| E shtune, 15.09.2012, 05:53 PM |
Me
rastin e 95-vjetorit të lindjes së Abdullah Krashnicës-Preshevës
Abdullah Krashnica - Presheva – Hero i Popullit shqiptar
Shkruan: Xhemaledin Salihu
Më
15 mars 2012 u mbushën 95 vjet që u lind Abdullah Krashnica-Presheva, një patriot
dhe atdhetar i devotshëm i popullit shqiptar, i njohur jo vetëm në Luginën e Preshevës, por edhe më gjërë, në
Anamoravën e Gjilanit dhe në Luginën e Vardarit(Kumanovë e Shkup). Vdiq në spitalin
e Shkupit, më 1945, i helmuar nga armiqët e popullit shqiptar dhe nga dora e
zezë tradhëtare.Vdiq në moshën 28 vjeçare, atëherë kur më së shumti i duhej
familjes së tij, por edhe popullit shqiptar të
Luginës së Preshevës, Gjilanit dhe Kumanovës.
Abdullah
Krashnica u lind më 15 mars 1917 në Preshevën
liridashëse, patriotike dhe revolucionare, në një familje tregtare. Presheva,
gjithmonë mori pjesë në të gjitha Lëvizjet kombëtare dhe gjithëherë i pati përfaqsuesit e saj në Lëvizjen
gjithëkombëtare shqiptare. Në moshën dyvjeçare Abdullah Krashnicës i vdiq i ati
dhe mbeti nën kujdesin e nënës Shefije Krashnicës-Aba Shefkë, si e quanin në Preshevë.Qysh
në vegjëli u desht të kujdeset për familjen dhe shtëpinë. Shkollën katërklasëshe
fillore në gjuhën serbe e kreu në Preshevë, sepse atëherë ende nuk ishin hapur
shkollat në gjuhën shqipe.Abdullah Krashnica si shegërt u punësua në dyqanin e
Haxhi Qazim Maliqit në Preshevë, familje e ardhur nga Miratoci. Më vonë hapi një
dyqan me Fahredin Rrahmanin. Dyqani i Fahredinit dhe ai i Hetem Meqës-Gjakova
dhe djalit të tij Ibrahim Gjakovës në Preshevë u bënë vend i takimeve të bashkëmendimtarëve
të Abdullahut dhe veprimtarise se tij patriotike në Preshevë e më gjërë. Në këtë
kohë Abdullah Krashnica shumë lexoi dhe bleu një rdio aparat për t’u informuar
mbi ngjarjet dhe ndodhitë në Preshevë me
rrethinë dhe më gjërë. Abdullahu ishte shumë i zgjuar, i mprehtë dhe i
informuar shumë mirë. Ndikim të madh tek Abdullahu pati edhe kushëriri i tij Shaip
Mustafa-Krashnica, i cili në atë kohë, para LDB kreu Medresen në Shkup dhe më vonë
ishte student i rregulltë i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e
Beogradit.Shaip Mustafa, në Kryengritjen e Shkupit vuri Flamurin Kombëtar në Urën
e Gurit në Shkup, më 1941 dhe ishte një prej themeluesve të LKpÇB.
Abdulla
Krashnica merrej edhe me sport, luante futboll në klubin “Karadak” të Preshevës
dhe ishte anëtar i Shoqërisë kulturore “Hamnijet” të Preshevës,e cila u
themelua më 1937. Edhe Klubi fudbollistik, po edhe Shoqëria e përmendur ishin
pjesë e Lëvizjes patriotike të Preshevës.
Abdullah
Krashnica pos aktiviteteve partiake ushtroi dhe dha kontribut të madh në Sindikatën
e Preshevës. Herët u lidh me Sindikatën e Monopolit, e cila kishte përvojë në organizimin
e demonstratave më 1936 e 1939. Ishte e njohur dhe e dhimbshme pozita e punonjësve
të duhanit që ishin shqiptarë në Preshevë e rrethinë. Abdullahu i doli krah
atyre dhe e ndihmoi shumë fshatarsinë në kërkesat e tyre për rritje të çmimit të
duhanit e prodhimeve bujqësore të tjera. Organizoi një demonstratë para LDB, e
cila pati sukses dhe jehonë të madhe.Nëpërmjet kësaj padrejtësie, ai i ndjeu,
qysh në atë kohë edhe padrejtësitë tjera ndaj shqiptarëve në Preshevë e rrethinë.
Sidomos, këto padrejtësi ishin prezente shumë në shkollimi e Shqiptarëve në gjuhën
amtare, sespe deri më 1945, shkolla kishte vetëm në gjuhën serbe dhe turke.
