| E diele, 07.10.2012, 05:56 PM |
Iku, shkoi lloji
i poetit që nuk mund të shpiket...
Shënime për Princin e Lirikës shqiptare Frederik Rreshpja
Nga Odise Kote
Duke medituar rreth kësaj vjeshte e gjetheve që sikur mëdyshen të ikin e të na
lenë vetëm, mendja sepse më shkoi tek poeti që e dua aq tepër dhe e
respektoj deri në thellësi, Frederik Rreshpja. Në mes të kujtimeve për këtë
Princ të Lirikës shqiptare, më vjen ndërmend një nga intervistat e fundit të
tij me titull :
“ Kur trishtohem
shkruaj...”
“ Nuk e di në se
ka mbetë ndonjë gjë në këtë botë, që të më gëzojë. Gjith ç’kam dashur e kam
humbur. Por “Le te pyesim nëse ai luftoi, para se bota ta mundtte” thoshte Pol
Elyar.
Pra çdo gjë e
kam humbur në mënyrën më serioze dhe nuk ankohem nga fati im.
Kur trishtohem shkruaj.
Prandaj shkruaj
shumë.
Nëse rri me
njerëz, këtë e bëj vetëm për edukatë.
Vizitat dhe
mbledhjet i kam inat. Përgjithësisht kohën e kaloj në dhomën time, i vetmuar.
Pastaj “sa më shumë të shkruash, aq më i vetmuar je” thotë Heminguej.
Eshtë një rreth
vicioz ».
Kështu kumtonte
Frederiku në ditët e fundit të jetës tokësore sikur të na linte shënjën e
lamtumirës qiellore.
Dhe iku...
Jo rastësisht i
lindur në Shkodër, e cila mund të quhet një kryeqytet letrar i Barletit dhe i
Bogdanit, i Fishtës dhe i Mjedës etj, pas vdekjes së Migjenit të madh, Frederik
Rreshpja është talenti më i shquar që ka dalë nga kjo trevë - mitër e poezisë
së shqetësuar të kombit.
Nëse nga
pikëpamja okulare, poezitë e Rreshpes të kujtojnë mozaikët paleokristiane të Antikitetit
të Vonë, plot peisazhe baritore dhe kafshë alegorike, nga pikëpamja e
sonoritetit ato janë plot harmoni.
Studiuesi e poeti Moikom Zeqo thotë se : “ Frederik
Rreshpja është një poet i lindur dhe jo një poet i bërë. Eshtë shumë e vështirë
ta përkufizosh në një formulë këtë gjë”.
Më tej studiuesi
Zeqo spjegon se : - Poezia e Frederik Rreshpes është me një kod dhe një apel
simbolesh dhe nënkuptimesh. Në poezinë e tij, është një finesë tepër e hollë,
një delikatesë e brendshme që të habit. Të duket se trilli i metaforës de
Radiane hedh argjendin e vet të kaltër tek peisazhet e ashpra alpine, onirike,
në agloshet e shpellave, ku mbijetojnë perënditë ilire, tek kasollja e vjeshtës
me zogj mitesh, ku fluturojnë kometat dhe alekinet, në horizonte me gruntin
primitiv të shiut, tek retë dhe tek plazhet, ku Frederik Rreshpja ka mbledhur
qeramikat e thyera të dashurive të lashta, aty ku, udha e vjetër rri si patkoi
i fatit tek porta e shekujve”.
Po
Frederik Rreshpen vdekja e gjuajti në qiell.
Rrethuar me
botën e vet të imët, bardhezi dhe pa zhurmë, si në një film pa zë. Kështu ishte
jeta e tij: me pak sende, të cilat dukej sikur i kishte sjellë me vete nga një
botë personale më tepër se sa i kishte gjetur të gatshme, këtu e mijëra vjet
mbi dhe.
Dukej sikur kjo
botë i qe taksur atij, qe krijuar enkas për të, qoftë si gjuhë, qoftë si
emocion. Dhe këtu është fjala për lule, statuja ilire, zogj të vegjël,
shtegtime ciganësh, kopshtie me luanët e fëmijërisë, ujë të vjetër pusesh,
dimër dhe ç’dimër, shira të pandërprerë, rapsodë që vajtojnë drurët e vdekur në
vjeshtë, profetë të rremë dhe profani pagane në mënyrën se si ai jetoi - me
pako gjë - si shpezë, hënëza, ëndërr itake, ajër, pranverë dhe tingëllima të
një kozmogonie hermetike dhe vetiake të cilën lejohej ta pëlqeje, por jo ta
duartrokisje, se tashmë dihet, ndonëse jo për të gjithë, filmi ishte bardhezi
dhe pa zë...
