| E merkure, 12.09.2012, 07:45 PM |
FJALËT E
NJË MIKU TË VJETËR
Nga Frank Shkreli
Javën që kaloi,
zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Filip Riker zhvilloi një vizitë katër
ditëshe në Shqipëri, ku u takua me udhëheqsit më të lartë të shtetit dhe të qeverisë
shqiptare si edhe me përfaqsues të opozitës.
Vizita e
diplomatit amerikan, i cili i njeh shumë mirë çeshtjet shqiptare në Ballkan, është
edhe një shënjë tjetër e marrëdhënjeve të ngushta dhe në rritje e sipër që ekzistojnë
midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, marrëdhënje këto që u rivendosen në
Mars të vitit 1991, pasi ishin prishur aqfër 50 vjetë më parë nga regjimi
komunist i Enver Hoxhës. Këjo ndërprerje
e marrëdhënjeve shqiptaro-amerikane ishte një prishje jo natyrale e marrëdhënjeve
midis dy popujve miq që kishin filluar në fillim të shekullit të kaluar, kur --atëherë
si edhe sot -- ishte një president i Shteteve të Bashkuara, në personin e
Uodrou Uilsonit, i cili mbrojti shtetin e ri shqiptar të posa formuar.
Zyrtarë të
ndryshëm amerikanë, përfshirë edhe Sekretaren e Shtetit Hillari Klinton kanë thënë
se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Shqipërinë
si ndër aleatët më të ngushtë të tyre. Këtë
e shprehu edhe diplomati i lartë amerikan Riker, gjatë vizitës së tij në Shqipëri
javën e kaluar, duke thënë se ''Shtetet e Bashkuara janë shumë krenare që ju
kemi aleat... natyrisht edhe për faktin që Shqipëra është edhe anëtare e plotë e
NATO-s''.
Edhe
Tirana zyrtare, por edhe i mbarë kombi shqiptar dhe shqiptarët kudo që gjënden,
janë shprehur gjithmonë mirënjohës të rolit që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur
gjatë historisë në mbrojtje të interesave të shqiptarëve.
Komuniteti
shqiptaro-amerikan, si sot ashtu edhe historikisht, ka luajtur dhe vazhdon të luaj
një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe forcimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënjeve. Në Mars të vitit 1991, gjatë ceremonisë së nënshkrimit
të memorandumit për rivendosjen e marrëdhënjeve diplomatike midis Uashingtonit
dhe Tiranës, ndihmës sekretari amerikan i shtetit për punët evropiane, Rejmond
Sajtz tha se megjithëse të ndërprera për pothuaj 50-vjetë, ''marrëdhënjet midis
dy endeve nuk u harruan kurrë nga mijëra amerikanë me origjinë shqiptare....''. Edhe gjatë vizitës së tij në Shqipëri javën
e kaluar, diplomati i lartë amerikan Riker, në një intervistë me analistin e
njohur amerikan Janush Bugajski theksoi rolin historik të diasporës shqiptare në
Amerikë në promovimin e marrëdhënjeve amerikano-shqiptare. Duke iu përgjigjur pyetjes së Zotit Bugajski --
i cili tha se në këto marrëdhënje ka disa spiranca madhore historike -- se mbi çfarë
bazohen marrëdhënjet e forta shqiptaro-amerikane -- zyrtari i lartë amerikan u
përgjigj pa hesitim duke thënë se, ''Mendoj që bazohet në një miqësi të vjetër. Ka një diasporë të fortë të shqiptarëve në SHBA.''
