| E diele, 09.09.2012, 10:21 AM |
Dom
Nikollë Kaçorri në altarin e baballarve të kombit
Nga Pjetër Logoreci
Në vazhdim të shkrimit tim për Imzot Nikollë Kacorrin në
suplementin Rilindasi të dates 17 Qeshor 2012, po sjell disa ndodhi e fakte të
reja nga jeta e atdhetarit Dom Nikollë
Kacorri, të mbetuna deri tashti në
erresinë. Së pari due me perforcue fjalët e autores Maria Amelie Freiin von Godin e
cila ne librin e saj: Aus dem neuen
Albanien te vjetit 1914, tue përshkrue atmosferën e ditëve të shpalljes së
pamvarsisë të Shqipnisë, të cilen e perjetoj vetë, përshkruen personalitetin e
Imzot Nikolle Kacorrit me kto fjalë:
Don Nikollë Kacorri, i cili në nji farë mase ndan me Ismail
Kemal Bey-n, presidencën e qeverisë së parë shqiptare, ka mbarue në Shkodër
mësimet e para ndër Jesuitë. I mendshëm, i arsimuem, i shkathët, i dashtun e
largpamës, ka punue ky burrë pa u lodhun për Shqipni, gjithshka muejti dhe unë besoj, që Atdheu i qendron ma
afër zemrës së tij se kisha, prelat
i të ciles ai asht……
Pra, mendoj se asht shumë e randësishme që këtë personalitet mos ta shohim vetëm si figurën, e nji prifti katolik, por në nji vështrim ma të gjanë e ma real: si një punëtor të palodhun e patriot, intelektual liridashës, si burrë trim e të papërkulun në cdo situate qi i asht krijue „tuj u përleshë me forcë me zaptijet e Turkisë me mbrojtë nderin e vet e të shqiptarit“, si mësues e reformues i gjuhës tonë shqipe, si poet e mbledhës folklorit, e si organizator e udhëheqës i paepun i kryengritjeve të malsorve të Krujës për vite me radhë…..
Në librin monografik të zotni Hajredin Isufit “Feja dhe
Flamuri: Dom Nikollë Kacorri”, në kreun 6-të, ndarjen IV – Apelimi (faqe 210),
autori shkruen:”Për qëndrimin e Kacorrit
në rezidencë nuk kemi të dhëna. Po ashtu nuk dimë nëse u bënë përpjekje të
tjera për lirimin e tij nga atdhetarët, apo ndoshta nga Vjena. Kemi vetëm
lajmin e lirimit, mbas 10 muajsh burgimi.”
Për periudhën e burgimit të tij, në burgun e Durrësit si
edhe të izolimit të tij (arrest shtëpie) në ”Konak”, në qelën e kishës, flasin
disa dokumenta që i gjeta në Arkivën e ministrisë së jashtme austriake të
periudhës së denimit te Kacorrit. Dokumentat bajnë fjalë për përpjekjet e
diplomacisë austriake që në kuadrin e Kultusprotektoratit në Shqipni, baheshin
për të “zbutun” dënimin e patriotit klerik, për të ba rishikimin e vendimit, që
autoritetet vendore turke të lejonin që Imzot Kacorri të kryente dënimin e
mbetun në ambientet e ipeshkevisë së Durrësit.
Në një letër që Imzot Prenk Bardhi, arqipeshkvi i Durrësit, me 29 nandor 1910, i dergon Konsullatës Austriake në Durrës, Konsullit Alfred Rappaport si dhe ministrisë së jashtme të Austrisë, mbasi i tregon për biseden me prokurorin e shtetit Mydei dhe komandantin e bimbashëve Haki Bey në Durrës, për ti mundësue Imzot Kacorrit nji qeli ma të pranueshme se ajo ku ishte në burgun e qytetit, kerkon ndihmën e diplomatëve austriakë në kuadrin e Kultusprotektorat për të lejue ardhjen e Kacorrit në dhomat e arqipeshkvisë.
