| E shtune, 22.09.2012, 11:18 AM |
Në themelet e një tregimi popullor
Shkruan: Ireshtansi
Se ka ndër
ne arkitekt të së keqes që edhe dreqi do t’ua kishte lakmi, këtë e kam menduar
por nuk më ishte ngulitur në kokë derisa e provova në lëkurën time. Unë isha
ndarë me kushërinjtë e mi qysh moti, në fakt ishte ndarë babai me vëllanë e
tij, të dy të vdekur tashmë. Kishin ndarë tokën e gjënë e gjallë, e pas kaq
vitesh djemt e xhaxhait mëtonin se toka qenkësh ndarë keq. Se ata paskëshin
punuar më shumë e rrjedhimisht duhej tu takonte më shumë. Ata ishin katër, unë qëllova
i vetëm, edhe trashigova më shumë. Për faj e as meritë të askujt. Kështu ishte
ndarë pasuria qysh se dijmë diçka për veten. E jo që edhe atyre nuk iu dilte
por zilia s’i lente rehat.
Ata ia
kishin vënë syrin livadhit të madh e që për njëfarë kohe edhe e morën. Por para
kësaj e kishin parë të udhës të ndërmarrin një fushatë shpifjesh kundër meje që
t’i përgadisin njerëzit për aktin tjetër.
- Ai
prindve t’vet iu ka bërë njëqindë të zeza, kishte thënë Samiu dikund, ndërkohë që
numëronte tespihet si njeri që ecën vetëm në rrugën e zotit. Se gruaja e tij, çka
i ka bërë vjehrrës... kishte shtuar ai dhe kishte marrë pozën e të pafajshmit
ekstrem të kopjuar mbase nga ndonjë pikturë fetare. - Ajo e shkreta të sharat
edhe i duronte, por dikur ia shtuan edhe shuplakat, e hera herës edhe dajakun. Hej
zot, kishte lëvizur nga vendi ai, këto mos i dëgjofsha as për hasmin e lëre më për
timin, kishte përfunduar Samiu, më i madhi i vëllezërve dhe kushëri i imi.
Shpifje të
këtij lloji kishin marrë dhenë. Ata iu kishin dhënë njerëzve reçetën për biseda
të mira. E në një shoqëri ku e mira e njërit është e lidhur ngusht me të keqen
e tjetrit këto gjëra janë si të reshurat e verës në arën që lëngon. Madje disa,
edhe pse merren me bujqësi, do t’i jepnin dhjetë të reshura për një lajm të tillë.
Zatën,
disa nga këto shpifje më kishin ardhur në vesh, por kisha vendosur të mos
reagoj. Unë e dija si duhet biseduar me këta njerëz por llogaritë nuk më dilnin,
prandaj i lashë njerëzit të flisnin.Vetëm kështu mund të shterrej ky muhabet,
se ndryshe zgjatej, madje merrte hov.
Dhe pas
disa muajsh kur ishin mbajtur disa seanca me shpifje, ata dolën në temë dhe qitën
fjalën rreth livadhit të madh. Per këtë çështje paskëshin biseduar edhe babai
im me të vëllanë dhe i paskëshin thënë Samiut, por Samiu kishte propozuar që njëherë
për njëherë ta shfrytëzoj unë livadhin e madh, se atyre nuk iu duhej. Dy të vdekur
dhe një i gjallë që përcjell fjalët e tyre të cilat ia paskëshin thënë vetëm
atij. Livadhin e madh unë e paskam pasur vetëm në shfrytëzim e jo edhe në pronësi,
Pronarët paskan qenë tjetërkush dhe ata po vinin. Dhe nga fjala në vepër, ata
një ditë i kishin përzënë nga livadhi i madh dy djemt e mi që aty kullosnin bagëtinë. I vogli erdhi duke qarë. Ia lëmova flokët dhe
vetëm e shikova. Çka t’i thoja kur unë isha në një gjendje më të keqe se ai. Kësaj
gjëje i isha friguar që në fillim, dhe jo për vete sa për fëmijët e mi të vegjël
sepse çkado që të më ndodhte mua, ata do ta përjetonin më rëndë. Të dëmtuarit
kryesor do të ishin ata.
