| E diele, 23.09.2012, 05:29 PM |
Kristaq
Turtulli
Një ditë korriku në Muskoka
1
Rruga dytësore
'Fishkëllima e shigjetës' dredhon hareshëm nëpërmjet një pylli të dendur me pemë
të larta që të nxjerr në skajin e majtë të liqenit Muskoka. Përnjëmend të bëhet
sikur udhëton në një tunel të gjelbëruar
dhe mahnitesh me shkëlqimin dhe transparencën e ngjyrave. Rezet fosforeshente të
diellit mëngjesor thyhen nëpër degë dhe gjethe, lodrojnë të shpenguara dhe
krijuar hieroglifë të lashta sa vete bota. Xhamat e makinës janë të hapura, ëmbëlsisht
të përkëdhel fytyrën, trupin, ajri i freskët mëngjesor dhe era e lagësht e ujit.
Nga radioja dëgjohet muzikë e ëmbël qyteti. Në dy anët e rrugës shfaqen dhe
lihen pas rrugina të ngushta si të fshehura, të cilat dredhojnë nëpër pyll dhe
të çojnë në shtëpitë e drunjta të rrethuara me jeshillëk, me plot freski dhe
dritë.
Tutje, në
fund të labirintit gjelbëror dallohet kaltërsia ujore e liqenit, si një unazë qiellore
e flladitur prej gjetheve dhe degëve. Zemra rrahën me vrull dhe makina ngadalëson
shpejtësinë. Liqeni fillon dhe shfaqet i tëri me joshjen dhe magjinë ujore. Makina
frenon në krahun e majtë të sheshit të vogël të parkimit ' Dielli lind'. Në të djathtë
të liqenit të Muskokës. Disa metra larg rrotës së madhe metalike, të ndryshkur
prej kohës që qëndron si simbol i ardhësve të parë. Në pllakën metalike përkujtimore,
shkruhet: 'Në këtë vend në vitin 1825 ka ndërtuar mullirin dhe ka jetuar ardhësi
i parë i kësaj zone Xhoni i rrepti me të bijtë. Në vitin 1895 mulliri u dogj prej një zjarri të befasishëm dhe nuk
u rindërtua më prej të bijve.'
Ndanë rrugës,
në të djathë, gjendet një urë e drunjtë të çon disa metra më poshtë në lëndinën
e butë me pak rërë në breg. Aty marrin rreze dielli dhe lahen në liqen banorët
e qytetit: 'Engjëlli i bardhë'.
Shumë familje
nga qyteti: 'Engjëlli i bardhë','nuk kanë
prona dhe dalje buzë liqenit të kulluar me ujë të pastër dhe të ftohtë. Shtëpitë
e tyre gjenden në anën e kundërt të rrugës, të rrethuara prej pemëve të larta
ose në qendër të qytetit. Ata e preferojnë dhe e frekuentojnë gjithnjë këtë cep
të këndshëm, vend publik me bukuri natyrore. Ku dhe këtu gjendet një pllakë përkujtimore
ku shkruhet: 'Ky vend publik për çlodhjen e argëtimin e banoreve u krijua me dëshirën
e mirë dhe ndihmesën e vetë banoreve të qytetit 'Engjëlli i bardhë' në vitin 1876.'
Makinat e
pushuesve parkojnë në parkingun:' Dielli lind,' të shtruar me zhavorr të imët. Ata
shpijnë këmbët, përshëndesin me zë të ulët njeri tjetrin. Tërheqin nga bagazhet
e makinave sendet e nevojshme dhe drejtohen me hapa të matura drejt stolave dhe
tavolinave të drunjta. Qëndrojnë një copë herë dhe kundrojnë me kënaqësi kaltërsinë
dhe magjinë ujore të liqenit. Shtrojnë mbi bar ose në rërë çarçafët dhe peshqirët.
Ndihmojnë shoqi-shoqin të lyhen me vaj plazhi dhe më pas rehatohen të shpenguar
pa shkëputur vështrim e ngulët nga liqeni.
Disa
pushues të tjerë hapin stolat portative fare pranë ujit, buzë bordurës së betontë.
Hanë me të shpejtë hamburger. Ata janë si gjithnjë të paduruar, duan të lahen për
të shpirë trupin dhe të gjuajnë peshq. Përflitet se në liqenin Muskoka gjendet
një peshk i madh, i bukur, por askush nuk ka mundur ta hedhë në rrjetë ose tas
kapë me grep. Peshqit e kapur me grep, kryesisht salmon ose tuna, nuk i hanë, i
gjuajnë vetëm për të kaluar kokën, për kënaqësi. Vështrojnë të ngazëlluar një copë
herë përdredhjen e peshqve,të kapur nga grepi e që rrëzëllejnë të ujësuar nën
shkëlqimin diellor. Pastaj me dhembshuri dhe kujdes u heqin grepat dhe i lëshojnë sërish në liqen. Ndjekin
sy picërruar duke përtypur çamçakëzë notimin e plogët të ujorëve, të cilët
marrin veten me vështirësi prej grepit të metaltë e më pas zhduken nën ujë. Ka
nga ata peshq budallenj që nuk kuptojnë mirë ç'është pësimi. Bihen dy herë në grep
dhe peshkatarët amatorë tundin kokat të mërzitur. Edhe ata vetë nuk e kanë për
mbarë një peshk kaqol të kapur prej grepit dy herë.
Më i
dalluari prej tyre është Stive topalli me profesion postier. Çalimi e këmbës së
majtë i është shkaktuar prej kafshimit të gjarprit, kur po shpërndante postën nëpër
rrethina, shumë vite më parë. Për shkak të këmbës i afruan punë ne postën
qendrore, në seleksionimin e letrave. Stive i fyer nuk e pranoi, nuk mund të bëhej
Stive Foks mi i vogël zyre. Stive Foks ish dre i lirë, i lidhur me pyllin, me
erën e liqenit dhe drerët ngandonjëherë e dëmtojnë këmbët por kurrë nuk e ndërpresin
vrapin.
Gjatë natës
Stive topalli sillej dhe vërtitej nëpër shtrat aq sa zgjoi të shoqen nga gjumi.
'-Stive, -
iu gërmuq Sara dërdënge dhe e qëlloi me shkelmë në vithe. Kur ajo plasej në shtrat
e bënte dyshekun petë dhe Stive i dukej sikur lëkundej dhe fundosej në liqenin
me dallgë.
Stive u
zgjua i trembur.
'-Hë,'- ia
bëri dhe fërkoi të ndenjurat.
'-Mjaft
mu përdrodhe si peshk i kapur nga grepi,'
'-Sara, për
herë të parë në jetën time pashë ëndërr sikur zura peshkun e madh,'- mërmëriti
ai i lektisur.
'-Peshkun
e madh!'- ia pat Sara dhe ndezi dritën e komodinës. Këqyri me kujdes fytyrën e
mbufatur të shoqit, nënqeshi me të keq dhe shtoi: -'Stive im i gjorë! Nuk e
shkul dot prej trurit këtë marrëzi. S'ma merr mendja të dalë burrë nëne të kapë
atë peshk magjik.'
'-Nuk
ka,'- psherëtiu Stive. Ai kish parë ëndërr sikur peshkoi peshkun e madh dhe
bridhte kryelartë, duke u tundur dhe shkundur
nëpër rrugët e qytetit. Dikush i thirri nga larg: "Stive mos kërce
si kangur, çdo gjë që shfaqet është gënjeshtër." Ai nuk i ktheu përgjigje.
Të ishin vallë bashkëqytetarët kaq të verbër. Apo xhelozë se Stive Foks do të mbahej
mend sa të jetë jeta në Muskokë.
'-Ëndrrat
në dite me diell bëhen qiqra në hell,- foli Sara dhe mbylli dritën. U rrotullua
disa herë në shtrat dhe mbuloi kokën me jorgan.
Stive
topalli u kthye në krah dhe hungëriti i nervozuar:
'-Për
dreq nuk ka burrë nëne të mbërthejë atë kukudh peshk.'
Peshku i
madh vërtitet si fantazmë në qindra e qindra vjet në mendjet e brezave. Nativët qenë lundërtarë dhe peshkatarë shumë të zotë e
kërkuan me ngulm dhe e gjuajtën pa ndërprerje atë peshk. Peshku i madh u
shkiste ndër duarsh dhe nuk mundën ta kapnin dot.
Stive
topalli u ndje i mjerë që kish peshkuar në ëndërr peshkun e madh.
2
Zëra të gëzuar
vijnë nga larg, në anën e kundërt të liqenit, prej jahteve të vogla pëlhurëbardha.
