| E merkure, 19.09.2012, 08:04 PM |
ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONI – DEGRADIMI EKONOMIK?
Nga Xhelal Zejneli
Që prej
vitit 2006 deri më sot, në hapësirat shqiptare në Maqedoni vërehet një ngecje e
madhe ekonomike. Qytetet, për mungesë të investimeve ekonomike, janë shndërruar
në qyteza, në kasaba dhe në varosh. U ngjajnë pallankave të Serbisë.
Veprimtaria ekonomike në to, dita-ditës shënon rënie.
Në qytetet
dhe në vendbanimet shqiptare, që prej vitit 1991 deri më sot, nuk është bërë
asnjë investim ekonomik nga ana e shtetit. Si pasoje e mungesës së investimeve,
në hapësirat shqiptare mbizotërojnë papunësia, problemet sociale dhe pasojat që
vijnë prej tyre. Me këtë dështim të plotë në rrafshin ekonomik, të rinjtë
shqiptarë Maqedoni - nuk kanë perspektivë. Një pjesë e madhe e tyre në çdo çast
janë të gatshëm të shpërngulen për të gjetur punë në Perëndim. Shumë të rinj
shqiptarë, vitet e fundit, për të siguruar ekzistencën, shkuan deri në
Irak dhe në Afganistan. Për fat të keq, ka pasur edhe raste të jenë
kthyer në arkivol. Shqiptarët e presin me padurim korrikun dhe gushtin -
muaj të verës - kur mërgimtarët kthehen në vendlindje. Por edhe
mërgimtarët nuk janë ata që kanë qenë më parë. Thuhet se edhe ata nuk harxhojnë
më si dikur. Pjesa më e madhe e mjeteve devizore që i dërgojnë apo që i sjellin
vetë mërgimtarët shqiptarë nga Perëndimi përfundon në duart e bankave
maqedonase apo në llogaritë e afaristëve maqedonas.
Universitetet
dhe degët e tyre të shpërndara pothuajse në çdo qytezë shqiptare, vit për viti
nxjerrin kuadër të diplomuar. Për çdo ditë promovohen të rinj me tituj
akademikë. Askush nuk pyet: “Ku do të shkojnë këta të rinj të
diplomuar? A do të punësohen ndonjëherë? Ku do të punësohen? Ç’do të ndodhë me
ta?!” Për një vend pune, konkurrojnë qindra vetë. Ç’perspektivë i
thonë kësaj?! Ç’fitore është kjo?!
Ka të rinj
që mezi presin të gjejnë e të martohen me ndonjë vajzë me letra,
për t’i nxjerrë në Itali, në Zvicër, në Gjermani apo në Skandinavi.
Qytezat
shqiptare duken të mjera. Në to nuk lëviz asgjë. Nuk ka kurrfarë zhvillimi
ekonomik, kurrfarë jete kulturore. Punojnë vetëm çajtoret, byrektoret,
qebaptoret, bastoret dhe tavernat. Një numër i madh i njerëzve që veten e
marrën për intelektualë, me dekada e vrasin kohën nëpër çajtore, duke luajtur
letra dhe gur. Ky është fati i njeriut të shkolluar të provincës. Në provincë
nuk ka asnjë institucion.
Qytezat
shqiptare në Maqedoni nuk kanë pothuajse kurrfarë industrie. Pa industri dhe
ekonomi, s’mund të kesh as prodhim. Pa prodhim mallrash, s’mund të kesh as
eksport. Pa eksport, s’ke si të sjellësh mjete devizore. Pa industri dhe
ekonomi, ke papunësi, skamje, varfëri dhe probleme sociale. Pjesë e problemeve
sociale janë edhe dukuritë kontrakulturore, siç janë: vrasjet, vjedhjet,
hajnitë, zënkat, rrahjet, narkomania, shkurorëzimet, prostitucioni.
