| E enjte, 13.09.2012, 07:58 PM |
Një studim
që ka shqetësuar Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Dodona pellazgjike dhe dëshmitë
që zbardhin vendndodhjen e saj.
Nga Artur Vrekaj, Massachusetts, SHBA.
Ndonëse
kemi vite që jemi larguar nga Shqipëria, interesimi ynë për vendin tonë sa vjen
e rritet. E rriti këtë interesim edhe libri studimor i Kujtim Matelit “Dodona
ndodhet në Dëshnicë të Përmetit I”. Interesimi për Dodonën është i madh, sepse
ka të bëjë me rrënjët e qytetërimit tonë që është i vjetër në këto troje sa dhe
vetë bota. Mateli e ilustron librin me argumente bindëse për vendndodhjen e
Dodonës në Dëshnicë të Përmetit.
Mjaft
shqiptarë që ndodhen këtu në Amerikë e lexojnë këtë libër duke ia huazuar njëri-tjetrit.
Ky libër studimor shkencor, që bën fjalë për një dëshmi-rrënjë të qytetërimit
pellazg, siç është tempulli i Dodonës (përfshi edhe qytetin dhe lisin rrëfimtar
ku lexohej orakulli), është çertifikuar në rrjedhë të historisë me emrat: thesprot,
kaon e mollos.
E, ndërsa
ne shqiptarët që banojmë në kontinentin e largët amerikan dhe i gëzohemi këtij studimi dinjitoz, u befasuam
kur lexuam tek gazeta “Republika” se z. Muzafer Korkuti, Nënkryetar i Akademisë
së Shkencave të Shqipërisë, e kundërshtonte këtë studim duke i vënë përballë Ismail
Qemalin, themeluesin e shtetit shqiptar, se gjoja Dodona qënka në afërsi të Janinës,
se atje kishte thënë se ndodhej edhe Ismail Qemali.
Ne Ismail
Qemalin e njohim për politikan dhe si politikan Ai e bëri detyrën e tij: themeloi
shtetin shqiptar dhe krijoi qeverinë e parë shqiptare.
Se ku
ndodhet Dodona e presim nga ata që merren me studime shkencore, nga ato studime
që janë në nivel akademikësh. Ne Muzafer Korkurtin njohim për shkencëtar meqë ka
zënë kryet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe nga ai presim që të thotë
se ku ndodhet Dodona pellazgjike. Nëse nuk e ka bërë deri tani, do të thotë se
nuk e ka bërë detyrën e tij për të cilën paguhet nga shteti shqiptar. Po dhe kur këtë e bëjnë të tjerë siç është studiuesi
Kujtim Mateli, i cili as paguhet për këtë punë dhe as mbështetet nga ndonjë institucion
shkencor a universitar, qëndrimi mospërfillës, i z.Korkuti pasqyron nivelin e
ulët shkencor e njerëzor që ekziston në institucionet shqiptare dhe në rastin
konkret te Akademia e Shkencave të Shqipërisë.
Nëse këta që mbajnë këto grada shkencore dhe poste drejtuese në shkencën shqiptare, nuk janë të aftë të japin një përgjigje shkencore, duhet t`u drejtohen e të marrin mendim nga albanologët europianë, nga Profesorët e historisë antike në Universitet Europiane dhe ato Amerikane. Bota e sotme bashkëpunon në të gjitha fushat, në këtë bashkëpunim duhet të përfshihet edhe Akademia jonë e Shkencave.
1
Studimi i
kujdesshëm që u ka bërë Kujtim Mateli autorëve të lashtësisë, duke filluar me
Homerin e të tjerët me radhë, e bëjnë studimin
të besueshëm se Dodona nuk është pranë Janinës, por në Dëshnicë të Përmetit. Në
libër jepen njëra pas tjetrës dëshmitë e këtyre autorëve që thonë se Dodona
ndodhet në veri të Epirit.
Duke
lexuar këto ditë një libër që ka për autor Herbert William Parke “ The Oracles
of Zeus :Dodona, Olympia, Ammon”, ka një dëshmi të rëndësishme që nuk gjendet në
studimin e Kujtim Matelit(megjithëse ai i është referuar këtij autori), por që mbështet
më së miri tezën e tij se Dodona ndodhet në veri të Epirit, në tokën e Molosisë.
E ëma e Aleksandrit të Maqedonisë, Olimbia, ishte në të njëjtën kohë regjente e Epirit. Ajo u dërgoi një letër athinjotëve duke protestuar se “ toka e Mollosëve ku qëndron kulti, ishte i saj dhe athinjotët nuk kishin punë të ndërhynin për asgjë në të”.(faqja 142). Kjo ngjarje shumë domethënëse ka ndodhur pas vdekjes së Aleksandrit të Mollosisë, (që ishte vëllai i Olimbisë) dhe hedh dritë për vërtetësinë e argumenteve që sjell Kujtim Mateli në studimin e tij për vendndodhje të Dodonës në tokë të mollosëve e në veri të Epirit.
