| E shtune, 06.10.2012, 08:35 AM |
Gjurmë trashëgimie
të Kullës së Rajtës, në Lurë të Dibrës
(Monografi, kushtuar figurës së njohur të krahinës - Lek Rajta)
Nga Xhelal Marku
Lura, vendi i bukurive të rralla natyrore, i klimës së preferuar dhe i pasurive të shumta turistike, me Parkun Kombëtar dhe me shtatë liqenet e famshëm të saj, ka shpalosur përgjat gjithë kohërave të historisë së vet edhe vlerat e qëndresës atdhetare në vite. Ajo njihet si krahina, që i ka dhënë Kombit mjaft figura të shquara, të njohura e të respektuara, brenda e jashtë kufijëve të saj, madje jo vetëm për Dibrën, por edhe për mbarë Shqipërinë. Figura të tilla kombëtare, si: Dom Nikoll Kaçorri, krahu i djathtë i Ismail Qemalit, pjesëmarrës aktiv në ngjarjen e madhe të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912 dhe nënkryetar i parë i Qeverisë së formuar prej tij; Gjok Doçi, Hero i Popullit, luftëtar dhe komandant i formacioneve të koalicionit antifashist e çlirimtar të vendit, si dhe mjaft figura të tjera, si Tahir Mena, Brahim Gjoçi, Preng Rajta, etj, si figurat më përfaqësuese të këtij vendi, kanë qënë dhe mbeten simbol i Lurës dhe i vlerave të saj historike. Lura shquhet jo vetëm si krahina me tradita të lashta atdhetare, por edhe për kulturën e veçantë të mikpritjes, të besës, të trimërisë e të qëndresës, si dhe të vlerave të pasosura të trashëgimisë kulturore e turistike, që vijnë nga thellësi e shekujve, të ruajtura me aq dashuri e fanatizëm nga të gjitha breznitë e banorëve vendas. Në gjeografinë e fshatrave, që përfshin Lura, Krejë - Lura, e vendosur në hyrje të saj, veç pamjes piktoreske të një fshati të tipit alpin, duket sikur shpreh me tërë bujarinë e vet edhe mikpritjen e lashtë tradicionale të lurasit: “Bujrum! Mirëse erdhët”! Dhe në fakt, për mikun, krejasit e kanë mbajtur gjithmonë derën hapur e sofrën shtruar. Është një histori e njohur kjo në të gjithë Dibrën, por dhe më gjërë. Mysafirët e shumtë, që kanë pasur rastin të kalojnë përmes këtij fshati, apo të bujnë një natë, ruajnë në kujtimet e tyre vlerat e larta të mikpritjes së krejasve. Një derë gjithmonë e hapur për miqtë, ka qënë edhe porta e bukur e skalitur me gurë të gëdhendur e Kullës së famshme të Preng Mark Rajtës, ku ndërtuesit vendas, kanë derdhur mbi të, tërë talentin dhe mjeshtërinë e tyre. Një Kullë e Madhe e Rajtës kjo, me një moshë mbi 130 vjeçare, e njohur për vlerat e saj historike, kulturore e mikpritëse, jo vetëm në Lurë, por në mbarë Dibrën dhe më gjërë. Kullë e madhe jo vetëm për nga përmasat, por edhe për emrin e mirë, që ka fituar ajo në shumë vite, me bujarinë dhe mikpritjen e rrallë të saj. Në këtë kullë lindi edhe biri i shquar i Krejës, i Lurës dhe i krejt Dibrës – Lek Rajta, i cili trashëgoi nga gjyshi i tij Prenga, vlerat më të mira të një burri të zgjuar, të dashur, të respektuar e bujar. Ai bashkë me Llesh Zefin, Ahmet Kaçorrin e Ahmet Përlekën, si burra të njohur e të respektuar të Lurës dhe si shokë të mrekullueshëm që ishin, ia rritën vlerat dhe emrin e mirë Krejë-Lurës dhe krejt krahinës. Ndaj, jeta dhe puna e tyre, ka marrë një vlerësim të lartë, jo vetëm në zonën e Lurës, por dhe në mbarë Dibrën, ku punuan