Tani në mendje
kisha dy rrugë, të dilja e të vrisja ndonjërin apo të lëshoja pe, por që të dyja
kishin pasoja të mëdha, e si pasojë aspak nuk e llogarisja humbjen e këtij
livadhi të mallkuar të cilin do doja të mos e kisha, e që më kishte rënë në hise
vetëm për të më bërë fatkeq. Por sikur të mos ishte ky do dilte diçka tjetër,
mendova, se nga njerëzit e ligj nuk priten gjëra të mira.E kjo tokë sikur është
e bereqetshme për njerëz të tillë. Ata këtu i kanë të gjitha kushtet për tu
zhvilluar e për ta ushtruar zanatin e tyre. Sepse neve qysh moti e keqja nuk na
lë asnjë përshtypje. Prandaj edhe jemi të robëruar mendova, se si mund të jetë rob
një popull që do të mirën e që e irriton e keqja ?. Nuk mundet. Se edhe në mos
e ndëshkoftë fare të keqen, vetëm një irritim, një shtrembërim fytyre karshi
saj do të na mjaftonte të ishim të lirë. Por ne as këtë nuk e bëjmë. Ne të keqes
i qeshim. Derisa ajo vjen edhe tek ne.
E
krahasova gjendjen e popullit tim me gjendjen time dhe çuditërisht vërejta se
kishim shumë gjëra të ngjajshme. Unë isha si një popull në miniaturë që po
vuante padrejtësitë, por si çdo njeri mendova që asnjë padrejtësi nuk është më e
madhe se e imja, sepse këtë po e vuaja vet.
E mata
shumë herë këtë problem, por sa më shumë që e matja aq më shumë i largohesha
zgjidhjes. Këtu duheshin veprime të pamatura të cilat më kishin ikur qyshse
kisha filluar ta masë problemin.
Vendosa të
ankohem tek miqtë. U ankova gjithandej, siq nuk e kisha bërë kurrë, e siq nuk
do ta bëja kurrë, por halli që kisha më bëri ta tejkaloj vetveten. Miqtë e mi që
të shumtët ishin edhe miqtë e kushërinjve të mi, u folën atyre. Por ata
kurrsesi të zbrapseshin, prandaj disa miq propozuan që këtë punë t’ia lëmë pleqve
ta zgjidhin. Unë u pajtova. Edhe kushërinjtë e mi ishin pajtuar.
Propozuam
bashkarisht katër pleq dhe një ditë u mblodhëm në odën e kushërinjëve të mi. Samiu
e hapi çështjen. Ai tha që paskësh folur edhe me prindërit tanë, ndjesë paçin, dhe
se livadhi i madh i takonte atij me vëllezër. Pastaj tha që ata pasi ishin më shumë
edhe kishin punuar më shumë kur ishim bashkë. Këto gjëra ai i kishte rrahur
edhe me prindërit tanë, ndjesë paçin dhe ata ishin pajtuar.
Pastaj
fola edhe unë. Iu thashë që ne e kishim ndarë tokën, dhe toka njëherë ndahet,
dhe nuk ndahet me kush ka punuar më shumë e më pak, ndahet njësoj. Fola shumë por
asnjëherë kërcënueshëm. Doja që ky problem të zgjidhej paç edhe të shkonim
secili në shtëpitë tona. Unë isha i bindur që kisha të drejt dhe kur kjo çështje
kishte dalë në pleq e dija që do të zgjidhej në dobinë time.
Pastaj
foli xha Murati. Ai tha që në ndarjen e tokës mund të kishte rëndësi edhe ajo që
kush ka punuar më shumë e kush më pak. Ai përmendi një rast kur njërit vëlla i
kishin lënë vreshtin sepse kishte qenë gjithmonë më i zellshëm në punë. Pastaj
Samiu paska folur edhe me prinërit tuaj dhe edhe ata qenkan pajtuar, përfundoi
ai duke shikuar nga pleqtë tjerë, për t’jua lënë radhën edhe atyre.
Unë e
pashë që këtu çështja po merrte teposhtzen, megjithatë heshta.
