| E diele, 16.09.2012, 07:06 PM |
Grandiozët
e Grandit
Nga Ndue Ukaj
“Sundimtarët
shqiptarë janë kusarë të mirë”, shkruante Eqrem Bej Vlora, në një artikull të botuem
me 1930. Nga ajo kohë kur u shkrua ky artikull, na ndanë afro një shekull, ndërkaq
politikanët shqiptarë, kudo hapësirave shqiptare, përveç se janë ba musketarë më
të fortë, po ashtu, shumica prej tyre, janë kusarë të mirë e ma të zotë, dhe
grandioz të epshëm me realizua çdo gjë që i vetëplotëson interesat tyre egoiste.
Ka vite,
qysh kur Kosovës i mungon atmosfera intelektuale, atmosfera kulturore,
atmosfera artistike dhe atmosfera e shëndoshë politikë. Kjo gjendje anemike,
prodhon vetëm lajme të këqija, që janë ba shujtë për qytetarin e mjerë, që zgjohet
dhe bie duke u marrë me personazhet e jetës politike, që ja kanë nxi jetën.
Kosovën
dhe qytetarët e saj, i ka ngopur tej mase politika, e cila prodhon vetëm lajme
te këqija, që rëndojnë jetën edhe ashtu të rëndë të qytetarëve tanë. Madje,
edhe kur ndodh diçka e mirë, ajo mbështjellët menjëherë më tisin e zi të lajmeve
të këqija, që zakonisht i prodhon politika. Kjo ka shkërmoq keq qytetarinë e këtij
vendi, duke e detyrua ta zhvendos vëmendjen, nga problemet kardiake te shoqërisë,
tek zyrat e qeverisë dhe parive politike, prej ku shumëzohen te këqijat e këtij
vendi dhe për këtë vend.
Prandaj,
kush thotë se skena politike në vend është e ndarë dhe e përçarë, e ka shumë gabim.
Shikoni telenovelën e Grandiozëve të Grandit.
Përmasa e kësaj ngjarje, nuk duhet kuptuar, as tek 3. 6 milionët e përfolur,
as tek 8 milionët e kërkuar në mënyrë groteske. Përmasa e kësaj telenovele
tragjike, s’ duhet reduktuar dhe assesi s’duhet kuptuar vetëm tek një objekt, që
dikur ishte nga më të njohurit në kryeqytet dhe vend. Përmasa e kësaj ngjarje, është
simbioza tragjikomike, që shpjegon qartë se morali politik në shoqërinë tonë është
zero, që shpjegon qartë se biznesi është i pistë dhe se institucionet janë vende
për zhvatje. Zhvillimet e fundit rreth këtij objekti, tregojnë qartë se për ta
vjedh shtetin, këtu ka kompromise të plota, mes pozitës dhe opozitës, mes
pseudo të majtëve dhe pseudo të djathtëve,
ndërsa për ta zhvat qytetarin e Kosovës, dallimet politike, shuhen sa çelë
e mbyll sytë.
Në fakt,
Grandi është metafora e jetës sonë, qysh kur shtetin tonë e kanë kap përpara një
kastë politikanësh sharlatanë, të cilët, krejt aksidentalisht janë gjend brenda
portave të politikës.
Ata din të
jenë kusarë të zotë, të shantazhojnë, të korruptojnë të tjerët dhe të vetkorruptohen,
të krijojnë klane dhe gjithfarë grupesh të tokës e nëntokës, por s’dinë të ofrojnë
ide për shtetin stabil, s’dinë dhe s’duan
me preventue korrupsionin, thjesht, ata s’dinë të krijojnë shtet për të gjithë.
Në Kosovën
e dërmuar, grandiozët e shtetit, ata që kanë kap fatin e qytetarit, nuk ndalen
së talluri me fatin e një vendi, që çdo ditë thellohen në mjerim, ashtu sikurse
Grandi, që për çdo vit e humb shkëlqimin e tij të dikurshëm. Këtë tallje, tashmë
e shpërfaqën edhe njëherë hapur, disa sharlatantë që as një fjali politike, nuk
din të artikulojnë qartë.
Sikur të mos
mjaftonin deformimet e panumërta që e zotërojnë jetën shoqërore e politike në vend,
sikur të mos mjaftonte mjerimi dhe gjendja e rënd sociale, që është ba shujtë e
përditshme për qytetarin e Kosovës, atij i duhet vazhdimisht të dëgjoj për
aferat milionëshe të korrupsionit, nga ata që predikojnë moral politikë, nga
politikanë që tallen me fatin e një populli të tërë.
E nga kjo
gjendje anemike, tashmë është ba vështirë të dilet. Mirëpo, një nga detyrat e
para dhe imediate, për idealistët e një Kosovë tjetër, duhet me qenë lufta për
liri te shpirtit, një lufte kjo që duhet ndjek pa kompromis, kundër plogështisë
dhe erresinës se mendjes. Kjo betejë, synim duhet ketë tejkalim e të sotmes së mjerë,
drejt një të ardhme ma të ndritshme. Po nuk u fitua jo betejë, agonia shoqërorë
do të zgjatet dhe në vendi do të thellohet në mjerim. Ndërkaq, kopetë politike,
kuazo intelektuale, vetëm sa do te shtohen, duke u ba rrezik i brendshëm qe ha
nga brenda shoqërinë. Kjo kastë, e ka shkërmoq qenien shqiptare, duke
demonstrua çdo ditë, mosdije, arrogancë dhe papërgjegjësi.
Nëse
kthehemi dhe e analizojmë këtë gjendje nga perspektiva historike, shohim qartë se
kjo gjendje dhe mentalitet sundimtarësh, nuk na është ndare që tash e një shekull.
Poeti kombëtar, At Gjegj Fishta, në satirat e tij, kështu i stigmatizonte
politikanët shqiptarë të kohës: "Ju rrugaca sallahana/ vagabonda
shakllabana/... rricna t'ndyet, mikrobe të kqi/ qi të mjerës moj Shqipni/ kthelltë
hi i keni në mushkri/pa dhimbë gjakun tuj ia pi/ por der kur, bre batakçi!
"(At Gjergj Fishta, Gomari i Babatasit, Metamorfoza)
Është koha
e fundit, me riedukue vetën për me kuptua ma mirë shtetin, për me dashur ma
shumë kombin, për me punua ma shumë për tashmen dhe me projektua ma sigurt dhe
me vetëdije të ardhmen. Thjeshtë, tani na duhet të kuptojmë se: “atdhetarizëm
don me thanë dashuri për njerëz, dashuri të sinqertë, dashuri vepronjëse,
dashuri ideale..." At Anton Harapi.
Pa këtë postulate, ardhmja jonë shfaqet e mjegullt.