Pjesë e
pandarë e papunësisë janë edhe dëshpërimet, deprimimet, traumat shpirtërore,
neurozat, rënia e moralit, thyerja e dinjitetit, cenimi i integritetit,
çintegrimi i personalitetit. Një shoqëri pa industri dhe ekonomi s’mund të ketë
as institucione shoqërore, shëndetësore, arsimore dhe kulturore të mirëfillta.
Pa industri, s’ke as administratë.
Institucionet
shoqërore dhe ato kulturore, përpos që do të ishin në funksion të shoqërisë, do
të përthithnin edhe të rinj të arsimuar. Me fjalë të tjera, për të rinjtë e
diplomuar do të krijohej mundësia e çeljes së vendeve të reja pune.
Në qytezat
shqiptare në Maqedoni s’ka kurrfarë jete kulturore. Në to s’ka asbiblioteka,
as librari bashkëkohore, as teatër dhe as kinema.
Pa to, rinia shqiptare është e dënuar ta kalojë kohën në kafeteri. Ngecja e
gjithanshme e shqiptarëve në Maqedoni vërehet edhe nga mënyra se si
organizohen panairet e librit. Nëpër qyteza nuk mbahen as panaire
libri, për arsye se nuk ka objekte përkatëse që do të përdoreshin për afirmimin
e librit, të krijimeve letrare artistike, të kërkimeve shkencore dhe studimore.
Në provincë, njerëzit pak lexojnë dhe fare pak blejnë libra. Ata që duan të
lexojnë dhe të blejnë libër, nuk kanë para, ndërsa ata që kanë para, as lexojnë
as blejnë libër. Sundimi shekullor mbi shqiptarët ka bërë që shqiptari çdo ditë
të luftojë me jetën për të mbijetuar. Për popujt pa ekonomi kultura është luks.
Barku i unët nuk do poezi. Arti është elitist.
Tetova me
dy universitete, duket si një qytet i shkretë. Pa ujë të pijshëm, pa bibliotekë,
pa teatër, pa objekt për organizimin e panaireve, pa librari bashkëkohore, pa
sallë sportive, pa industri, pa ekonomi, pa sistem bankar, pa institucione
financiare, me problemin e hedhurinave, me kontejnerë të stërmbushur, me qenë
endacakë rreth tyre dhe me pseudo-intelektualë memecë.
Gjatë
fushatave parazgjedhore ka pasur mbartës politikë dhe pretendentë për deputetë
të cilët me plot gojën premtonin: “Do ta bëjmë Tetovën metropol...” S’u
bë kurrfarë metropoli. Përkundrazi, mbeti qytezë e rrënuar, kasaba dhe varosh,
për t’u ngjarë pallankave të Serbisë. Në anën tjetër, në Shkup dhe më pjesën
lindore të Maqedonisë, për çdo ditë ndërtohen dhe rindërtohen objekte kulturore
dhe sportive gjigande.
Faktorët
politikë shqiptarë, atë që e premtojnë sot e realizojnë pas shumë vitesh. Dihet
qartë se çështjet politike nuk zgjidhen lehtë. Por në Maqedoni, kur është fjala
për hapësirat shqiptare, nuk realizohen as premtimet e natyrës
kulturore. Edhe kur realizohen, kjo ndodh pas një zvarritjeje shumëvjeçare.
Ku është parë në botë që një qytet me dy universitete të mos ketë bibliotekë
dhe teatër?! Përse, prej premtimit deri në realizim duhet të kalojnë vite?!
Deri te realizimi i projekteve shqiptare arrihet në faza: faza e parë është
premtimi, pasojnë - pritja për ta marrë pëlqimin parimor të partnerit të “bashkëqeverisje”,
pritja që projekti të hyjë në agjendën e organeve ekzekutive, hedhja e dy-tri
lopatave beton para kamerave dhe mediumeve, pritja për të siguruar mjete
financiare, shkaktimi i problemeve artificiale, shpërqendrimi i vëmendjes në
tema të reja, shtyrja e afatit të parashikuar, vonimi i realizimit të projektit
për arsye nga më të ndryshmet etj. Kështu, për ndërtimin e një objekti kulturor
të premtuar - dhe të propaganduar në gazeta e televizor – duhet
pritur vite e vite. Pas dy dekadave objekti kulturor vërtete bëhet, por po të
shkohet para me këtë ritëm kërmilli, bota do të na lërë larg.
