| E premte, 14.09.2012, 07:26 PM |
KUSH
Shkruan: Prof. Fehmi Kelmendi
Ramë Binaku
(1876-1963) i biri i Binak Hajdarit, nga fshati Dashinoc, komuna e Deçanit,
Rrafshi i Dukagjinit, nga fisi i Berishës, tërë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare
duke luftuar si kaçak kundër secilit pushtues për çlirimin e atdheut. Qëndresa
e tij heroike me bashkëluftëtarët të tjerë të Lëvizjes kaçake e bënë që të radhitet
në plajadën e patriotëve të devotshëm jo vetëm në Rrafshin e Dukagjinit, por
edhe më gjërë. Ramë Binaku i njohur për veprimtarinë e tij patriotike ishte
burrë që fliste pak,por bënte shumë për atdheun. Qysh në ditët e hershme ai e
kuptoi që atdheu fillon nga pragu i shtëpisë dhe zgjat deri aty ku çdo pëllëmbë
i vie era gjak shqiptari. Ramë Binaku që si fëmijë mbeti pa të dy prindërit. Të
atin Binakun dhe xhaxhain e tij Vatën i kishin arrestuar dhe pastaj edhe vrarë turqit.
Jeta e
Ramë Binakut ishte përplot vuajtje dhe me sakrifica të mëdha. E rriti dhe për të
u kujdesua daja i tij Pash Galani, nga fshati Gjelekar, i Malit të Zi. Në moshën
l2 vjeçare Ramë Binaku kthehet në Dashinoc,por jo në shtëpinë e vetë që ia
kishin djegur turqit. Prej asaj kohe e tutje për të kujdesohej halla Lule
Hajdari, përndryshe e njohur në Rrethinë si trimëreshë e burrëreshë e dalluar. Lule
Hajdari nipin e saj, Ramë Binakun l5 vjeçar e dërgoi tek Ahmet Beg Berisha,
babai i Bajram Currit, prej të cilit kërkoi ndihmë për të mundur me regjistrua
në çetën e Hazir Sylës i cili rrjedhte nga familja Kurpali-Shqipëri. Ahmet Beg
Berisha i premtoi Lules kujdesin ndaj Ramës dhe ia jep një ndihmë prej një sasije
mexhedijesh sa për të siguruar jetën. Kjo çetë ishte e njohur në Shqipërinë e
Veriut dhe po ashtu edhe në Rrafshin e Dukagjinit për luftëra kundër pushtuesve
osmanë dhe serbomalazezë. Në këtë çetë tok me pietetet e saj u kalit Ramë Binaku.
Tani të shohim
se cilat ishin detyrat dhe etika luftarake të kësaj çete: 1. Armikun duhet
luftuar me armë pë të fituar lirinë. 2. Një trimëri do një qind mjeshtri. 3. Ushtari
i kësaj çete nuk guxon të jetë hajdut, kriminel, i pabesë dhe i pamoral. 4. Aty
ku e hanë bukën nuk guxon të tradhtosh dhe të turpërosh. 5. Në ditë të vështirë
njihet shoku dhe nuk lihet vetëm. 6. Femrat nuk dhunohen, pleqtë dhe fëmijtë nuk
vriten. 7. Çdo gjë do ta kemi të përbashkët të mirën e të keqen, fitoren dhe
humbjen. 8. Askush nuk gëzon prioritete apo privilegje, ato i takojnë vetëm
popullit. Këto pra ishin kushtet detyrat dhe obligimet e çdo ushtari që pranohej
në këtë çetë e që duhej patjetër t’ i respektonte, përndryshe dënimet ishin
rigoroze, si djegja e shtëpisë dhe dëbimi nga vendlindja.
Pra në këtë
çetë u rrit dhe u kalit Ramë Binaku i Dashinocit. Herët i përqafoi të gjitha
udhëzimet dhe detyrat e kësaj çete dhe me përpikëri e besnikëri i vuri në zbatim.
