Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Stilian Adhami: Reshat Këlliçi, Djaloshi rebel që kundërshtonte Ahmet Zogun

| E diele, 13.04.2008, 06:04 PM |


Reshat Këlliçi, Djaloshi rebel që kundërshtonte Ahmet Zogun

Nga Prof. Dr. Stilian Adhami

Një intelektual i lënë në harresë nga familja e madhe tiranase Këlliçi. Eshtë fjala për të ndjerin Reshat Këlliçi, që kur e kam njohur për herë të parë më 1945 në aparatin e ish-Ministrisë së Shtypit, Propagandës dhe Kulturës Popullore, ai ishte 44 vjeç, pra shumë më i moshuar në krahasim me ne të rinjtë 20 e ca vjeçarë. Atëherë ai merrej me përkthime nga rusishtja. Në atë kohë mësuam se ai kishte qënë për disa vjet në ish-Bashkimin Sovjetik bashkë me titullarin e dikasterit tonë, Sejfulla Malëshovën, dhe të tjerë antizogistë, arratisur për të vazhduar studimet e larta. Më kujtohet se ai merrej edhe me Shoqërinë e miqësisë me Bashkimin Sovjetik, deri sa ajo u krijua në institution parashtetëror më vete. Po ashtu sjell ndërmend se në atë Ministri ndenji deri aty nga gjysma e dytë e vitit 1945 (ku kemi dalë në foto), sepse kaloi në Drejtorinë e përkthimeve të sapo krijuar me Selim Shpuzën në krye, që u vendos në godinën përbri ish Muzeut të Luftës Nacionalçlirimtartare, pikërisht në atë ndërtesë që më parë kishte qenë seli e Sigurimeve shoqërore italiane.

Tradita familjare

Reshati kishte lindur në Tiranë më 1901 në familjen e madhe, të vjetër e të mirënjohur tiranase Këlliçi. I ati i saj, Mas-har Këlliçi, kishte lindur në Tiranë të re; pasi pat mbaruar shkollën fillore të atëhershme në qytetin e tij të lindjes, bashkë me vëllanë e tij më të madh, u dërgua për studime në Stamboll, ku u diplomua në fushën e financave dhe shërbeu si nëpunës i lartë në administratën perandorake turke deri në Siri dhe Liban. Ndërmjet viteve 1915-1917 është kthyer bashkë me familjen në Shqipëri, ku u përfshi në lëvizjen atdhetare. Në këtë vështrim rol të madh luajti i vëllai i tij Mytesem Këlliçi, që pas përfundimit të arsimit të lartë teologjik në Stamboll, u emërua kryemyftiu i Tiranës dhe i Durrësit. Mytesimi ishte nga figurat kryesore të lëvizjes atdhetare për pavarësinë e Shqipërisë dhe dha ndihmesën e tij në ngritjen e flamurit më 26 nëntor 1912 në Tiranë. Mytesem Këlliçi, së bashku me Abdi Toptanin, ishin delegatë të Tiranës në Kongresin e Lushnjës në janar të vitit 1920, madje Mytesemi u zgjodh edhe senator në atë kongres për Këshillin kombëtar më 31.1.1920. Mas-hari, i përfshirë në lëvizjen atdhetare përparimtare të viteve 1920-1924, kur luftohej për demokratizimin shoqëror e shtetëror të vendit, u pat zgjedhur deputet në parlamentin e parë më 21 prill 1921, duke përfaqësuar Tiranën dhe Durrësin. Duke u rreshtuar në krahun e deputetëve përparimtarë, si Fan.S.Noli, Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjau, Avni Rustemi etj vërejmë se nuk figuron më i zgjedhur në Kuvendin Kushtetues, mbledhur më 21.1.1924. Kjo shpjegohet me faktin se Mas-har Këlliçi, pat kritikuar ashpër përpjekjet e Ahmet Zogut që ushtronte presion për vendosjen e një qeverie antipopullore. Por Ahmet Zogu, edhe pse bëri kinse të tërhiqet përkohësisht nga jeta politike, nuk hoqi dorë nga eleminimi i kundërshtarëve të tij, duke filluar me Avni Rustemin, që ishte jo vetëm miku i Mas-harit, pro edhe një nga shokët më të ngushtë të djalit të tij, Reshatit. Dihet si rrodhën ngjarjet më tej. Vdekja e Avniut në prill 1924 solli shpërthimin e Lëvizjes së Qershorti 1924, arratisjen e Zogut në Jugosllavi dhe krijimin e qeverisë së Nolit. Megjithatë Mas-har-Këlliçi nuk ndante të njëjtat pikëpamje lidhur me reformat e majta që ndërmorri apo i premtoi fshatarësisë dhe kështu, bashkë me Agjah Libohovën krijuan Partinë Radikale dhe u bënë gati të merrnin pjesë në fushatën zgjedhore të dhjetorit 1924. Pas kthimit të Zogut me bajonetat e huaja, menjëherë pas të ashtuquajturit “Triumf i Legalitetit”, Mas-har Këlliçi, si një nga ndërshtarët politikë të tij, u tërhoq nga jeta politike dhe u punësua në firmën aksionere Stambles, që merrej me tregtimin e duhan-cigareve. Provoi përndjekjet e Zogut, madje për një kohë të shkurtër u burgos me rastin e kryengritjes së Fierit, që shpërtheu më 1935. Me pushtimin fashist të Shqipërisë, Mas-hari nuk pranoi të punonte në administratën shtetërore, por u punësua në Komunitetin mysliman si drejtor ekzekutiv, post që e mbajti deri sa vdiq, më 1942.

