| E enjte, 27.09.2012, 07:19 PM |
LIRIKA VJESHTE ME HËNË
(Poezi nga poeti Nebi Dregoti)
Nga Xhevahir Cirongu
Në një kafene të qytetit bregdetar të qytetit Durrës takova poetin Nebi Dragoti.Me këtë poet,unë jam ‘’prezantuar’’ qysh herët,jo fizikisht,por me botimet e tija që botoheshin nëpër faqet letrare në gazeta e revistat e kohës.Rreth vitit 1978,nga ky autor kam lexuar vargun poetik në revistën ‘’Nëntori’’,por edhe fejtone në revistën ‘’Hosteni’’ etj. Mirëpo,lëvizjet demografike në këto vitet e fundit nga një zonë në tjetrën,nga fshati në qytet,si dhe nga një shtet në tjetrin;ka mundësuar njohje e takime të reja,midis të tjerash edhe në takime mes poetësh, shkrimtarë, historianë, këngëtarë, piktorë e skluptorë, gazetarë e politikanë…! Por, ne do fokusohemi këtë radhë për takimin me poetin Nebi Dragoti. Gjatë bisedës atje në kafene,ai më ‘’dhuroi’’ disa nga krijimet e tija të kohëve të fundit.I lexova me vëmendje,e aty gjeta nektarin e vargut poetik. Kam shkruar edhe më parë rreth krijmtarisë së tij ku vargu kishte hapsirë qiellore,por gatuar me baltën e vendlindjes,me cicërimën e zogjve atje në dushkajë të Dumresë nga ku është edhe vendlindja e poetit. Ai është i paktë në fjalë kur shkruan vargun,dhe ‘’sulmon’’për të kapur hapsira të reja në krijmtari.Kështuqë,këtë radhë na paraqitet me një varg interesant duke ndërthurur lirikat e vargut me stinën e vjeshtës,me hënën e rrezet e saj të mjaltë si ar,plisat e dheut e vlagun e tij nga ku del vlagu poetik.Në poezinë me titull‘’Fushë’’,ai e shprehë qartë me vargun’’ …Si të mos jem për ty poet/ Vdeksha duke kënduar këngë!’’. Autori Nebi Dragoti ka në proces përfundimtar vëllimin poetik të titulluar’’Lirika vjeshte me hënë’’. Ne shkëputëm disa nga këto lirika vjeshte dhe po i botojmë,që nesër lexuesi të ketë në bibliotekë edhe një tufë me poezi nga ky autor.
KAVAKËT NË VJESHTË
Kavakë nëpër shtëpia shpërndarë,
çerdhe me zëra zogjësh nëpër kavakë
thurur e pudrosur vjeshtës me ar;
secili kaliqaf hënën netëve e mban,
gjithçka larë e shpëlarë në ar…
Mbani rrushin,dyllë të verdhë,si mjaltë
e shpejt në kosha na e zbrisni që lart.
Nuse prisni e përcillni në tjetër prag,
qilim gjethesh qëndisur u shtroni dasmorëve
e qëndroni,grindeni a qeshni me erën përnatë!
FUSHË
Fushë,të prek pak me gishta,
fushë,të gudulis me gishta pak,
fushë,të vë kokën mbi plisa,
prej teje jetë, shëndet marrë.
Të prek pak me gishta, fushë;
unë lopët larushe i ndjell,
larushët viça në ballë i puth
dhe qumësht të ëmbël mjel…
Fushë shqiptare,me diell,
hapsirë mbrëmësore me hënë,
si mos të jem për ty poet?!
Vdeksha duke të kënduar këngë!
***
Hëna përmbi ne se ç’tjerr mëndafsh,
nuk ke parë mbrëmje të tilla si kjo?
Ledhatomë me shpirt,o moj,më qafsh,
tjetër s’kam,s’kërkoj tjetër unë,jo!
Si e huaj mos m’u bëj,se jeta
s’na është varur si gur në qafë;
durrësake,kur kokën të mbështeta,
nuk mbaj mend qe prill a qe maj.
Tek thoshnim ne fjalë të pathëna,
veç puthjet ishin përsëritje,e di,
lart si kurorë lulegjineshtre hëna
na bëri dhëndërr e nuse në rini…
Si qënka jeta,oj,si qënka kështu,
hëna prapë tjerr e tjerr mëndafsh;
s’jam kokëkrisur,s’bëj jetë kuturu,
unë i tëri i yti jam,moj më qafsh!
HËNË DUMRJE
Pjepër i verdhë
qarrës,
ketrushkë dashurie,
hënë e ëmbël tetori,
rrokullisesh luginave,sukave;
oborreve,dritareve kacavirresh
pudrosur në brilante.
Më bëhesh
këmborë e madhe e argjendtë
tingujsh të argjendtë nëpër Dumre!
Varesh në qafën e lirikave të mia,
ti,nudo,
mis mbi mis bote,
nudo dhe mendimet e poetit.
Hajt,
net mjalti
derdhim sonte!
DUMRERAKET
Qiell i mëndafshtë dumrerak,
të ajthme dumrerake përralle
shkojnë gjitrëndafile,flokë gufuar
të dielave liqeneve për t’u larë
nën qiell të mëndafshtë dumrerak,
bukuroshe dumrerake përralle…
LEJLEKËT
Anije të bardha me vela
në detin e kaltër të qiellit,
ju,shtergë,
shtegtarë luledelesh vjeshte.
Veshur me rrezet e diellit,
a dielli praruar kështu
nga bardhësi lejlekësh?!
MADHËSHTI
Kthjelltësinë,
thellësinë
vetëm një det ta di…
Vetëm një det ta di
madhështinë e shpirtit,
thjeshtësinë…
Ngjasojnë
me njëri-tjetrin:
poeti me detin,
deti me poetin…