Këtu po sjellë telegramin që Konsulli Zambaur nga Shkodra, me 3 korrik 1910 i dërgon Vjenës dhe Romës, për ndërhymjet e tij tek Valiu i Shkodrës, i cili i ka dhanë fjalën që ceshtja Kacorri të mos shihet me aq ashpërsi dhe të delegohet në Konstantinopel ku do të ketë mundësinë e uljes së dënimit.
Dokumenti i dytë mbanë datën Shkoder, me 22 Korrik 1911.
Konsulli von Zambour i dërgon Vjenës
informacionin e ndërhymjes së tij pranë Valiut të Shkodrës për të ba
lirimin e Imzot Kacorrit me amnesti.
Mbas transferimit të Imzot Nikollë Kacorrit nga qelitë burgut të qytetit, për të vazhdue dënimin në dhomat famullisë tij, vjen nji periudhe shumë e veshtirë ekonomike si për të burgosunin ashtu edhe për Imzot Prenkë Bardhin i cili, në statusin që kishte Kacorri si i denuem nuk mund të pretendonte të merrte fonde shpërblimi të rrogës për të. Me një letër – kërkesë Imzot Bardhi i drejtohet autoriteteve të Austrisë që të mundësojnë ndihmë ekonomike për të burgosunin Kacorri për të gjithë periudhën e dënimit deri sa ai të rifillojë të punojë në liri. Letra asht në gjuhën italiane i drejtohet nënkonsullit austriak Rudnay dhe mban datën, Durazzo me 8 Tetor 1910:
“Kanë kalue tashma 3 muej e gjysë, qyshse famullitari i
Durrësit asht prangue padrejtësisht nga gjykata lokale, e nga ajo ditë deri më
sot, jashtë forcave të mia ekonomike asht mbajtë nga xhepi im i vobektë. Tue
marrë në konsideratë mundësitë e mia ekonomike si dhe ato të famullitarit i
cili bile ka edhe ndonji borgj, më lejoni që me ardhjen e koncensionit të
aprovuem nga ministria për famullitarin e ri qi do vijnë, të kërkoj edhe
dërgimin ditor të 3 Koronave për mbajtjen e famullitarit (ushqim, pije,
cingare, ngrohje) të burgosun deri në lirimin e tij.”
Ky asht telegrami i datës 19 Janar 1911, që Konsulli i
Durresit Halla i dërgon ministrisë së
jashtme të Austrisë, mbas kërkesës së Imzot Bardhit për akordimin e ndihmës
ekonomike Imzot Nikollë Kacorrit. Menjëherë arqipeshkvisë së Durrësit, Imzot
Bardhit, ju aprovue kjo ndihmë e cila i asht dhanë rregullisht për të ndihmue
në plotisimin e nevojave të përditëshme jetësore të Dom Nikollë Kacorrit. Në
këtë dosje në arkiv gjinden të gjitha Quietanzat – vertëtimet e marrjes së
shumave të firmosuna nga Imzot Bardhi, Dom Frano Gjini e Imzot Nikollë Kacorri.
Ka edhe një kërkesë tjetër të Konsullit Halla të datës 30 Korrik 1911, për
zgjatjen e ndihmës deri sa Imzot Kacorri të fillojë përsëri punën e tij
baritore, mbas dënimit, ndihmë që edhe kjo ju aprovue nga ministria e jashtme e
Austrisë.
Këtu po vendos disa nga Quietanzat – vertëtimet për
shumat e marruna në ndihmë të Imzot Kacorrit:
Si dhe një letër falenderimi të cilën Imzot Nikollë
Kacorri ja dërgon nga Durrësi ministrisë së jashtme të Austrisë me datën 14
Janar 1911:
Tuj shpresue që kam ndricue ndopak këtë periudhë të
padokumentueme të jetës së Titanit Liberator Nikollë Kacorri, dishroj me tregue
edhe nji pasazh për këtë personalitet madhor nga Baronesha von Godin në librin
e saj Aus dem neuen Albanien:
...është Don Kacorri një burrë i patundun dhe i pandryshueshëm në ndershmërinë që reflekton, e që me forcë e guxim zyrtarisht e përfaqëson. Vetëm ai ka karakterin e fortë të kundërshtojë Ismail Qemalin, i cili dhe pranon mendimet dhe idetë e tij, atij që në qeverinë e parë provizore është perfaqësuesi i denjë i drejtësisë ... unë jam e bindun që ky burrë, i cili megjithëse në fushën e besimit asht shumë konsekuent, asht një karakter shumë tolerant, sepse për ndryshe në Shqipni nuk do të kishte një përparim të pritshëm në fushat e tjera, megjithë optimizmin e tij, ai din të jetë realist që të shohë gjanat e përditëshme me kambë në tokë e të mos ike nga realiteti.