Grupe të rinjsh bëjnë lëvizje të shkathëta, hapin krahët, kërcejnë, qeshin,
ngacmojnë njeri tjetrin dhe kridhen me shpejtësi në ujë. Motoskafët e shpejtë tërheqin lundërtarët amatore, të cilët
bëjnë fluturime akrobatike në ajër, të mbajtur mbas litarëve të tendosur. Motoskafët
zhurmëmëdha u çajnë ujin me shpejtësi. U bien përqark ishujve të pyllëzuar, me
shtëpi të bardha pushimi dhe me verandë druri.
Banorët e
qytetit 'Engjëlli i bardhë,' janë të lidhur shumë ngushtë me liqenin jetëdhenës
'Muskoka'. Në çdo stinë të vitit por edhe në dimrin e egër ku rëndon dëbora e
madhe e bardhë dhe fryn era e fortë. Liqeni ngrin, ata bëjnë gara vrapimi,
luajnë me patina dhe gjuajnë peshq.
Këtu në këtë
vend piktoresk vinë dhe ndalen familje të pasionuara të ardhura prej qindra
kilometra larg, nga qyteti metropol i Torontos e të rrethinave përreth. Ata janë
kureshtarë, dëshirojnë të zbulojnë rajonin e bukur dhe turistik të Muskokës, ku
një vit më parë në takimin e radhës u mblodhën
tetë udhëheqësit më të mëdhenj të botës së industrializuar. Kokat më të rëndësishme
të botës shëtitën në liqen me jahte të bardha. Thithën ajër të freskët, u
magjepsën prej bukurive natyrore dhe luajtën golf në fushat me bar të gjelbër,
të qëndisura si me dorë.
Të plotfuqishmit
e botës bënë shaka si fjala vjen miliarderi plak dhe kokoroç, i thekur, i
shtetit në formë çizme. I cili e ka në majë të gjuhës mburrjen për historinë dhe
lashtësinë e vendit të tij. Skandaloz dhe merakli i pakthyeshëm i vajzave të reja.
Ai përsëriti shakanë e kripur me ezmerin elegant të shtetit më të fuqishëm të botës.
Gruaja e
hekurt e shtetit hijerëndë Evropian nënqeshi
dhe vështroi me bisht të syrit të dy burrat. Koka aziatike e ardhur prej
ishullit të famshëm për prodhimin e makinave dhe elektronikës qeshi. Ai ia bëri,
ho, ho dhe përkuli kryet. Traditë e hershme aziatike. Fqinji i tij me popullsi
miliardësh. I ngrefosur për bumin ekonomik si rezultat i thithjes së investitorëve
të huaj dhe krahut të lirë të punës, lëvizi sytë sa andej këndej dhe mbeti
fytyrë ngrirë.
Ndërsa
koka rinore, përfaqësuesi i ishullit të madh monarkik qëndroi serioz dhe i përkushtuar
në lojën e golfit. Ai kish ende kohë për të nxënë. Koka përfaqësuese i vendit të
elegancës, buzëqeshi me delikatesë dhe u mbështet në krahun e gruas së tij, e
famshme për bukurin e saj.
Mbas një drekimi
të mirë shoqëruar me verë dhe shampanjë të vjetër 'Bordo'. Me seriozitet dhe përgjegjësi
udhëheqësit e mëdhenj të botës bënë analizën vjetore të zhvleftësimit të monedhës.
Shkaqet e zhvleftësimit të monedhës dhe të krizës botërore. Të eliminimit të mundshëm
të papunësisë dhe të luftërave rajonale.
Burri
ezmer, elegant, energjik ecte në krye të grupit. Me atë burrë u bë realitet thënia
amerikane: 'Ëndrra shndërrohet në të vërtetë.' Sigurisht, në atë vend të madh
industrial mundësitë, oportunitetet, të papriturat janë të çuditshme dhe të pafundme.
Djalosh i thjeshtë me baba zezak nga Kenia, i braktisur prej tij në moshën dy
vjeçare, kurse nëna e bardhë ishte shumë e re dhe e çiltër, pa mbushur akoma njëzet
vjet. Djaloshi u ngrit vetëtimthi në majë
të kupolës, si në majën e zotave të Olimpit. U zgjodh në senat. Dhe pas disa
vjetësh, në fushatën e nxehtë elektorale: 'Koha për ndryshim', Biri i thjeshtë,
karrizmatik, me oratorikë të shkathët, preku thembrën e Akilit të popullit të lodhur
prej dy luftërave. Ëndrra e pamundur u shndërrua në të vërtetë. Ai kapi kurorën
e Zeusit. U bë presidenti i parë me ngjyrë dhe burri më i fuqishëm i botës. Gjithsecili
në botë beson dhe shpreson që ëndrra ti bëhet e vërtetë...
Ardhësit
zbresin nga makinat. Ndalen. Shpijnë këmbët prej rrugëtimit të gjatë. Soditin
natyrën, mrekullohen dhe ngrohen nën diellin shkëlqimtar të kthinës së zbuluar
në buzë të rrugës. Mezi gjejnë ndonjë stol bosh. Vendosin me shkujdesje, përdhe
sendet e tyre. Ndezin stufat e vogla portative me bombola gazi për të pjekur
mishin e derrit, të qengjit ose këmbët e pulave. Tymi dhe era e mishit të pjekur
përhapet përreth. Vendasit të bezdisur lëvizin kryet. Vështrojnë drejt tyre me
bisht të syrit, nuk u pëlqen të ndotet ajri i pastër i Muskokës me tymra, paçka
se mban erë të mirë mishi të pjekur. Ka plot ushqime të çastit, shumë të shijshme
si hamburger, hot dog, krahë pule, patate të fërguara, të përgatitura prej
kuzhinierë të zotë dhe që gjenden kudo nëpër dyqane.
Përse është
kjo mani e ardhësve prej metropoleve, që parapëlqejnë të harxhojnë kohën e vyer
dhe të tymosin mjediset e pastra, gati të virgjëta në veri të vendit? Prite kur
të flakin me indiferencë lyrën e mishrave në barin e gjelber dhe ta përlyejnë mjedisin.
Ardhësit janë të kujdesshëm. Përfundojnë së ngrëni, pastrojnë stufat portative,
pa lënë në bar ndonjë gjurmë ndotjeje. Mbeturinat i mbledhin në qese plastike
dhe i flakin në koshat e plehrave të vendosura në qoshet e lëndinës.
Vendasit
i përgjojnë ardhësit me kujdes, në çdo lëvizje pa rënë në sy. Në fund marrin
frymë të lehtësuar dhe vështrimet e tyre zbuten.
3
Sipas
traditës së lashtë vendase thuhet se tek kjo lëndinë e vogël. Këtu ku të përkëdhel
puhiza e lehtë dhe të ngroh baba Dielli me rrezet bujare. Ka qene pikë e rëndësishme
takimi, tregtie dhe bisedimi mes peshkatarëve të hershëm të fiseve kryelartë: 'Thika
e verdhë dhe Kali fluturues.' Ata qenë peshkatarë të zotë dhe lundërtarë të dëgjuar.
Një merak u mbeti. Nuk mundën kurrë të kapnin peshkun e madh, me hala të argjenda
dhe kokë të artë.
Vendasit
e hershëm e respektonin nga brezi në brez këtë vend takimi. Përshkonin me kano
të shpejta lumin e rrjedhshëm Muskoka, qëndronin derisa dielli përkëdhelte
kreshtat e vogla të ishujve, debatonin, vallëzonin, dashuroheshin, këmbenin
dhurata. Më pas u hipnim kanove, lundronin dy nga dy, tre nga tre, katër nga
katër, ose grupe-grupe. Shpërndaheshin në skaje të ndryshme të liqenit deri
lart në rrjedhjen e lumit duke u mëshuar lopatave dhe shkathtësi. Me premtimin
se do të takoheshin përsëri në krye të javës së ardhshme.
Nuk dihej
mirëfilli pikënisja dhe nuk është saktësuar burimi i kësaj tradite të lashtë. Gojëdhëna
përcjell se në këtë vend u zhvillua
takimi i detyrueshëm. I mbijetesës për ndërprerjen e armiqësisë së egër, luftërave
shkatërrimtare, prerjes së kokave, marrjes së skapeve midis dy fiseve më të mëdha.
Shkaku takimit ish shumimi marramendës i minjve dhe i zvarranikëve, kafshimi në
gjumë, helmimi. Përhapjes së sëmundjeve infektive, kositja e luftëtarëve jo në fushë
të betejës siç u takonte nderi dhe dinjiteti, por tretja e stërmundimshme në shtrat.
Vrerosja, përçudnimi, zvarritja e grave
dhe nënave. Vdekja e dhimbshme e fëmijëve dhe kuajve.
Nën përfaqësimin
e dy shefave më të mëdhenj: 'Pete që qëndron i vetëm', i fisit të madh:'Syri i
shqiponjës' dhe 'Kainai, Hijerëndi i
fjalës', i fisit të madh: 'Vallëzimi i luanit'. Nën mbikëqyrjen e kryeplakut të
pleqësisë: ' Urtësia e gjakut të vërtetë'. Ai i vizatoi me bojë, me ngjyra të çelura,
të paqes fytyrat e dy shefave të plotfuqishëm, të dy fiseve më të mëdha të verilindjes.