Enisé, Enise...,
fare pa të keq të shkon nëpër mend të pyesësh; a ka pasur fjalë të këtilla në
përdorim poezia shqipe e atyre viteve dhe a ishte Rreshpja fëmija i padëshiruar
i poezisë së kohës?
E gjithë poezia
e Frederik Rreshpjes, në fakt e sidomos përmbledhja e zgjedhur “Në vetmi” 2004,
është një shenjë që na bën ne të gjallëve të mbetur mbi tokë për të
“zbuluar anën e
brendshme, të një tonaliteti, elementët, mardhëniet ndërmjet elementëve,
sistemin e këtyre mardhënieve” etj.
Për të kuptuar
se c’përfaqëson strukturalizmi në poezinë e tij, duhet të marrim parasysh atë
hulumtim të orientuar strukturalist që ka ndikuar drejtpërdrejt në artin e
formulimit letrar, krijohet para së gjithash mbi bazat e gjuhësisë strukturale.
Sipas teorisë së
Ferdinand de Sosyrit, gjuha e poezisë shqyrtohet si sistem i ndërlikuar i
marrëveshjes, ku theksi vihet në percaktimin e ligjshmerive strukturale, mbi të
cilat mbështetet komunikimi.
Dallimi i gjuhës
nga të folurit dhe caktimi i strukturës themelore të shenjës gjuhësore, është
një nga bazat e gjuhësisë strukturore. Ne shenjen gjuhesore Sosyri dallon
shënjuesin dhe të shenjuarin, e me këtë realizon studimin sipas së cilit kompozohet
gjuha.
Duke dalluar
këto dy pole shenjash , gjuhësia strukturore hap mundësi të gjera të hulumtimit
të gjuhës, si nga aspekti i shenjuesit , d.m.th. atij që shërben për të
shenjuar po ashtu edhe nga aspekti i të shenjuarit, d.m.th.atij që është
përfshirë në shenjuesin.
Duke theksuar,
gjithashtu , parimin e arbitraritetit të shenjës, d.m.th. faktin e lidhjes së
tingujve përbërës të fjalës me kuptimin e saj, si dhe faktin se shenja
gjuhësore zhvillohet në kohë, pra themi se të folurit zhvillohet si një varg
suksesiv i fjalëve.
Po sjell si
shembull poezinë e Rreshpes :
Për një
vjollcë…
Çeli vjollca e
vogël mbi gurishte
si një ylber mbi planete të panjohura.
Kështu kam
ëndërruar edhe unë dikur
të bëhem ylber mbi akuafortën e kohës vizatuar egër
po tërë ato që thashë
u tretën në kujtesën e palexueshme të ajrit.
Më me fat janë
perënditë
që kthehen tek toka të skalitur:
Ti s'ke për t'u
skalitur kurrë
e veç ndoshta në kujtesën e palexueshme të ajrit
Ky qe fati yt
prej ylberi
me një kryq shiu te koka.
Por fati sundon tërë popujt e zotave
të shumtë si rëra,
vjollcë e vogël, o shpirt.
Për të analizuar
këtë poezi, si një nga përfaqësueset e poezisë së Rreshpes, studiuesi Agron
Tufa shtron pyetjen ekzistenciale :
C’kërkonte
Frederik Rreshpja të na thoshte me shenjat e tij gjuhësore ?
Frederik
Rreshpja nuk zgjodhi poezinë që sjell lëndë prej realitetit.
Ai zgjodhi
poezinë e shenjave dhe simboleve për të komunikuar me ne.
Unë besoj
thellësisht, se vargjet e tij të ndërtuara mrekullisht me arkitekturë muzike e
ndjenje, shquhen për ngrohtësi e jetë dhe i përshkon një frymë e qetë dhe e
rregullt, ku rregullsia dhe qetësia dallohen qartësisht.
Qartësisht, po
përse ?