Aktiviteti
i tij partiak, sindikalist dhe patriotik i ra në sy fashistëve bullgarë,
shovenistave serbë dhe menjëherë filluan ta përcjellin në çdo hap. Kështu, më 17
shkurt 1943 Abdullahu burgoset dhe më vonë ikën nga burgu sëbashku me Selim
Selimin. Në shenjë hakmarrjeje bullgarët likuiduan gati tërë familjen e Selim
Selimit dhe nënën e Abdullahut, Shefijen e torturuan pa masë.Pas ikjes nga
burgu Abdullahu vendoset në Gjilan. Mirëpo pas një veprimtarie të bujshme në Lëvizjen
antifashiste, për të drejtat e shqiptarëve burgoset në korrik të vitit 1943.
Pas
kapitullimit të Italisë në shtator të vitit 1944, Abdullah Krashnica ik nga
burgu dhe kthehet në Preshevë. Më 1944 zgjedhet sekretar i Komitetit të rrethit
të PKJ në Preshevë dhe gjithë veprimtaria e tij ishte përqëndruar në mbrojtjen
e popullatës shqiptare nga njësitë partizane serbe, maqedonase dhe bullgare, njësi
fashiste bullgare të kthyera pas kapitullimit në njësi partizane.E gjithë veprimtaria
e Abdullah Krashnicës nuk u pa me sy të mire, jo vetëm nga regjimi fashist
italianë e bullgarë, por edhe nga komunistët e ish-Jugosllavisë, andaj edhe e
helmuan dhe vdiq në moshën 28 vjeçare në Spitalin e Shkupit, në kohën kur më së
shumti i duhej shqiptarëve të Preshevës dhe më gjërë.
Sikur mos të vdiste aq herët dhe aq i ri, nuk mund të dihet se çfarë rruge do të kishin marrë bindjet politike të Abdullahut, simbolit të lirisë, patriotit dhe vizionarit të Preshevës, duke patur parasyshë tradhëtinë që i bënë çështjes kombëtare komunistët, si këtu në Luginë të Preshevës, në Maqedoni dhe në Kosovë. Edhepse ishte anëtar i PKJ, Abdullahu i takon plejadës së patriotëve dhe heronjëve të popullit shqiptar dhe mbetet një ndër figurat më të pastra të kësaj lëvizjeje. Ndoshta më vonë, hapja e arkivave do ta dëshmojë edhe veprimtarinë patriotike të Abdullah Krashnicës, i cili luftoi dhe veproi për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Veprimtaria
patriotike e Abdullah Krashnicës në trekëndëshin Preshevë-Kumanovë-Gjilan
Lugina e Preshevës, Lugina e Vardarit(Kumanovë, Shkup) dhe Anamorava e Gjilanit i takojnë etnikumit iliro-dardan-shqiptar, të cilat kryesisht janë të banuara me popullatë shqiptare. Andaj edhe veprimi dhe lëvizja e luftës antifashiste e Abdullah Krashnicës ishte e përqëndruar në këtë rajon, për ta mbojtur pupullatën e këtij rajoni nga pushtuesit fashist dhe hordhitë kuislinge të tyre.
Celula
e parë komuniste në Preshevë u formua në vjeshtë të vitit 1938. Për themelimin
e kësaj celule ndihmë të madhe ka dhënë organizata partiake e Kumanovës
Sekretar i celulës u zgjodh Shaip Mustafa, ndërsa anëtarë : Abdullah Krashnica,
Selim Selimi dhe Xheladin Kurbalia.(Ramiz Abdyli, Presheva në LNÇ…). Celula
partiake e Preshevës pati kontakte të vazhdueshme me organizatën partiake të Kumanovës,
kontaktet i mbanin Abdullah Krashnica, Selim Selimi dhe Shaip Mustafa. Bile, për
këtë qëllim Selim Selimi u bë anëtar i Shoqërisë sportive të Kumanovës “Sllavia”
Pra, organizata partiake e Preshevës i zbatonte vendimet e Komitetit Krahinor të
PKJ për Maqedoni. Në pranverë të vitit 1940, celula e Preshevës shndërrohet në Komitet
të Vendit, me direktivën e organizatës partiake të Kumanovës.(R Abdyli,
Presheva në LNÇ…).