Gjatë vizitë
së tij, diplomati Riker u angazhua, në emër të Shteteve të Bashkuara, se
Uashingtoni do të vazhdojë të qëndrojë pranë Shqipërisë, pasi siç tha ai, si
miq që jemi ia duam të mirën Shqipërisë dhe shqiptarëve, prandaj në intervistën
me Zotin Bugajski, ashtu siç bëri edhe në të gjitha takimet zyrtare me udhëheqsit
më të lartë të Shqipërisë, Zoti Riker theksoi, me seriozitetin më të madh, se
''Duam të ngrejmë zërin dhe të flasim mbi nevojën për të vazhduar përpjekjet për
reforma. Kemi mbështetur tranzicionin e
Shqipërisë, reformat e saj, përparimin e saj dhe duam të vazhdojmë ta bëjmë këtë
për të ri-përqendruar energjitë në sigurimin e respektit për institucionet e
pavarura demokratike, për të punuar mbi reformat gjyqësore, për të theksuar rëndësinë
e sundimit të ligjit, e të luftës kundër korrupsionit. Mendoj që këto janë gjëra për të cilat shqetësohet
qytetari i zakonshëm shqiptar dhe kjo është ajo që do ta çonte Shqipërinë në drejtime
të reja në 100 vjetët e saj të ardhshme.
Dhe ne, Shtetet e Bashkuara, presim të jemi miq të saj në këtë proces'',
njëqind vjeçar.
Si miku
me mikun, zëvendës sekretari amerikan i shtetit Filip Riker qe i drejtë për
drejtë dhe i sinqert në takimet e tij me të gjithë protagonistët kryesorë të politikës
shqiptare. Mesazhin e tij për të gjithë,
ai e përmblodhi pas takimit me udhëheqsin e Partisë Socialiste, Zotin Edi Rama
, duke thënë se ''Uashingtoni do t'i ndjekë me vëmendje dhe nga shumë afër
zhvillimet në Shqipëri. Shpresojmë të shohim
vazhdimin e përparimit të reformave, dhe presim të shohim që zgjedhjet e vitit
të ardhëshëm të zhvillohen në mënyrë të përgjegjëshme''. Zoti Riker tha gjithashtu se në takimet e
tij me udhëheqsit shqiptarë kishte theksuar rëndësinë e respektimit të pavarësisë
së institucioneve demokratike, si edhe ''seriozitetin e qëllimeve që tejkalojnë
interesat politike të partive, por të cilat janë në interesin madhor të popullit
shqiptar'', duke shtuar se, ''javët e ardhëshme janë kritike''.
Ai sikur
ngarkoi me detyrë politikën shqiptare, që për të mirën e vendit dhe të popullit
shqiptar në këtë 100-vjetor të pavarësisë, të gjëjë gjuhën e përbashkët, ''të mirëkuptimit
shumë-partiak për reformën e rregullave parlamentare, për miratimin e ligjit për
Gjykatën e Lartë si dhe votimin e ndryshimeve kushtetuese për imunitetet. ''Zoti Riker përfundoi duke thënë se këto
''janë të arritshme, dhe do të jenë hapa të rëndësishme në drejtimin e duhur për
Shqipërinë.”
Në këtë 100-vjetor
historik të pavarësisë së Shqipërisë, është kritike që marrëdhënjet e Shqipërisë
me Shtetet e Bashkuara të jenë të forta dhe të ngushta, dhe si të tilla duhet të
jenë prioritet kombëtar për të gjitha partitë politike shqiptare, pa marrë parasyshë
mosmarrveshjet e tyre të mbrendshme politike.
Marrëdhënjet e ngushta midis vendeve, mbi të gjitha, janë marrëdhënje që
theksojnë dhe bazohen në vlerat e përbashkëta demokratike. Fuqizimi ose çimentimi i këtyre marrëdhënjeve
midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara do të varet nga gatishmëra dhe
vullneti i politikës shqiptare ndaj
''seriozitetit të qëllimeve që tejkalojnë interesat politike të partive, por të
cilat janë në interesin madhor të popullit shqiptar'', sipas fjalëve të përfaqsuesit
të një miku të vjetër të shqiptarëve,
diplomatit amerikan Filip Riker gjatë vizitës së tij në Shqipëri, javën
që kaloi.