| E marte, 11.09.2012, 06:02 PM |
Mirash
Luca Gojçaj, intelektual i përmasave kombëtare
Nga Gjekë Gjonaj
Kaluan tridhjetë e gjashtë vjet prej se u nda para kohe prej nesh intelektuali, mësimdhënësi, gazetari, studiuesi dhe mbledhësi i krijimtarisë gojore të Malësisë, Mirash Luca Gojçaj. Është njëri prej intelektualëve tanë i përmasave kombëtare që ngriti dhe nderoi veten, familjen, rrethin dhe kombin me punën dhe veprimtarinë e tij të sukseshme në shumë sfera. Është një figurë e ndritshme e së kaluarës së Malësisë që, krahas shumë figurave të tjera të shquara, meriton respekt. Është një personalitet që duhet vlerësuar kontributin e tij për kulturën shqiptare në përgjithësi. Është një veprimtar që nuk duhet lënë në harresë. Kjo është në nderin tonë, sepse duke i përkujtuar figurat e nderuara të kaluarës, qoftë edhe vetëm përmes një shkrimi të shkurtër, shlyejmë një detyrim ndaj tyre dhe i bëjmë ata të përjetshëm e të pavdekshëm tek brezi ynë i ardhshëm.
Rruga e formimit intelektual
Mirash Gojçaj ishte bir i një familjeje përparimtare nga Hoti. U lind në vitin 1933, në fshatin Skorraq. U rrit nga babai Luca, i cili u vra në Luftën nacional çlirimtare në Deçiq në fund të vitit 1944 dhe nëna Tereze. U përkund në djepin e traditës së malësorëve. U rrit dhe u edukua në frymën e atdhedashurisë. Shkollimin fillor e mbaroi në vendlindje dhe në Tuz. Falë përkushtimit dhe vizionit të babait të tij për edukim dhe arsim Mirashi largohet nga vendlindja dhe vendoset në Gjakovë, duke studiuar në Shkollën normale, dega e mësuesisë. Sëmundja e hershme e detyroi të ndërprejë studimet. Për fat të mirë arriti të shërohet dhe më pas një kohë punoi si mësues i padiplomuar në fshatin Radoniq të Gjakovës. Puna atje me ditar në dorë nuk e pengoi të përfundojë me sukses të shkëlqyeshëm privatisht Shkollën normale në Prishtinë, ku një kohë punoi si edukator. Mësuesi i ri tashmë me përvojë nuk kënaqet me kaq. Përfundon me sukses Shkollën e naltë pedagogjike në Shkup- degën Gjuhë dhe letërsi shqipe.
Dashuria
për Malësinë
Gjatë shkollimit të tij në Gjakovë, Prishtinë e Shkup, Mirashi përveç aftësimit profesional me punën dhe veprimtarinë e vet arriti të krijoi autoritet dhe natyrshëm një jetesë më të mirë seç ishte asokohe në Malësi. Megjithatë nostalgjia për vendin e të parëve, dëshira e madhe për t’i kontribuar Malësisë,e cila gjysmëshekullin e klaluar vuante nga mungesa e kuadrove të shkolluara, ishin dominuese në përcaktimin e tij jetësor. I la këto qytete shqiptare dhe kthehet në fshatin e tij të lindjes në Skorraq, nga i cili doli dhe tek i cili nxorri lëndën e parë të punës së vet. Në vendlindje punoi tri vjet ( 1966-1969 ) si drejtor i shkollës. Kolegët , ish nxënësit dhe prindërit e fëmijëve gjithmonë e mbajnë dhe do ta mbajnë në mendje për të mirë. Kanë folur dhe do të flasin fjalë miradie për birin e tyre, sepse, siç shprehen ata, ai e ka merituar. Mirashi, thonë bashkëkolegët dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, ishte model i një pedagogu, intelektuali dhe njeriu të dashur, të ditur, të urtë, të ndershëm dhe të përkushtuar për kulturën shqiptare.