Sepse poezia e
tij është autonome. Me strukturë të thjeshtë ? E rregullt ?
Apo ka një
procedim letrar të ndërtuar mbi mijëra e miliona struktura gjuhësore e
kuptimore, natyrshëm si mënyrë të organizimit gjuhësor, që u shërben qëllimeve
të posacme estetike e letrare ?
Askush më mirë
se Rreshpja në këtë gjysëmshekullin e XX nuk e kuptoi procedimin artistik në
harmoni me gjuhësinë strukturore.
“Kur trishtohem
shkruaj...” na
thotë Rreshpja duke na lajmëruar se duhet të mbërrijmë deri tek koncepti
dinamik i strukturës së veprës letrare, që më pas përmes
analizave të hollësishme të synojmë të vertetojmë se funksionimi i sistemeve të
shenjave ne letërsi duhet shqyrtuar nga një anë në sistemin e marrëdhënieve
brendatekstore e nga ana tjetër në sistemin e marrëdhënieve jashtëtekstore,
d.m.th. nga pritja e lexuesve, nga raporti i tekstit ndaj teksteve të
tjera të ngjashme, ndaj formave të tjera të komunikimit.
Po marr një nga
strofat e Rreshpes :
Më me fat janë
perënditë
që kthehen tek
toka të skalitur:
Ti s'ke për t'u
skalitur kurrë
e veç ndoshta në kujtesën e palexueshme të ajrit
Shikoni kujt i
Referohet gjuha e tij – perëndive që kthehen tek toka e skalitur.
E gjitha kjo
krijon një Afektim të brendshëm të fuqishëm dhe emocionues.
Ne njohim Anën e
panjohur, vetminë e përjetshme të poetit që megjithatë s’rresht së shkruari.
Vargu me ndërtim
gjuhësor elegant sikur zbret nga qielli në tokë me fuqi vetëtime dhe kjo Anën
vepruese të krijon ndjenja të befta e të cuditshme.
Metra-gjuha
është sa e skalitur aq dhe brilante në qëmtimin e kujdesshëm të fjalës.
Poetika
Kujt i drejtohet Rreshpja ?
Kuptimin e gjejmë në strukturën
ndërtimore të krejt poezisë, në porositë semantike që burojnë prej analizës
semantike, në emocionet dhe informacionet që na përcillen.
Sipas studuesit të njohur
strukturalist Jurij Lotman, poetika strukturore e Rreshpes, vecanërisht në
sferën e analizës së vargut dëshmon se të gjitha elementët e të
folurit në vargje duhen kuptuar si mbartëse të kuptimit, se ritmi i vecantë,
tingulli, rima, persëritja dhe elemente të tjera kurrë nuk duhet të shqyrtohen
vecmas nga kuptimi dhe se gjatë organizimit vargëzues të gjuhës, nuk ka
asgjë që nuk duhet kuptuar si mbartës i mundshëm i porosive të vecanta.
E këndvështruar kësisoj, kam bindjen
se gjuha në poezinë e Rreshpjes përbën strukturën ku është ndërtuar vetë
poezia.
A nuk janë të gjitha krijimet
artistike, ose tekstet ( sic pëlqejnë të thonë strukturalistët) spjegime në
thellësi të një strukture të thellë ?
Tekstet (poezitë) janë të organizuara
si një gjuhë me “gramatikën” e tyre specifike. Gramatika e një gjuhe është një
numër shenjash dhe konvencionesh që kodifikohen nga qëniet njerëzore. Analiza
strukturaliste është gjerësisht produkt i semiologjisë dhe gjuhesisë
strukturaliste.
Letërsia, si art, shërben
njëkohësisht edhe për njohuri dhe për informim. Prandaj duke e studiuar poezinë
e Rreshpes si sistem shenjash specifike, në të cilën është e pranishme
paraqitja e realitetit, “brumi metaforik” me mënyrën e organizimit të shenjave,
bëhet e mundur që ato të bartin përvojat dhe dituritë, që s’mund t’i realizojë
asnjë sistem tjetër shenjash.
Hulumtimi i mënyrës se si funksionon
letërsia, si sistem i posacëm i komunikimit, pra hulumtimi i mënyrës se si
letersia, mund të bartë njohuri që kurrsesi nuk mund t’i bartë gjuha normale (e
përditshme) është mjaft interesante të studiohet edhe në poezitë e Rreshpes.