Pritje e
Godosë dhe punë Sizifi. “Sizifin duhet paramenduar të lumtur” –
thotë Kamy.
Pas njëzet
vjet pritjeje plot ankth dhe shpresë, politikanët shqiptarë e bëjnë përurimin e
objektit. Për këtë zvarritje pa mbarim, në vend që t’u kërkojnë falje të
rinjve, pozojnë para kamerave dhe objektin - të shndërruar në pritje
beketiane- e shpallin arritje madhështore dhe historike të kombit.
Arritje madhështore ka nisur të konsiderohet ndërtimi i ndonjë salle të
fizkulturës në ndonjë shkollë katundi.
Kur një
shoqëri nuk ka institucione për jetë kulturore, atëherë të rinjtë s’kanë se si
të krijojnë shprehi për t’i përcjellë edhe ato pak veprimtari të kësaj fushe.
Në qytetet me më shumë tradita, çdo mbrëmje shfaqet nga një pjesë teatrale,
ndërsa panairet e librit shndërrohen në eveniment kulturor.
Derisa
shqiptarët në Maqedoni s’ia dalin në rrafshin kulturor, si do t’ia dalin në atë
politik?! Asnjë popull në histori nuk ia ka dalë në rrafshin politik, pa u
ngritur lartë në pikëpamje kulturore. Shqiptarët po kthehen pas. Ende merren me
kërkesa të dimensionit kulturor dhe nuk ia dalin!! Ndërrimi i emrave të
shkollave nuk është kurrfarë çështjeje politike. Nga pala maqedonase kjo
çështje qëllimisht politizohet.
Shqiptarët në Maqedoni janë shndërruar në treg ekonomik dhe në
koloni të sllavëve. Shqiptarët në Maqedoni
prodhojnë fare pak, për të mos thënë aspak. E tërë industria, ekonomia, sistemi
bankar dhe ai financiar është në duart e maqedonasve. Çdo gjë që blejnë
shqiptarët, kryesisht janë prodhime serbe dhe maqedonase. Shqiptarët blejnë
madje edhe produkte bujqësore dhe blegtorale, edhe pse kanë fusha pjellore dhe
bjeshkë me kullota. Shqiptarët në Maqedoni janë shndërruar në koloni
sllave. Shqiptarët janë në margjinat e të gjitha proceseve ekonomike dhe
financiare. Janë getoizuar si në kohën e shtypjes së egër të boshtit
antishqiptar të krimit Shkup-Beograd-Titograd.
Nëpër
qytezat shqiptare punojnë marketet e mëdha që shesin produkte ushqimore, e që
administrohen prej maqedonasve. Çdo ditë shqiptarët i lënë paratë e veta në
këto super-markete. Në mbrëmje, këto para derdhen në xhirollogaritë e
afaristëve maqedonas të Shkupit. Edhe kur ndonjë super-market menaxhohet nga
ndonjë ndërmarrësi shqiptar, paratë përsëri derdhen në xhirollogaritë e
biznesmenëve maqedonas. Përse?! Për arsye se pothuajse i tërë malli që ndodhet
në markete prodhohet prej tyre, ose del prej magazinave dhe depove që
administrohen prej tyre.
Shqiptarët
edhe si prodhues nuk janë të pavarur. Kuptohet, punët në ekonomi janë të
ndërlidhura. Mirëpo, lehtë mund të konstatohet se prodhuesi eventual shqiptar,
80-90 % të lëndës së parë e blen prej sipërmarrësve maqedonas.
