| E diele, 30.09.2012, 09:06 AM |
IBRAHIM AGIMGOSTIVARI
Qe një ëndërr që më solli tek ti. Në ëndërr kështu ndodh, asaj kam qejf t`i besoj. Shkrimet për burgjet, për plagët, zakonisht s`i pëlqej .Por jeta s`i për inat kah burgu më shtyri. Poetët jo rralë janë akuzuar për tema të burgut dhe plagëve, sepse, temat e tilla po e dëmtuakan letërsinë. Mendimi im në këtë temë është i kundërt. Ata që ngrisin burgje e vrasin njerëz , ata e lëndojnë letërsinë e jo poetët që i këndojnë lirisë. Burgu pra, nuk e do të vërtetën, as temat rreth saj. Shqipëria e kohës së poetit ishte një burg , ku të burgosurit ishin shumë të dhunuar. Poetin Ibrahim Agimgostivarin e njoha në Dortmunt, në një moshë të shtyrë. Libri poetik”Në treje të muzgut” i botuar në Tiranë nga shtëpia botuese, „ Dardania “, është edhe një sukses i poetit . Libri „ Në tretje të muzgut“ është një libër i veçantë e me vlera të mirëfillta, që buron nga zemra dhe terratisjet e jetës. Çdo gjë që e them, më djeg , më dhemb, thotë poeti; çështë kjo liri në gjuhë të huaj , që s´i lot në dritare më godet, më fyn, më dërmon . Emrin burg , emrin qeli, asgjëkundi s`dua ta dëgjoj. Sepse, vetë e kam përjetuar burgun dhe atë jetë të rëndë. Vrasjet dhe krimin, shprehet poeti i fshikulloj, se të vrarë kam birin tim. Në këtë jetë trazimesh e keqja më shumë po vika nga jeta se nga vdekja. Në Shqipëri në gjithë jetën time, tepri e patëm shtypjen dhe dënimet, ato na e sterrosën jetën. Diktatura e Enverit ishte përtej çdo realiteti. Nën qeverisjen e tij çdo gjë ishte e dobët, parullë dhe, sterile. Pyeteni tokën, rrugët, shtëpitë tona të varfëra, aty mund të lexoni vuajtjet tona, imazhin e përdhunuar të njeriut. Në regjistrat e asaj kohe, kudo janë eshtrat tanë, gjaku ynë, të rënët me emra të rrëzuar. Ky stacion s`mbaron këtu, Shqipëria është adresa ime, gjaku im i padukshëm, shkruan poeti, Ibrahim Agimgostivari. Libri i Ibrahimit, „Në tretje të muzgut“, po edhe libra të tjerë të këtij autori, shprehin vlerën e mirëfilltë artistike. Ibrahim Agimgostivari , i dënuar i Enver Hoxhës, përjetoi ferrin e diktaturës së tij. Poezia e Ibrahim Agimgostivarit, me një stil krejt origjinal, krejt të veçantë, është një dëshmi e kohës së tij. Shpirt, ende pa u tharë lotët e pritjes , . . ti ike.. e në çastin e mbërritjes , m´u desh mua të iki. Këto dhe vargje të tjera tregojnë se fjala flet s´i syri , si zemra , ndryshe, do ishte fjalë koti. Shpirt, pse të heshtim,.. ata do na vrasin,.. ata kanë shumë errësirë brenda. , lexoj në një poezi të tij. Jeta e poetit, Ibrahim Agimgostivarit është një roman me shumë beteja. Ibrahim Agimgostivari u lind në Tiranë më 1934. Shumë vite punoi mësues në fshatrat e Kukësit. Që në moshë të re interesimet e tij për poezi , ishin të veçanta. I dashuruar pas teatrit, ai shkroi dramën „ Pas shpine “ që u censurua nga regjimi komunist dhe u bë shkak për të kaluar vite të tëra të burgut. Ibrahimi ishte dënuar me pesë vjet burg, ndërsa vëzhgimet e sigurimit do vazhdonin deri në përmbysjen e atij regjimi. Ibrahim Agimgostivarin deri më tash ka botuar katër libra; “Mall”, 2. “Në tretje të muzgut”, “Intervistat e mia dhe dy drama”, dhe së fundi “Fjala flet s´i zemra” . Më 1990, Ibrahim Agimgostivari bashkë me familjen e tij dhe mijëra të tjerë, shqiptar rebelohet, dhe me trimat e ambasadave, në korrik të vitit 1990 , kryengritet për ta shembur pushtetin e Ramiz Alisë. Ai regjim i shtypjes dhe i burgut që vrau Shqipërinë për disa dekada, ishte Enver Hoxha, dhe shpura e tij e pushkatarëve. Që nga viti 1990, poeti, Ibrahim Agimgostivari jeton dhe krijon në Dortmund të Gejrmanisë. shëndet poetit, Ibrahim Agimgostivarit!