2
Kujtim
Mateli ka sjellë fakte të mjaftueshme që
Dodonën të mos e kërkosh në Janinë, që është në zemër të Epirit, por në veri të
tij, aty ku përputhen pa asnjë kundërshtim të gjithë këta autorë, aty ku
ndodhet fusha Hellopia për të cilën ka kënduar Hesiodi, shpati i malit ku
ndodhet qyteti dhe tempulli i Dodonës dhe lumi i Dëshnicës ku ndodhet orakulli
i Dodonës.
Lugina e
Carakovistës pranë Janinës nuk plotëson asnjë nga ato që thonë autorët e vjetër.
Ndaj dhe Mateli me plotë të drejtë thotë se Dodona nuk ndodhet në afërsi të Janinës,
duke sjellë për lexuesin edhe ato kundërshtime që u bënë nga mjaft
personalitete të kohës duke veçuar Zoto Mollosin e Sami Frashërin.
Sot, shumë
autorë kopjojnë njëri-tjetrin duke thënë se Dodona ndodhet në Carakovistë, duke
pranuar qorrazi Karapanon dhe Akademinë Franceze që bëri Çertifikimin e saj. Kështu
kanë vepruar deri më sot edhe Akademikët dhe Profesorët e Shqipërisë.
Të mendosh kështu, të shkosh e të vulosësh akoma më shumë se çfarë shkroi Karapano, do të thotë se Akademikëve shqiptarë u mungojnë studimet e mirëfillta shkencore për Dodonën. Po nëse nuk merren me Dodonën që është mëma e qytetërimeve të lashtësisë, me cfarë tjetër më të rëndësishme merren? Po ajo që është më e keqja, këtyre u mungon edhe guximi për ta përshëndetur këtë studim dhe për të hedhur dritë për misterin mbi katër mijëvjeçarë që ndriçohet plotësisht nga vendndodhja e vërtetë e Dodonës pellazgjike që është aty ku thotë studiuesi kurajoz Kujtim Mateli.
3
Kujtim
Mateli në këtë libër na njeh deri në detaje me pozicionin gjeografik të Shqipërisë
së Jugut. Ka marrë përsipër detyrën e gjeografit, sepse të dhënat e autorëve të
lashtësisë nuk mund të kuptoheshin nga lexuesi shqiptar dhe ai i huaj, pa e
njohur mirë terrenin për të cilin ata flisnin. Me harta e foto, me përshkrime të
hollësishme, ne njihemi me vargmalet Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërçkë e paralel me të
Shëndëlli-Lunxheri-Bureto. Këto ishin malet e Dodonës për të cilat na flet
Eskili. Lugina e Dëshnicës dhe ajo e Vjosës, përshkruar sipas Matelit, na
krijon tablonë bindëse të vendndodhjes së Dodonës në këtë Luginë të shenjtëruar.
Po Mateli
është njohës i mirë edhe i luginës së Carakovistës ku pretendohet Dodona sipas
Karapanos dhe mbështetësve të tij.
Kur bëjmë
fjalë për mënyrën e jetesës dhe ritet që aplikonin njerëzit para Krishtit, nuk
mund të themi më shumë se ato që thuhen në këtë studim.
Shqipëria
e Jugut dhe në veçanti lugina e sipërme e Vjosës, ku dhe ndodhet Dodona
pellazgjike, është dhënë kronologjikisht që nga dëshmitë më të hershme siç është
fortifikimi i Dedejanit që është i shekujve XIV-XIII para Krishtit e deri në vitet
`50-të të shekullit të kaluar me dëshminë e lisave të shenjtë që ende
adhuroheshin si në kohën e Dodonës, veçanërisht tek banorët e Dëshnicës së Përmetit.
Teksa lexon këtë libër, kujtesa të sjellë ata njerëz të mëdhenj që bënë historinë duke filluar me Akilin e të birin e tij, Neoptolemeun, Odisenë që me dinakëri shkatërroi Trojën e pamposhtur dhe Orestin e Agamemnonit, Enean e Trojës e Aleksandrin e Epirit, Aleksandrin e Madh të Maqedonisë e nënën e tij epirote, Olimbinë, Filipi i II i Maqedonisë e deri te perandorët e Romës, të gjithë në gjunjë duke iu lutur perëndisë e duke kërkuar t`u lexohen ardhmëria.
4
Ky
studim, i përkthyer në anglisht me firmën e autorit Kujtim Mateli, do të jetë edhe
më i plotë për botën akademike europiane e atë botërore. Edhe audienca do të jetë
më profesionale, pa paragjykime siç ndodh rëndom në Shqipëri. Jam i bindur se
ka për t`u çertifikuar se studimi mbështetet
mbi fakte të pakundërshtueshme. Dodona pellazge ndodhet aty, në Dëshnicë të Përmetit.Një
ditë edhe këta kundërshtarë shqiptarë do të venë si vizitorë tek Dodona e
famshme, në Dëshnicë të Përmetit. Shihni
përreth se çfarë bëjnë fqinjët tanë serbë, sllavo-maqedonë dhe grekë. Duan me çdo
kusht t`i veshin kombit të tyre të ardhur vonë në këto troje (që dikur kanë qenë
pellazge e ilire), një identitet të pa qenë duke e salduar me vepra arti, me
filma, me studime, me enciklopedi, me botime shkencore, me vendosje emrash të përkatësisë
së tyre edhe sot në mes të ditës, në sytë e Europës dhe gjithë botës.