Këndoi me zë të ngjirur dhe trup përkulur
u soll katër herë rreth zjarrit. Temjanisi vendin, bisedën e rëndësishme,
shefat hijerëndë dhe zjarrin që bubulonte.
Shefat e
mëdhenj u përkulën me respekt, kokulur dhe krahëndehur drejt kryeplakut të pleqësisë:'
Urtësia e gjakut të vërtetë.' Vendosën armët e luftës përpara këmbëve të tij. Kur
morën aprovimin e kryeplakut për fillimin e bisedimeve. Ata parashtruan kushtet
e paqes afatgjatë, minjtë dhe zvarranikët kërkonin kohë për tu zhdukur. Këmbyen
dhurata dhe kërcyen vallen e miqësisë nën tamtamin e daulleve.
Përflitet
se mund të ketë qenë pikë e fshehtë takimi i dy të rinjve të dashuruar, por që nuk
mund të bashkoheshin mbasi u përkisnin dy fiseve armike. Gjithnjë tragjedia
'Romeo dhe Zhuljeta ka simotra të dhimbshme në çdo cep të globit. Qysh atëherë kur
filloi të regëtinte zemra dhe të flatronin krahët e ndjenjave rinore. Dy të rinjtë
udhëtonin me kano, natën, vetëm, duke mbajtur vesh zërat e largëta nëpërmjet
lumit të rrjedhshëm për të shprehur ndjenjat më të zjarrta. Çfarë u bë më vonë me
ta u vranë, lanë veten të rrëmbeheshin nga rrjedha, u mbytën, apo u bashkuan,
jetuan të lumtur dhe fiset e tyre jetuan në paqe?
Mos
ndoshta ujërat e Muskokës nën zhaurimën e përjetshme fshehin sekrete të tjera
edhe më të mëdha?
Shumë vite
më vonë, vendasit e hershëm të pakësuar, të detyruar. Me zemër të lënduar prej
humbjeve të mëdha në njerëz dhe kafshë, ngarkuan pajisjet, çadrat dhe
ushqimet dhe lëvizën ngutshëm për në veri.
Aty ku kish më shumë dëborë, cikna dhe erëra, por më shumë liri dhe qetësi. Lanë
pas tokën, por morën me vete shumë gjëra që u përkisnin vetëm atyre dhe askujt
tjetër së bashku me legjendat. Gjithçka u thërrmua, u bë pluhur nëpër brigjet e
thikta të shekujve.
4
Liqeni
Muskoka nuk është liqen i madh si Superior, Ontario, Huron, Miçigan etj. Të cilët
nuk janë shumë të përdorshëm për tu larë, mbasi janë të ftohtë dhe jo shumë të pastër.
Muskoka është
liqen zonal me bukuri karakteristike, krijuar në një mjedis të mrekullueshëm. Siç
janë me qindra liqene të mëdhenj dhe të vegjël në Kanada. Por liqeni Muskoka është
më i veçantë se të tjerët, me ishuj të vegjël, të pyllëzuar dhe me shtëpi të bardha
në breg, të cilat më së shumti lëshohen me qira. Të joshën liqeni me butësinë e
njëtrajtshme të tokës, nën nivelin e ujit. Nuk është i thiktë dhe me gropa por
miqësor dhe joshës. Mund të ecësh shumë në brendësi të liqenit dhe uji të vjen
në një nivel, pothuajse deri në brez. Noton i shpenguar, ndalesh, pushon qetësisht
dhe gjithë kënaqësi. Noton përsëri. Si ajo nëna e re, Daniela e cila ka
vendosur fëmijën topolake, motake në një kamerdare plastike të improvizuar si
shtëpizë kukulle, të gjelbër, me palmë përsipër. Daniela ndalon, shtrydh flokët
e verdhë, lëviz trupin hijshëm si një amazonë, përgjon fëmijën e gicilis, i
qesh dhe e shtyn me kujdes në ujin e qetë.
-Danielë të
lutem, mos e mbaj gjatë fëmijën në ujë, - i thirri Skotti prej bregut. Burrë shtatlartë,
zë trashë, me një nishan të madh në faqen e majtë, me theks skocez. Ai punon
agjent i shitjeve dhe blerjeve të shtëpive. Biznesi i shitjeve dhe blerjeve të shtëpive
kohët e fundit i kish ecur mbarë. Burrë e grua kishin vendosur të blinin një shtëpi
dy katesh me dalje në liqen dhe një jaht të bardhë, të madh.
-Oh i
dashur, ti e di, fëmija e do ujin,- ia pat Daniela, bardhoshe e bukur,
trupderdhur, gjokspredhë, punonjëse e bankës TD. Ajo qeshi me zë të lartë. Disa
ditë më parë menaxheri qejfli e thirri në zyrë dhe i komunikoi emërimin, përgjegjëse
e një dege të bankës një veriperëndim të qytetit. Gëzimin e ngritjes në detyrë dhe rritjes së rrogës,
donte ta festonte me familjen. Ngriti fëmijën hopa në krahë dhe u zhyt më të në
ujë.
Kristina
dhe Brandi, çift i ri, merren me shitjen e blerjen e antikuarëve. Ata ishin
puthitur bërë një trup. Putheshin dhe përkëdheleshin gjithë lezet. I futnin kokën
njëri tjetrit brenda në ujë, vraponin, ndiqeshin, pastaj argaliseshin me të madhe.
Shandani i florinjtë me vlerë i plakës së verbër Qeti, të lagjes ' Fija e
barit,' u ble shumë lirë. Mund të bënin një dorë me dollarë. Ata kishin marrë një
hyrje me qira në hotelin 'Patkoi'.
Nxënësit
e klasës sportive të bejsbollit, bënin garë stërvitore. Drejtoheshin prej
veteranit Brajën, i cili kish marrë me vete mbesën e vogël, një vajzë topolake,
dhjetë vjeçe, me gërsheta të verdha. Çifte pleqsh të shkuar në moshë të kapur
dorë për dore ecin në ujë me ngadalë, ulen në gjunjë lagin trupin dhe ecin përsëri.
Tufa fëmijësh si zogj nën kujdesin e prindërve luajnë me top dhe lahen pranë bregut.
Disa prindër të tjerë mbajnë fëmijët kaliqafë dhe prej andej i lënë të kërcejnë
dhe zhyten në ujë.
Ditë e
paqme me diell dhe lirshmëri.
5
Po
afronte mesdita kur ndanë rrugës, pranë rrotës së vjetër metalike Xhon i
rrepti, mullixhiu ndaluan katër makina, vena bojë hiri. Prej andej zbritën ardhësit
e vonuar, të fundit. Katër burra ezmerë, tetë gra të mbuluara fund e krye me
rroba dhe një tufë e madhe me fëmijë. Burrat mbajtën një copë herë duart mbi
ballë si strehë, pa vendosur se çfarë duhet të bënin. Biseduan, debatuan, heshtën.
Gratë qëndronin grumbull më tej me duart në pëqi, së bashku me fëmijët e
zhurmshëm. Lëndina ishte mbushur plot me pushues dhe nuk kish vend për ta. Fëmijët
lëviznin të paduruar, ngacmonin njeri tjetrin dhe tërhiqnin nënat prej
fustaneve të gjata, luteshin të qëndronin, të argëtoheshin dhe ata si gjithë fëmijët
e tjerë. Burrat qëndronin të vrenjtur të menduar dhe këqyrnin pafolur pushuesit
që shëllëreshin të zhveshur. Liqeni i kaltër, motoskafët e zhurmshëm, jahtet
shkisnin butë si pulëbardha të mëdha dhe vilat e bukura përqark i joshnin. Gratë
u flisnin me zë të ulët fëmijëve të mbanin qetësi, në pritje të vendimit të burrave.
Burrat më
në fund lëvizën si një trup lart në cep të rrugës, ku gjendej një copës lëndinë.
Pranë gardhit prej dërrase të pronës private dhe ku lartësoheshin dy pemë të larta.
Kokat e grave ishin drejtuar nga burrat. Ata hijerëndë, me përtaci u bënë grave
me kokë se u vendos të qëndronin. Ato me gjallëri hapën bagazhet e makinave,
nxorën kuverta shumëngjyrëshe prej pambuku dhe i shtruan mbi bar. Dy fëmijë u
rrokullisën të shpenguar mbi kuverta. Gratë u folën të largoheshin, shtruan
celofan mbi kuverta. Ato u ulën më bisht dhe nisën të shpërndanin për fëmijët
pita të holla, të bëra rolle, të mbushura me perime të ndryshme. Çamarrokët e
vegjël lëviznin mbi kokat e prindërve të tyre gjithë zhurmë si trumcakë të paduruar
dhe kafshonin pitat me shpejtësi, me dhembet e përparmë si ketra. Ushqimi i shpërndarë
u përrla sa hap e mbyll sytë. U ndanë pitet e dyta të mbushura me perime.