Në
fund të vitit 1940, Tempo kërkon me këmbëngulje përjashtimin e Abdullah
Krashnicës nga organizata partiake e Preshevës, sepse ishte “me prejardhje
mikroborgjeze” . Shtrohet pyetja : A thua ishte vetëm kjo arsye?. Përgjigja është
se Tempo nuk e shikonte me sy të mire Abdullah Krashnicën si kuadër partiak
shqiptar dhe të përcaktuar për çështje shqiptare. Më vonë, më 1943, Tempo bënë ndërrime
në strukturat partiake dhe të njësive partizane, duke I zëvendësuar kuadrotë shqiptare
me ato serbe.
Për
shkak të afersisë, si dhe përshkak të lidhjeve të mëparëshme, organizata partiake
e Preshevës, gjatë vitit 1942 dhe pothuajse gjatë gjithë periudhës së LDB ka
pasur lidhje të ngushta me organizatën partiake të Kumanovës dhe të Gjilanit.
Mund
të thuhet se organizata partiake e Preshevës nëpërmjet organizatave të përmendura
ka shërbye si lidhje në mes të Komitetit Krahinor të PKJ të Maqedonisë dhe të Kosovës
dhe prej andej me KQ të PKJ.
Abdullah
Krashnica, atëherë prezentonte në mbledhjet e organizatës partiake të Kumanovës,
bile prezentoi edhe në Konferencën e Majit të organizatës partiake të Kumanovës,
të vitit 1941.Kështu, për t’i maskuar lidhjet me këtë organizatë Abdullah
Krashnica dhe Selim Selimi u inkuadruan në Klubin futbollistik të Kumanovës “Sllavia”.
Në
shkurt të vitit 1942, në Kumanovë vjen instruktori i Komitetit Krahinor të PKJ
i Maqedonisë, Ljiljana Çalovska, e cila ven kontakte me Komitetin lokal të Preshevës,
nëpërmjet Abdullah Krashnicës.
Prej
gjysmës së vitit 1944 deri në çlirimin e saj, Presheva bënë pjesë ushtarakisht
në Zonën e forcave të UNÇ të Maqedonisë, me të cilën ka qenë e lidhur edhe
politikisht. Kështu, më 6 gusht të vitit 1944, Presidiumi i ASNOM-it koopton për
anëtar të tij Abdullah Krashnicën. Në listën e delegatëve të ASNOM-it, të mbajtur
më 2 gusht 1944 në Prohor Pçinjski, ku
themelohet shteti maqedonas, figuronte
edhe emri i Abdulla Aliut-Presheva.Kështu Presheva ishte pjesë e Maqedonisë.
Kontaktet
e organizatës partiake të preshevës me rininë përparimtare të Gjilanit datojnë që
nga viti 1938, vazhdojnë gjatë dhe pas LDB. Të themi se Gjilani deri më 1942
nuk pati organizatë partiake.
Në
këshillimin e Komitetit Krahinor të PKJ për Kosovë që u mbajt në Berbole, në korrik të vitit 1942,
organizatën partiake të preshevës e përfaqësoi Xheladin Kurbalia.
Organizata
partiake e Preshevës edhe në Luftën e Dytë Botërore ishte ngushtë e lidhur me
Komitetin Krahinor të PKJ për Kosovë e
Metohi, sidomos kishte një bashkëpunim të ngushtë me organizatën partiake të Gjilanit,
ku Abdullah Krashnica dhe Selim Selimi vepruan një kohë të gjatë. Këtë e vërteton
edhe raporti i Komitetit Krahinor i PKJ për Kosovë e Metohi, dërguar KQ të PKJ
më 31 janar të vitit 1944, lidhur me gjendjen organizative të parties në Kosovë
dhe Preshevë. Presheva numrohet në radhët e organizatave partiake të Kosovës(R.Abdyli,
Presheva në LNÇ…).
Organizata
partiake e Preshevës ishte e lidhur me KK të PKJ të Kosovës prej nëntorit të vitit
1943 deri në qershor të vitit 1944, kur edhe Abdulla Krashnica ishte sekretar i
Komitetit të rrethit të Gjilanit.
Kontaktet
e para me organizatën partiake të Bujanocit vehen në vitin 1942, nëpërmjet të selim
Selimit.
Me
qëllim të intensifikimit të Luftës antifashiste, u shqyrtua mundësia e formimit
të “Aradhës së Dupillës”e cila do të kishte për detyrë mbrojtjen e rajonit të Luginës
së Preshevës, Luginës së Vardarit dhe të Anamoravës së Gjilanit. Kjo nismë u bë
me vëndimin e Komiteteve Krahinore të PKJ për Kosovë e Metohi, për Serbi dhe për
Maqedoni dhe përgjegjës u caktua Abdullah Krashnica. Mirëpo nisma e përmendur dështoi.