Ne
shqiptarët duhet të kthjellohemi, se ato gjurmë që kemi në trojet tona, ato
dokumente që ende flenë në arshivat e Romës, të Egjiptit, të Vatikanit, të Rusisë
a gjetkë, duhen kërkuar e parë mirë, por edhe nënvizuar e vërtetuar për gjithçka
që na përket neve si komb.
Pa shihni
se si i zhbënë vendngjarjet historike: Nishin, Shkupin, Janinën,
apo sa e
sa emra fshatrash arvanitas në Greqi. Është asimiluar trashëgimia e 300
venbanimeve arvanitase me urdhër të qeverisë greke deri më 1987, përfshirë këtu
fshirja e emrit Çamëri, si vendlindje e çamëve. Ka një mësymje të paparë për kumbarizimin e
shqiptarëve emigrantë ekonomikë në Greqi.
Një presion
të jashtëzakonshëm deri në shpopullim apo ndërrim statusi qeverisjeje të trojeve
shqiptare në Mal të Zi ( Tuz) apo në Sërbi, Kosova Lindore dhe Sanxhaku i
Nishit.
Në këtë prizëm, Akademia e Shkencave të Shqipërisë duhet të shkundet nga zyrtarizmi shqiptar i pabukë, herë-herë i ndikuar edhe nga rryma politike që i kërcënojnë me vendin e punës dhe të kthehet tek kërkimi shkencor i vërtetimit të asaj çfarë deri më sot është vjedhur nga fqinjët apo tentohet të vidhet hapur nga ata!
5
Edhe pse është e vështirë, do njerëz guximtarë dhe fonde
finaciare, por nuk është e pamundur! Akademia e Shkencave të Shqipërisë duhet të
zgjohet nga gjumi shekullor... Ështe mrekulli të analizosh shkencërisht e të hedhësh
dritë mbi fakte reale që deri më sot i janë mëshuar hamendjeve greke! Studimi i
Kujtim Matelit, është i pari studim shqiptar për një thesar si Dodona. Është krenari
të jesh shqiptar me rrënjë sa vetë historia njerëzore.
Është kënaqësi
e madhe të vlerësosh punën studimore dhe krijuese të përmetarit Kujtim Mateli,
aq më tepër kur krah tij janë intelektualë , shkrimtarë dhe poetë, arkeologë,
shkencëtarë dhe historianë shqiptarë. Mund
të veçoj poetin Bardhyl Londo për mbështetjen
dhe promovimin e këtij studimi!
Dodona po
flet shqip! Jam mrekulluar kur më në fund dëgjoj zëra të bashkuar rreth
studimit të Kujtim Matelit për vendndodhjen e Dodonss në Dëshnicë të Përmetit! Ky
është mijëvjecari i tregimit për rrënjët e lashta pellazge të shqiptarëve! Shqipëria
më në fund, po i kthehet vetvetes!
Studimi i
Kujtim Mateli për vendodhjen e vërtetë të Dodonës, meriton më shumë vëmendje
prej Europës dhe Amerikës, sepse bota akademiko-universitare e vlerëson shumë qytetërimin
e lashtë. Ky është shërbimi më i madh ndaj kombit shqiptar dhe Shqipërisë në vecanti. Një vepër që po hap siparin e rrënjëve
të kahershme pellazge!
Unë e
shoh këtë studim si një projekt në vazhdim, për të sjellë në skenë vëmendjen e
shqiptarëve mbi misterin për Dodonën në tokën
ku sot banojnë shqiptarët.
Ju,
Kujtim Mateli, hodhët dritë që e vërteta për Tempullin e Dodonës dhe Lisin Rrëfimtar
të shihet shkencërisht në të gjitha planet e ndërtimit e funksionimit të jetës
së banorëve më të lashtë pellazgë, duke nisur, pse jo, ekspedita kërkimore në Dëshnicë
të Përmetit!
Ju sollët në skenë një studim për të treguar rrënjët tona, të kombit tonë të shumëvuajtur, por të patjetërsuar. Shqiperia le të bëjë më shumë për kërkime shkencore në këtë fushë, nëse do t`i tregojë Europës se qytetërimi i saj është tepër i lashtë. Ky është shekulli i shqiptarëve. Zoti na ndihmoftë për më mirë! Një ditë do të ndizen dritat e Tempullit, të Orakullit dhe të qytetit antik të Dodonës, atje në Dëshnicë të Përmetit.