Le te marrim pershembull leksikun
e tij të përdorur në poezi.
Fjalët e përdorura prej tij në saje
të statistikës elektronike mund të na cojnë në rezultate mjaft interesante.
Dallimi mes frekuencës mesatare të disa fjalëve në gjuhën shqipe, italiane,
angleze etj. e një poeti dhe frekuencës së këtyre fjalëve në të folmen e
përditshme të ketyre gjuhëve vë në dukje fushën e interesave të tij: afeksionet
e parapëlqimet ndaj disa ideve, koncepteve, gjëndjeve emocionale, etj.
Vetëm mundësia e krahasimit nxjerr në
pah dallimin sosyrjan në mes fjalës poetike dhe gjuhës së përditshme, mes të
cilave egzistojnë një seri ndermjetësish.
Gjuha, të cilës i drejtohet një poet
në momentin kur shkruan poezinë e tij, nuk është për të një dicka e jashtme,
por një thesar që ai e ka bërë të vetin e që e ka të ndryshëm nga ai i gjithë
të tjerëve. Ky është idiolekti, apo gjuha individuale e poetit.
Kjo gjuhë “përpunohet” gjatë në
laboratorin krijues. Autori, poeti jeton me të në cdo sekondë të ditës, fle me
të, shëtit, edhe kur flet “për edukatë” me të tjerët, mendja e tij është tek
“fjalët e bekuara të poezisë”.
“Çeli vjollca e vogël mbi
gurishte...” më ngjan se ky vargu i parë Rreshpes më ndjek nga pas nëpër kohë.
Më ndjek ashtu si vështrimi nënës ndjek kudo nëpër botë të birin. Dhe i biri e
di që nëse të gjithë do ta tradhëtojnë, do ta braktisin e nuk do ta presin, do
të jetë vetëm ajo – nëna që do ta presë zgjuar me qiririn ndezur e kokën
mbështetur në dritare.
Ja kështu, kjo është fuqia poetike e
këtij vargu, fjalët e të cilit janë qëmtuar me kujdes nga Rreshpja, për tu
ngulitur thellë në tru.
Ky idiolekt ka rimarrë në vetvete
shtresëzime të ndryshme gjuhësore si: gjuhën e përbashkët, gjuhen letrare,
gjuhën teknike e kështu me radhë, duke nxjerrë në pah, në shtresëzime të mëtejshme
gjuhën poetike, për të mbërritur pastaj deri tek mua – lexuesi që e do fort
poezinë.
Poezia e Frederik Rreshpes, është
poezi unikale në llojin e poezisë, që përjetonte në mënyrë moderne thelbin
individual të njeriut larg përditshmërisë të politizuar.
Substanca e jetës së tij, nuk
përcaktohej nga frymëmarrja, as nga veprimet e marrëzishme, as nga normaliteti
i zakonshëm.
Ai ishte njeriu me një aparat
ndjesish të pazakonta, ai dinte të krijonte një poezi te pazakontë. Nga kjo
pikëpamje, ai është shumë herë më i rëndësishëm dhe shumë herë më i
pazëvendësueshëm se të gjithë vdekëtarët e zakonshëm normalë.
Rreshpja ishte poet që gjithë
modelimin e instrumentalizimit të tij poetik e përsosi vetëm në lidhje me
teknikat poetike, duke krijuar një origjinalitet unikal në gjithë letërsinë
shqipe. Ai shkruante poezi njëlloj si poetët evropianë, duke mos pranuar asnjë
kompromis, për t'u dukur i pranueshëm ideologjikisht nga lexuesit.
I vetmi që arriti të krijojë
hapësirën e lirisë së poetit me poezinë dhe të lexuesit me poezinë.
Rreshpja pruri në poezinë shqipe, e
kjo duhet thënë qartazi, ai solli veten e tij – poetin që ruajti të paprekur
genin poetik, të vetëlindurin, të vetëbërin, arketipin e harruar dhe zgjatimin
lirik në kohë të De Radës, Serembes, Lasgushit, Camajt.
Rreshpja ishte Princi i Vogël i kësaj
aradhe të ndritur poetike që me materie të mpakur gatoi ëndrra të pandërlikuara
edhe kur realiteti ishte kundër tij.
