Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Engjëll Koliqi: Njëherepërgjithmonë të mbrohet me të gjitha forcat Republika e Kosovës

| E hene, 14.04.2008, 11:14 PM |


NJËHEREPËRGJITHMONË

TË MBROHET ME TË GJITHA FORCAT REPUBLIKA E KOSOVËS

UNMIK tash – në këtë periudhë tranzitore - ka mandat vetëm për dorëzimin e kompetencave Qeverisë së Republikës së Kosovës, e kurrësesi të lejojë organizimin e mbajtjen e zgjedhjeve të një shteti tjetër në territorin e shtetit tonë. Nuk mund të lejohen zgjedhjet parlamentare apo lokale të Serbisë në Kosovë,  pa u zhvlerësuar Akti i Pavarësisë së Kosovës!!!

Nga Engjëll KOLIQI

Putin – gjithçka kundër bllokut euro-atlantik
Belo Horizonte – MG, 14 prill 2008 - Beogradi zyrtar, duke mos njohur kurrë rregulla demokracie as paqeje, vazhdon të trumpetojë e të zhurmojë, me avavzin e vjetër shovenistofashist, për "moslejimin e ndarjes territoriale të Serbisë", me moton e tyre mitologjike se "Kosova na qenka tokë serbe e djep i ortodoksizmit serbian". Në këtë periudhë historike, kur Kosova po marshon në njohjen ndërkombëtare dhe në anëtarësimin në organizmat ndërkombëtare - nga ato politiko-diplomatike, deri te ato ekonomiko-financiare, kulturore, sportive... përkrah lëvizjeve destruktive serbiane është edhe Moska zyrtare e neodiktatorit Vladimir Putin, i cili githnjë e më zëshëm kundërshton shtetin tonë, si kartë kusuritjeje e tij me bllokun euro-atlantik, respektivisht me superfuqinë botërore – SHBA-të. Atë që nuk ka mundur ta bëjë kur ishte shef i shërbimit famëkeq të KGB-së – destruktimin e botës dhe minimin e paqes e të demokracisë botërore – Vladimir Putin don ta bëj tash dhe si mjet për këtë ky kryemafioz rus, mbeturinë e fëlliqësive sovjetiko-komuniste, po përdor kartën e Kosovës. Dhe gjithë këtë don ta realizojë me një kriminel tjetër në Beograd, me emrin Vojislav Koštunica, i cili tenton ta mbaj me dhunë pushtetin në Serbi dhe Kosovën, të marrë si me tapi nga kryekrimineli Slobodan Milošević.

Vojislav Koštunica, edhepse kryeministër në dorëheqje e sipas të gjitha gjasave, pa shpresa që të fitojë në zgjedhjet e 11 majit, kërkon organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare të Serbisë në Kosovë, sepse sipas tij "Kosova na qenka tokë serbe dhe kurrë nuk do të lejohet ndarja e saj nga Serbia". Shtrohet pyetja: - Kush të votojë në ato zgjedhje?! Qytetarë të vilit shtet?! Nëqoftëse serbët e Kosovës janë qytetarë të Republikës së Kosovës, me të drejta dhe privilegje të tepruara edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të aprovuar para pak ditësh, atëherë ata janë të obliguar të votojnë në zgjedhjet që organizon Shteti i Kosovës dhe assesi në zgjedhjet e një vendi tjetër.

Qëndroni burra se popullin e keni me ju
Habia më e madhe është kur dëgjohen hamendjet e administratës së UNMIK-ut, me deklaratat e tyre se nuk do të lejohen zgjedhje lokale të Serbisë në Kosovë, por mund të lejohen zgjedhjet parlamentare. Z. Rucker, zgjedhje parlametare të cilit shtet mund të lejohen në Kosovë?! Pse të lejohen?! Qytetarë të cilit shtet të votojnë në ato zgjedhje?! Nëse serbët nuk ndjehen qytetarë të Kosovës, por të Serbisë, ju lutem, le të ikin sa më shpejt nga vendi ynë, sepse kemi shumë probleme sociale e shumë të papunë. Nuk po kemi kushte e mundësi t'i punësojmë qytetarët e Kosovës, pse atëherë të punësojmë e të privilegjojmë qytetarë të vendeve të tjera?!

Drejtuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës – Presidenti Sejdiu e Kryeministri Thaçi kanë deklaruar se nuk do të lejohen zgjedhje serbe në Kosovë. Unë kam një dyshim, mos është një lojë e përgatitur e UNMIK-ut me kriminelin – të ashtuquajtur "ministër për Kosovë e Metohi në Qeverinë e Serbisë" – Samardzić, i cili para pak ditësh ishte në Prishtinë, që duke kërkuar "zgjedhje lokale" të marrë "bekimin" për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë, edhe në territorin e vendit tonë, që thjeshtë do të ishte baras me riokupimin e vendit tonë nga Serbia Fashistokriminale. UNMIK, para se të lejojë zgjedhje të Serbisë në Kosovë, duhet të anullojë Aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Krimineli Koštunica vegël në duart e Putinit
Drejtuesit e institucioneve tona shtetërore, duhet që vendosmërisht dhe pa hamendje e pa asnjë fije frike të thonë shkurt: kurrëfarë zgjedhjesh të Serbisë në Kosovë! Do të ishte mirë, që për këtë të votohet në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për moslejimin e zgjedhjeve të Serbisë brenda territorit të vendit tonë dhe të moslejimit as të UNMIK-ut të luajë me tokat tona e me shtetësinë e Republikës së Kosovës, të cilën e kemi fituar me shumë mund e me shumë lumenj gjaku të derdhur! UNMIK, në këtë periudhë tranzitore ka mandat vetëm për të dorëzuar të gjitha kompetencat qeverisëse e administrative në Qeverinë e Republikës së Kosovës e assesi të bëj më kompromise me ata që kanë ushtruar gjenocid mbi ne!!! Le t'u themi njëherë e përgjithmonë – STOP, të gjitha përpjektjeve për destabilizimin e paqes në vendin tonë. Tokat tona, ato pak që na kanë mbetur, do t'i mbrojmë me çdo kusht. Nëse lejohen zgjedhje të Serbisë në Kosovë, më 11 maj 2008, rrezikojmë edhe një konflikt të ri, deri në luftë përmasash të gjera, që do të shkatërronte ,mbarë rajonin e më gjerë. Këtë e duan kriminelët e veshur me kostume pushtetarësh të Beogradit e të Moskës – Koštunica e Putin. Nëse nuk e mbrojnë territorin e vendin tonë institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës, do të detyrohet populli që edhe një herë të organizohet e ta marrë situatën në duar!!!