| E merkure, 19.09.2012, 06:45 PM |
Nga folklori ynë :
KËNGA E ZOGUT
- Këngë humoristike –
- I –
O, lum , o, për ty, o i lumi Zot,
Na s’ jem kanë , Zoti na ka dhanë ,
E sabahin , Zoti kur pe falë ,
Dielli nxenë , oh, more , dritë s’ po banë,
Ni kangë kreshnike , oh, more, po ja u këndoj, ahi !
-II-
O, lum e lum për të madhin Zot,
Oh, lum , o vëllazën, që jemi shqiptarë ,
Hak e dimë Perëndinë taman !
Trim mbi trima , Zogu koka kanë ,
Oh, se në mal çerdhen e ka pasë ,
Oh, se n’ Marec, o, trimi dal m’ ish kanë ,
Oh, se ni nuse , more , m’ a kish pas zanë ,
Eh, se te shpija , Zogu kthye m’ ish kanë ,
Ou , dhe për darsëm gati asht tu u ba, ahi .
-III-
Oh, lumë për Zotin, ne qi na ka dhanë –
Kush na e ka inati , nuk ka çka na banë !
Se te shpija, Zogu kthye m’ ish kanë,
E për darsëm gati asht tuj u ba,
Se n’ Prishtinë , o, n’ pazar ish kanë ra ,
Shumë e harxhin , more, na e kish marrë –
Po m’i blenë , oh, tri fije duhan ,
Po m’i blenë , oh, tri fije letra ,
Po m’i blenë dy kokrra sheqer ,
Po m’i blenë , more, nja dy kokrra kafe ,
Ou, po banë darsëm, Zogu e s’po banë llafe , ahi .
-IV-
Ou, shihe serin, more, çka po banë ,
Eu, krejt atë harxh , Zogu n’ shpi pe çon ,
Edhe vadën , more , po e cakton ,
Eu, shumë e mikun n’ darsëm po ma fton –
Eu, ma ka thirrë Sokol Bajraktarin ,
Ma ka thirrë atë Hut Bylkbashin ,
Ma ka thirrë Hoxhë Cakrraq Efendinë ,
Ma ka thirrë Grishëz Dajrexhinë ,
Ma ka thirrë Sorrë Magjetoren ,
Ma ka thirrë Knues Kangatarin ...
Të tanë krushqit n’ darsëm i kanë shkue ,
Zogu i shkretë , sobën pa e marue ,
Se qe besa krejt e kish harrue !
Eu, këqyr çka bani Grishëze Dajrxhia ,
Po ma thërret , o, Cakrraq Efendinë,
Na i kanë ba kaçepat burgi ,
Hiq shumë kohë nuk paskan vanue ,
Krejt dyshekun n’ penla ja kanë shtrue, ahi !
*****
Këngën e këndoi : Salih Berisha, i lindur më datën 10.02. 1952 , në fshatin Kukaj të Prishtinës. Ka mbaruar fakultetin filozofik – dega gjuhë dhe letërsi shqipe. Momentalisht jeton si mërgimtar në Gjermani.
Mblodhi dhe shënoi : Demir Krasniqi , në Gjilan, më 18.09.2012.