Këtu edhe u zotua shpirtërisht të hakmerret kundër pushtuesve Osmanë dhe Serbo-sllavë
deri në pikën e fundit te gjakut. Pikërisht pra ky ishte Ramë Binaku që për
shkak të këtyre rrugëtimeve të gjata nëpër shtigjet e lirisë rreth 50-vite
mbajti armën mbi supe si luftëtar i denjë i çetave kaçake për t`i dalur zot
atdheut aty kur dhe ku të ketë nevojë. Dhe mu për këto tipare kombëtare dhe
atdhedashurie Rama dhe familja e tij pësuan vuajtje, malltretime, burgosje,
djegje shtëpie dhe peripeci të jashtëzakonshme, deri në dënime me vdekje. Megjithatë,
Ramës nuk i shkoi mendja kurrë ta braktiste atdheun. Ku ishin situatat më të vështirë
aty gjendej. Zoti mos thashtë me ia kthye shpinën atdheut, deklaronte Ramë Binaku,
rrëfenin bashkëluftëtarët e tij.
Ideologët
shpirtërorë të Ramë Binakut ishin: Hasan Prishtina, Fan Noli, Mehmet agë Berisha
dhe Bajram Daklani. Ndërsa bashkëluftëtarët e tij ishin: Azem Bejta, Hazir
Syla, Bajram Syla, Zymer Fazlija, Lan Selimi, Isuf Musa, Nue Përlleshi, Sadri
Caka etj... Për këto cilësi dëshmojnë shumë burra të Rrafshit të Dukagjinit, të
Kosovës dhe të Shqipërisë së Veriut. Këta thonë se Ramë Binaku ishte njeri me
orë dhe aty ku printe e mësynte gjithmonë me sukses ja doli. Ku e ngrëni bukën
nuk e përmbysi kupën. Ishte i qetë ndër oda por i ashpër në vendimarrje. Kishte
qëndrim human ndaj të varfërve dhe gjithmonë i mbrojti interesat e tyre. Pa mëshirë
i luftoi armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm, sidomos ata të cilët në popull bënin
zullum, që deshën ta likuidonin Lëvizjen kaçake dhe vetë Ramën.
Askush
nuk përtonte për ta pranuar në shtëpi dhe për t`i dhënë bukë ndonëse i
rrezikohej familja. Rama thoshte: Lum kush mundet e mjerë kush s’di. Pra, ky
ishte Ramë Binaku, burri i besës dhe i nderit shqiptar, që tërë jetën ia kustoi
atdheut duke luftuar për ta fituar lirinë, e që atë liri ta gëzonte populli tok
me shtrasat e varfëra, që vuanin siç vuajti ai vetë, sepse asaj edhe vetë i përkiste,
por jo shtresave byrokratike që i përshtateshin situatave të ndryshme si
kameleonë.
Rama
kishte shumë shokë të luftës dhe të besës, që kishin një besëlidhje të fortë, që
kush të rrethohet prej pushtetit të tjerët me i shkua në ndihmë pa marrë parasysh
kushtet, rrethanat dhe sakrificat. Me një rast Ali Pashë Draga e rrethon
Dashinocin dhe me të arritur pyet ku është Dashinoci? Dikush i tregon ja ky është,
ai fillon të qeshet dhe thotë:sipas asaj që kam dëgjuar mendova se i ka 500 shtëpi
e jo 7-8 shtëpi. Vërtet, Dashinoci ka tri pika kulminante historike të pa
shlyeshme:
Lisi i
Dashinocit, Kroi i Dashinocit dhe Ramë Binaku i Dashinocit
Këto tri
pika janë të lidhura ngusht njëra me tjetrën dhe e madhështojnë njëra tjetrën. Nën
hijen e këtij lisi pushonin burrat dhe ideologët e mëdhenjë të atdheut: Hasan
Prishtina, Fan Noli, Mehmet agë Berisha, Bajram Daklani. Këtu gjuanin në shenjë
dhe hedhnin gurapeshën. Kurse te Kroi pinin ujë dhe pushonon nën hije. Burrat e
dheut tok me Ramë Binakun binin vendime të prera lidhur me çështjen kombëtare.
