| E shtune, 22.09.2012, 11:29 AM |
Në kuadrin e 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë
Dalan Luzaj uron: Ditë të mirë paç, Mëmëdhe!
Nga Zyba Hysen Hysa
Gjithë shqiptarët,
kudo që jetojnë e punojnë, në përshëndetjet që dërgojnë njerëzve të dashur, kanë
dërguar dhe urime mëmëdheut tyre. Boll t'i sjellësh shqip këto urime, veshët e
dheut i dëgjojnë edhe përtej maleve, deteve, oqeaneve e shpirti i ngazëllen e
ndjehet se ka bij e dihet, bijtë vonojnë, por nuk harrojnë...
Duke kërkuar
diçka në internet, në lidhje me një patriot, pjestar i Ballit Kombëtar, gjej
disa poezi të poetit, Dalan Luzaj dhe lexoj: "Ditë të mirë, paç Mëmëdhe!"
Ndaloj dhe harroj se çfarë po kërkoja. Titulli i kësaj poezie, ishte një urim që
dilte nga shpirti i një poeti e shpirti i poetit, nuk ka nevoje të përcjellë mesazhe
dhe urime që i dëgjon veshi, shpirti tij ka fije të padukshme (mistike), që shkojnë
e vijnë, dërgojnë e marrin sinjale me palcen e shpirtit të mëmëdheut. Kështu
komunikonin rilindasit tanë dhe s'kishte se si të mos ndjenin dhembjen e tij,
brengën e mëmëdheut dhe Naimi do ta qetësonte duke i thënë se Ai ishte gjithça
për të dhe ndjehej krenar që ishte shqiptar duke shkruar: "Ti, Shqipëri më
jep nder,/ Më jep emrin shqipëtar./ Zemrën Ti, ma gatove,/ Plot me dëshir' e me
zjarr..." A nuk u duket se ai kuvendon ballë për ballë me Mëmëdheun e tij?
A nuk e besoni se këtë e realizon përmes fije - drite që veç shpirti i një poeti
ka fatin ti ketë ato? Kështu dhe Çajupi qetësonte veten dhe siguronte Atdheun,
se sa i lidhur shpirtërisht ishte me të: "Mëmëdhe, quhet toka,/ Aty, ku më
ka rënë koka,/ Ku kam dashur mëm' e atë,/ Ku më njeh, dhe gur' i thatë...Ku
rroj me gaz e me shpres,/ Ku kam dëshirë të vdes!" Qante Noli, ulërinte,
se e ndjente dhembjen e Atdheut, se kur atdheu lëngon nën peshën e gjakut që derdhet
nga bijtë plangprishës, helmi e kalon helmin e shpirti i poetit nuk ka paqe,
ashtu si palca e zemrës së Dheut: "Arratisur, syrgjynosur,/ Rraskapitur e
katosur,/ Po vajtoj, pa fund, pa shpresë,/ Anës Elbë - s, anë Press - ë,/ Ku e
lam' e ku na mbeti,/ Vaj-vatani e mjer mileti,/ Anës detit i palarë,/ Anës dritës
i paparë,/ Pranë sofrës i pangrënë,/ Pranë dijes i panxënë,/ Lakuriq dhe i
dregosur,/ Trup e shpirt i sakatosur..." Unë besoj dhe besoj, se nuk ka se
si poeti Visar Zhiti do t'i shkruante Kosovës: "Ti, kalë i bardhë, Pegasi
im,/ Si shkohet në Kosovë, tregomë!/ Malli më ka marrë pa qënë kurrë...." Pse
shpirti i poetit ishte i dashuruar me Kosovën, pa e parë me sytë ballit kurrë,
pa e prekur këmba, pa pirë dhe një gotë ujë nga burimet e bjeshkëve të saj, ai
Ai ishte i dashuruar me të, vetëm duke e parë, prekur dhe pirë në gjitin e saj
përmes fijeve të padukshme që e lidhin poetin me tokën mëmë. "Unë, biri
yt, Kosovë t'i njoh dëshirat e heshtura,/ T'i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me
shekuj,/ T'i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet,/ T'i njoh lindjet e bardha, caqet
e tuka të kulluara;/ Ta di gjakun që të vlon në gji,/ Dallgën kur të rrahë netëve
t'pagjumta,/ E të shpërthej do si vullkan:/ Më mirë se kushdo tjetër të njoh,
Kosovë./ Unë biri yt." do të shkruante Ali Podrimja. S'ka nevojë për
koment, ai ma mbyll gojën se pëmes eshtrave në tokë që kanë filluar të nxjerrin
flakë fosforike dhe fijeve të pavdekshme të dritës së shpirtit tij atje lart në
qiell, unë komunikoj dhe lotoj e pranë më vjen Fatos Arapi e më pëshpërim,
ashtu fshehtas, fshehtas e më bën të shkëputem prej Kosove e të dridhem prej
flakë- vargjeve të tij: "Atdheu është dhimbje, është dhimbje./ Një prill i
pikëlluar në shpirt./ Atdheu është kryqi , është kryqi
E mban - dhe
të mban ty në shpirt!" Dhe hesht... Lotoj... Dhimbje... dhimbje... dhimbje...
