| E merkure, 03.10.2012, 07:44 PM |
Një libër
për kuptimin e jetës
Nga Ndue Ukaj
Në kuadër
të librave të shumtë që shkruhen për çështje të ndryshme, librat e momoaristikës,
zgjojnë një interesim të veçantë për lexuesin, sepse vijnë si përvoja personale
dhe reflektime thellësisht personale. Këto kategori të librave, duke qenë përjetime
personale, shpeshherë bëhen referenca për njerëz dhe momente të ndryshme njerëzore.
Në këtë aspekt, libri i Marjan Sebajt-Sopit, “Jeta ka kuptim”, (botim i Dritës,
2012), me refleksionet e shumta që ngërthen, me përvojën personale që transmeton,
më forcën e besimit që ka në vetvete, mund të bëhet një libër udhërrëfyes për çdo
njeri, e veçmas për ata që gjenden nëpër ngushticat e jetës dhe kur ju duket se
çdo gjë ka perënduar .
Libri “Jeta
ka kuptim”, siç e thamë, i përket zhanrit të memoaristikës. Autori, këtë libër
nga fillimi deri në fund, e shkruan si rrëfim personal, një rrëfim thellësisht
i jetuar, që të trondit me dramën që ngërthen në vete. Autori rrëfen për jetën
e tij besnikërisht dhe këtë e bën, sikur komunikon me lexuesin vazhdimisht,
sikur i rrëfehet atij drejtpërdrejtë. Ai rrëfen për sfidat e tij, dhembjet e
tij, mirëpo edhe për kënaqësitë që ja ofron jeta, edhe kur dukej se jeta atë e
kishte vu para kryqit dhe më nuk kishte kuptim.
Libri “Jeta
ka kuptim”, i Marjanit, përveç titullit sugjestionues, është një libër, që bën
thirrje, që apelon, që sugjeron, që këshillon, që jep shembull praktikë dhe
domethënës, sesi edhe nëpër sfida, kur qielli errësohet dhe kur duket se krejtësisht
kuptimi i jetës ka humbur, duhet gjetur forcat e arsyes, që të gjendet kuptimi
i jetës. Marjan Sebaj-Sopi, me kulturë dhe besim, me bindje dhe vendosmëri, e
sforcon vetveten, në krajatat e mëdha, nëpër të cilat kalon.
Autori bën
një rrëfim personal, që e trand lexuesin, sepse aty tregohet një jetë e njomë,
e një të riu me përplot ëndrra dhe vizione, e një djaloshi që ishte në moshën më
të mirë, në studime dhe që kishte pasione të ndryshme, nga sporti, leximi,
puna, deri tek studimet. Papritur, sikur kur godet rrufeja, para tij shfaqet një
humnerë. E gjitha ndodh nga një aksident i rënd komunikacioni, që ia rrënon ëndrrat
një të riu, pasionet e tij, kërkesat e tij dhe e hedh nëpër dhoma të bardha të spitaleve
të ndryshme, i shoqëruar nga mantelbardhw dhe njerëz familjarë që presin lajme
për shëndetin e tij. Dhe ky i ri, që ndërton botën e tij nëpër hemisferat e
projeksioneve rinore, papritur ndodhet në shtrat, i lënduar keq dhe në pamundësi
që të ngritët në këmbët e veta. Çfarë mund të bëj në këso rrethanash njeriu?
Autori, i jep përgjigje kësaj pyetje. Ai e kupton se nuk është lehtë, as për të
dhe as për lexuesin.
Një sportist
i pasionuar, që sapo përfundon një ndeshje futbolli dhe niset ta ndjek ëndrrën
e tij, të udhëtimi, të shëtitjes dhe punës studentore, ndodhet në pragun e
vdekjes. Shpëton, fal mrekullisë, por mbetet më pasoja. Në këtë gjendje, autori
e trondit lexuesin me imazhet që sjell nga jeta e tij dhe gjendja e rënd shëndetësore,
nga përpjekjet e tij për të sfiduar, edhe ato situata që realisht për njerëz
janë të vështira dhe në dukje të pa sfidueshme.
Ai nuk
dorëzohet. Përkundrazi, ai beson. Është stoik në qëndrimet e tij, madje edhe
kur i komunikohet lami i hidhur se ai nuk do të ngritët në këmbët e tij, por do
të ec me karrocë. Ai ka një qëllim, lartësimin shpirtëror dhe ketë e gjen tek
forca e Krishtit, tek kryqi, që për të krishterët nuk është simbol i vuajtjeve,
i dhembjeve, i vdekjes, por i shpëtimit, i jetës dhe i gëzimit. Kështu, kryqi që
i vihet atij, fillon të transformohet, nga simboli i vuajtjeve, në simbol të shpëtimit,
sepse në këtë mënyrë, autori në rrethana të reja, do ta ndjek ëndrrën e tij,
duke shkruar, duke qenë aktivist i palodhshëm dhe zë i përhershëm në çështje të
ndryshme kulturolgjike dhe ato kombëtare.
Ai
sfilitet, nëpër dilema të shumta, nëpër pikëpyetje të shumta, nëpër sfida të njëpasnjëshme
dhe kalitet në dhembej, vuajte, humbje dhe shpresa të rrënuara. Në rrugën e
tij, Marjan Sebajn –Sopin, e bën të fort besimi, forca e Ungjillit, me të cilin,
siç del nga libri, ai është i mishëruar.
Ky libër,
në këtë mënyrë, me përvojën që bart, me filozofinë që përçon, me misionin që ka,
është një kontribut i mirë, dhe një libër i dobishëm që i shtohet zhanrit të memoaristikës
në kulturën e shkrimit shqip.