| E diele, 23.09.2012, 07:14 PM |
LARTËSITË
MË BARDHOSHE TË KRIJIMTARISË ARTISTIKE
Nga Musa R. Mehmeti
Kësaj
radhe, në veçanti, vëmendjen tonë e përfitoi krijimtaria artistike e Remzi
Limanit. Ky artist krahas sukseseve dhe kreacioneve në fushën e dizajnit grafik
dhe letërsisë, me përkushtim e invencion të thellë vazhdon edhe krijimtarinë pikturore
në teknikat: akuarel, guash, pastel dhe vaj në pëlhurë.
Motivet
kryesore të këtij artisti serioz janë peizazhet (tokësore, ujore, malore,
vendbanimesh jo vetëm urbane), natyra e qetë, ikebanet shqiptare (jo ngjashëm
si Alush Shima) dhe kompozicionet imagjinare.
Kurse
drejtimin artistik, me bazën e realizimit kritik në frymë moderne e mbarshtron,
e gërsheton me ndjeshmëri ekspresioniste dhe impresioniste.
Tendenca
e të gjitha temave dhe motivimit kreativ, ky artist i komponon me ndjeshmëri
estetiko filozofike dhe artistike. Mendimin përmbajtësor sa edukativ aq edhe
estetik e ka ngjeshur si pogaqen për mysafirin më të respektuar dhe më të dashur.
Në peizazhet
urbane ka kultivuar të kaluarën dhe të tashmën, jo vetëm të Prishtinës, por
edhe monumentet tona të rëndësishme kulturore historike siç është bie fjala “Shtëpia
e Nolëve” në Ibrik Tepe (Kodra e Poçarisë) në Turqi etj.
Të gjitha
krijimet e këtij artisti të pasionuar, në drejtpeshim kompozicional, me
atmosferë të duhur dhe të këndshme, me përplot kolorit të pasur e fascinues,
ngjyrash e tonalitetesh të ndjeshme e të rafinuara, sa edhe me plasticitet
pikturor kreacionesh të larta artistike, janë të kapshme edhe për syrin,
shpirtin dhe mendjen e shikuesit, jo vetëm të atij profesionist. Madje, jo vetëm,
që luan me ngjyra si në piano me një ritmikë mocartiane nga e blerta, e kaltra,
e kafës, okerit, e verdha dhe e kuqja me tonalitetit e bashkëveprim me
poetizimin lirik dhe dramën figurative.
Kështu,
peizazhet e Remzi Limanit (vaj në pëlhurë), simbolikisht duke na dhënë krenarinë
e Alpeve Shqiptare, sqaron dhe jep porosinë artistike përmes maleve, pyjeve të dendura,
të dëshiruara me gjithfarë drunjësh e pemësh që lulëzojnë dhe të fushave me
dimensione të gjëra pikturore, të qëndisura me vija të drejta përkufizuese sa
edhe me dimensione harmonizuese me njëra tjetrën me komunikimin e duhur
figurativ, me dimensionet e gjëra fushore, figurash dhe formash nga më të ndryshmet
dhe më të dëshiruara për artistin, të cilat kanë rrugë me të qarkullueshme, por
mjerisht pa figura njerëzore, gjë që figurativisht flet qartë për mallëngjimin
e pashuar të kësaj toke, që ndjen për mërgimtarët tanë.
Këto
forma imagjinare, sa fisnikërojnë, aq edhe preferojnë porosinë artistike për
ruajtjen dhe kultivimin e bimëve dhe të gjitha llojeve të drujnëve dhe pemëve,
jo vetëm për shkak të varshmërisë reciproke ekologjike por, edhe thjeshtë për
filozofinë e jetës sonë njerëzore e kombëtare në nënqiellin e lashtësisë sonë në
Ilirikum.
Në anën
tjetër, akuarelet dhe guashet janë aq të lëngshme sa edhe të këndshme, do të thoshim
si rrushi i Dukagjinit në gojën e fëmijëve tanë anë e mbanë trojeve etnike
autoktone, të cilët çdo ditë me dhembje e mallëngjim të pashuar thërrasin rininë
tonë, që të kthehet nga mërgimi i kushtëzuar...
Në pikturat
e realizuara, rrezet e diellit më mirë se në çdo vend tjetër të botës dëpërtojnë
përmes gjetheve të drunjëve deri në sipërfaqet e ujrave të krojeve dhe lumenjëve
tanë të kulluar, ku dritë hija artistike aq bukur e qet në pah thellsinë,
kthjelltësinë dhe tejdukshmërinë ujore e artistike përmes ngjyrave të arta të diellit
tonë mbi Ilirikum, që gjithashtu simbolika dhe metafora figurative flasin
shumanshëm.
Në këso
tabllo pikturore, sikur dëgjohet gjëma dhe thirrja e Nënë Tokës e Kosovës, që të
kthehen bijat dhe bijtë tanë nga udhët e mërgimit. S`ka gjëmë më trishtuese
sesa, kur thëret Nënë Toka – Kosova bijtë dhe bijat e saj që t`i kthehen e mos
ta lënë vetminë e shkretuar.
Këto
tabllo, sikur flasin me bindje dhe vetëbesim se gjithsesi do të kthehen nga mërgimi
në përqafim të zjarrtë me mëmëdheun, me Kosovën tonë, të cilës i kanë borxh më shumë
se prindërve të tyre.
Edhe
ikebanet shqiptare (jo si ato japoneze), as si të artistit madhor nga Tirana,
Alush Shima, me përmbushjen e saksive, vazo lulesh nga më të bukurat e dheut,
me aromën më të këndshme të planetit tonë, me plasticitetin kompozicional dhe
atmosferë fisnikruese, këto ikebane shqiptare të Remzi Limanit, sikurse janë bërë
gati për të pritur mirëseardhjen e mërgimtarëve tanë nga mërgimi i mallkuar.
Ky pra,
Remzi Limani është një nga xhevahirët e xehërores së Prishtinës, që ecën kah
lartësitë më bardhoshe të krijimtarisë artistike pikturore, i cili me vepër po
e nderon qenien dhe qështjen tonë mbarëkombëtare i cili është ndër donatorët e
parë të sektorit mbarëkombëtarë pranë Galerisë së Arteve Kombëtare në Tiranë.