Fëmijët
fshinë duart ku mundën të paduruar kthyen kokat nga prindërit. Ata e mbushën
barkun, prisnin të jepej prej tyre urdhri për tu afruar drejt ujit. Njëri prej
burrave foli me zë të rëndë:
-Fëmijë,
mund të thekeni në diell.
Fëmijët
sa hap e mbyll sytë flakën teshat dhe qëndruan në të mbathura. Ata filluan të gilicisnin
njëri tjetrin dhe qeshnin me zë të lartë. Burrat dhe gratë vështronin fëmijët. Ata
nuk u zhveshën për të bërë plazh.
Një fëmijë
i dobët në cep të grupit, vështroi majtas dhe djathtas. Ai ishte ndër më të vogjlit
dhe nuk u vëre kur u shkëput me kujdes prej vëmendjes së prindërve dhe theri
poshtë, në breg të liqenit. Tinës filloi tu bënte me shenja fëmijëve të tjerë të
ndiqnin dhe ata shembullin e tij. Njëra prej grave u kthye me vërtik dhe i
thirri të birit zë grindur, në gjuhën e tyre të kthehej. Por kjo u tërhoqi vëmendjen
fëmijëve të tjerë të cilët u turrën poshtë me zhurmë dhe rrëmet aty ku veronin
pushuesit të shpenguar. U dëgjuan bërtitjet e trembura të grave të mbështjella
fund e krye me rroba, me ferexhe dhe fustane të gjata. Burrat automatikisht
kthyen kryet të zymtuar dhe vrapuan mbas fëmijëve. Vendasit u ngritën në bërryla
dhe lëvizën të shqetësuar prej poteres së pazakonshme. Vështruan me bezdi, gati
me mëri fëmijët e zhurmshëm, të shkujdesur, të grumbulluar në shkallinat e
bregut të liqenit në pritje për tu futur në ujë.
-Duken
ardhës të rinj, emigrantë nga lindja e mesme, ndoshta nga Arabia Saudite,- foli
nëpër dhembë dhe me përtesë plaku thatin Harri, ish banakieri i klubit të vjetër
'Gota', dalë në pension vite me parë, frekuentues i përhershëm i plazhit. Ai rrëzoi
mbi sy, me mërzi kapelën e bardhë strehëgjerë.
-Mendoj
se janë nga Afganistani, - i foli me bindje Ruana e shoqja, një grua vithegjerë,
me gjinj që i vareshin si trasta dhe me syze të mëdha dielli.
-Mendon
se ato gra të mbuluara fund e krye duhet të zhvishen dhe të lezetohen prej
ujit, - foli Harri me zë të ulët të mos e dëgjonin të tjerët.
-Plako
nuk të harrin më gjuha tek hunda dhe mos llomotit kot- foli nëpër dhembë Ruana:
- Ato nuk zbulojnë fytyrën në praninë e një të treti dhe jo më të zhvishen.
-Ruana të
lutem lëri broçkullat. Gjuha ime tani është mbledhur bërë shuk,- tha Harri dhe
kroi me nervozizëm gjoksin si dërrasë të vjetër:- Ja shiko është me të vërtetë paradoks.
Njerëzit vijnë këtu në plazh të zhvishen, të lahen në liqen dhe ti a ekspozojnë
trupin diellit. Ndërsa këto krijesa që aksidentalisht janë gra vijnë të mbuluara
me një vandak me rroba?! Më thuaj moj grua, ç'dreqin duan ato këtu?
-Plako, lëri
të bëjnë çfarë të duan, nuk është puna jonë. Këtu tani plako po vjen dhe cingli
majmuni,- foli Ruana me zë të lodhur dhe vendosi parakrahun mbi sytë.
-Të lutem
mos më thirr plako,- u grind Harri.
-Po ti
plak je,- nuk tërhoqi pe Ruana.
- E di,
plak jam, por të lutem mos më thirr me vend e pa vend. Sepse kur më thua plako
ma bën koka bam, -u ankua Harri. Ai donte të shtonte se dhe ti je një plakë e
shpifur, gërdallë më keq se unë. Një brumë i qullur, lëngëtyrë, e tjera e të tjera.
Por nuk ia mbajti. Ajo do ta bënte pestil.
-Mirë,
nuk të thërras,- foli gruaja e bezdisur.
-Më premton?
-Të premtoj.
-Faleminderit
e mira ime Ruana. U prish bota, për atë zot u prish,- murmuriti Harri dhe shtoi
me bindje: -Ato gra nuk mund dhe nuk duhet të futen në ujë me gjithë rroba. Gjithsesi
liqeni ka kodin dhe shenjtërinë e vet.
-Mos e
lodh kokën pla.., me kode, shenjtëri dhe ku di unë çfarë..,- ia bëri e bezdisur
Ruana dhe i ktheu shpinën.
Harri u përtyp
por nuk foli. E shkeli si zakonisht premtimin e dosa, brumi i ardhur, përsëri
ia këputi një: pla... duke copëtuar me dhembë K-në.
6
Tufa e
madhe e fëmijëve vrapoi drejt ujit të shoqëruar me britma të papërmbajtura gëzimi.
Klithnin, fshikullonin ujin, ngrinin stërkala, lagnin njeri tjetrin, drithëroheshin,
fërkonin trupin, të ngroheshin prej ujit të ftohtë dhe më pas argaliseshin me të
madhe. Mbas tyre lëvizte në ujë me ngathtësi njeri prej prindërve, fytyrë ezmere,
rrumbullake, me pak mustaqe. Ai mbante veshur bluzë të lehtë pambuku, me vija të
gjelbra dhe blu të errët, të qullur dhe të ngjitur pas trupit.
Gratë me
ferexhe si në një film pa zë ecën ngadalë, zbritën në njësh kolonë. Pushuesit
ndoqën me sy baritjen e plogët të tyre. Ato qëndruan të ndrojtura në pragun e
shkallinës së parë që të çonte në liqen. Në këtë plazh ku dielli digjte dhe të gjithë
pushuesit ishin të zhveshur, ato dukeshin tmerrësisht të çuditshme. Vajzat e
reja që laheshin dhe bënin banja dielli, mbanin veshje plazhi me dy gisht
mbathje dhe sutjena.
Gratë e
mbuluara me rroba të rënda dhe ferexhe lëvizën u bënë rreth dhe diç folën mes
tyre. Ajo më e gjata, shtatlarta ndehu krahun drejt liqenit. Dy më të mbushurat dhe më të shkurtat hodhën
një hap prapa. Krahu i shtatlartës qëndronte i ndehur. Ato me mëdyshje u
bashkuan përsëri me grupin. Gratë qëndruan në një vijë. Të pavendosura nisën të
zbrisnin shkallinat një nga një me plogështi, gati me frikë.
Dikush
prej pushuesve u kollit me qëllim. Një tjetër teshtiu. Lart në kupë të qiellit
dielli përvëlonte. Në ujë reflektoheshin me miliona kristale shumëngjyrëshe. Njëra
prej grave futi dorën në ujë. Ajo është shtatlarta, Shehrazadja,
vetullharkuara, qerpik gjilpëra, gruaja e dytë e Amidit. Shehrazadja lëvizi
gishtat në ujë, e llokoçiti.
-Ëh!- Ia
bëri, me psherëtimë të thellë, të heshtur. Ajo zbërtheu kopsat dhe lidhëset e
shumta. Fërkoi gjoksin e vogël, barkun, deri poshtë, por me kujdes të mos e
shikonin gratë e tjera dhe pëshpëriti symbyllur:- Allah! Allah! Pse vallë i ke
dhenë ujit kaq lezet?
Kur ish fëmijë
ajo kish ëndërruar të bëhej balerinë. Babai e martoi herët me Amidin e kamur. Ëndrra
iu bë pluhur dhe hi. Prej freskisë së ujit trupi i saj u drithërua. Ajo dëshironte
ti mblidhte në grushte reflektimet diellore dhe kristalet ujore. Ajo ishte shumë
e re, trupderdhur,gjoksvogël, si dy portokaj. Donte të ish e zhveshur, të admirohej prej
meshkujve dhe të thekej prej rrezeve diellore si gjithë pushueset e tjera
vendase. Pa vështruar nga gratë e tjera, hodhi në ujë këmbën e majtë, të mbuluar
dhunshëm prej fustanit të gjatë.