Përkundër
faktit se dikasteri i Ministrisë së Ekonomisë të RM-së, disa mandate me radhë
është qeverisur prej shqiptarëve, siç qeveriset dhe sot, shqiptarët në
Maqedoni, në njëzet vitet e pluralizmit, në lëmin e ekonomisë nuk kanë bërë
asnjë hap para. Përkundrazi, kanë shënuar ngecje. Shtrohet pyetja: “Kujt
i kanë shërbyer ministrat shqiptarë që kanë qenë në krye të ministrisë së
sipërthënë, siç janë dhe sot?” Ministrat shqiptar të qeverive
maqedonase, që nga viti 1991 deri më sot, herë pas herë e kanë vizituar edhe
Tiranë apo Prishtinën. Prej këtyre vizitave, në njëzet vitet e pluralizmit nuk
është realizuar asnjë projekt i rëndësishëm. Vizitat e ministrave shqiptarë të
qeverive maqedonase u kanë shërbyer nomenklaturave dhe koniunkturave partiake
për t’u hedhur shqiptarëve në Maqedoni hi syve, se ja, ne po bëjmë diçka në
planin gjithëkombëtar. Të gjitha takimet e deritashme midis ministrave
ndërshqiptarë në Shqipëri dhe në Kosovë kanë përfunduar me konstatime, me
dëshira të mira, me pëlqime parimore të ndërsjella, me dakordime gjatë drekave
dhe darkave. Në këto dy dhjetëvjeçarët e fundit, midis Shkupit, Tiranës dhe
Prishtinës deri në këtë çast nuk është realizuar asgjë konkrete. As edhe një
investim të vetëm nuk është bërë. Madje as në letër jo.
Faktorët
politikë shqiptarë që janë në ekzekutivë, kohë pas kohe i vizitojnë edhe
hapësirat shqiptare në Maqedoni. Pas takimit me drejtuesit shqiptarë të
komunave dalin me deklarata dhe prononcime: “Konstatuam se zona që e
vizituam sot ka kushte dhe mundësi të volitshme për zhvillimin e turizmit
malor...Ramë dakord me kryetarin e komunës që në një të ardhme të shpejtë të
investojmë sidomos në hortikulturë...”Këto floskula të zbrazëta nuk janë
larg propagandës demagogjike dhe mashtruese të agjitpropit dhe të
emisarëve bolshevikë. Me fjalë të tjera, ministrat shqiptarë të qeverive
sllavo-maqedonase, prej vitit 1991 deri më sot, kur është fjala për investimet
në hapësirat shqiptare, gjithmonë mbeten në rrafshin e konstatimeve, për të mos
realizuar asgjë konkrete.
Para disa
vitesh, në një zonë të Tetovës, para kamerave u hodhën ca lopata me beton në
atë që i thonë gur-themel, për të ndërtuar një zonë të lirë ekonomike.
Kaluan vite, por nga kjo e ashtuquajtur zonë e lirë ekonomike s’doli gjë. Dihet
se një ditë ajo do të bëhet. Po kur?! Kur të rinjtë e sotëm t’i takojnë brezit
të humbur, që të kujton brezin e humbur të Hemingueit.
Shqiptarët
në Maqedoni merren me shitblerje në dyqanet e mëhallave, që para ca vitesh kanë
qenë dhoma ose bodrume. Ekonomia nuk bëhet me mallrat, që me qese najloni blihen
në Bitpazar të Shkupit, për t’ua stërshitur - veresie - blerësve
të varfëruar të kasabave shqiptare në veriperëndim të këtij vendi.
E mjerë
është ajo shoqëri e cila shkallën e zhvillimit të një qyteti e mat me ndërtimin
e dy-tri qarkoreve në udhëkryqet me semaforë.