“Me djemtë e Bashkimit”

Ky është titulli i librit, që ka botuar më 1965 Reshat Këlliçi, por përpara se të flasim për këtë libër të vlefshëm, që i është shtuar memorialistikës shqiptare, le të kthehemi tek jeta e tij, që u mbrujt në këtë mjedis patriotik të paraardhësve të vet. Me kalimin e viteve të para të fëmijërisë, së bashku me prindërit dhe dy motrat e tij u shpërngul përkohësisht në Turqi, ku Mas-hari ishte emëruar nëpunës i lartë i administratës turke. Të tre fëmijët fillimisht mësimet e para i morën në një shkollë turke në Stamboll dhe kthehen familjarisht, siç thamë, në Tiranë. Mësimet e mesme Reshat i i kreu në Kolegjin italo-arbëresh San Demetrio Corone pranë Kozencës, (Itali), ku ka dhënë mësim poeti i ndjerë Jeronim De Rada, Zef Serembe dhe arbëreshe të tjerë të shquar. Këtu kishin vajtur dhe mjaft sutdentë të tjerë shqiptarë, me të cilët lidhi miqësi, që ndikoi në formimin e bindjeve të tij politiko-shoqërore. Disa prej tyre, si Avni Rustemi, Sejfulla Malëshova, Tajar Zavalani, Zoi Xoxe, Demir Godeli etj luajtën rol të rëndësishëm në jetën politiko-kulturore të vendit. Miqësinë me ta Reshati e forcoi edhe më shumë me kthimin në atdhe, ku ai u rreshtua në krah të Fan Nolit dhe Avni Rustemit, që ishte dhe nismëtari i krijimit të shoqërisë atdhetare “Bashkimi”, shoqëri që synonte çrrënjosjen e feudalizmit në Shqipëri. Shoqata krijoi edhe organin e saj “Bashkimi”, ku Reshati u vu në drejtim të saj dhe së bashku me të rinjtë përparimtarë të asaj kohe, si Sejfulla Malëshova, Haki Stërmilli, Selim Shpuza etj dhanë kontribut të ndijshëm me shkrime dhe artikuj të shumtë me karakter politik, atdhetar e kulturor. Pas vrasjes politike të Avni Rustemit nga një bashkëpunëtor i Zogut, Reshati me shokët e vet luajtën një rol jo pa rëndësi në lëvizjen demokratike të Qershorit për përmbysjen e regjimit feudal të Zogollit.
Të gjitha këto ngjarje, përmes kujtimeve vetiake dhe të shokëve të vet, Reshati i përshkruan bukur në librin e vet “Me djemtë e Bashkimit”. Eshtë vërtet një libër që lexohet me endje, me një gjuhë të thjeshtë, të rrjedhshme e të pastër dhe me një fjalor të pasur. Veçanërisht veprimtarinë organizative, kulturore dhe ushtarake të shoqërisë “Bashkimi” me Avni Rustemit në krye, autori e përvijon me disa penelata tërheqëse jo pa interes, që të krijojnë besueshmëri dhe të njohin me mjaft hollësira interesante të asaj kohe. Mbresa të këndshme të ngjallin edhe përshkrimet e hollësishme që i bën Tiranës së fillimit të viteve ’20 me fenerët mesjetarë, me ato rrugicat e ngushta, me jetën shoqërore dhe ekonomike të atëhershme, me dyqanet e zejtaritë e kohës deri dhe mejhanet e natës etj sikur të ishte një etnolog i mirëfilltë. Interes të ngjallin edhe toponimet e vjetra të Tiranës, që të kujtojnë panoramën etnologjike të atyre kohëve, emra deputetësh e qeveritarësh të asaj kohe dhe shumë informacione të tjera jo të padobishme për të njohur dhe të kaluarën e Tiranës. Por, mbi të gjitha lexuesi zgjeron horizontin përsa i përket ngjarjve politike të kohës dhe veprimtarisë atdhetare të rinisë së atëhershme, që përpiqej të çante errësirën e kohës dhe të krijonte një shoqëri të pastër, përparimtare dhe atdhetare, idealet e Avni Rustemit, me të cilin Reshati kishte qenë në një dhomë në kolegjin italo-arbëresh, me rrugëtimet luftarake të djemve të “Bashkimit” përkrah revolucionarëve të 1924-ës etj.