“Gjatë
periudhës së pushtimit bullgar, në zonën e Preshevës vepruan dy grupe politike
shqiptare. Njëri grupim veproi në kuadër të PKJ në krye me Shaip Mustafën,
Abdullah Krashnicën, Selim Selimin, Xheladin Kurbalin etj. Përcaktimi i këtij
grupi për bashkëpunim me PKJ ishte i motivuar nga Karta e Atlantikut, e cila
parimin e vetëvendosjes e kushtëzonte me pjesëmarrjen paraprake në luftë kundër
forcave të boshtit.
Grupi
tjetër me orientim antikomunist,pranoi të bashkëpunonte me okupatorin fashist
me motivacionin, se nuk dëshironte bashkëpunimin me PKJ që ishte e lidhur me
qendrën e sllavizmit në Moskë dhe objektivisht frikësohej nga kthimi i regjimit
të vjetër. Mirëpo, pjesëmarrja e tyre në njësitet speciale(kontraçeta) kundër
njësiteve partizane vështirë se mund të arsyetoj qëllimin e tyre të mëvonshëm për
krijimin e Shqipërisë Etnike.
Në
këtë grupim bënin pjesë: Ali Syla, Limon Staneci, Ajet Rainca etj.
Madje në kuadër të grupimit të tyre bënin pjesë edhe serb e malazez si psh: Jagosh Janjiqi etj, të dëshmuar për shovinizëm”./Abdyhrraman Zylfiu, Presheva në Luftën e Dytë Botërore(1941-1944)
Idea
e Abdullah Krashnicës-Presheva të mbetet në Maqedoni
Përkah
organizimi administrativo-territorial e politik në Mbretërine e Serbëve, Kroatëve
dhe Sllovenëve të vitit 1925, Rrethi i Preshevës i takonte Qarkut të Kumanovës,
Banovinës së Vardarit me qendër në Shkup.
Kjo
ndarje administrative, territoriale e politike e Rrethit të Preshevës vazhdoi
edhe në Mbretërinë Jugosllave të vitit 1931 deri më vitin 1947, atëherë kur
Rrethi i Preshevë në mënyrë arbitrare iu bashkangjitë Republikës Popullore të Serbisë,
duke u sanksionuar me Kushtetutën e vitit 1947, në qeverisje herë nga Rrethi i
Bujanocit, Vranjës e herë nga ai i Leskocit.
Aspiratat
kombëtare të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës u shuan në janar të vitit 1945,
atëherë kur në sallën e kinemasë së Preshevës i mblodhën qindra qytetarë në te,
për t’u deklaruar se dojnë të mbeten nën Serbi. Pra, ky ishte ai plebishiti
gjithëpopullor i Preshevës, ndërsa nuk u organizua referendum i vërtetë për
deklarim të lirë dhe vullnet politik të Shqiptarëve të Luginës. Në qarqet më të
larta partiake të ish-Jugosllavisë apo të Serbisë u kurdis fati i Preshevës,që të
mbetet në Serbi, për ta vënë në lidhje kontrolli nga lartë, nga rrethi i Vranjës
apo herë herë edhe nga ai i Leskocit. Kështu Presheva, në mënyrë arbitrare dhe
pa vullnetin e popullit shqiptar si dhe me qëllim të ngushtimit të trollit
shqiptar u nda nga Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë. Në mbështetje të disa
rrëfimeve të individëve të asaj kohe shihet qartë se edhe atëherë klasa politke
shqiptare ishte e ndarë dhe e përçarë. Disa nga komunistët e atëhershëm donin
mbetjen me Serbinë, ndërsa disa të tjerë të vazhdohet me Maqedoninë, ndër ta
ishte Abdullah Krashnica. Paria e Preshevës doli me qënrim që Presheva t’i
bashkangjitet Kosovës.
Presheva,
në janar të vitit 1945, në sallën e kinemasë së vjetër mbajti mbledhje, tubim
sikur plebishitar me përfaqsuesit e të gjitha vendbanimeve të saja dhe aty këta
u deklaruan që Presheva t’i bashkangjitet Serbisë.
Më
1946, organet partika të ish-Jugosllavisë e detyruan komitetin e Preshevës që të
shkruajë kërkesë zyrtare dhe t’ i drejtohet KQ të PK të Jugosllavise se
Presheva është deklaruar më 1945 për bashkangjitje Serbisë. Këtë vit, KQ i PKJ
formon komisionin në përbërje : Hembrang, Doronjski dhe Radosavleviq, të cilët
nuk zbresin në Preshevë, por mbeten në Vranjë dhe presin raportimin e anëtarit
të Komitetit të Preshevës, i cili raporton se Presheva është deklaruar që t’i
bashkangjitet Serbisë. Në emër të Komisionit, Stevan Doronjski shkon në Shkup
dhe në bisedë me Lazar Kolishevskin arrihet marrëveshja që Presheva të shkëputet
nga Banovina e Vardarit, Maqedonisë dhe t’i bashkangjitet Serbisë. Kështu edhe
ndodhi.