Gjuha poetike e Frederik Rreshpjes,
ka qenë besnike dhe konseguente vetëm në atë substancë që quhet poezi e
kulluar.
Sa kam dëshirë të citoj këtu
studiuesin e poetin Sadik Bejko kur lajmëronte se :
“Poezia e Rreshpes është luks. Ky
luks sikur nuk i shkon për shtat maleve tona e kapardisjes ballkanike”.
Frederik Rreshpjes ishte fin dhe i
tjetërkohtë në poezinë e tij sureale. Sureale me një përmasë të ftohtësisë
klasike. Sikur të shkruante me fijëza dhe pejza bryme të ftohtë mbi një xham
dimëror. Xhami pas të cilit ai ishte strukur për të parë malet ballkanike, me
mëritë, marritë dhe ligështitë përsëri ballkanike. Ja kështu e mendon Sadik
Bejko poetin Rreshpja.
Duke qenë një model unikal, i
papranueshëm për realitetin politik të para viteve '90, Rreshpja ka ndikuar
maksimalisht në një brez poetësh, që do të krijonin stilin e tyre pas '90-ës,
duke iu referuar shpesh një tradite të tërë poetike, sidomos poetët e rinj nga
Shkodra, për të cilët Frederik Rreshpja ka qenë një emancipues i poetikës.
Pas '90 –ës botimi i librave të
Rreshpjes, është bërë si përzgjedhje në dy vëllime të mëdha dhe ne e kemi të plotë
të gjithë poezinë e tij, e cila si kurrë ndonjëherë, s'ka pësuar firo e s'është
kushtëzuar nga kontekstet socio-politike.
Gjuha e poezisë së Rreshpes në këto
dy vëllime vihet re qartësisht se ndryshon dhe është e tjetërkohtë në raport me
kohëtarët e tij. Diferenca midis gjuhsës poetike të Rreshpes dhe kohëtarëve
është një fushë e gjerë ende e pastudiurar ashtu si meriton.
Në poezinë e Rreshpes nuk na
intereson vetëm koherenca strukturale e kompozimit në rrafshin
fonologjik, morfologjik e sintaksor, por edhe mundësia e krahasimit të tyre me
gjuhën e kohes së autorit.
Si është
e ndërtuar poezia e Rreshpes ?
Nëse e studiojmë
në thellësi poezinë e Rreshpes, por dhe poezinë e sipërcituar : “Për një
vjollcë ... ” e dallojmë qartësisht në raport nga të tjerët ndërtimin e poezisë
Rreshpiane.
Unë konsideroj
se poezia e tij është ngritur mbi struktura të përkora e të holla në
qendrueshmërinë e tyre, si filigrana poetike, një poezi e shkurtër e
shumëkuptimtë.
E përkorë në
dukje, e avullt dhe e argjendtë njëherësh, e ngrirë, e kristaltë, e prekshme sa
gati ta marrësh në pëllëmbën e dorës e ta peshosh si relike të së shkuarës, ja
kështu më ngjan.
Frederik
Rreshpja ishte i një misteri të së heshturës, i misterit që artizanin e bën
artist të pavdekshëm. E bën artin e artizanit të ngrohtë, kur artifaksin e tij
e vëmë në gisht si një unazë, e vëmë në vesh si një vath, e varim në qafë si
një diamant në kolanë. E në këtë marrëdhënie të mishit njerëzor me artin ka
lindur vlera e pavdekësisë.
Ajo që Frederik
Rreshpja kërkonte prej poezisë së tij : - Të bëhej i bukur duke
dhuruar!.
Tek poezia e
Rreshpes lindi qartësia, delikatja, jo demoniakia. as vulgarja. Dykuptimësia e
natyrës dhe simboleve, është kudo.
Në kishën e
fjalës, Frederik Rreshpja është një dritë altari.
Ai nuk pati në
përditshmërinë e tij të nemur ankesa lotmbushura. Ai e dinte sekretin e
plastikës së peisazheve të detit dhe të hënës. Ai e dinte sekretin edhe të
bukurisë së paracaktuar të vdekjes.
Kështu kam
ëndërruar edhe unë dikur...
të bëhem ylber mbi akuafortën e kohës vizatuar egër
po tërë ato që thashë
u tretën në kujtesën e palexueshme të ajrit.