Në migracion

Me përmbysjen e qeverisë së Fan Nolit dhe rikthimin e Ahmet Zogut në atë dhjetor të vitit 1924, për Reshatin dhe shokët e tij të ngushtë nuk kishte rrugë tjetër veç emigrimit, prandaj më 1925 mori rrugën e mërgimit. Me porosi të Fan Nolit që ishte dhe ai në mërgim dhe që dallohej si simpatizues i ideve bolshevike, u përcaktua destinacioni i mërgimit për në Rusi, bashkë me shokë të tjrë, si Sejfulla Malëshova, Llazar Fundo, Tajar Zavalani, Selim Shpuza e të tjerë për të marrë studime të larta. Reshati u bën një përshkrim real e tërheqës udhëtimeve që u desh të bënin për të arritur në destinacion, përmes Austrisë, Berlinit, Rigës, Kovnos etj. Natyrisht viti i parë u kaloi për të mësuar gjuhën dhe pastaj Reshati filloi studimet në Shkollën e Lartë Politike Ushtarake në Moskë. Me vërtetësi dhe me një farë nostalgjie, krahas peripecive të udhëtimeve, Reshati pasqyron në libër dhe jetën studentore në akademi, në kampet e pushimit ushtarak, në Kronshtad e Leningrad etj që edhe ato nuk janë pa interes dhe zgjerojnë njohuritë e lexuesve. Gjatë tetë vjetëve që qëndroi në vendin e Sovjetëve, natyrisht e forcoi edhe miqësinë me bashkëstudentët shqiptare etj.

