoksët
dhe për myslimanët shqiptarë. Meshat që u mbajtën atëherë ishin ngjarje të
shënuara në historinë e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Mbretin në to e
përfaqësoi Kolonel Zef Seregji, mori pjesë kryeministri Koço Kota, ministri i
Drejtësisë Hiqmet Delvina, Xhafer Vila, Yzedin Beshiri, Abdurrahman Kroi, Dr.
Basho, Tefik Mborja etj. Diskutimet e gjata shtatëvjeçare për zgjedhjen e
Sinodit të Shenjtë morën fund. Gazeta e Re atëherë shkroi: "Më në fund
ideja kombëtare ngadhënoi si gjithnji sepse ajo buron nga shpirti i kombit dhe
asht besue në duer të forta patriotike".
Më 19 qershor të vitit 1929 të 46
delegatët përfaqësues të klerit dhe të popullit të Shqipërisë u mblodhën në
Korçë për punimet e Kongresit të Dytë Panortodoks. Kongresi historik i Korçës
miratoi njëzëri dokumentet bazë të Kishës dhe mjaft vendime të tjera, duke e
vendosur Kishën Shqiptare krahas kishave të tjera ortodokse ballkanike,
evropiane e botërore. Pra edhe kjo një datë historike por jo datë ligjore dhe
fetare e miratuar.
Mbas 27 majit të vitit 1936, dita kur dha
dorëheqjen Visarioni si ( pasojë e kontradiktave ndërmjet klerikëve dhe shtetit
shqiptar), e deri më 12 prill të vitit 1937, pati veprimtari të dendur
diplomatike për të bindur Patriarkun e Stambollit që të miratonte Tomusin. Ai
nuk lëvizi nga kërkesat e veta, vetëm se i zbuti ato dhe ia përshtati
diplomacisë së kohës, miratoi Tomusin dhe në krye të Kishës Shqiptare erdhi
Imzot Kristofor Kisi. Dhënia e Tomusit nga Patriarkana e Stambollit për Kishën
Ortodokse Autoqefale Shqiptare u bë më 12 prill të vitit 1937.
Së fundmi KOASH është deklaruar si
Autoqefale me 1922 por është njohur si e tillë ligjërisht nga Patrikana e
Stambollit më 12 prill 1937 pas dhënies së Tomos-it.
Në nëntor 1950 parlamenti komunist
shqiptar miratoi statutin e Tretë që ishte abroguar në statutin e 1929. Me përjashtim të ndonjë amendamenti
të bërë më 1993, Ky Statut i KOASH është ende në fuqi.
Pra KOASH feston zyrtarisht festën e
krijimit me dt. 12 Prill të cdo viti. Datat e tjera janë data historike që janë
të rëndësishme kryesisht për historinë e Shqipërisë se sa për KOASH.
Kjo është e vërteta, dhe ashtu si gazetari patriot Bashkim Hoxha ashtu dhe njerëz të tjerë të interesuar për Autoqefalinë e Ortodoksisë të Shqipërisë duhet të respektojnë atë që respekton KOASH dhe komuniteti ortodoks pra duhet respektuar ligji, dhe jo atë që ja do qejfi cdo gazetari qoftë ai dhe `patriot` që e cfaq patriotizmin duke përdorur TV e punës.