-Shikoni,
foli xha Dauti, toka është ndarë gjithëmonë njësoj, është pjestuar për vëllezër,
dhe këtu nuk ka lidhje kush sa ka punuar. Njëherë..., nisi të tregoj ai një ndodhi
për të përforcuar fjalët e veta, ishin tre vëllezër. Njëri nga ata ishte i verbër
dhe kurrë s’kishte punuar. Kur erdhi koha për tu ndarë dy vëllezërit deshën t’i
lënë atij më pak, sepse ai s’kishte kontribuar asgjë, e këta madje kishin
shtuar pasuri. Puna doli në pleq. E pyetën pleqt këtë të verbërin se çka ka bërë
ai gjatë jetës së vetë. Asgjë, tha ai, vetëm kam ndenjur në odë dhe kur dëgjoja
hapa ose ndonjë lëvizje kollitesha njëherë fort. E pra i thanë pleqt, ajo e
kollitur ty s’të lë pa hise, sepse shtëpia nuk ka qenë pa njerëz. Dhe i dhanë atij
njësoj sikur edhe të tjerëve. Sepse këto gjëra as që duhet të bëhen bisedë. Toka
ndahet për vëllezër. Dhe ndahet njësoj tha xha Dauti.
Xha
Murati e mori prapë fjalën, ai mbrojti qëndrimin e vet. Folën edhe të tjerët. Dikush
andej, dikush këndej. Edhe Samiu foli prapë, në të vetën. Donte të tregonte që nuk
lëshonte pe. Dhe pas dy-tri orësh me këto biseda pleqt thanë që do të marrin
vendimin. Ne të gjithë dolëm në oborr, ndërsa pleqt i lamë brenda. Unë kisha me
vete djalin e madh, atëherë dhjetë vjeqar dhe përball nesh pak më tutje rrinin
të katër vëllezërit. Ata flisnin në mes vete dhe hera herës na shikonin kërcënueshëm.
Ne rrimim në heshtje. Nuk e folëm asnjë fjalë derisa na thirrën brenda.
U ulëm që
të dëgjonim vendimin.
- Ne,
foli xha Dauti në emër të të gjithëve, ju dëgjuam të dyja palët dhe morëm
parasysh fjalët tuaja. E shoshitëm këtë çështje me ju e edhe vetëm në mes nesh
dhe ne të katër erdhëm në përfundim që livadhi i madh t’i takoj Samiut me vëllezër.
Unë kur dëgjova
këtë pata një trullosje të momentit, pastaj një vlim gjaku dhe menjëherë brofa
në këmbë.
-Qohu, i
bërtita djalit, lëshoji bagëtinë dhe dërgoji tek livadhi i madh. Djali u qua
menjëherë dhe doli. Pas tij dola edhe unë rrëmbimthi dhe kërcënueshëm. Shkova
drejt e në shtëpi dhe mora pushkën me mendjen që të shkojë tek livadhi i madh e
aty t’i ndreqim llogarirtë. Por kur po dilja nga oborri duke vrapuar erdhi një fëmijë
i kushërinjëve të mi. E kishin dërguar të më thërrisnin. Shikova nga shtëpia e
kushërinjëve dhe atje pashë xha Muratin i cili ma bënte me dorë e më thërriste.
Lashë armën dhe shkova përsëri në odë.
U ngute
pak, më tha xha Murati kur u ulëm në odë, se ne livadhin e madh ta kishim lënë ty
por ti nuk prite ta përfundojmë. Apo nuk është kështu?. Pleqtë e tjerë pohuan
me kokë. Edhe Samiu, në emër të vëllezërve tha që e pranojnë vendimin e pleqve.
Unë e
rimora livadhin e madh, jo pse ma dha dikush, por sepse në momentin e fundit
qesh i gatshëm të vdes aty, ndërsa kushërinjtë e mi të cilët nuk e kishin
llogaritur këtë reagim timin, u zbrapsën.
Më vonë kur
e takova xha Dautin, ai e pranoi që livadhin e madh kishin dashur t’ia lënë Samiut
edhe për të më kursyer mua sepse kishin dyshuar që unë mund ta zotëroja pa pëlqimin
e kusherinjëve të mi, të cilët kishin qenë këmbngulës në këtë çështje.
E unë tek
livadhi i madh sot kam ndërtuar shtëpi. Aty do të ndërtojnë edhe djemt e mi, e
dhëntë zoti edhe djemt e tyre. Ia pashë hajrin atij vlimit të gjakut në çastet
e fundit, se unë do të jetoja mirë edhe pa këtë livadh, por çka t’i bëja nëpërkëmbjes
që synohej të më bëhej. Me të si do të jetoja?!