si drejtues për dekada të tëra. Lek Rajta ishte djali më i madh i Zefit dhe i Mrikës, dy prindër shembullorë këta, që rritën dhe edukuan katër djemë: Lekën, Gjergjin, Jakun dhe Franin, të cilët gjithë jetën i karakterizoi një dashuri e ngrohtë dhe e sinqertë vllazërore mes njëri tjetrit. Qysh në fëmijërinë e tij të hershme, tek Leka u vunë re vlerat e një zgjuarësie natyrale, vlerat e një intelekti të lindur, të cilat ai do t`i shfaqte dukshëm vite më vonë, si kuadër në punë të shumta drejtuese përgjat katër dekadave, ku e caktoi rrethi i Dibrës. Fëmijërinë dhe rininë e tij të hershme, Lek Rajta e kaloi pranë familjes, në fshatin e tij të lindjes, në Krejë-Lurë. Këtu, ai mori dhe mësimet e para të jetës, si: bujarinë, mikpritjen, dashurinë dhe respektin për njerëzit, cilësi këto, që pragu i Kullës së Rajtës, i kishte në traditën e vet më të mirë. Leka lindi dhe u rrit në këtë Kullë me emër të madh në krahinë, në kullën e gjyshit të tij, Preng Mark Rajta, që përfaqësonte një nga vatrat më bujare e mikpritëse në vend, e njohur që nga Shkumbini, në Mat, Dibër e deri në Prizren. Në këtë Kullë u strehuan dhe u pritën me bujarinë tradicionale mysafirë të shumtë, që nga më hallexhinjtë e kalimtarët e rastit e deri tek figurat më të njohura kombëtare, si: Bajram Beg Curri, Elez Isufi, Kapidani i Mirditës - Mark Gjomarku, Ndrecë Lufi, Frrok gjetë Kola, etj. Kulla e Rajtës në Krejë-Lurë, kishte kapacitete të larta pritëse e akomodimi, por edhe kapacitete sigurie për miqtë, ndaj ajo vizitohej shpesh prej tyre. Ajo përfaqësonte jo vetëm një nga vatrat më mikpritëse të Dibrës, por dhe një nga vatrat me ekonominë më të stabilizuar në krejt krahinën e Lurës, pasi brenda saj kishte shumë njerëz të ditur e punëtor, të cilët me punën e tyre, me shumë mund e djersë, kishin vënë pasuri në vite. Që nga fillimet e saj, në të gjitha breznitë e kësaj kulle, numrohen rreth 400 frymë, të cilët sot përbëjnë rreth 70 familje të shpërndara në të gjithë Shqipërinë e deri në Amerikën e largët. Ndërtimi i kësaj Kulle të madhe, thotë Frani, vëllai i vogël i Lekës, erdhi si një nevojë e domosdoshme për të përballuar kapacitetet e larta mikpritëse të mysafirëve të shumtë, pasi kjo ishte një objekt i dukshëm e strategjik i zonës, i vendosur në “portën hyrëse” të Lurës, ku vizitorët ishin pothuajse të përhershëm. “...Nuk kishim natë pa miq, shprehet Frani, por dhe ne të zotë e shtëpisë, nuk e konceptonim dot një natë të tillë, pasi pa miq na dukej vendi bosh, një gjë jo e zakonshme, një qetësi që nuk shkonte për ne, pa muhabet e pa mysafirë...”. Kjo ishte një traditë e rrallë dhe e njohur mikpritëse e Kullës së Rajtajve të Krejës. Ndaj, Leka edhe kur banonte në qytetin e Peshkopisë, priti e përcolli me bujarinë e Kullës, plot miq e shokë. Jeta me uniformë në ushtri për rreth pesë vjet, edukoi tek ai edhe korrektesën e jashtëzakonshme në kryerjen e detyrave. Ndaj edhe kur u largua me kërkesën e tij nga detyrat ushtarake, ai vazhdoi të ishte kërkues e korrekt në çdo detyrë, që iu ngarkua. Ishte dashuria e madhe për vendlindjen, ajo që e shtyu Lek Rajtën, drejt largimit nga detyrat e uniformës, për t`u kthyer pranë familjes, në fshatin