Luftërat
e Ramë Binakut kundër Turqisë, në Smolicë, në Qafë të Prushit, në Qafë të Pogragjes,
në Krumë të Hasit, në Sukën e Cermjanit, në Lug të Baranit,veçmas me ushtrinë e
Xhafer Tajarit,në Lug të Baranit,e në Sukë të Palabrdhit, Ramës i vritet vëllaj,
Hajdari, ku tërë ditën me tre shokë luftoi kundër ushtarëve turq dhe nuk u
lejoi të ua merrnin kokën të vëllajt siç kishin zakon ata. Aty mbeti edhe një binbash
turk. Dhe me të ngrysur Rama e tëhoqi kufomën e të vëllajt dhe e varrosi në fshatin
Ratishë. Rama thoshte se ishte një gëzim i madh për të meqë se kishte kryer një
mision nderi.Turqit ia dogjën shtëpinë dhe në livadh të tij mbi shtëpi vendosin
50 ushtarë për ta zënë Ramën dhe Zymer Fazlinë që bënin kërdinë në ushtrinë turke
e që gazeta e asaj kohe nga Stambolli shkruante: Ramë Binaku dhe Zymer Fazlija
sikur fluturojnë dhe nuk po kapen të gjallë.
Luftërat
kundër pushtuesve malazezë. Në luftën e Beranit, të Rzhanicës, të Suvidollit
dhe për djegjen e Shekullarit Rama u tregua luftëtar me moral dhe etikë që i përket
një shqiptari atdhetar. Tri gra malazeze të sulmuara prej ca personave të revoltuar
në mesin e kaçakëve në shenjë hakmarrjeje, Ramë Binaku sapo dëgjoi shamatën
vrapon dhe i shpëton ato. Njëra prej tyre i ofron fëmijën e saj për t’ia marrë flokut
në vend të kumarit ngase ky e kishte shpëtua nga rreziku, por Rama e largon me
fjalë duke i thonë se nuk kishte ardhur këtu për të zënë kumar, po për të luftuar
me nder ballë për ballë me armikun. Malazezja hallal të qoftë bre burrë që na
mbrojtje moralin.
Djali i
asaj malazezes kur rritet kryen akademinë ushtarake dhe si oficer merr pjesë në
luftën e partizanëve dhe më l963 me insistimin e së ëmës kërkon Ramë Binakun për
t’i falenderuar lidhur me rastin e cekur ku ishte treguar human dhe i njerëzishëm.
Por ky Ramën nuk e takoi sepse kishte vdekur para tri javësh. Oficeri luftëtar
malazez amanetin e së ëmës ia përcolli Hamëz Arifit, djalit të xhaxhait të Ramës
duke qarë me lot dhe duke i thonë se nëse dikush të kërcënon drejtohu tek unë sepse
kësaj familje i kam borxh. Fjalët e oficerit i shkruan Branko Horvat në librin
e tij : “Kosovsko Pitanje”, ku pos tjerash, thotë se Ramë Binaku ka qenë burrë i
besës dhe i nderit. Hamëz Arifi ishte njeriu më i dashur dhe më besnik i Ramë Binakut
dhe ky vuajti më së shumti prej të gjithë anëtarëve të familjes. Për Ramën u dënua
me l2 muaj burgim që i vuajti në Mitrovicë. Megjithatë,ky kurrë nuk u frikësua,
nuk u pendua për veprën e bërë dhe nuk hoqi dorë nga familja e Ramë Binakut. Dhe
mu për këtë është varrosur pranë varrit të Ramës.
Luftërat
kundër Serbisë. Lufta për mbrojtjen e Neutralit të Junikut, në Qafë të Malit të
Shqipërisë, lufta me Azem Bejtën e Shote Galicën afër Këpuzit në Qeskovë. Luftërat
kundër Austrisë. Në njërën prej tyre Rama zihet me tradhti dhe dënohet me vdekje.
Por theu burgun në kullat e Sheremetit në Pejë dhe bashkë me një boshnjak nga
Vitomirica e Pejës ikin dhe të nesërmen i lëshojnë të burgosurit të tjerë, po
atë ditë pas dreke largohet Austria nga Kosova.
Luftërat
kundër pushtuesve serbë të shtetit të ashtuquajtur jugosllav të dinastisë së Karagjorgjeviqve.