Kthimi në atdhe, paradokse e zhgënjime

Mbreti Zog pat deklaruar një amnisti për kundërshtarët e vet, pasi kishte eleminuar me vrasje ata më të rrezikshmit, si Avni Rustemi, Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina dhe plot të tjerë. Disa nga të emigruarit, kush më parë e kush më pas, sipas kushteve shëndetësore, gjendjes familjare dhe parapëlqimeve të veta, filluan të kthehen, kështu që edhe Reshati vendosi që më 1933 të kthehet në Shqipëri, i zhgënjyer dhe duke përfituar nga kjo amnisti. Por gjithsesi Reshati nuk hoqi dorë nga bindjet e tij social-demokrate, edhe pse gjatë tetë vjetëve të tij në mërgim ai kishte përjetuar zinë e bukës, përndjekjen dhe zhdukjen e intelektualëve dhe ushtarakëve të njohur rusë, mjerimin dhe skamjen e atij populli vital. Dhe nga këto kishte pësuar një farë zhgënjimi e befasimi, sepse ndryshe e kishte përfytyruar vendin e sovjetëve, por disa e kishin shpallur botërisht zhgënjimin (si Tajar Zavalani), disa e mbanin të ndrydhur në vetvete (si Reshati). Gjithsesi, paradokset, zhgënjimet e vuajtjet në vendin tonë vazhdonin edhe më keq gjatë regjimit zogist dhe patjetër që i zhgënjenin social-demokratët e mirëfilltë, që aspironin liri, demokraci e përparim të shoqërisë. Prandaj Reshati, bashkë me mikun e ngushtë të tij, Petro Markon, më 1935 themeluan revistën mujore “ABC”, ku nëpërmjet artikujve dhe shkrimeve politiko-kulturore, kritikohej ashpër administrata shtetërore në fuqi por që pa kaluar tre muaj u ndalua të botohej nga regjimi anadollak. Dhe Reshatit gjatë sundimit të monarkut nuk u zunë këmbët dhe. Gjithmonë i përndjekur dhe i survejuar lëvizte nga një punë e rëndomtë në tjetrën nëpër qytete të ndryshme (Durrës, Lushnjë, Tiranë).
Reshati familjarisht ndoqi me shumë simpati Luftën antifashiste nacionalçlirimtare, i bindur se ëndrra e hershme e viteve ’20 për një Shqipëri demokratike do të bëhej realitet pas çlirimit të vendit. Por fatkeqësisht erdhi përsëri zhgënjimi i madh. Pas çlirimit dalngadalë në Shqipëri u vendos një diktaturë e ashpër staliniste, të cilën Reshati e kishte provuar në Bashkimin Sovjetik. Po ato forma dhe metoda, përndjekje dhe survejime, fillimisht ndaj intelektualëve, shtresës së mesme dhe të pasur, që u konsideruan kundërshtarë politikë dhe më pas ndaj atyre intelektualëve, që ishin rrjeshtuar në krah të lëvizjes nacionalçlirimtare. Reshati përjetoi vrasjet, internimet, burgimet e miqve të tij të idealeve dhe u trondit shumë, sidomos nga denigrmi dhe internimi ndaj mikut të tij 50 vjeçar Sejfulla Malëshova, mne të cilin nuk u nda deri në ditët e fundit të jetës së tij, në nëntor 1966, megjithëse i qenkësh hequr triska e Frontit Demokratik më 1954, për t’iu dhënë një vit më vonë.
Ai kishte ndjekur me hidhërim përsëritjet e të njëjtit skenar që kishte parë dikur në ish Bashkimin Sovjetik, pati ndjerë dhe provuar përsëri përndjekjen, survejimin, nënvlerësimin ndaj tij. Punoi në administratën shtetërore si nëpunës, mësues i gjuhës ruse dhe së fundi si përkthyes, redaktor dhe korrektor në Shtëpinë Botuese.
Përfundimisht mund të thuhet se Reshati, që e kishte filluar miqësinë e shoqërinë me intelektualë të tillë si S.Malëshova qysh në bankat e Kolegjit të San Demetrio Corones në Kalabri dhe e kishte vazhduar në Bashkimin Sovjetik dhe në fund edhe në Tiranë, pavarësisht nga pasojat që mund të kishte, edhe pse nuk shihej me sy të mirë nga organet e pushtetit popullor, madje i bëheshin edhe presione për të mos e vazhduar miqësinë me të, ai si intelektual i bindur se shoku i tij i ngushtë nuk kishte tradhëtuar as atdhenë dhe as idealet e tij demokratike e sociale, nuk mund ta tradhëtonte atë shoqëri e miqësi gjysmëshekullore, që kishte pasur me të, pra kemi të bëjmë me një atdhetar e intelektual të formuar që meriton të përkujtohet e vlerësohet. Madje është për t’u vënë në pah edhe kurajo e tij civile për t’i shprehur haptas bindjet e tij. Tregohet nga të pranishëm se aty nga vitet 1956-57 kur është punuar tema “Futja e politikës në art dhe kulturë” nga një personalitet me rëndësi, Reshati në diskutimin e tij tha shprehimisht këtë sentencë të famshme: Futja e politikës në art dhe kulturë është tamam sikur në një sallë koncerti të luhet një vepër e Bethovenit dhe pas asaj qetësie olimpike njeri nga spektatorët të shtjerë me armë”. Po ashtu Reshati nuk ka nguruar të përplaset me personalitete të kohës përsa i përket vështirësive që paraqet futja gjuhës ruse në shkollat shqiptare, për censurimin e thuajse përgjysmimin e librit të vet “Me djemtë e Bashkimit” etj. Pra, në atë periudhë duhet pranuar se ishin të rrallë ata intelektualë që t’i kundërviheshin me argumenta vijës dhe orientimeve të partisë-shtet të atëhershme.

Milosao