| E hene, 24.09.2012, 08:05 PM |
Kujtesa të
ruhet për “Ditën e madhe” 100 vjetorin e gjysmështetit
Nga Safet Hyseni
Viti 1912
kur lindi shteti i pavarur shqiptar. Ishte viti kur qeveria serbomadhe duke përfituar
nga situata realizonte planin strategjik për arritjen Serbisë së Madhe. Qeveria
serbe për realizimin e ëndrrës së saj duhej patjetër që të gllabëronte tokat
shqiptare. Në këtë planë përveç policisë dhe “Narodna Odbranës” kishte organizuar edhe
bandat kriminele të kolonëve si “Dora e Zezë”.
Realizimin e Serbisë së Car Dushanit ata e shikonin në shfarosjen e
popullit shqiptar, asimilimin e në veçanti asgjësimi fizik të tyre. Shqiptarët
nga ana e Serbisë ishin shpallur si popull i egër dhe ndaj tyre duhet të përdoren
të gjitha metodat më çnjerëzore, më shtazarake për zhdukjen e tërësishme fizike.
Urdhri suprem i Qeverisë serbe ishte: “Me
pushkë e me top duhet mësuar ai popull i egër për të jetuar në një shtet modern”. Opinioni i përgjithshëm si ai evropian dhe
botëror ishte njohur me shumicën e ngjarjeve që ndodhnin në Ballkanin e trazuar
por i kishte mbyllë sytë përpara gjenocidit që përjetonte populli shqiptar.
Gjenocidi
si platformë dhe si praktikë përbënte një sistem që s’i dihej fundi. Siç shihej
asaj kohe, vihej në zbatim urdhri suprem, tani më i paralajmëruar se ndaj këtij
populli duhet të përdoren dhe janë të lejuara të gjitha metodat më të egra të zhdukjes
fizike.
Shqiptarët
e rrethit të Kërçovës, kryesisht ato të Zajazit më 1913 u orvatën që pakënaqësinë e tyre për okupimin e ri ta
shprehin në mënyra të ndryshme. Kësaj radhe një grup jo i vogël qytetarësh do të
ngrihen në kryengritje dhe do heqin flamurin e Serbisë nga institucionet dhe
vendet publike. Nga Zajazi në kryengritje u kyçën; Dehar Muka, Baki Nelaj,
Sabri Dini, Sali Dini, Ramiz Dini, Shaban Husja etj, ndërsa nga Kollara; Adem
Kurtish Selimi, Braja Selimi dhe Kurtish Selimi.
Për
masakrat që do të pasojnë po në këtë muaj
nuk qëndron arsyeja se kryengritja ka qenë si shkas, por plani i hartuar
nga Qeveria e Serbisë e cila tani më kishte hyrë thellë në tokat shqiptare dhe
bënte krimet e papara në histori. “Çdo
krahinë dhe fshat përshkohej nga gjenocidi, zjarri dhe plaçkitja. Shkaku nuk
kishte rëndësi, ai gjendej, krijohej e kjo s’ishte problem. Edhe vetë kryengritjet
ishin të “mirëpritura” që të merrej shkas për shfarosje”.
Edhe po të
rrije duarkryq krimineli të vinte në shtëpi të merrte, ai kishte të drejtë të vrasë
në fushë, mal, rrugë bile për kokë njeriu merrte edhe shpërblime. Në shumë raste
të shtypit të kohës kemi edhe lëvdime nga ushtarë e ushtarak të ndryshëm që kanë
udhëhequr me ekspeditat ndëshkuese dhe shfarosëse. Në “Albaninës Golgatha” të botuar
në Vjenë në vitin 1913 përmblidhen dhe citohen fakte e shifra që kishin zënë vend
në faqet e shtypit botëror. Gazeta angleze “Daily Cronikle” shkruante; “Serbët
deklarojnë hapur se shqiptarët muhamedan duhet të zhduken, ky ishte mjeti më efikas
për vendosjen e paqes në këtë vend”.
Në vitin 1912
në afërsi të Shkupit 2000 dhe në afërsi të Prizrenit 5000 shqiptarë u masakruan.
Gazeta daneze “Riget” shkruante; “Komanda e forcave serbe në Maqedoni ka marr
karakterin e komandës masakruese ndaj popullsisë shqiptare, ushtria zhvillon një
luftë të neveritshme shfarosëse”, po në të njëjtën gazet më tej shkruan, “fshatrat
shqiptare rrethohen dhe u vihet zjarri, ndërsa popullsia nxirret nga shtëpitë dhe
vritet si minjtë. Për këtë gjueti njerëzish ushtarët serb flasin me mburrje.....dje
u dënuan 36 shqiptarë me vdekje dhe u vranë në vend. Nuk kalon ditë pa pasur
vdekje të tmerrshme të shqiptarëve. Lumi është mbushur me kufoma. Çdo ditë organizohen
ekspedita ndëshkuese në fshatra rreth e rrotull. Dje thekson autori i të dhënave
një oficer serb më ftoj edhe mua të marr pjesë në një ekspeditë të tillë duke mu
mburrur se një ditë më parë si kishte vrarë me duart e tij 9 shqiptarë”. Autori
më tej thekson se “duket se ishte kthyer në traditë hakmarrja ndaj një populli
për qëndresën ndaj pushtuesit dhe kjo hakmarrje shtrihej në masë, në pleq, gra,
fëmijë, e në therje të pa mbrojtur të çdo moshe e seksi. Kështu ngrihej një “stuhi”
shtazore duke përfshirë mbar jetën njerëzore deri dhe me të plagosurit, të sëmurët,
sakatët etj. Thika, arma e zjarrit, pusi, lumi i Vardarit ktheheshin në mjete për
mbytje e asgjësim masiv, ku një masë që i mungonte ndërgjegjja njerëzore
shfaroste masën njerëzore”.