Kryqi... kryqi... kryqi... buçiste zemra e tokës dhe plaste zemra ime...
Eh, ç'më bëtë,
o poetë! Në këto orë të vona, kur dhe dheu fle, dhe qielli fle, dhe deti fle,
por unë e di... poetët nuk flenë, ata vuajnë për të gjithë, për të tërë, për
tokë e për qiell, për njerëz e për e për zot...
Oh, sa
larg paskam shkuar... e poezia e Dalan Luzajt më vjen si zgjim, sikur thotë:
"Unë jam bir i Vlorës, ndaj po e nis urimin për 100 Vjetor i pari, se më takon,
kam mall... kam mall... Atje prehet nëna që Dritë e kishte emrin, atje prehet
babai, që flakë e kishte zemrën, atje kam lënë hapat mbi rërë, atje kam lënë...
"Në Vlorë tha Ismaili, i pari vetë çau,/ Shtizë bëri krahun, flakë u bë në
erë,/ Qasi gurë themeli, gurët më të rëndë,/ Në gjynjë ra Isa, sy e zemër prerë,/
Rilindi Shqipëria, brofi Mëmëdheu!/ Mëhallat e Atdheut, Kosova e Çamëria,/ Sheshit
të Flamurit, sosi Skënderbeu,/ Atdhen', Ismail, ta besova Ty,/ Kanina djep,
varr dhe lavdi,/ Të gjallë e të vdekur bashkë çdo Nëntor,/ Shtiza bën lart, Kuq
e Zi në Vlorë!" Nuk ka si të ndodhte ndryshe me poezinë e Dalan Luzaj, me
titull, "Në Vlorë", duket që ka forcë vlonjati, ajo depërton dhe shpëndan
flakë krenarie, dashurie, mirënjohje, dëshire, shprese dhe besimi se "Shtiza
bën lart, Kuq e Zi në Vlorë!" Pra ai beson se amaneti i Ismail Qemalit "Ne
bijve u lamë një copë tokë, kufijtë le t'i gjejnë vetë!" "shtiza bën
lart" dmth Kombi do bashkohet një ditë dhe zemra e këtij bashkimi do të jetë
Vlora "Kuq e Zi në Vlorë!"
Le t'ia lëmë
pra, të drejtën e urimit, këtij poeti që shpirti i bie dhe i merr çdo çast
mesazhe nga shpirti i tokës që e lindi dhe e rriti, mesazhe që e bëjnë të marrë
frymë lirshëm dhe në të njëjtën kohë i jep frymë, e ripëtrin, i jep forcë dhe
shpresë Atdheut për ditë më të mira dhe në poezinë "Ditë të mirë paç, Mëmëdhe"
Vlora dhe gjithë trojet tona Etnike le të presin urimin e parë për 100 Vjetorin
e Shpalljes së Pavarësisë dhe qoftë e afërt Dita e Bashkimit tonë Kombëtar!
"Ditë të mirë paç, Mëmëdhe,/ Gjaku yt kënd më kënd shpërndarë./ Sa më larg
aq më pranë na ke,/ Gjithësesi të urojmë për mbarë!/ Natën e mirë, paç Mëmëdhe!/
Si u errën bijtë e vuajtur, bijtë e tu aty?/ Për shpërblim jepu dy pashë dhè,/ Për
gjithë ç’vuajtën, ndizu një qiri!"