“Para
plotë gjashtëdhjetë vitesh në Preshevë u bë gabimi me një deklarim formal kur
njerëzit e tubuar dhe të manipuluar me aklamacion e morën vendimin që Presheva
me Bujanocin të mbeten me Serbinë si Republikë më e madhe , më e fuqishme dhe më
“demokratike” e jo me Maqedoninë e posa formuar dhe pranuar Republikë më vehte.
Ky deklarim i një grushti njerëzish ka
ngjarë në gushtin e nxehtë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe
ate në sallën e kinemasë që e quanin “Sokollanë”, në prezencën e njëqind e njëzet
– njëqind e tridhjetë qytetarëve dhe të dy delegacioneve të Serbisë dhe të Maqedonisë.
Sipas
dëshmitarit dhe pjesmarrësit Nuredin Kadriut, ky lloj tubimi na paska qenë mirë
e mirë i përgatitur, pasi që kryesuesit e këtij tubimi i paskan marrë thirrjet
për këte tubim që do të mbahet, shkruan Zeqirja Fazliu me 18.02.2001”, për Tërnocipress.
Skënder
latifi, Rrugëtimi nëpër Luginë të Preshevës, Preshevë,
Selim Selimi në librin e tij thotë: “Referendumi për t’u shprehur vullneti i popullit nuk është mbajtur, por në një tubim më 1945, në sallën e kinemasë u mblodhën përfaqsuesit e të gjitha vendbanimeve dhe u deklaruan që Presheva t’i bashkangjitet Serbisë”. Edhepse nuk ishte ai që vendosi për fatin e Preshevës, Selim Selimi e arsyton këtë akt me zhvillueshmërinë më të madhe të Serbisë dhe me ate se Shqiptarët e Preshevës gëzuan më shumë të drejta se Shqiptarët e Maqedonisë.
Abdullah
Krashnica i mbeti besnik idesë se Presheva duhet të mbetet me Maqedoninë, bile
e përkrahu edhe idenë e atdhetarëve të Rezistencës shqiptare në Luginë të Preshevës
dhe Parisë së Preshevës, që Presheva t’i bashkohet Kosovës.
Ali
Aliu në librin e Skënder Latifit, Përtej ferrit, Preshevë,
Kështu e arsyetoi bashkangjitjen e Preshevës me Serbinë, por në fakt Abdullah Krashnica e kishte me dije rëndësinë gjeopolitike dhe gjeostrategjike të Luginës së Preshevës dhe Luginës së Vardarit për sferat e interesit dhe globalizmit botëror. Andaj e pati shumë të qartë se këto dy Lugina/e Preshevës dhe e Shkupit/ duhet të popullohen me popullatë shqiptare, për të krijuar elementin dominues shqiptar. Këtë e mundësonte vetëm mbetja e Luginës së Preshevës me Maqedoninën, gjegjësisht Presheva në Banovinën e Vardarit, e cila do të krijonte mundësi për një shumicë shqiptare përgjatë Luginës së Preshevës dhe Luginës së Vardarit.Është e njohur teza e studiuesve serbë, se kush e mbizotëron Fushëgropën e Preshevës dhe të Shkupit, sundon Ballkanin.
Filozofia pragmatiste–praktike e jetës dhe veprimtarisë së Abdullah Krashnicës
Gjithë
jeta dhe veprimtaria e bujshme e Abdullah Krasnhnicës ishte filozofi e të jetuarit,
filozofi pragmatike dhe praktike në situata dhe momente të duhura. Për këtë e çmuan
dhe e vlerësuan shumë bashkëluftëtarët e luftës antifashiste, por edhe anmiqët
e tij.
Pra,
e gjithë filozofia e tij qëndronte në ate se jeta e njeriut vlen dhe duhet të mbrohet
me çdo mjet. Këtë edhe e dëshmoi gjatë gjithë jetës të shkurtër 28 vjeçare.
Në
jetë dhe veprime ishte pragmatik, praktik dhe gjithmonë me arsyeshmëri, me
mprehtësi dhe zgjuarsi zgjidhte problemet e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës,
Luginës së Vardarit dhe të Anamoravës së Gjilanit.