Gjatë gjithë periudhës së sundimit të Jugosllavisë okupuese të kralave Ramë binaku
nuk e hoqi dot armën nga krahu. Krah për krah me Bajram Currin, Isa Boletinin,
Azem Bejtën, Shote Galicën, Hazir Sylën, Zymer Fazlinë, Bajram Sylën, Zhui
Sadrinë, Kerin e Sadri Bardhit etj... mori pjesë në të gjitha betejat kundër
pushtuesit. Që nga viti l9l2 deri në vitin l94l, me përjashtim të periudhës l9l5-l9l8
kur luftoi kundër pushtuesve austrohungarezë, Ramë Binaku me shokë iu kundërvu
pushtuesve serbomalazezë dhe kolonizimit të tyre. Në “Republikën” e zonës së Junikut,
që u formua në dhjetor të vitit 192l, Ramë Binaku me çetën e tij luftoi me zell
për mbrojtjen e këtij territori të pavarur. Ramë Binaku qëndronte pranë Hasan
Prishtinës, Fan Nolit, Bajram Currit dhe Luigj Gurakuqit. Në revolucionin e
qershorit l924 mori pjesë aktive duke mbajtur krahun e Nolit.
Luftërat
kundër sllavo-komunistëve (partizanëve e çetnikëve). Lufta në Bëlle në bjeshkë të
Deçanit, kundër dy brigadave serbomalazeze, lufta te Gropa e Sapunit kundër
Cedo Mioviqit, ku ky komadant i partizavëve plagosej dhe dora e mëngjër i
kishte mbetur sakat, lufta në Erenik të Gjakovës, lufta në Pashtrik të Hasit,
lufta në Qafë të Prushit, lufta e Cabratit të Gjakovës dhe lufta tjetër në Erenik
të Gjakovës, u zhvilluan midis komunistëve dhe ballistëve.e vullnetarëve
shqiptarë. Të gjitha këto luftëra me sakrifica dhe viktima u bënë për çlirimin
e atdheut,ku lules`i vie era lulë, ku voglushi dhe zogu këndojnë shqip dhe ku
historia do të shkruhet ashtu qysh kanë ndodhur ngjarjet duke mos ua mohuar
meritën patriotëve të shquar. Shumë gjëra duhet pastruar. Dhe mëtej nuk do të shkruhet
sipas dogmës së gabuar sllavokomuniste. Besojmë se në të ardhmën do të paraqiten
historianët e ndërgjegjshëm. Disa historianë nën ndikimin e ideologjisë sllavokomuniste
ende kanë frikë ose nuk dëshirojnë të shkruajnë për historinë e vërtetë. Eshtë për
lëvdruar shpallja e Shaban Polluzhës për hero kombëtar. Ky fanar i kombit këtë e
ka merituar pamëdyshje..Para disa muajve organizata “Balli Kombëtar” në Deçan
shpalli hero të kombit Ramë Binakun. Ka edhe patriotë të tjerë që meritojnë të shpallen
hero të kombit shqiptar. Tani kemi një fillim të mbarë prej disa historianëve
dhe institucioneve shtetërore të Kosovës. Këtë e themi për arsye se fitorja
deri në pavarësinë e Kosovës nuk është rezultat i luftës së një generate po është
rezultat i shumë brezave që dhanë jetën e tyre duke filluar që nga luftërat e
Skënderbeut deri sot e kësaj dite. Pra, Kosova është larë shumë herë me gjakun
shqiptar. Në shkencë dy gjëra nuk udhëtojnë bashkë e vërteta dhe e pavërteta. Secili
do të përgjigjet para popullit për veprën e tij. Dhe një ditë populli shqiptar
i bashkuar do të inkuandrohet në botën e civilizuar e demokratike.
Në fund të
këtij artikulli po e paraqesim një strofë të këngës popullore lidhur me luftën
e Cabratit të Gjakovës :
Mehmet
aga u çue në komë
Shumë siklete
ma kanë zonë
Ramë Binakut
po i çon fjalë
Sa ma
shpejt te un me ardhë
Merr me
veti shumë vullnetarë
Kanë msy
shkit Gjakovën me marrë
Ne Gjakovë
kanë msy me hi
Milladini
tu ju pri
Ka me
vete di faqe zi
Donë me
bo Kosovën Serbi
Këto të dhëna
janë marrë prej bashkëluftëtarëve të Ramë Binakut: Isë Neziri, Hajdar Tafa, Nue
Përlleshi, Sadri Caka dhe Hamëz Arifi. Ndërsa të shenjuara nga djemtë e Ramës,
Rexhepi dhe Sahiti. (Bisedën e zhvilloi me të birin e Ramë Binakut, Rexhep
Berishën)