Rrustem Geci – Dortmund
Ibrahim Agimgostivari – cikël poezish nga libri “Fjala flet si zemra”
Z o g u
Ishte gjetje e kohës
Që më n d a u nga ti
Nga ajo betejë e imja
Nga ajo luftë me ty
Vështrim
Sa herë vjen korriku
Më kujtohet e kaluara
kohën që ma mori burgu
dhe xhelatët e atij burgu
Kujtime
Shpirt, me çaste të kujtoj
Unë nuk njoh kohë tjetër
zemra nuk po harroka
as në këtë moshë shtyrë
Mbetje vajesh
Unë tani jam në kërkim
Si zogu që kërkon çerdhe
Nëse t´i do të pajtoheshe
unë s´ndahem prej teje
1.
Fjalët si ura mendimesh
Me ty mua më afrojnë
Ato më shpjejnë tek ti
Dhe ty të shpjejnë tek unë
2.
Ëndërr qenka jeta
Në flakët e së cilës
hyjnueshëm digjemi
duke lënë pas vetes
dhimbje dhe shpresë
3.
Në frymën me poezi
fjalët flasin si zemra
fjalët flasin si shpirti
fjalët flasin si jeta
4.
Shqipja jonë e bukur
Shqipja jonë e mirë
ëmbël unë e ndejë
edhe këtej n´egzil!..
5.
Për këtë jetë kam ca pyetje
Por askush s´më përgjigjet
Këtë jetë kështu e harxhova
E dhimbja kurrë s´mu nda
Drithërimë
Sot isha i trazuar
shëtita deri në lodhje
deri në raskapitje
për ta mbytur mërzinë
dhe mallin për
Shqipërinë
Kujtime
Kam rendur pas teje
Që të takoj njëherë
Por fati nuk deshi
Na ndau përgjithnjë
M a l l
Në vëndet ku mërguam
Kudo na quajnë të h u a j
Fjala shqip këtej s´kuptohet
Në të gjitha zyrat
Ajo duhet të përkthehet
Çaste intime
Sa herë unë i sodis yjet
shpesh me ty i ngatërroj
me duart tuaja të buta
me buzët tuaja të vala
I arratisuri
Ika nga vuajtjet e mia
pa e ditur se ku po shkoj
mërgimin nuk e njihja
as gjuhën nuk ia mësova
Dallgë
O e bukura Shqipëri
çdo gjë që shkruaj për ty
del nga prushi i zemrës
dhe nga malli i shpirtit
motivet e mia me Shqipëri
kudo më bëjnë dritë
kudo më japin jetë
Intime
Sa herë mbetem vetëm
fjalë zemre m´afrohen
plagën nuk e flaki dot
dhimbja mbetet brenda
Aktakuza
Në të gjitha ato hetuesi
Hetuesit kërkonin emra
Unë ua tregoja gjakun
dhe vrajat nëpër trup
Mesazh
Shpirt, mos qaj për mua
Edhe në vdekshim një ditë
Këto vargje do t´ua lëmë
Në vend të amanetit tonë
Monolog
Sa herë kam pyetur veten
çfarë mund të fali sot
fjala më zihej në grykë
s´ kam plumb për vëllain
KOHA IME
Koha ime kishte
Formën e një molle
Njëra ëndërr, dhe
Tjetra dhimbje
Po ta ndash në dy pjesë
Do e shohësh gjëmën
Të ngjashme me të
Pangjashmen!..
SHQIPËRI
Shqipëri, të fala prej
meje. Shpirti im, zemra ime
çdo çast jam brenda teje
në damarët me ujë e me
tokë, jam në këngët tua
dhe të përqafojë shumë!..
VJESHTA
Vjeshta vjeshtoi dhe këtë herë
E përrojet derdhen nëpër det
Eklipset vazhdojnë punën e tyre
E unë me mallin përballem
Jam larg nga atdheu im, hartën
E Shqipërisë e kam në kraharor
Një zjarr në shpirt më djeg, kam
etje për lumejtë e atdheut tim
Malli për atdheun më gërryen
Përplasem me jetën si me një
Kafshë, Të fituar s´jemi asnjëri
As unë dhe as vetvetja ime
Tim birit
O i bukuri im, o i miri im
Ty të vranë aksidentalisht
Por plaga më mbeti mua
( Nga ajo gjysmë luftë )
Që e përgjaku Shqipërinë
Klinikat e botës
Plot janë klinikat e botës, po
plagët e mia nuk m´i shërojnë
dot, jam i plagosur prej vitesh
plaga ime është, një kalvar!..