Abdullah
Krashnica e parandaloi masakrën e madhe të njësive partizane bullgare,
maqedonase dhe serbe në Sopot, e cila ndodhi më 4 nëntor 1944. Aty i pushkatuan 68 burra, një i ri iku dhe
dy pleqë i liruan. Po mos të intervenonte me kohë Abdullah Krashnica, do të pushkatoheshin
edhe gratë dhe fëmijët e mbledhur të fshatit Sopot. Për këtë ngjarje shkruan
Qerim Lita në librin : Shaban Efendia, atdhetar i devotshëm e shumë autorë të tjerë.
Abdulla
Krashnica nuk mundi dhe nuk arriti ta shpëtojë popullatën e Karadakut, masakrën
në Iseukë dhe Gosponicë.
Abdulla
Krashnica e shpëtoi pushkatimin masiv të popullatës së Raincës. Kështu me urdhër
të tij, bashkëluftatarët e tij Dushani dhe Riza arritën duke vrapuar me kuajë ta
shpëtojnë popullatën e mbledhur për pushkatim masiv, të mbledhur pas murit.
Abdullah
Krashnica për hir të popullatës shqiptare, mbrojtjes së saj nga pushkatimet
masive, masakrat e popullates, qe shumë tolerant dhe praktik sa që pranoi të bisedojë
edhe me armikun, vetëm e vetëm mos të bëhet gjakderdhje e popullatës shqiptare.
Bile nuk i përfilli as qëndrimet
partiake dhe shkoi për të biseduar më përfaqsuesit e Rezistencës kombëtare në Preshevë,
vetëm e vetëm për t’i ikur dhe shmangur gjakderdhjes së popullatës shqiptare, që
po i përgatiteshin me rastin e humbjes së kësaj Rezistence e me hyrjen e njësive
partizane. Edhepse ato sa mundën dhe sa patën fuqi kryen masakër masiv në popullatën
shqiptare.Abdullah Krashnica ishte vigjilent dhe me punë konkrete nuk lejoi në Preshevë
dhe në disa vendbanime të Preshevës të kryhen masakra të popullates, pos ndonjë
rasti individual dhe ato raste të njohura historisë shqiptare.
Abdulla
Krashnica e donte shumë popullin, andaj edhe angazhimi i tij në mbrojtjen, por
edhe në prosperitetin e tij, dha shumë për shkollimin Shqiptarëve. Angazhimi i tij në këtë drejtim
iste shumë i madh, kështu që më vitin 1945 hap shkollën e parë shqipe në vilën “
Letafet” në Preshevë, pronë e dhanur pa kompenzim e patriotit Abdulla Haxhiveliut.
Për madhësinë dhe sakrificat e Abdulla Krashnicës shkruan edhe Tefik Geci, në recensionin e librit të Selim Selimit, Kohë e sfidave historike, f. [190] : “ … me Abdulla Krashnicën e të tjerët u bën përpjekjet maksimale për ta ruajtur në radhë të parë popullatën nga likuidimet, masakrimet dhe torturimet e llojllojshme”.
Vdekja enigmatike e Abdullah Krashnicës
Abdullah
Krashnica vdiq më 15 mars të vitit 1945, në Spitalin e Shkupit. Për vdekjen e
tij në Preshevë e më gjërë qarkullojnë opinione të ndryshme. Njëra palë,
vdekjen e Abdullahut e lidhin me sëmundjen e tifosë, ndërsa pala tjetër me
vrasje dhe helmim të tij.
Selim
Selimi, Kohë e sfidave historike, f. 116, shkruan :” Në këtë veprimtari,
kontributi i Abdullahut dhe sakrificat që i bënte ai kanë qenë shumë të mëdha. Ai
arrinte gati kudo që e kërkonte nevoja dhe i ndihmonte popullit në ato ditë të vështira.
Aktiviteti i pandërprerë dhe lodhja e madhe nga pasojat e torturave që i kishte
pësuar nëpër burgje, lufta e mundishme nëpër male si partizan, të gjitha sëbashku
kishin ndikuar që të sëmurej rëndë. Mjekët e konstatuan se ishte sëmurë nga
tifoja dhe se i duhej shërim i gjatë”.
Për
mjekimin e Abdullahut në Preshevë u kujdes një mjek serb, Antonijeviq. Pasi ky
mjekim nuk pati rezultate, Abdullahu vendosi, sipas Selim Selimit të shkojë në Spitalin
e Shkupit. Pas një kohe, ai ivdekur u soll dhe u varros me nderime të mëdha në Preshevë.