Gazetaria – profesioni i dytë
Në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar shqiptarët në Mal të Zi kishin nevojë për gazetarë. Numri i tyre asokohe ishte i pakët, ndonëse mungonin mediat në gjuhën amtare. Mjeti i vetëm i informimit të shqiptarëve në këtë republikë ishte Radio Titogradi i atëhershëm ( sot Radioja e Malit të Zi) , e cila emetonte emisionin shqip javor informativo-muzikor, njëorësh, redaktor i të cilit ishte i ndjeri Gjergj Daku Gjokaj. Mirashi në shkurt të vitit 1969 filloi punën e gazetarit në redaksinë në shqip në këtë radio, ku ka punuar deri në vdekje, në fillim të korrikut 1976. Gjatë kësaj periudhe kohore Mirashi bashkë me kolegët e tij shqiptarë përgatiti shumë lajme, informata, raporte, biseda, reportazhe , vështrime etj. kryesisht nga Malësia,por edhe nga viset tjera ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi. Ishte bashkëpunëtor i disa gazetave dhe revistave të kohës në Kosovë e Maqedoni.
Pasioni për folklorin
Krahas
punës si gazetar Mirashi me dashuri të madhe
iu qas mbledhjes së lëndës folklorike në
Malësi, si bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit Albanologjik të Prishtinës, në kuadër
të të cilit themeloi dhe drejtoi Degën e
Foklorit, kolosi ynë Anton Çeta, figurë poliedrike e kulturës shqiptare.
Ai në mbledhjen serioze të krijimtarisë
letrare gojore të shqiptarëve në Mal të Zi bashkëpunoi me bashkëpunëtorët e tjerë të jashtëm
të Institutit Albanologjik të Prishtinës, Dom Simon Filipaj, Patër
Vinçenc Malaj, Fran Zef Jankaj, Atë Kolë Berisha, Ismail Doda e të tjerë.
Se sa e kishte në shpirt
letërsinë tonë gojore dëshmojnë edhe fjalët e Mirashit në një takim në shtëpinë tonë në Triesh me
babain tim të ndjerë Gjonin, shokun e tij
të ngushtë me të cilin ishte vëllazëruar (sipas dokeve të malësorëve kanë pirë një pikë gjak prej njëri-tjetrit): Malësia është një thesar i trashëgimisë së popullit tonë. Kjo pasuri
jona shpirtërore gjatë shekujve na ka mbrojtur nga asimilimi dhe zhbërja nga
pushtuesit tanë të shumtë shekullorë. Prandaj
kemi detyrim kombëtar që të ruajmë trashëgiminë
tonë shekullore .
Një pjesë të madhe të këtij materiali foklorik të mbledhur nëpër fshatrat e Malësisë nga tregimtarë të grupmoshave të ndryshme Mirashi e botoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Kurorëzim i gjithë kësaj pune të mundimshme , të sukseshme e me vlerë për kulturën tonë kombëtare është botimi pas vdekjes i veprës së tij “ Thesare të Malësisë” nga Misioni Françeskan në Malësi, Tuz, 2006, financuar nga familja e Lucë Gjonit Gojçaj. Në këtë libër të Mirash Gojçajt prej 207 faqesh përfshihen vajtime, gjamë, këngë dashurie, këngë dasme, këngë humoristike, këngë historike, këngët kreshnike, balada, përralla, mallkime, fjalë të urta, frazeologji, dhe legjenda toponimesh kryesisht nga Malësia.
Vepra “ Thesare të Malësisë”
Prof.Dr. Anton
Nikë Berisha në parathënien e këtij libri
ndër të tjera shkruan:
me rrethina, kEdhe malësorët e Grudës, Hotit, Trijeshit u u mblodhën materialet e përfshime në këtë vëllim të Mirash Gojçajt, i krijuen, i pasunuen dhe i bajtën llojet e kësaj letërsije prej në brezi në tjetrin, disa prej të cilave ( lloje) mbërrijtën edhe në ditët tona. Kjo gja ndodhi për arsye se malësorët patën një shpirt të pasun e një aftësi të veçantë krijuese, prandaj i pasunuen dhe i ruajtën me përkushtim nëpër rrjedhë të moteve”.
Patër
Pashku Gojçaj ka thënë: Malësia nuk
kishte njerëz të shkolluem e
Mirashi me përkushtim të madh i përveshet punës në pasqyrimin
e vlerave të nevojshme për ekzistencën dhe vazhdimësinë
e jetës nga brezi në brez, për të kuptuar
se kush jemi, ka duhet të shkojmë e si
duhet t’i mbrojmë vlerat tona shqiptare autoktone.