'Shëet
Shahrazade! Mos po bëjmë një të paqenë? Allah! Allah! Se si më vjen!'- I pëshpëriti
Sahara, gruaja e parë e Amidit. Amidi më
shumtën e kohës flinte me Shahrazaden. E verbonte burrin bardhësia marramendëse
e trupit të kolmë të gruas së re. Sahara nuk ankohej për braktisjen e heshtur e
të shoqit, por sytë e saj qëndronin gjithnjë të trishtuar. Ajo përgjonte
Shahrazaden kur lahej në vaskë në dhomën e mënjanuar të grave dhe me sy ziliqarë
sodiste trupin e derdhur, këmbët e drejta dhe gjoksin e vogël. Sahara vuante
prej sëmundjes së sheqerit edhe pse bënte gjithnjë ëmbëlsira. Amidit i pëlqenin
sheqernat dhe ajo i përmbyste pa kursyer me shurup.
-Allah! Allah!-
Pëshpëriti një tjetër.- Mos është gjynah!
Shehrazadja
nuk u ktheu përgjigje. Pse gjynah është të lahesh në ujë! Asaj i vinte të çirrte
me thonj këto tesha të rënda, të zhvishej lakuriq dhe të kridhej në ujë. Edhe
pse ish nusja më e re, kish qenë iniciatorja e parë për të lëvizur, vizituar
liqenet dhe mjediset e Kanadasë. Përderisa u larguan prej atdheut, ndryshuan
vend dhe mjedis, duhet të përshtateshin me ambientin. Ishte koha për ndryshim. Kur
ia tha këto mendime Saharasë. Ajo e vështroi me dyshim.
Burrat e
pranuan në heshtje kompromisin e sipërfaqshëm, për të argëtuar fëmijët. Po të ish
për Shehrazaden, do ti kish flakur me kohë këto tesha të tmerrshme që i
mundonin shpirtin dhe trupin. Feja dhe ligjet e saj ishin jashtëzakonisht të ngurta.
Shehrazadja
qëndroi një copë herë e ngurosur. Mbajti vesh zërat e largëta dhe zërat e afërta,
të fshehta të ujit. Sa e madhe dhe zemërgjerë është bota dhe sa të ngurta janë dëshirat
e njeriut. Përkuli trupin me shkujdesje
dhe lëvizi përpara. Uji i hyri nxitimthi në trup, u rrëqeth. Më pas hodhi këmbën
tjetër. Freskia e ujit e joshi, hyri deri në mes. Oh! Se si i vinte! U zhyt e tëra.
'Oh!' Ia
bëri ajo përsëri dhe teshat e saj u frynë menjëherë. Iu bë sikur era ia shkuli
rrobat e rënda dhe i flaku tutje. Ajo ish lakuriq si një sirenë uji. I dukej
sikur vallëzonte në ujin e kthjellët. Mbas saj u ngutën të futeshin në ujë dhe
gratë e tjera. Me frikë se mos ndërronin mendje nën forcën e zakonit. Dhe qëndronin
pranë bregut të liqenit nën urdhrat e ashpra të burrave.
Gratë të hutuara
rrotulloheshin në ujë krahëhapur, me ngathtësi. Ngjanin si shpendë të çuditshëm,
pendë qullur të zbritur rastësisht në liqenin e largët, verior Muskoka. Sa të bezdisshme
janë rrobat kur rëndohen prej ujit.
7
U lëkund
qetësia rutinë e një dite të zakonshme plazhi. Poteret e fëmijëve, ardhësve të vegjël,
të largët dhe të paftuar kish arritur kulmin. Ndërsa zhytja në ujë e grave të mbuluara
funde krye me tesha të rënda u la një shije të habitshme, por të dalë jashtë kohe.
Sigurisht
vendasve nuk u erdhi mirë. Sidomos prej tetë masave të mbuluara fund e krye me
rroba. Brenda tyre aksidentalisht fshiheshin gratë ardhëse, të cilat lëviznin në
ujë si palombarë të çuditshëm. Dikush mërmëriti nëpër dhembë:
'Do ish
mrekullisht bukur sikur ato gra si lëmshe, të sodisnin reflekset ujore prej
bregut të liqenit të dashur Muskoka.'
Një tjetër
mblodhi supet, por nuk i foli.
Daniela doli
me ngutje prej ujit, duke lëvizur shpullat e hijshme dhe vithet e kolme. Ajo
dukej e vrenjtur në fytyrë, ndërsa trupi i saj i derdhur tejet seksual. Daniela
vendosi në cep të stolit kamerdaren e improvizuar si shtëpi kukulle me palmë përsipër.
Hapi një kuvertë me lule dhe nisi të ndërronte fëmijën që argalisej prej kënaqësisë.
-Do
futesh përsëri në ujë?- E pyeti Skoti.
-Nuk e
di,- u përgjigj ajo.
Harri ish
ngritur në bërryla me qafë të ndehur nga liqeni.
-U, u, u,
u, Ruana, shiko, shiko atje në liqen. Ato me gjithë mend u futën në ujë, - foli
zëdridhur Harri.
Gruaja u
kthye me përtesë dhe mblodhi buzët.
-Pëf!-ia
bëri.
-Një hop
besova se ish lojë e syve. Nuk gjetën tjetër vend ato gra të lajnë rrobat, po
pikërisht në liqenin tonë,- shtoi Harri me zë të holluar prej ankimit .
-Sa do
rrojmë do mësojmë Harri,- ia priti Stive topalli dhe vazhdoi: - me sa kam dëgjuar
Harri. Ato gra të janë thëngjij të mbuluar, po ëhë, po ti prekësh pak, të përvëlojnë,
ta bëjnë trupin me fulltaka.
Ruana lëvizi
në krah. Hodhi një vështrim të vrenjtur drejt grave të mbuluara me ferexhe,
pastaj mbuloi kokën me peshqir.
Vendasit
u tërhoqën me kujdes, pa shumë dëshirë, duke ju lënë ardhësve të zhurmshëm dhe çamarrokë
hapësirë më të madhe në brezin e parë të liqenit të kthjellët Muskoka.
Dielli
kish qëndruar në kupë të qiellit dhe përvëlonte. Uji i liqenit ishte i qetë si
një pëlhurë e nderë.
Gratë e
mbështjella me ferexhe dhe fustane të gjata gjithë pala, dolën një nga një nga
uji. Ato barisnin ngadalë, me vështirësi. Rrobat e tyre kullonin rrëke. Në ecje
e sipër shtrydhnin teshat e rënduara prej ujit. Njëra prej tyre, ajo më shtatlarta,
Shehrazadja, largoi me nervozizëm cepin e ferexhesë dhe e shtrydhi. Syri i saj
ishte i madh.
-Ia pashë
syrin njërës prej tyre. Për atë zot që ia pashë. Oh! Të zi dhe sa të madh e
kish, sa një filxhan. Shikimi i saj ish si një shigjetë e flakëruar,- murmuriti
Stive topalli dhe shtoi me zë përdëllestar: - Këtu në plazh i ke fermat si ti
duash. Të bardha, ezmere, të kolme, elegante, me dy gisht brekë, me një ripkë të
hollë sa mbulojnë thithat dhe nuk u shtije sytë. Sa më shumë mbulohet femra, aq
më tepër zhuritet mashkulli.
Fëmijët
ardhës po josheshin dhe mrekulloheshin prej ujit të liqenit dhe nivelit të tij.
Ish pa gropa, i sheshtë, ndryshe nga sa i kishin këshilluar prindërit e trembur.
Filluan të ngrinin stërkala të madha dhe të luanin me një top të vogël. Ia
hidhnin me njëri- tjetrin, shtyheshin, ngatërroheshin dhe qeshnin.
Sahara u
ndje e shqetësuar, lëvizi kryet me vërtik dhe u foli grave. Ato si me komandë ndërprenë
shtrydhjen e teshave, ngritën kokat dhe nisën tu bërtisnin fëmijëve të mos
shkonin thellë. Një tjetër prind, Sadiu, me mjekrën korb të zezë dhe me bluzë të
hirtë u fut me nxitim në ujë. Fëmijët i kish përfshitë loja, nuk dëgjonin. Ata
ishin të mbërthyer prej loja së bukur.
8
Filloi të
frynte një erë e lehtë. Pushuesit vendas po bezdiseshin gjithnjë e më tepër por
nuk e bënin veten. Me indiferencë të sipërfaqshme merreshin me njeri tjetrin.
Gruaja me
shtat të lartë, Shehrazadja tërhoqi pas vetes gratë e tjera të mbuluara me
ferexhe dhe hynë përsëri në ujë. U zhytën deri tek shpatullat, dikush futi dhe
kokën. Ato ngjanin si kërpudha të mëdha. Shehrazadja me marifet fërkoi, përkëdheli, këmbët, krahët, gjoksin. Uji i liqenit i
ngjau tejet epshor. Ajo u nervozua me veten dhe me hallkat e tepërta që mbanin
emrin tesha. Sahara u mërzit shpejt. Vështroi me frikë nga i shoqi. Fytyra e
Amidit iu duk e murrëtyer. Ai ish burrë i ashpër dhe ajo i trembej. Me ngul kërkoi
të dilnin, duke shtuar:
-Për
Allah, mos po bëjmë gjynah!