Krejë-Lurë, ku u aktivizua në punë të ndryshme drejtuese të pushtetit vendor, deri në kryetar lokaliteti të Lurës, detyra të cilat, ai i kreu me përkushtim të lartë e korrektësi shembullore. Nisur nga rezultatet e punës së tij, në vitin 1952, Leka dërgohet në një kurs 9 mujor emergjence të përgatitjes së kuadrove të pushtetit vendor, pranë Këshillit të Ministrave në Tiranë. Pasi përfundoi me sukses këtë kurs, ai emërohet specialist në Seksionin e Tregtisë në Komitetin Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit Dibër. Dhe që nga ajo kohë, për rreth gjysëm shekulli, Leka do të ishte banor i qytetit të Peshkopisë, ku banoi fillimisht në një shtëpi pranë bulevardit kryesor të qytetit dhe më vonë në një shtëpi tjetër, në po të njëjtën lagje, mes miqësh e shokësh, që e respektonin shumë. Në vitin 1956, Lek Rajta emërohet kryetar Lokaliteti në Sllovë, që përfshinte një territor të gjërë, që nga Shumbati e deri në Kala të Dodës, gjithsej mbi 30 fshatra. Duke kombinuar vlerat më të mira të traditës familjare të Kullës nga e kishte prejardhjen me ligjshmërinë e kohës, ai ndërtoi marrëdhënie të ngrohëta njerëzore me të gjithë banorët e këtij lokaliteti, duke mbetur kështu një mik e dashamirës i përhershëm i tyre. Pas Sllovës, Lek Rajta emërohet në një tjetër detyrë në qytetin e Peshkopisë, bëhet kryetar i Kooperativave të Artizanatit të qytetit, ku puna me njerëzit e rriti më tej personalitetin e tij zyrtar e human, duke e bërë atë një figurë të njohur e të respektuar në mbarë Dibrën. Është ky fakt, që më vonë, Lekën e ngarkojnë me shumë detyra të ndryshme drejtuese në rreth, madje edhe në sektorë të vështirë, ku puna nuk ecte. Krahas punës drejtuese, për asnjë çast, Lek Rajta nuk i ndërpreu përpjekjet për arsimimin e tij, deri sa përfundoi pashkëputje nga puna arsimin e mesëm të përgjithshëm. Për 13 vjet me radhë, Leka ka kryer detyrën e kryetarit të Lokalitetit të Qendrës, që përfshinte qytetin e Peshkopisë bashkë me 20 fshatra për rreth tij. Për nevoja të ngutshme ai u emrua edhe kryetar Lokaliteti në zonën Muhurr - Luzni, drejtor i Degës së Farnave të rrethit, drejtor i Parkut Automobilistik të Mallrave të rrethit, drejtor i Minierës së Mermerit “Guri i Kuq” në Muhurr, etj. Dhe kudo, që punoi, ai e rriti figurën dhe autoritetin e tij publik, duke merituar kështu simpatinë, besimin dhe respektin e mbarë Dibrës. Megjithse puna e shkëputi Lekë Rajtën nga vendlindja e tij Krejë-Lura, ai lidhjet me Lurën nuk i ndërpreu asnjëherë. Mes punëve të shumta, do të gjente gjithnjë një kohë për ta vizituar fshatin e tij të lindjes, për t`u shmallur me njerëzit dhe vendin. Kështu, në të mirë e në të keqe, Leka gjithmonë pranë tyre ishte, duke gëzuar bashkë me ta, apo për t`i ngushëlluar e dhënë forcë atyre, në rast fatkeqësish. Kështu, gjatë gjithë jetës së tij, Lek Rajta krijoi vetëm miq e shokë, kudo që punoi e jetoi. Dhe të gjitha këto cilësi, ai diti t`ia ushqejë e t`ia përcjellë me shumë dashuri e përkujdesje edhe djalit të tij të vetëm – Bardhokut, i cili ashtu si babai i tij Leka, mbart tek vetja cilësitë më të larta intelektuale e humane, si specialist e drejtues me përvojë në sektorin e