| E diele, 16.09.2012, 06:22 PM |
MIRESEVINI FEMIJE TE DASHUR
Nga Vlashi Fili
U dëgjua
shpesh ky urim ditën e Dielë, më 09 Shtator 2012, në Qendrën Kulturore të Shoqatës
“Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, ku zhvillon programin mësimor shkolla shqipe “Gjuha
jonë”. Vinin njëri pas tjetrit prindërit me fëmijët për të filluar vitin e ri
shkollor. Sadik Elshani, kryetar i shoqatës i priste buzagas, para hyrjes së Qendrës
Kulturore. Takonte duart me prindërit, përshëndeste fëmijët dhe ju uronte atyre
mirëseardhjen.
Gjithë gjallëri,
fëmijët “më të vjetër” të kësaj shkolle, që kishin mbyllur në qershor një vit të
sukseshëm dhe tani do të vazhdonin vitin e dytë, të tretë, të katërtë apo të pestë,
në ciklin e plotë 5vjeçar të kësaj shkolle, takoheshim me njëri – tjetrin, përqafoheshin
dhe gjithë gëzim tregonin për pushimet verore. Më të ndrojtur fëmijët që vinin
për herë të parë, por sapo njiheshin me të tjerët gjallëroheshin menjëherë. Edhe
mësueset e shkollës, ju kthenin përqafimet fëmijëve që kishin patur një vit më parë
në klasat e tyre.
Pas një periudhe
verore të qetë Qendra Kulturore e Shoqatës u zhurmua përsëri nga zërat e ëmbël
të fëmijëve. Ndihesh atmosfera e gëzushme në këtë ambjent të mirëpritur. Shumica
e fëmijëve, tashmë janë të lindur këtu në Amerikë, por aty këtu ka ndonjë të ardhur
kohët e fundit nga Shqipëria. Ka nga ata që të ndihmuar nga prindërit flasin
shqip, paçka se jo mirë, e që nuk dinë të shkruajnë e të lexojnë, por ka edhe
nga ata që edhe emrin e vet e shqiptojnë në aksentin anglez. Por edhe këta të fundit
do të fillojnë të mësojnë gjuhën shqipe në këtë shkollë, që në këtë vit çeli
dyert për të dhjetin vit radhazi. Është shkolla, ndoshta, më e vjetra në Diasporën
Shqiptare të Anerikës, por ajo që ka rëndësi më tepër është shkolla, ku në ciklin
e saj 5vjeçar kanë mësuar gjuhën shqipe me dhjetra fëmijë.
Ja, më 09
Shtator 2012 filloi në këtë shkollë viti i ri shkollor 2012 – 2013.
Prindërit,
fëmijët, mësueset, anëtarë e simpatizantë të shoqatës, morrën pjesë në ceremoninë
e thjeshtë të organizuar nga Këshilli Drejtues
i Shoqatës, për fillimin e këtij viti shkollor.
Në këtë ceremoni
z. Sadik Elshani përshëndeti në emër të Këshillit Drejtues të Shoqatës që është
edhe organizatori dhe administrator i shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, ju uroi fëmijëve
mirëseardhjen dhe suksese edhe për këtë vit si dhe zhvilloi me prindërit një bisedë.
Midis të tjerave ai cilësoi edhe detyrat që i takojnë shoqatës, prindërve dhe mësueseve
për një mbarëvajtje sa më të mirë të proçesit mësimor gjatë gjithë vitit
shkollor.
Në përfundim
një foto e përbashkët e fëmijëve, prindërve dhe mësueseve u fiksua si një kujtim
i bukur i kësaj dite.
Mbas
ceremonisë fëmijë e të rritur u ftuan në koktejlin e zakonshëm që organizon
shoqata në këto raste.
Si para
ceremonisë ashtu edhe mbas saj, prindërit plotësuan fletë-regjistrimet e fëmijëve,
në bazë të të cilave plotësohen të gjitha dokumentat që ruan shoqata nw fondin
e saj, për çdo vit mësimor. Ndërsa fëmijët që kishin ndënjur aq “urtë” gjatë ceremonisë
filluan përsëri të zhurmojnë ambjentin e Qendrës Kulturore, prindërit shkëmbenin
mendime me njeri – tjetrin por edhe me mësueset.
Znjsh. Erblina
Koka, n/kryetare e parë e shoqatës nuk përtoi të bëntë shumë foto, kurse
kameramani Florian Bezhani filmoi çdo gjë.
Kështu
filloi rrugën e saj Shkolla Shqipe “Gjuha Jonë” në Filadelfia në vitin e ri
shkollor 2012 – 2013 që shënoi dhe fillimin e vitit të dhjetë në jetën e kësaj
shkolle.
Edhe ne i urojmë fëmijëve të kësaj shkolle suksese në mësimin e gjuhës sonë të bukur shqipe.