Lidhur me vdekejn e Abdullahut u bënë dhe ende bëhen spekulime, se gjoja është helmuar
diku në Vranjë apo Bujanoc, duke pirë kafe, sipas Selimit. Selimi thotë se mjekët
konstatuan se vdekja e Abdullahut ndodhi nga sëmundja e tifosë dhe se simptomet e helmimit nuk janë konstatuar.
Në
arsyetimin e Selim Selimit, se asnjëherë nuk ka vërejtur tek Abdullahu diçka të
dyshimtë dhe se mos atëherë, bile pas 50 vjetëve do ta kisha treguar lidhur me
vdekjen e Abdullahut.
Ali
Aliu i Preshevës duke u përgjegjur në pyetjen e Skënder Latifit, në librin “Përtej
ferrit, Preshevë,
Që
deri më tani nuk është zbuluar. Dyshimet që paraqita lidhur me mosardhjen e
Nexhat Agollit në varrim për të mos “rënë në sy të keq”(ishte shok i ngushtë i
tij e pas dy viteve edhe ai pësoi”.
Pastaj
poashtu sipas fjalëve të Ali Aliut, ardhja në ditën e varrimit të Abdullahut, e
Dushan Deverxhiqit-Zhika, shef i punëve
të brendshme në Vranjë dhe fjalët e tij thënë Selimit : “Pse po qan me aq zë të
lartë Selim… ai s’ka qenë i yni”, vërtetojnë se me të vërtetë vdekja e
Abdullahut pati prapavijë politike edhe ushtarake. Abdullahut, në atë kohë i
ofruan gradën e kapitenit, në Shtabin Kryesor Ushtarak për Serbinë,por nuk
pranoi, për të mbetur në Preshevë, më popullin e vet
Pas
tij u likuidua edhe Nexhat Agolli dhe pas një bisede që pati Abdullahu me
Milladin Popoviqin, edhe ai u likuidua.
Ibrahim
Kelmendi, Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë, Preshevë,
Fehmi
Kelmendi, Kush janë Shqiptarët, Tetor,
Lidhur
me jetën dhe veprimtarinë e Abdullah Krashnicës shkruhen edhe romane. Kështu në
vitet e 65-70-ta, në Shqipëri është botuar
edhe romani me elemente historike “Tradhtia”, të cilin e sollën edhe në Preshevë,
të autorit ulqinak Kapllan Resuli, dikur i burgosur politik në Idrizovë, më vonë
thuhet bashkëpunëtor i UDB-së. Personazhi kryesor i romanit është Arben
Presheva, /Abdulla Krashnica/, të cilin në roman e tradhtojnë dhe e helmojnë.
Më vonë Nafi Çegrani, poashtu i burgosur për dhunim në Idrizovë, bashkëpunëtor i UDB-së thotë se romanin “Tradhtia” e shkroi Mahmut Dumani, poashtu një i burgosur politik në Idrizovë, romanin e të cilit ia futën sikur e ka shkruar Kapllan Resuli.
Mosshpallja e Abdullah Krashnicës-Hero i Popullit
Në
vitin 2010, në Prishtinë vdiq atdhetari dhe patrioti preshevar Ali Aliu-Kelmendi.
Familja e tij në Prishtinë hapi konakun, siç janë adetet shqiptare për të pame
dhe ngushëllime.
Një
ditë në familjen e Aliut erdhi në të pame dhe ngushëllime edhe Qëndresa e
Popullit shqiptar Adem Demaçi. Në bisedë e sipër i Madhi Patriot dhe Atdhetar
Adem Demaçi, kur u prek çështja e Preshevës, u deklarua aty, se Abdullah Krashnica është hero i
popullit shqiptar.
I
motivuar nga këto fjalë të të Madhit Atdhetar Adem Demaçi thurra këtë pjesë të shkrimit.
Poashtu
gjatë vitit 1973 në Preshevë, në mbledhjet e Këshillit komunal të Lidhjes së Luftëtarëve
të Preshevës diskutohej edhe çështja e shpalljes së Abdullah Krashnicës-Hero i
Popullit dhe kërkesës së Këshillit komunal të Preshevës drejtuar organeve më të
larta, gjegjësisht Lidhjes së Luftëtarëve të Jugosllavisë në Beograd. Aty
merrnin pjesë të gjithë përfaqsuesit të organizatave shoqërore politike të komunës
së Preshevës dhe në shumicën e mbledhjeve prezentonte edhe Selim Selimi.