Lajme rrëqethëse
vinë nga të gjitha anët ku shkel këmba e serbit, si nga Prilepi, Manastiri e
Ohri. Serbët tani më ua ka lënë masakrat, vrasjet, djegëjet bandave çetnike të motivuara
me vjedhje e plaçkitje. Këtë kuptim e ka edhe arritja e 400 vetave të bandave çetnike
serbe dhe fakti që të “Të gjitha forcat u nisën dje për në Ohër”. Raportohej se
“Këtu dhe në fshatra ka arrestime të shumta ndër shqiptarë. Në krahinën e
Demirhisarit dhe të Përlepit janë djegur prej serbëve gjashtë fshatra myslimane
(shqiptare S. H.), banorët masakruar...”
Zekiria
Cana në “ Socialdemokracia serbe dhe çështja shqiptare” faqe 191 boton letrën e
një ushtaraku serbe ku ndër të tjera shkruan “Këtu ndodhin gjëra të tmerrshme. Mua
më rrëqethen flokët dhe gjithnjë pyes veten se si është e mundur që njeriu të jetë
kaq barbar. Kjo është e lemerishme! S’guxoj dhe skam kohë të shkruaj më gjerësisht.
Mund të them se Luma nuk ekziston më. Kudo kufoma, hi e pluhur. Ka fshatra më 100-150
shtëpi ku nuk ngeli njeri i gjallë. Askush! I mblidhnin njerëzit grupe-grupe
nga 40-50 veta dhe i masakronin të gjithë me thika. Oficerët i çonin me ushtarë
kopera të tëra bagëtish në Prizren për t’i nxjerr në shitje....”
Urdhri
ishte: “Asnjë të falur, asnjë shpëtim! Në dy katunde të Lumës komanda serbe
mblodhi 83 veta në një vend dhe i vrau të gjithë. Në katundet e tjera i
mblidhnin shqiptarët, i lidhnin me grupe 40 vetash dhe i thernin se kështu
kursehej fisheku. Në të gjithë këto katunde mbytnin njerëz, deri edhe qentë dhe
pulat. Grat dhe fëmijët midis britmave që lëshonin ishin të rrethuar me suvari.
Shtëpitë ndizeshin, gratë hidheshin në zjarr për të shpëtuar fëmijët e tyre. Të
vrarët e të plagosurit i hidhnin në zjarre
për të mos humbur kohë me i varrosur.” (Gazeta “Atdheu” data 30 nëntor 1913.)
“Vrasjet,
varjet, mbytjet në tortura ishin në rend dite. Në këto kushte, shiheshin dy
shqetësime të kundërta, tek shqiptarët, shqetësimi për fatin e kombit e jetës së
tyre; tek shovinistët serbë, shqetësimi për fishekët që harxhoheshin duke vrarë
shqiptarë. Shqetësimi shqiptar mbetej e shtohej, ndërsa shqetësimi serb merrte
zgjidhje me një urdhër të thjeshtë e pa urdhër fare për përdorimin e mjeteve
rrethanore. Oficeri serb Vuksanoviç me lehtësi, por në mënyrë origjinale,
tregonte: “Shqiptarët në fillim i vrisnim me pushkë dhe patllake, por së shpejti
erdhi urdhri se s’kishte leverdi të shpenzohej municioni, prandaj shqiptarët do
të thereshin me thika. Dhe kështu shqiptarët ndaheshin në grupe-grupe prej 40-50
vetash, rreshtoheshin në dy rreshta me fytyra të kthyera nga njëri tjetri dhe
atëherë oficerët ose nënoficerët i thernin shqiptarët një nga një në qafë. Këta
njerëz fatkëqinjë as luanin nga vendi, as bërtisnin, thuajse s’ishin qenie njerëzore....Nuk
mund ta merrje me mend një gjakftohtësi ose qëndrueshmëri të këtillë njerëzore,
të cilët e shikojnë vdekjen me sy të hapur. Është kjo njëra ndër skenat më të llahtarshme
që jetoja gjatë luftërave...Duhet të vdesin disa gjenerata të shqiptarëve që të
harrohet çfarë bënë serbët ndaj tyre.” I cituam të gjithë këto raste për të sjellë
fakte se nuk ka qenë shkas kryengritja e shqiptarëve por vetë projekti i
hartuar serb për të realizuar ëndrrën e tyre.