Edhe atdhetari Hilë Mosi, nga mergimi, j´a kushton kto vargje në nderim për atdhetarizmin e përkushtimin, Imzot Nikollë Kacorrit në librin e tij me vjersha Zani Atdheut në 1910-ten.
Së fundit për sqarim të
disa gabimeve në shkrimin: Dom
Nikoll Kaçorri, ky njeri i jashtëzakonshëm i lënë në harresë, në gazetën
Tema të 3 korrikut 2012, ku z. Pandeli Majko shkruen:
“Ishte prifti
kosovar Dom Pren Kola, që shërben për besimtarët katolikë të Kosovës në Vjenë,
që mundi të identifikojë varrin e Dom Nikollë Kaçorrit… Përpjekjet e priftit
kosovar në Vjenë nuk qenë të lehta. Atij iu desh të kërkojë me ngulm për tre
vjet radhazi në dokumentet e Bashkisë së kryeqytetit austriak së bashku me të
afërmit e tij.”
Për mue si pjestar aktiv i këtij komuniteti në Vjenë, e
që jam marrë direkt me nxjerrjen dhe riatdhesimin e eshtnave të atdhetarit
Kacorri, faktet janë krejt ndryshe. Së
pari: Cdo njeri (edhe z.Majko) mundet që nga tryeza e tij e punës, të gjejë
varrin e cdo personit të dashtun i cili asht varrosun në varrezat e Vjenës
nëpermes faqes zyrtare të administratës së varrezave. Mjafton vetëm emri,
mbiemri, apo data e lindes / varrimit
për të identifukue me saktësi cdo varr qysh nga vitet e luftës së parë botnore,
si në rastin e Imzot Kacorrit. Së dyti:
Don Pren Kola nuk asht prifti i besimtarëve
katolike kosovarë në Vjenë, por i cdo shqiptarit katolik, pa
kufij..... Se treti: një ish komunist si z. Majko, nuk mund të bajë punën e
pendimit me një artikull të shkruem mbi Nikollë Kacorrin, mbas cka ka ndodhë me
klerin nga demonët komunistë edhe pse ai i përket një brezi tjetër. Ai nuk mund
të ankohet për lanien në harresë të Kacorrit, kur vete Majko ishte në krye të
shtetit shqiptar dhe mund ta riatdhesonte arkitektin e pamvarsisë. As Majko
e as klerikët shqiptar që sot janë në
majet e hierarkisë së kishës katolike shqiptare, që punuen në diaspore
(perfshirë ktu edhe Don Pren Kolën) nuk u kujtuen për 94 vjet për ta riatdhesue
ktë Liberator edhe pse i kishin mundësitë ekonomike të shpenzojnë 2.600€ (të
gjithë shpenzimet e nxjerrjes e të ekstradimit të eshtnave) për këtë akt.
Por ishte kambëngulja e ime, e mbështetun financiarisht
nga austriaku Dr. Bernhardt Stillfried
që bane të mujtun që Imzot Nikollë Kacorri të prehet në kishën ku punoj e
jetoj. Kushdo mundet për këtë, me pasë informacionet e sakta nga dosja me
dokumentat origjinale të ekstradimit të Imzot
Kacorrit të cilat ja kam dhurue bashkë me fotot dhe një film nga dita e
nxjerrjes, bibliotekës franceskane në Shkodër.
P.S. Dokumentat e perdorun ne kte shkrim jane gjete ne Arkiven e Shtetit ne Vjene, PA, Albanien.