Gratë e
tjera nuk i kthyen përgjigje, por kontrolluan me gishtërinj, nën ujë teshat, mbërthyen
kopsat, karficat, shtrënguan rripat. U çuan dhe dolën pa qejf.
Dhe nëse
ardhëset e vonuara nuk u zhveshën. Të flaknin tutje fustanet e gjata, të brendshmet
çitjane, përsëri të brendshmet e tjera me pala, deri tek të linjtat e holla pështjelluese,
në se mund ti kishin të tilla. Ato do hiqnin me ceremoni shamitë trekëndore me
xhufka dhe më në fund hallkat shtrënguese ferexhe, të cilat mbulonin dhunshëm
fytyrat. Sidoqoftë të gjitha këto hollësi delikate, që të ndiznin kureshtjen. Ishin
çështje intime të zhveshjes së grave të ardhësve prej vendeve së lindjes së mesme.
Nuk u përkiste vendasve. Ata janë tolerantë, të mësuar shumë lehtësisht me
zhveshje dhe lakuriqësi, jo vetëm në plazh por në rrugë, mitingje dhe kudo. Deri
tek nxjerrja e kofshëve, barqeve dhe kërthizave ku janë mbërthyer dhe varen
zilka të vogla.
Vendi i
tyre me demokraci të respektuar i lejon
të gjitha modat, veshjet, mendësitë dhe zakonet. Kostumet e rënda
dopiopet. Xhins të ronitura, të prera kryq e tërthor. Xhingla mingla. Me tre
palë brekë të veshura njëra mbi tjetrën dhe me dhjetë palë bluza. Me turbe shumëngjyrëshe
sa dy koka bashkë. Me fustane të gjata dhe të shkurtra. Me çitjane dhe tallaganë.
Me ferexhe si perde, ku të mbahet fryma dhe nuk lë të hyjë drita dhe dielli. Deri
tek lakuriqësia dypalëshe e lakmuar biseksuale, shpesh herë e shpërdoruar,
banalizuar. Ronitja e seksit kish kaluar në ekstrem, ish zhbërë. Dikush pëshpëriste
me maraz se: prej mbingopjes, lakuriqësia njerëzore ish zhvleftësuar,
bastarduar me tatuazhe të pështira, ogurzeza, vampirë që të kallnin datën.
Së paku
ardhësit e vonuar të mos i lejonin fëmijët të bënin gjithë këtë zallahi të panevojshme
sa tu shkaktonin të tjerëve dhembje koke. Liqeni është i madh dhe ka hapësirë për
të gjithë. Le të lodrojnë. Njeriu shkon në plazh të çlodhet, të largojë nga
mendja stresin e ditës dhe të marrë reze të çmuara dielli. Kur dihet mirë që në
këtë vend, ka dimër të gjatë me ngrica dhe dëborë të madhe. Vetëm disa muaj të kushtueshëm
me diell të ngrohtë.
9
Plaku
thatin Harri, ish banakieri i klubit të vjetër 'Gota. ' Me kapele republike të rrasur
deri tek veshët lapucere dhe lëkurë të përskuqur prej diellit, lëvizi me ngathtësi
qafën dhe me zë të shuar iu lut Ruanës të lajmëronte ambulancën.
-Çfarë,- ia
bëri e shoqja pa hequr peshqirin nga koka.
-Nuk po
ndjehem mirë.
-Ke gjithë
ditën shtrirë, të ka rënë dielli në kokë, ngrehu lëviz,- foli Ruana.
-Si të lëviz,
kur kam një gërç këtu në gjoks dhe nuk po mundem të mbushem me frymë,- u ankua
ai.
Ruana
largoi peshqirin dhe ngriti kokën me përtesë.
- Po të mos
ndjehesh mirë ikim. E lëmë këtë ditë të bukur dhe shkojmë në shtëpi,- i tha ajo
dhe mbështeti bërrylin në stol.
Harri nuk
i ktheu përgjigje, krahët dobëta të tij u varën në stol.
-Harri dëgjon.
Ai heshte.
-Plako! Harri!
Lart në rrugë
kaloi një grua police me biçikletë. Ruana e shqetësuar i kërkoi ndihmë. Policja
një grua energjike, me trup mesatar, la biçikletën buzë rrugës dhe zbriti me
nxitim. I mati pulsin plakut Harri. Ruana ndukte gishtërinjtë me dhembë dhe
vazhdoi të mërmëriste me vete se qysh mbrëmë plakushi Harri e kish pasur
tensionin e ulur. Është kokë mushkë plaku, nuk dëgjoi të qëndronte në shtëpi,
nuk donte te braktiste traditën për të dalë në bregun e liqenit.
Menjëherë
vëmendja e pushuesve u shkëput nga fëmijët ardhës që zhurmëtinin në liqen dhe u
përqendrua tek Harri thatim, të cilit i kish rënë të fikët. Policja i foli në radio
me urgjencën e spitalit të qytetit: 'Engjëlli i bardhë,' të dërgonte menjëherë ambulancën.
Ajo iu lut dy djelmoshave ta ndihmonin ta mbartin plakun nën pemë, larg rezeve
të nxehta të diellit. Policja hoqi me nxitim kapelën dhe xhaketën. Largoi
kureshtarët e shumtë që vështronin të shqetësuar trupin e lëshuar të plakut
Harri dhe nisi ti bënte frymëmarrje artificiale. Ruana pak më tej përlotej në heshtje
dhe nuk pushonte së mërmërituri. Ngjante si një masë e qullur mishi e lënë në harresë.
Këmisha e
kaltër e polices u qull menjëherë nga djersa. Mbas disa minutash Harri përpëliti
sytë, i hapi dhe vështroi përqark i hutuar. Ruana qeshi me histeri e lehtësuar
dhe kroi gjoksin e lëshuar. Bashkëqytetarët morën frymë të lehtësuar.
-Dreq
Harri, dreq! Na bëre me zemër,- ia bëri
Skoti buzagaz dhe shtoi:- Sëmuret burri prej një fashë dielli.
Plaku
Harri lëvizi qafën me ngadalë dhe buzëqeshi me vështirësi.
-Nuk vdes
lehtë Harri jo, pa provuar dhe shijen e gruas së gjashtë,- ia pat me shaka Brajën,
pa lëshuar të mbesën nga dora e cila donte të përzihej me fëmijët e tjerë.
Ruana lëvizi
kokën me vrull, vështroi nga Brajën me inat dhe i shfryu:
-Qërohu tutje
Brajën. Shkoi vapa me gushtin për Harrin. Tani duhet ti a mbash veglën të ngritur
me spango. Apo ta ka qejfi ty të futesh e të kullosësh në luadhin tim.
-He,he,
he,- hungëriti Brajën. E cimbisi gruan lehtë më krahun e trashë, llurbë dhe i pëshpëriti
pranë veshit:- Bëra shaka moj Ruana. Luadhin
tënd unë e kam kositur kur bari ish shumë i freskët e mbante erë trëndelinë. Apo
harrove moj e mira dhe e ndezura Ruana?
-Hy
malukat me brirë, shko gremisu! Gojëfarmak!-iu gërmuq ajo:- Gjete kohën të grisesh me ne. Gjithnjë tartarin
ke qenë.
Brajën
luajti kokën ngadalë pa i vënë veshin sharjeve të saj dhe pëshpëriti:
-Lëre
tani Ruana, mos e nga, të lutem. Siç e sheh po më bëhet mbesa për tu martuar. Të
shkuara të harruara. Hë de, ngriji vetullat. Më fal. Të jem i sinqertë me ty. Ti
ishe me të vërtetë llokum me ara Ruana. Sheqer e mjaltë. Sidaxhe Persie. Njëshi
me nam i qytetit dhe i tërë zonës së Muskokës.
Ruana u
shkri nga kënaqësia e pickoi në ije dhe ju përkëdhel si kone.
-Eh more
Brajën, eh! Atëherë pse më le të shkoja tek Harri,- i foli ajo gjithë përdëllim.
-Po gruan
që kisha ç'ta bëja,- i foli ai nëpër dhembë.
-Ç'ta bëje?!
Ja shiko këta ardhësit, mbajnë nga dy gra,- murmuriti ajo me zë të grindur.
-Në ato
vite ti, Ruana, nuk mund të përmbaheshe, jo,- rënkoi Brajën.
Ruana i
prish në fytyrë dhe hapi gojën të fliste. Lart në rrugë u ndal sirenëlëshuar
makina e ambulancës dhe zbritën me nxitim dy veta të veshur me uniformën e
ndihmës së shpejtë dhe me barelë në duar. Ata i vendosën në gojë Harrit maskën
plastike të oksigjenit. Dikush prej pushuesve nënqeshi me të keq për panevojshmërinë
e saj.