Si të shkruante
për vdekjen që po afrohej në horizont poeti ?
Si t’i jepte
shënjat ?
Si të
paralajmëronte ?
....Ky qe fati
yt prej ylberi
me një kryq shiu te koka...
Lirika për të,
ishte si një fe estetike. Frederik Rreshpja është një nga poetët lirikë më të
mëdhenj të poezisë shqipe të kohërave.
Cila qe
dëshira e tij ?
Të kridhej në
formë, në fantazi. Kjo ishte një tjetër zgjedhje. Kur shkruante ai i mbyllte krejt
portat e reales, si për të shkuar në anën tjetër të gjërave, vetëm atje në
terrenet e tij.
Dhe ishte aq i
trishtuar, melankolik në këtë mjegullnajë të fantastikes.
Ama dinte ta
shpjegonte qartë të errtën e së paarsyeshmes, të imagjinares.
Ishte me të dy këmbët i ngulur brenda
kësaj bote.
Frederik Rreshpja ishte për vdekjen e
reales, më mirë do të thoshim për transmigrimin e reales në imagjinatë.
Tërë jetën ka qenë kështu.
Sa herë marr në duar librin me
poezitë e tij të zgjedhura “Në vetmi”, 2004 sepse ndjej dhe unë të njëjtin
trishtim.
E pamundur, e pamundur, e pamundur të
pranoj se Frederik Rreshpja nuk është më midis nesh.
Koha eshte rrafshuese.
Sa pikëllim, sa mungesë dashurie ka
patur në jetën e këtij poeti!
Si të ta kthejmë
“borxhin” e madh Frederik ?
Por unë
ngushëllohem disi sepse e di që tani Frederik Rreshpja është i qetë.
Pas një jete ku
fati e godiste sistematikisht me shuplaka, tani ai shijon paqen, atë paqe që ai
e mëtonte i etur.
Me siguri, atje
lart, ku fati është prej ylberi, Frederik Rreshpja është rikthyer tek femijëria
e tij, kohë kur mahnitej nga bjeshkët, sepse ai nuk ka nevojë për purgator, as
për hapësira të ndërmjetme, plot gjemba dhe mosmirënjohje.
Rreshpja
shëtit në vise kinse të panjohura, por që i kishte zbuluar shumë kohë më
parë, vise të fantazisë e të vdekjes.
Rreshpja dhe sot
lë gjurmë delikate si ato të kaprojve përrallorë.
Rreshpja
artikulon poezi dhe figura të cilat mund të vërtiten sipas një muzike
pitagorike qiellore në amëshim.
Rreshpja
është i gjithgjendshëm si ajri.
Rreshpjen e bën
të barabartë me etërit e tij letrarë harmonia e rrallë dhe torturuese midis
asaj që jetoi dhe asaj që shkroi, dhe më tepër gjurmës që la të thellë ndër ne.
Rreshpja iku pa
thënë asnjë fjalë për veten e tij.
Është humbje e
madhe për gjithë letërsinë shqipe. Iku një përfaqësues i letërsisë së pandotur
nga asgjë jo letrare.
Kjo, është
humbja më e dhimbshme për një letërsi nacionale.
Është
pikërisht tipologjia e Frederik Rreshpjes faktori më emancipues i letrave
shqipe.
Iku me çantën që
i rrëshqiste shpesh nga supi, me bastunin besnik, me kapelën dhe melankolinë
karakteristike.
“Na gjeti
mëngjesi përsëri në rrugë, moj kapelja ime e vjetër”.
Bashkë me
Frederik Rreshpen, iku, shkoi edhe lloji i poetit që as nuk mund ta shpikim dhe
as nuk mund ta rikrijojmë dot me gjithë vargjet brilante për talljen me botën.
Së paku
hëpërhë, gjersa të mbajmë mend këto radhë: “O ajër i mbrëmjes mbështillmë,
erdhi ora të vdes përsëri. / Kur të mbyllen sytë e mi, nuk do të ketë më det /
Për varkat e lotve."
Nuk di se
kush shkoi ta përcillte atë ditë djalin e artë të lirikës shqipe.
Mbaj mend nga kronikat televizive, se atë mesditë, natyra qau për të, me një shi të shtruar, të butë, përkëdhelës.