| E diele, 23.09.2012, 04:36 PM |
Një shpirt i thellë lirik në poezinë e Kristo Çipës
Nga Bardhosh Gaçe
Në vargun
e poetëve të Bregut të Detit, Kristo Çipa përbën një zë të veçantë në ligjërimin
e tij poetik në dekadat e fundit. Vetë Himara, me brigjet e saj detare e
mesdhetare, ka nxjerrë nga gjiri i saj poetë e shkrimtarë të shquar, si: Petro
Marko, Odhise Grillo, Spiro Çomora, Petraq Pali, e gjer te bardët e fuqishëm: Neço
Muka e Lefter Çipa, të cilët, me artin e tyre poetik kanë pasuruar më tej
shpirtin artistik të bregasve. Në këto udhë poetike ka ecur edhe poeti i mirënjohur
Kristo Çipa, i cili, pas vëllimit poetik “Guri i rëndë në vend të vet” dhe përmbledhjes
me tregime e legjenda “Ruzana: mite dhe legjenda të Pilurit”, tashmë paraqitet
përpara lexuesit me vëllimin e ri “Kambana e dashurisë”, në të cilin dëshmon zërin
e tij lirik, si një simfoni në brigjet himariote.
Në tërë krijimtarinë
poetike të Kristo Çipës, si një tablo e gjallë, shfaqet bukuria e rivierës
shqiptare, ngjarje e portrete që lidhen fort me jetën historike të këtyre
brigjeve, ndaj shpesh vargu i tij poetik, i ndikuar edhe nga tradita poetike
popullore, rreh flatrat nëpër qiejt e jetës për t’u përcjellë bashkëkohësve
vizione e mesazhe me një kuptim të thellë meditativ e filozofik. Ashtu siç ringjallen
në baladat dhe këngët popullore Rugjina Balsha, Donika, Gjoleka i Kuçit dhe
Ismail Qemali, me një zë të freskët e tepër origjinal, metafora poetike e
Kristo Çipës, mbi shpatullat e veta i mbart ata si në një botë hyjnore. Këto
portrete ngrihen në vargjet e poetit nëpërmjet mallit të tij për viset
shqiptare, brenga këto që burojnë edhe nga ndjenjat individuale të poetit, të cilat
shpërfaqin dashurinë e thellë për kombin, atdheun dhe etninë.
Një nga
tiparet karakteristike të frymëzimit poetik të Kristo Çipës, është edhe shpirti
i tij i gjerë lirik, i cili shpalos vlera të rralla estetike. Mjaft vargje të muzës
së tij lirike, krahas përjetimeve të thella nga detaje e ngjarje të përjetuara
në realitetin e kohës, ato mbartin edhe motive të botës artistike popullore, ku
ushqehet fuqishëm frymëzimi i poetit. Dhe kjo ka një arsye: poeti, duke qenë edhe
një këngëtar zëëmbël i traditës folklorike të Bregut, i ngre vargjet e tij si
një këngë lirike, që e këndon me vete në udhët e jetës. Ky përkim poetik
ngrihet në arkitekturën e poezisë së tij, me tone e nota, si dhe kolorit të kohëve
moderne që jetojmë.
Lirika e
dashurisë dhe e peizazhit të poetit Kristo Çipa, ashtu si edhe në krijimtarinë e
tij të mëparshme, dëshmon se frymëzimi i tij është i natyrshëm me imazhe e
figuracion funksional, me gjuhë e ligjërim poetik, që të fut në mendime e përjetime.
Duke kundruar poezitë: “Ku t’i shpie sytë e mi”, “Mollët janë pjekur”, “O
shpirtbuta kadife”, “Si Rozafa në legjendë”, “Rinë e Bregut - behar moti”, “As
më vrave, as më fale”, “Nga hëna do marrim hua” etj., përgjithësimet dhe
meditimet të çojnë në lëndinat dhe gurrat e dashurisë bregase, ku janë rimarrë detaje
e motive, të cilat përcillen me një konceptim të ri poetik dhe me një botë artistike
moderne.
Dashuria
për poetin e Bregdetit, nis që aty, te vatra familjare, te miqtë dhe shokët,
bashkudhëtarë të kohës, te peizazhet e mrekullueshme të kësaj krahine, me
gjiret e detit dhe kaltërsinë e maleve, ku ndjeshmëritë përzihen mes të zakonshmes
dhe universales, dhe pastaj, në këtë mjedis nxjerr krye vasha bregdetase me
hiret e magjepsjen e saj.
Në tërësi,
poezia e Kristo Çipës është një këngë e re, me një botë të thellë poetike, e
cila shpalos në sytë e lexuesve botëpërjetime e ndijime të ngrohta, shpërthyese,
me personifikime e figuracion të pasur, ku derdhet lirizmi poetik me bukurinë e
gjuhës dhe shpirtit të dlirë.