Gjatë
diskutimeve të Këshillin komunal vëreheshin mangësi në thurrjen e kërkesës ,
vonesën e kërkesës për Beograd dhe dyshimin se kërkesa nuk ka arritur në adresën
e duhur në Beograd dhe se ka mbetur diku në sirtarët e Vranjës. Qysh atëherë lindi
dyshimi se dikush e pengoi shpalljen e Abdullah Krashnicës-Hero të Popullit. Më
vonë u lansua teza se me vonesë është përcjellë kërkesa dhe se më në ish-Jugosllavinë
nuk do të ketë shpallje të heronjve, e kurrsesi të Abdullah Krashnicës.
Këtë
çështje e trajton edhe Selim Selimi në librin : Kohë e sfidave historike, f. 170
:” Me kontributin që e dha para luftës dhe në LNÇ, ai/Abdulla Krashnica/ mbeti
i paharrueshëm në zemrat e gjithë popullatës së ndershme, pa marrë parasysh përkatësinë
kombëtare që e kishin.Pos tjerash Abdullah Krashnica ka qenë personalitet
karismatik. Për veprën revolucionare dhe patriotike ka merituar të shpallej
Hero i Popullit. Pas mbarimit të LNÇ dy herë e kemi propozuar për hero të popullit.
Në vitin 1968 e propozuam për së dyti, por fatkeqësisht kësaj here nuk u
miratua kërkesa jonë. Na patën informuar se kishte shumë kërkesa nga të gjitha
viset e Jugoslavisë dhe nëse do të pranohej kërkesa jonë, atëherë do të duhej të
pranoheshin edhe kërkesat e të tjerëve dhe kështu do të rritej numri i heronjve.
Ky nuk ishte kurrfarë arsyetimi. Ndonëse zyrtarisht Abdullahu nuk u shpall hero
i popullit, ai në zemrat e popullit mbeti hero i përjetshëm.
Skënder
Latifi, Rrugëtimi nëpër Luginë të Preshevës, Preshevë,
Ai
me këtë rast me ton të ngritur kishte thënë”këtu pra filluan hilet, por si
duket duhet luftuar prapë”.
Megjithate
Abdullah Krashnica mbete hero i popullit shqiptar, patriot dhe atdhetar i
devotshëm.
Abdullah
Krashnica, edhepse ishte anëtar Partie, ai asnjëherë nuk propagandoi ideologji
komuniste ne popullatën shqiptare të kësaj ane.
Abdullah Krashnica është pjesë e kujtesës kombëtare shqiptare dhe qëndresë e lirisë dhe atdhetar për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Referencat:
1.Ramiz
Abdyli, Presheva në Lëvizjen Nacionalçlirimtare 1941-1945, Preshevë, mars 1977
2.Sabri
Ajdini, Ai i listës së Heronjve, Panorama, Preshevë, 1980, nr.2
3.Qerim
Lita,Shaban Efendia, atdhetar i devotshëm, Kumanovë, mars 2010
4.Ibrahim
Kelmendi, Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë, Preshevë, 2006
5.Selim
Selimi, Kohë e sfidave historike, Preshevë, 1995
6.Skënder
Halimi, Përtej ferrit(Bisedë me Ali Aliun), Prishtinë, 2008
7.Skënder
Latifi, Rrugëtimi nëpër Luginë të Preshevës, Preshevë, 2006
8.Sadri
Qazimi, Presheva mbijetesa në sprovat historike dhe aktuale, Preshevë, 2010
9.Fehmi
Kelmendi, Kush janë Shqiptarët?, Tetor 1990
10.Grup
autorësh, Arsimi fillor në komunën e Preshevës 1945-1995, Preshevë, 2001
11.
Xhemaledin Salihu, Kultura shqiptare në Preshevë 1945-1995, Preshevë, 1999
12.Abdyhrraman
Zylfiu, Presheva në Luftën e Dytë Botërore (1941-1944), dorëshkrim
13.Zeqirja
Fazliu, Si do të përsëritet gabimi i para gjashtëdhjetë viteve?!, Ternocipress,
19 tetor 2010
14.Xhemaledin
Salihu, Përfaqsimi i Shqiptarëve të rrethit të Preshevës në organet dhe
institucionet partiake e shtetërore në vitet 1945-1947, Presheva.com, gusht 2010
15.Xhemaledin
Salihu, Situata politike më 1948 dhe kërkesa e Shqiptarëve për bashkim me Kosovën
dhe Shqipërinë, Presheva.com, gusht 2010
16.Nafi Çegrani, Si u tradhëtuan Gjon Sereçi dhe Ibrahim Lutfiu, Zemra shqiptare, 13.03.2011