energjitikes. Mbi 60 projekte hidrocentralesh të realizuara prej tij, madje dhe në një kohë të shkurtër, janë pasqyrë e gjallë e veprimtarisë së tij shkencore e krijuese, si specialist i spikatur, studjues e projektues i mirënjohur në fushën e energjitikës. Jeta relativisht e gjatë e Lekës, rreth 90 vjeç, i solli atij shumë gëzime e çaste të lumtura, duke u bërë gjysh e stërgjysh, fillimisht me dy nipa dhe një mbesë dhe më pas kjo e fundit, e gëzoi pa masë edhe me stërnipin - Mateon, që solli në jetë ajo. Lek Rajta ishte njeri i ndjeshëm, që përjetonte me plot gëzim dhe emocion çdo zhvillim e çdo progres të jetës brenda e jashtë familjes së tij. Sigurisht një ngjarje e gëzueshme për të, ka qënë edhe përurimi i Rrugës së Kombit, të cilën pati fatin ta vizitojë ndër të parët, ku shprehu dhe kënaqësinë e tij të shpirtit, emocionet e mëdha, që ndjeu për këtë vepër madhështore dhe në veçanti për Tunelin e famshëm të Kalimashit. “...Një kryevepër të përmasave botërore, një dhuratë të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe për Kombin Shqiptar...”, do ta quante ai këtë rrugë të re e moderne të vendit tonë. Por, në vazhdimësinë e jetës, Leka përjetoi edhe shumë fatkeqësi të rënda në familje, si, humbja e parakohshme e dy vëllezërve të tij – Gjergjit dhe Jakut, humbja e nipit Sokoli, humbja e babait Zefi, si dhe humbja e bashkëshortes së tij – Marta. Megjithëse i pikëlluar thellë në shpirt, ai me karakterin e tij të fortë, do të gjente kurdoherë forcë e kurajo tek vehtja, për ta përballuar dhimbjen, por dhe për t`jua lehtësuar atë të tjerëve. Ky ishte Lek Rajta, një kuadër dhe autoritet drejtues për 42 vjet me radhë në rrethin e Dibrës. Një emër i njohur dhe i respektuar i Lurës dhe i krejt Dibrës, i cili më 30 korrik të vitit 2011 ndahet nga jeta, duke lënë në pikëllim të thellë, djalin e tij – Bardhokun me fëmijtë: Juliani, Elektra e Jetmiri, si dhe nusen e Bardhokut - Fitneten, që e deshën aq shumë. Ceremonia e përcjelljes së Lekës për në banesën e tij të fundit, u shoqërua me një pjesëmarrje shumë të gjërë, nga miq e shokë të shumtë të ardhur nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Nuk kaluan veçse shtatë muaj nga kjo ngjarje e dhimbshme dhe përsëri mbi familjen e nderuar të Kullës së Rajtajve, bie një tjetër dhimbje, ndërroi jetë në moshë të parakohshme edhe nipi i Lek Rajtës – Nini, të cilin e kishte rritur vetë. Por, pas këtyre ngjarjeve të dhimbshme, fatmirësisht trungu familjar i Lekës, përtërihet edhe me një tjetër trashëgimtar, me nipin tjetër të Bardhokut – Andrean. Kjo është vazhdimësia e jetës, ku brezat zëvendësojnë njëri – tjetrin, ikin figura dhe të tjera figura vijnë në jetë, të cilët rriten e burrërohen në këto vatra historike familjare të Rajtajve, që oxhakët e kullave të tyre të tymojnë papushim, duke pritur e përcjellur me bujari sipas traditës së tyre, në përjetësinë e viteve. Kjo ishte dhe ëndërra e Lek Rajtës – vazhdimësia e jetës dhe e brezave të Kullës së Madhe të Rajtajve të Lurës. Dhe këtë ëndërr, ai e pa dhe e shijoi sa ishte gjallë. Ky ishte dhe misioni i tij përgjat gjithë jetës së tij afro 90 vjeçare, mision të cilin ai e përmbushi me sukses të plotë.