Kur shteti
ka krizë ekonomike, pushteti, për t’i amortizuar pakënaqësitë, protestat dhe
revoltat sociale, zbaton politikën panem et circenses. Organizon në
sheshin e qytezës një koncert me muzikë zbavitëse, ku mblidhen mijëra
të rinj të papunë për t’u argëtuar deri në orët e mesnatës. Shprehja panem
et circenses e cila buron nga poeti romak Juvenali, nënkupton
politikën e bukës dhe të argëtimit që e zbatonin qarqet
sunduese në Romën perandorake. Kjo politikë që kishte për qëllim
t’i asnjanësojë protestat, revoltat dhe trazirat sociale, në vitet 1960-2000 u
zbatua në mënyrë konsekuente sidomos në vendet e Amerikës Latine, por edhe në
disa vende gjysmë të zhvilluara të Evropës, si p.sh. në Spanjë etj. Jepu masave
popullore bukë e futboll dhe shmange vëmendjen e tyre prej
problemeve politike, etnike, ekonomike, sociale dhe morale reale. Kuptohet, një
politikë e këtillë, shikuar nga pikëpamja historike - është afatshkurtër.
Varfërimi
i shqiptarëve është strategji e VMRO-së. Me këtë, ajo synon t’i detyrojë
shqiptarët: të nënshtrohen, të shpërngulen, të heqin dorë prej kërkesave
politike, të merren vite me radhë me të njëjtat kërkesa, të grinden ndër vete
dhe të merren me çështje jopolitike. Me këtë politikë restriktive, represive
dhe opresive VMRO-ja synon t’ua cenojë shqiptarëve dinjitetin dhe integritetin.
Popujt pa ekonomi lehtë nënshtrohen.
Prej vitit
1991 deri më sot, të gjitha investimet ekonomike janë bërë në Shkup dhe në
pjesën juglindore të Maqedonisë. Në periudhën 2006-2012, qytetet shqiptare në
Maqedoni, në aspektin ekonomik u shndërruan në geto. Çdo ditë në Shkup bëhen
ndërtime nga më të ndryshmet. Shqiptarët ndërkaq duhet të kënaqen me begatonin
që shtrohet buzë ndonjë rruge dhe me asfaltimin e gropave.
Ka të rinj
shqiptarë të cilët dhjetë vjet presin punë. Tanimë ata nuk parapëlqejnë të
flitet për përmendoren e Skënderbeun, për flamurin apo për gjuhën shqipe, e
cila në gjykatat e qytezave tona përdoret me përkthyes. Ka që thonë: “Për
një Skënderbe të shqiptarëve, Gruevski, me paratë e shqiptarëve vendosi në
Shkup dhe gjetkë, dhjetëra përmendore figurash sllave dhe personalitetesh
antike”.
Monumenti
i Skënderbeut, gjuha dhe flamuri nënkuptojnë në radhë të parësovranitetin e
një populli. Sovraniteti ndërkaq nënkupton pushtetin mbi ekonominë dhe
mbi financat. Pa sovranitet dhe pa pasur pushtet mbi proceset
ekonomike dhe financiare, gjuha, simbolet kombëtare dhe personalitetet
historike, për një rini pa perspektivë, s’mund të kenë ndonjë rëndësi të
veçantë. Të rinjtë duan punë. Pa punë s’kanë si krijojnë familje. S’ka
atdhetarizëm pa zhvillim ekonomik dhe pa standard jetese. Patriotizmi dhe
ekonomia e zhvilluar shkojnë bashkë, janë të pandara.
Të mbetur
pa institucione kulturore kombëtare dhe të papërfshirë në ato shtetërore,
shqiptarët në Maqedoni, në shekullin XXI duhet të funksionojnë me
shoqëri kulturore artistike, me grupe folklorike dhe me ansamble këngësh e
vallesh popullore. Folklori në botën e zhvilluar është atraksion
për të evokuar shekujt e kaluar, ndërsa për shqiptarët në Maqedoni vazhdon të
jetë eveniment i vitit. O tempora, o mores!
Faktori politik shqiptar në Maqedoni, dështimet në planin kombëtar
tenton t’i mbulojë me angazhimet për euro-integrime. Faktori politik shqiptar, së pari duhet të imponojë zgjidhjen e
problemeve ndëretnike, pastaj të veprojë për integrimin e Maqedonisë në BE. Pa
i zgjidhur problemet ndëretnike, Maqedonia nuk ka ç’të kërkojë në Evropë.