-Harri është
kockë e fortë, nuk do pranojë të shkojë në spital. Ai gjithnjë ka thënë se do të
vdesë në këmbë, - tha Stive topalli.
-Djall me
brirë,- iu gërmuq Ruana Brajën:- me burrë të sëmurë, ma prishe mendjen.
Ai picërroi
sytë dhe nënqeshi.
-Eh
Ruana, eh!- ia mërmëriti: -Lumi Muskoka rrjedh fërkohet nëpër brigje dhe gërxhe
njëlloj si brengat e njerëzve.
Ruana nuk
e dëgjoi. Ajo ishte jashtëzakonisht e preokupuar me mbarëvajtjen e shëndetit të
burrit të saj. Për djall ky plakaruq, lapucere, maniak i keq, ende nuk e kish bërë
në emrin e saj testamentin e shtëpisë së madhe në qendër te Torontos.
Harri nuk
kundërshtoi kur punonjësit e ndihmës së shpejtë e mbartën në barelë me shumë kujdes
e ngritën peshë dhe nisën të ngjitnin shkallët e drunjta. Ai mbylli sytë i
lodhur. Ruana ecte si patë, e ndiqte barelën kokulur me fytyrë të zbehtë.
10
Pushuesit
me buzëqeshje zemërgjerësie u shpërndanë të lehtësuar nëpër stolat, shilarësit
dhe peshqirët e tyre. Ata u sheshuan duke psherëtirë lehtë me zemërgjerësi dhe
përhumbën shikimet. Plaku Harri u morri pak kohë me sëmundjen e tij të papritur.
Paçka. Ngandonjëherë plazhi i ka këto të
papritura. Hëm, nevojiten intermexo të tilla për të shkundur monotoninë dhe
rutinën e përditshme. Harri do të marrë serum në spital dhe do flejë një natë si
shqerrë. Plaku thatin do ndjehet i lehtë si pëllumb i shkruar. Të nesërmen do
ta gjejnë si zakonisht në vendin e tij, rehatuar në shilarës së bashku me
gruan, besniken Ruana. Eh, more Harri, Harri për pak sa na bëre verem. U shkëputi
vëmendjen dhe i largoi disa dhjetëra minuta prej rezeve të ngrohta diellore. Aq
të vyera në këtë cep të liqenit me ujë të kthjellët dhe më pamje të mrekullueshme.
dodh
shpesh që diellin e ngrohtë e zë reja, moti ftohet sakaq. Pushuesit pa u mërzitur
mbledhin teshat, u hipin makinave dhe shpërndahen nëpër shtëpia, në pritje të ditës
tjetër.
Pothuajse
të gjithë pushuesve i përfshiu dëshira për tu larë dhe dëfryer. Skotti dhe
Danielën hynë në liqen së bashku me fëmijën e tyre të futur në kamerdaren e
gjelbër, lodër, me palmë përsipër. Kristina me Brandin kishin peshkuar një plakë
gërdallë, me flokë të ngjyera në të kuqe. Me vetulla vizatuar me kopjativ, nga lagja e vjetër e të 'Humburit.' Ata e
kishin marrë plakën në mes, përkëdhelnin ujin dhe flisnin të preokupuar për
antikuarët e papërdorshme që mbante nënoja në shtëpinë e vjetër, kur mund të fitonte
dhjetra dollarë. Plaka thatime i dëgjonte e përhumbur. Ajo vërtet kish nevojë për
ca dollarë më shumë. Në dimër kur binte dëborë, shtëpia e drunjtë tek 'Cepi i Kërcurit' nisën avazin e rënkimeve dhe kërcitjeve, njëlloj
si eshtrat e saj. Shtëpia e dashur mund ti shembej në vitet e ardhshme dhe mund
te merrte nën vete. Djemtë i ishin martuar dhe kishin marrë udhët vite më parë,
një në Manitoba, tjetri në Vankuver. Ajo mendonte me ato dollarë të fituara ta
meremetonte shtëpinë. Sa të dashur dhe të sinqertë janë të rinjtë e porsa
martuar!
Stive
topallit iu lëkund grepi me tërsëllëm dhe atij i rrahu zemra me vrull për
peshkun e madh që kish parë në ëndërr. Filli i tendosur dridhej. Le ti a bënte
puf Sara. Fati i madh po i trokiste në derë. Përderisa flitet në qindra vjet për
një peshk të florinjtë dhe të argjend, i cili jeton i shpenguar në ujërat e
liqenit të Muskokës. Nuk do ish çudi që ky peshk të binte një ditë në grepin e
të thjeshtit, postierit të papërtuar Stive topallit dhe kjo ditë mund të ish e
sotmja.
Brajën
nisi tu bënte stërvitje pjesëtareve të skuadrës së bejsbollit. I fërshëllente
bilbilit me furi, vraponte së bashkë me skuadrën nga në skaj në tjetër. Jahtet
dhe motoskafët lëviznin të shpenguar në liqen dhe të rinjtë kridheshin në ujë shoqëruar
me klithma gëzimi. Lart mbi rrugë, punonjësit e ndihmës së shpejtë përshëndetën
policen e shërbimit dhe i hipën makinës për tu larguar.
11
Në mes të
kësaj harmonie të mrekullueshme u ngrit një klithmë e llahtarshme. Shungullimë,
që u mpiu pushuesve pështymën në gojë. Tetë gratë si lëmshe rrobash, vraponin
si të çakërdisura në rrugë. Shehrazadja i doli përpara ambulancës së emergjencës
dhe i bllokoi rrugën. Sa e mundimshme ish ajo ferexhe që i mbante frymën e
djersinte dhe nuk e linte të fliste, i vinte ta shkulte dhe ta flakte tutje. Sytë
i ishin veshur prej lotëve të nxehtë. Zemra i rrihte me vrull prej ankthit dhe
përgjegjësisë. Sepse ish ajo e para që ngulmoi të linin fëmijët të luanin në liqen.
Sytë Saharasë villnin zjarr. Shoferi frenoi me shpejtësi, duke devijuar majtas.
Shehrazadja kërceu mënjanë.
Gratë e
tjera ulërinin, nduknin rrobat, ferexhetë, qanin.
'Ju lutem...
na ndihmoni...Një fëmijë i yni... aty në liqen..,' mezi mundi të fliste
Shehrazadja. Ajo dridhej. Toka lëvizte dhe asaj i bëhej sikur do gremisej.
Punonjësit
e emergjencës vështruan të hutuar gruan e veshur fund e krye, që u preu rrugën.
Ata shanë me zë të ulet. Mend e shtypën këtë grua. Trupi i saj i gjatë dridhej
si purtekë. Ferexheja e qullur prej djersës dhe frymës lëkundej. Shikimi i tyre
brodhi drejt ujërave të qeta të liqenit dhe mbajtën vesh zhurmërimën e
pushuesve të shpenguar.
Mos ish
ndonjë plakaruqe e çmendur kjo grua që iu derdh përpara makinës!
-Ju lutem..!-
mezi dëgjuan zërin e përgjëruar të gruas.
Ata të ngrehur
vështruan njëri tjetrin. Nuk po gjendej njëri prej fëmijëve?! Si ishte e mundur!
Mos fëmija ish i prapë kish dredhuar, rendur dhe fshehur nëpër pyll. Dreq o punë!
U lajmëruan për një plak thatin. Tani u doli problemi i një fëmije.
-Ju lutem!-
dëgjuan përsëri.
Pa e bërë
gjatë, së bashku me policen e shërbimit, zbritën me nxitim shkallët e drunjta
dhe me gjithë rroba u futën në ujë.
Tre
burrat, baballarët e fëmijëve çamarrokë, bërë dyllë në fytyra vërtiteshin të hutuar
dhe vështronin gjuhëtharë memecërinë e ujit. Burri i katërt bariste i pështjelluar,
syskuqur dhe mundohej të mbante grumbull fëmijët në cepin e lëndinës.
Kush? Përse?
Si? Qysh?Çfarë? Nuk ka mundësi. Ju thoni njëri prej fëmijëve ardhës?
-Me gjithë
mend e kini? Nuk po gjendet një prej atyre fëmijëve zhurmëtarë?- pyeti Brajën.
-Po.
- Ndoshta
njëri prej atyre fëmijëve kërkon të vazhdojë lojën dhe është fshehur diku, -bëri
i shkujdesur Brandi.
-Oh i
dashur, të lutem hesht!- foli Kristina.
-Të hesht,
e dini ju sa djallëzorë janë sot fëmijët,- ia pat Brandi, fërkoi qafën dhe
shtoi: - Mos ndoshta është ndonjë humor i rëndomtë?! Lojë. Në Muskokë qarkullojnë
ngandonjëherë shaka të tilla,- vazhdoi në
të tijën Brandi.
-Mjaft! Ju
nuk keni të drejtë. Muskoka gjithnjë është dalluar për seriozitet dhe përgjegjshmëri
të lartë qytetarie. Ne jemi mikpritës dhe dashamirës për cilido. Ata fëmijë dukeshin
aq të mirë, të dashur dhe të shpenguar si në përrallë,- mërmëriti Daniela.