Kolegu ynë i mirënjohur në diasporë Zef Pergega , duke e quajtur Mirash Gojçajn princ i gojtarisë së Malësisë është shprehur: Gjithë çfarë ka shkruar e ka mbledhur Mirash Gojçaj përmban brenda vetës filozofinë e afshit të dheut, se heroizmi për të dhe kultura popullore janë dy nga elementet me të qensishëm me të cilat mbrohet e jetohet jeta e pragut tend. Libri i Mirash Gojçaj është një digë ndaj këtij vërshimi me trubullime që e orjenton vreshtarin që shartimet ti bëjë në trug të traditës, që filizi të çelë frutet e pjekura.
Përjetësimi
në vargje
Mirash
Gojçaj ishte edhe gojëtar i spikatur dhe promotor i pajtimit të gjaqeve në Malësi
dhe jo vetëm. Për të kuptuar përmasat e figurës së Mirasah Gojçajt, mjafton të sjellim
para lexuesit vargjet e rapsodit tonë të
mirënjohur popullor Sali Mani:
... Prej te vargu ma i vjetër ( i krijimtarisë gojore të Malësisë-shënimi
im)
ai (Mirash
Luca-shënimi im) e merr e bahet vepër
merr
nektarin porsi bleta
për Malësinë
si Anton Çeta
Netëve t' errta me pak dritë
gjithë malësorët, po rrinë tuj pritë
Mirash
Gojcaj kur po flet
ai bylbyl
i gjuhës s’vet
Fjalës së
parë kur po ia nis
për Besëlidhjen
e Malësisë
arsimtari
atdhetar
qet prej
gojet fjalën e artë
Ja dha
shkolla diturinë
vujtja i
dha zemërgjerësinë
Zoti i
fali gojëtarinë
Hoti i
dha atdhetarinë
Nëpër
odat e malësorëve
nëpër
rreshtat e dasmorëve
nëpër
logje, kangë e valle
nëpër
fusha, nëpër male
nëpër
shkollat e Malësisë
nëpër
vepra t'bamirësisë
ai
mungon, si gur i rrallë
por me
vepër rron i gjallë
me atë zemër
si flori
plot me mall për shqiptari...
Përmbledhje
Vdekja e Mirash Gojçajt në moshën 43 vjeçare ishte një humbje e madhe për familjen dhe të afërmit e tij, një humbje e madhe për të gjithë ata që e njohën nga afër dhe patën rastin ta kenë mik. Ishte dhe mbeti një qytetar i denjë i Malësisë,pa rolin e të cilit nuk mund të kuptohet jeta kulturore e kësaj trevë shqiptare. Jeta dhe kontributi i tij në fushën e arsimit dhe kulturës do të jetojnë gjithmonë. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!
Këngë për Mirash Lucë Gojçajn (Malësi e Madhe)
Këndon: Sali
Mani
Hej
rrjedh
nji kangë si vala e Drinit
hapet
logut të Dragogjinit
për nji
zemër atdhetare
malet
shqipes përdykrenare
… Brez
pas brezit ku kanë le
burra
lisa për atdhe
atje leu
e u rrit si motit
Mirash
Luca, djalë prej Hotit
Ia merr
bjeshkës bubullimën
ia merr
liqenit gurgullimën
nëpër
male legjendare
hej, merr
thesare mijëvjeçare
….
ku ardh gëzimi
e pikëllimi
ku ardh
kanga o e vajtimi
historia
jonë gojore
rujt tek
shqipja, hej, gjuhë hyjnore
Prej te
vargu më i vjetër
ai e merr
e bëhet letër
merr
nektar e porsi bleta
për Malësinë,
si Anton Çeta
…
në t'vet
errta me pak dritë
gjithë malësorët
o po rrinë tuj pritë
Mirash
Gojcaj kur po flet
ai bilbil
o i gjuhës s'vet
Fjalës së
parë kur po ia nis
për besëlidhjen
e Malësis'
arsimtari
atdhetar
qet prej
goje fjalë e artë
Ia dha
shkolla diturinë
vujtja i
dha zemërgjerësinë
zoti i
fali gojëtarinë
hej, Hoti
i dha atdhetarinë
Nëpër
odat e malësorëve
nëpër
rreshtat e dasmorëve
nëpër
logje, kangë e valle
nëpër
fusha, nëpër male
nëpër
shkollat e Malësisë
nëpër
vepra t'bamirësisë
ai
mungon, si gur i rrallë
por me
vepër rron i gjallë
me atë zemër
si flori
plot me mall për shqiptari