Zhvillimet politike të viteve 2006-2012 dëshmuan se në Maqedoni, as problemet
ndëretnike u zgjidhën, as vendi iu afrua NATO-s dhe BE-së. Vite të tëra
politikanët shqiptarë flasin me gojën plot për euro-integrime, pa kurrfarë
efekti konkret. Të flasësh çdo javë - para mediumeve - për
angazhimet në procesin euro-integrues, nuk është asgjë tjetër pos demagogji.
Faktori
politik shqiptar në Maqedoni, para se të preokupohet për integrimin e Shkupit
në BE, duhet të angazhohet për pastrimin e qytezave shqiptare prej hedhurinave
dhe të zgjidhë problemin e qenve endacakë. Kush na pranon në Evropë me gjithë
këtë papastërti?!
Asnjëherë Brukseli
nuk do t’u thotë vendeve të rajonit: “Ju nuk i plotësoni kushtet për në
BE... Ju nuk do të hyni në BE”. Përkundrazi, çdo vendi të rajonit -
si kusht integrues - i jep detyra dhe detyrime, duke kërkuar përgjigje
për kryerjen e tyre. Pas kësaj, çdo vendi i dërgon raport vjetor. Asnjëherë
raporti i Brukselit nuk është krejt negativ, por as shumë pozitiv. Asnjë vendi
nuk i thuhet në raport: “Ju nuk keni bërë asgjë deri tash...Ju nuk i
plotësoni kushtet për në BE”. Raportet e Brukselit dërguar vendeve të
rajonit kryesisht janë klishe me formulime të formës: “Vendi Juaj në
rrugën drejt integrimeve ka bërë shumë. Vazhdoni me reformat. Keni edhe shumë
punë për të bërë...” Me këto formulime stereotipe, plotësohen edhe
dëshirat e opozitës, edhe ato të qeveritarëve. Opozitës i mundësohet ta
kritikojë qeverinë se në rrugën për në BE s’ka bërë sa duhet, ndërsa
qeveritarëve u mundësohet ta thonë të kundërtën. Në fund, të gjithë janë të
kënaqur. Edhe mishi të piqet, edhe helli të mos digjet – të
tilla janë raportet. Mësuesi i mirë asnjëherë nuk i thotë nxënësit – qoftë edhe
më të dobëtit: “Ti s’di, ti s’bëhesh dot...”, por gjithmonë e
këshillon, e angazhon, i jep detyra. Të njëjtën ia thotë edhe prindit, duke i
shtuar: “Duhet të punoni pak më tepër me fëmijën, shtrëngoni pak
djalin...” Afatin e integrimit të vendeve të rajonit në BE e di saktë
Brukseli.
Në rrugën
drejt Brukselit, Serbia është peng i Rusisë. Moska u thotë serbëve:“Synoni
BE-në, por jo edhe NATO-n”. Nëpërmjet Serbisë, Rusia pretendon të
depërtojë në rajon. Afrimi me Moskën e largon Serbinë nga Brukseli. Jo vetëm
Maqedonia dhe Serbia, por asnjë vend i rajonit, nuk ka ku shkon pos Brukselit.
Në Moskë bën ftohtë, Pekini është larg.
Prej vitit
2006 deri më sot, faktori politik shqiptar në Maqedoni është shpërfillur dhe
është margjinalizuar. Gjatë kësaj periudhe, faktori politik shqiptar
në Maqedoni ka pasur rol teatral dhe s’ka pasur kurrfarë ndikimi në proceset
politike dhe ekonomike të vendit. Ka qenë dekor.
Tirana dhe Prishtina mund
të thonë sa të duan se me Shkupin kanëmarrëdhënie të shkëlqyera, por
janë shqiptarët në Maqedoni, ata që i vuajnë pasojat e ngecjes ekonomike që
sjell mjerim.
E mira më e madhe është pjellë e së keqes më të madhe (Niçe).