-Ti
Brandi sikur i do fëmijët? - e pyeti me dyshim Kristina.
-Kristina,
mjalti im! E dini fort mirë sa shumë i dua unë fëmijët,- foli me seriozitet të shtirur
Brandi.
- Prindërit
e tyre janë tmerrësisht të shqetësuar. Gruaja shtatlartë vërtitet si e çmendur.
Ajo kërkoi të futej në ujë. Gruaja e shkurtër pranë saj u kërrus, u tendos dhe
i nguli shtatlartës thonjtë në krah. Mos ish ndonjë mbytje e kërkuar? Gratë e
tjera të llahtarisura e mbajtën nga krahët, -foli Sara me keqardhje.
-Si është
e mundur?! Këtu tek ne, në Muskokë?!- psherëtiu Stive. Hoqi me kujdes grepin
metalik prej kokës së një peshku të vogël që përdridhej dhe e hodhi në ujë.
Pyetjet e
ethshme vazhduan vetëtimthi në gojët e pushuesve. Ata braktisën shilarësit,
stolat portative, peshqirët dhe ecën drejt bregut të liqenit. Disa prej tyre u
zverdhën dhe shtrënguan zemrat, të tjerët u turrën drejt ujit. U thirrën fëmijëve
me emra dhe i urdhëruan të dilnin menjëherë prej ujit.
Diellin e
zuri një re e madhe. Qielli u vrenjt.
-Phu, nga
u gjend kjo dreq re! Moti menjëherë u ftoh. Gjer dje qielli ish i kthjellët pa
re dhe dielli ndriste, - u grind Stive topalli. Ai ish i zhgënjyer. Grepi iu
tendos dhe tund gjatë, ai besoi...si rezultat i kapi një salmon të vogël.
Uji i
liqenit nisi të valëzohet. Pushuesit u ngutën të vishnin kamishat dhe bluzat e
holla.
-Kaq e ka
ngrohtësia verore këtu tek ne. Se nga shkulet dhe vjen një re nursëze dhe moti
ftohet, -u mërmëriti Brajën.
-Lëreni
motin, ju lutem interesohuni për fëmijën,- iu shkreh plaka e thatime Mona. Ajo
nuk kish rënë dakord me shitjen e antikuarëve. Ata donin ti a blinin shumë lirë,
vetëm me disa dollarë të qelbur.
-Ah po, më
falni, -mërmëriti Stive dhe shtoi:- Ju sikur thatë fëmija e ardhësve të vonuar?
-Po. Fëmijë
ezmere, më delikatja, me të brendshmet e kaltra,- ndërhyri Kristina.
-Ajo e
imta, flokëzeza të prera shkurt, që qëndronte në fund të grupit?!-Ia bëri
Skotti.
-Ju
lutem, mos më lodhni, ka shumë mundësi që ajo të jetë,-foli plaka thatime Mona.
Ajo vështroi me bisht të syrit nga Kristina. Ajo besoi më kot se të rinjtë e
dashuruar janë shumë të çiltër.
-Oh! O
Zot! Ç'po bëhet, nuk duhet të qëndrojmë duarkryq, ta kërkojmë ngado. O burra të
hymë në ujë, - tha Skotti.
-Nuk e
sheh diellin e zuri reja dhe moti menjëherë u ftoh,- u ankua plaka thatime Mona.
-Punë e
madhe. Muskotarët janë mësuar me të ftohtin,- ia ktheu Stive me zë të grindur. Ëndrra
e kapjes së peshkut të madh iu kthye përmbys dhe ai ndjehej i trishtuar.
-Doni të thoshit
musketarët?-ia bëri Brajën.
Stive
topalli përdrodhi buzët, por nuk i ktheu përgjigje.
-Ju lutem
Brajën nuk është koha për shaka tani, - ndërhyri ashpër Daniela dhe thirri me
sa zë që kish në kokë: - Muskotarë, ejani të kapemi dorë përdore dhe ta
kontrollojmë liqenin me pëllëmbë.
Nisi kërkimi
i ethshëm, pushuesit e kapur dorë për dore lëviznin me ngadalë përgjatë bregut
të liqenit deri aty ku fillonte thellësia dhe ku ishin bërë pritë prej skafeve
dhe jahteve të vendosur për së gjati. Era e hidhët e frikës dhe e vdekjes i
kish përfshirë të gjithë pushuesit.
Fëmijët
ardhës të mbledhur grumbull në cep të lëndinës dridheshin. U kish ikur ngjyra e
fytyrës. Gazmendi i tyre i çiltër dhe i shkujdesur ish gremisur, qullur, rënduar
brenda në ujin e ftohtë të liqenit. Zhdukja e papritur e njërit prej fëmijëve të
pjesëtareve të familjes së tyre u kish vënë në fyt lakun e hutimit dhe të tmerrit.
Ndërsa burrat me gratë e tyre të mbuluar fund e krye qëndronin të ngurtësuar.
12
Vendi i
pushimit, në kthinën e bukur të liqenit
Muskoka e kish humbur qetësinë, aty ish rrëmujë, pështjellim. Pushuesit
të kapur dorë për dore, me nervat e tendosura dhe përqendrimin maksimal lëviznin
shumë ngadalë në liqen. Çdo sekondë që ikte u godiste në koka si tokmak. Fytyrat
e tyre qenë ngurosur, sytë të përqendruar
tek uji, tanimë u dukej i huaj dhe tinëzar. Gjithsecili pëshpëriste i ankthuar
pyetjen drithëruese:
-Ku duhet
të jetë vallë, ku duhet të jetë vallë, ku duhet të jetë vallë kjo fëmijë?
-Nga e solli kokën kjo dreq re,- u ankua përsëri
Stive topalli. Këmba e dëmtuar i therte në zemër prej ftohtësisë dhe qëndrimit
të gjatë në ujë. Kafshimi i gjarprit dhe uji i ftohtë e paskan njëlloj hidhësinë.
Por Stive topalli nuk mund të shkëputej prej dorës së butë e topolake të Danielës.
Kërkuesit
lëviznin hap pas hapi, në një varg të ngjeshur, të shtrënguar fort. Të mos
ngelej pa kontrolluar as dhe një pëllëmbë vend. Banorët e qytetit ' Engjëlli i
bardhë,' me mendjelehtësi pretendonin se e njihnin me pëllëmbë tabanin e ujit të
liqenit Muskoka, por nuk ish kështu. Ata dukeshin foshnjarakë në njohuri. Si të
gjithë ardhësit e të ikurit e tjerë. Kjo gjë i trishtonte thellë, sepse nuk
mund të realizonin kurrë ëndrrën mrekullueshme, të kapnin peshkun e madh.
Uji i
liqenit Muskoka indiferent, u fërkohej kërkuesve nëpër këmbë dhe në trup dhe i
ftohte. Ai nuk donte të lëshonte prej duarsh atë që merrte. Pse duhej, gjithnjë
kish dhënë. Jo më kot kish ushqyer, përkëdhelur dhe përkundur në qindra dhe
qindra vite me miliona e miliona peshkatarë, lundërtarë dhe pushues të shpenguar,
të nervozuar e të lodhur prej jetës. Liqeni Musoka me ishujt e vegjël dhe të pyllëzuar,
ish i përhershëm. Dhe këta pushues, apo ardhës të rinj që ndërtonin, prishnin,
që bënin potere, janë tmerrësisht të përkohshëm.
Vargu
zinxhir i pushuesve çante ujin në heshtje, me sytë e ngulur në brendësi. U
dukej i huaj, i rëndë dhe i akullt. Liqeni i tyre i dashur qe bërë më tekanjoz.
Hakmarrës i verbër dhe kish bërë marrëveshje të heshtur me renë e madhe lart në
qiell që ish mbërthyer dhe nuk lëvizte.
Në kulmin
e gjendjes së nderë. Zinxhiri i shtrënguar i pushuesve në liqen filloi të lëkundet.
Në krahun e majtë, pranë shtëpive
private, oshtiu zëri i ngjirur i polices se shërbimit prej të ftohtit të ujit:
-E gjeta
fëmijën, e gjeta!
Policja
shpërtheu prej ujit me fëmijën në krahë dhe mezi mbushej me frymë nga qëndrimi
i gjatë nën ujë. Ajo kullonte e gjitha. Trupi delikat i fëmijës varej në krahët
polices flokëverdhë. Ajo e gjeti fëmijën pa ndjenja, mbledhur kutullaç shumë afër
bregut. Duke e mbajtur shtrënguar fort në krahë, ngjiti me vrap shkallët drejt
ambulancës në rrugë.
Plaku Harri me shikim të humbur zbriti nga makina dhe i lëshoi vend fëmijës që nuk dihej në ish gjallë apo jo...