| E marte, 11.09.2012, 06:19 PM |
Thani Naqo
TI, UNË DHE PERËNDIA - FRAGMENT NGA ROMANI I FUNDMI I SHALËGJATËVE?
Në gjumin e drekës të asaj dite, ndërkohë që tufa mërzente nën hijen e aheve, mua m’u shfaq në ëndërr Marjana e Lonit me gërrshetin e gjatë. Hoqi nga koka fustanin me lule të verdha dhe, ashtu, në mbathje e sytjena, filloi ta lajë atë në postafin e Çesmës me Tre Sylinjarë. E lau fustanin, e shtrydhi dhe e nderi mbi degët e trëndafilit që ishte përkah çesmës. Pastaj ajo shpleksi gërrshetin dhe flokët e kafejta, onde-onde, i mbuluan shpinën, dhe ato u hapën sikur flokët të ishin degë gjëroshe fieri. Aq të gjata i kishte patur flokët edhe kur ardhi e veshur nuse në fshatin tonë dhe, aq të gjata ajo i mbajti ato gjer ditën që ardhi e bija dhe unë mbusha xhepin me cullufet e saj. Megjithëse isha akoma në gjumë, u çudita "si është e mundur që edhe në ëndërr po e shtrydh trurin," dhe zbulova qysh në gjumë se atë fustan me lule të verdha, që ajo e lau në postafin e çesmës, ishte fustani kur e kishin filmuar në festivalin e Gjirokastrës. Marjana e Lonit u dekorua, siç thoshte ajo “me urdhër nga i madhi i Partisë” sepse hiqte bukur vallen e Vjelseve të Mollëve. Mirëpo atë ditë, sa u zgjova, ëndrra që pashë më torturoi aq shumë, sa kokën e futa disa herë në ujin e ftohtë të burimit tek Hija e Shkëmbit të Cjapit dhe përsëri koka më zjente si koshere me bletë. Pëllëmba më shkonte vetiu në qendër të trupit dhe gishtat më mbetën të mbërrthyera mbi bishtin e sëpatës, sepse sëpatën e mbaja me vete të varur në njërin krah. Nuk durova më dhe, kur kishte akoma dy hostenë diell, i dhashë ballit të tufës tatëpjetë shpatit të malit. Tufa kaloi zhurmëmadhe në rrugën kryesore të fshatit. E lashë tufën të ngopej me ujë në postafin e Çesmës me Tre Sylinjarë dhe i gëzohesha cjapit Laragan. Ai, pasi u freskua, turfëlloi dhe zuri të nuhasë nën bisht dhitë e ftujat. Atë ditë, si kurrë ndonjëherë, Laragani, për pesë minuta, ndërzeu dy ftuja e një dhi, kurse unë përhumba në ëndërrime duke lodruar me Marjanën e Lonit. Ndërsa dhitë lëpinin gurët e kripur të mureve të ndërtesës, që dikur kishte qenë depo e plehrave kimike të kooperativës, por tani me çatinë e shembur, isha i ulur akoma në buzë të postafit të çesmës, kur befas, cepi i syrit më kapi siluetën e Marjanës të Lonit që doli tek pragu i portës.
“Ç’ ka ndodhur - tha ajo - Dielli akoma s’ka perënduar.”
“E di që, e porsazgjuar…” - mezi munda të bëlbëzoj, por, Marjana e Lonit u shkund sikur u zgjua vërtet nga gjumi, hodhi sytë sa nga njëra rrugicë tek tjetra, pastaj erdhi e më qëndroi përpara, me këmbët e zhytura në llumin para postafit, me gishtin tregues ngjeshur mbi majën e hundës. Tha zëdredhur:
“Dita ka sy, nata ka veshë.”
Atë ditë që provova
kostumin italian, sikur të mos paskeshin qenë e bija e dhëndri, të njëjtat fjalë
“ e di që e porsazgjuar, je më e bukur se femrat e reklamave…” do t’ia kisha thënë
kur ajo më hapi derën dhe u shfaq para meje qethur italiançe dhe e veshur me
minifund bluxhins dhe bluzë të hapur. “Është bërë gati t’ja mbathë në Itali” - më
shkoi ndër mend, ngërçi mu mblodh në grykë dhe mu sikur kisha ngrënë mollçina
aguridhe. Mezi mbushesha me frymë, diçka më pickoi në anën e majtë të krahërorit,
pastaj një ftohtësirë më përshkoi tejpërtej trupin, që nga maja e thonjve e
gjer në rrënjë të flokëve. Vetja mu duk i ngarkuar me mornica, zemrën e ndjeva
të ftohtë sikur të qe zhytur në brymë të hidhur. Fundi bluxhins asaj i rinte aq
puqur, sa vithet e Marjanës të Lonit mu duken më të ngrehura, këmbët më të plota,
këmbë shumë të bukura, më të bukura edhe në ato vite kur ajo i binte përqark me
vals sallës të vallzimit. Marjana e Lonit e mbylli derën dhe më bëri shenjë ta
ndiqja nga pas dhe unë i rashë pas me sytë mbërrthyer mbi të thelluarën e
vitheve. Shtatë vite me rradhë ajo dilte nga shtëpia veshur me fustanin e gjërë,
të gjatë e të zi të vejushës, ndërsa e bija ardhi në mbrëmje, çudirat ndodhën të
nesërmen e ditës së re. Pashë belin e saj që përdridhej si llupë shelgu dhe “sa
e bukur je bërë, moj dreqkë” më ardhi të thërrisja, por nuk munda; gjuha mu
nguros si eshkë e thatë.