| E merkure, 19.09.2012, 06:24 PM |
Thani Naqo
GREÇKA
U hodha në valle me kitara e buzuk,
Qëllova, si grekët, këpucën me pëllëmbë.
Më dehën me verë nga i vjetri but,
Greçkat m'u qepën të më bëjnë dhëndër.
Kokërënduar nga vera e mbrëmshme,
Shtrati shkalafitur...O, Perëndi, ku jam?!
Nën vellon mjegullore një siluetë e hajthme,
Lëshon aromën e kurmit - oriental.
U zhyta, çakërqejf, në gjumin e pijes,
Kalëroj mbi dallgë e ngrihem mbi re.
Përtej atij bregu, e dallova që krihet,
Këndonte nën zë greçka esmere.
-Jasu palikari! - fërfëllitje pëllumbeshe,
Shpaloset fustani e, dy nënsqetullat lart.
Aman moj, ku e gjete, këtë fustan që veshe,
Sërish mbylla sytë e në gjumë rashë prap'.
2008-2012